Përmbledhje e Raportit Përfundimtar të Reformës në Arsim dhe Kërkim Shkencor
Komisioni për Raportin Përfundimtar të Reformës së arsimit të lartë, 7 korrik 2014
Raporti Përfundimtar i Reformës së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor përshkruan në radhë të parë një proces të plotë të politikë-bërjes, nga krijimi i një komisioni të pavarur në Janar 2014, me një dakortësi politike për një proces të plotë; tek përpunimi i raportit paraprak, Janar-Prill 2014; pastaj në fazën dy mujore për diskutime dhe sugjerime nga grupet e interesit, Prill-Qershor 2014; përpunimi i raportit përfundimtar duke përfshirë dhe reflektuar sugjerimet e marra nga diskutimi; raporti parashikon edhe fazen e përgatitjes së ligjit nga komisioni që mbaron në Korrik të 2014.
Reforma në arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor e parashtruar në këtë raport është një reformë tërësore. Është një reformë që përfshin të gjitha hallkat e arsimit të lartë si në nivel makro – qeverisjes qendrore; në nivel të mesëm – qeverisjen institucionale; në nivel mikro, tek pedagogu dhe studenti. Reforma përfshin përmirësimin e arkitekturës qeverisëse të AL, mënyrën e funksionimit dhe organizimin e institucioneve të AL, mënyrën e financimit, ndryshimet në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor e deri tek vizioni për të ardhmen e AL dhe mënyrën dhe fazat e implementimit të këtij reformimi.
Kjo reformë që e sheh arsimin e lartë si e mirë publike dhe shërbim publik, ka si qëllime kryesore: Përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në dy drejtimet kryesore: mësimdhënie dhe punë kërkimore-shkencore; Të lidhë AL me nevojat e tregut të punës, si dhe drejtimeve të zhvillimit të vendit; Krijimin e një sistemi të njësuar dhe të standardizuar të AL në Shqipëri; vendosjen e AL mbi baza financiare të qëndrueshme; krijimin e institucioneve të pavarura të AL.
Kjo reformë mbështetet mbi parime universale dhe rekomandimet ndërkombëtare të zhvillimit të arsimit dhe kërkimit shkencor të tilla si: AL është dhe duhet të jetë SHËRBIM DHE E MIRË PUBLIKE; AL duhet të bazohet mbi parimin e MUNDËSIVE TË BARABARTA; Në themel të tij duhet të qëndrojë KONKURRENCA midis institucioneve dhe individëve; RRITJA E AUTONOMISË së institucioneve të AL; Sistemi i arsimit të lartë duhet të INTEGROJË MËSIMDHËNIEN me KËRKIMIN SHKENCOR; Lidhja e Financimit të IAL-ve me PERFORMANCËN e tyre në mësimdhenie, kërkim-shkencor dhe inovacion.
Reforma e propozuar e AL ka në themel autonominë e plotë të IAL-ve në të gjitha aspektin e kësaj autonomie: Autonomia akademike, IAL-të të vendosin vetë për kurrikulat, fushat e kërkimit, metodat e mësimdhënies, si dhe për programet e mësimdhënies; Autonomia financiare, të diversifikohet mënyra e financimit të IAL-ve, autonomi në administrimin e të ardhurave, si dhe një autonomi e kontrolluar në vendosjen e tarifave të studimit; Autonomia organizative, në organizimin e strukturave të IAL-ve dhe statutit të tyre, zgjedhjen e organeve dhe autoriteteve drejtuese të IAL-ve, në hartimin e kontratave financiare nga vetë IAL-të; Autonomia e personelit, IAL-të janë përgjegjëse për zgjedhjen dhe punësimin e personelit të tyre, promovimin akademik të personelit dhe caktimin e pagave.
Gjendja
- 59 Institucione të Arsimit të Lartë (IAL) – 15 publike dhe 44 private
- 1500 programe të ofruara – 700 nga IAL publike dhe 800 nga IAL private.
- 650 programe Bachelor, 250 Master Profesional, 350 Master Shkencor, 100 Doktoratura
- 20 IAL për 1000 banorë – 20 herë më shumë se Britania e Madhe.
- Por një numër jo i lartë i studentëvë në arsimin e lartë në krahasim me vendet e zhvilluara
- Rreth 160 mijë studentë – 78.5% e studentëve në IAL publike, nga të cilët 21.5% me kohë të pjesshme.
- Buxheti i shtetit shpenzon rreth 460 euro/student në IAL publike – 0.4 – 0.6% e PBB për arsimin e lartë (publik dhe privat), krahasuar me një mesatare prej 1-3% të PBB në vendet e OSCD-së.
Ndryshimet e propozuara në organizimin e arsimit të lartë
Krijohet Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKF), një institucion i ri në menaxhimin e sistemit të AL i drejtuar dhe i organizuar nga një bord akademikësh dhe menaxherësh, që ka pavarësi në vendimmarrjen e tij. Anëtarët e bordit emërohen nga MAS-i pas propozimeve të bëra nga IAL-të në vend. AKF shpërndan fondet publike sipas politikave qeverisëse në pesë veprimtari të rëndësishme:
- Grantit të Mësimdhënies
- Fondi për mbështetjen e institucionit garanton funksionimin e IAL-ve publike;
- Fondi i mbështetjes – Bursat e studimit;
- Punës kërkimore – shkencore (pjesa logjistike);
- Zhvillimit;
- Mbështetjes së skemës së kredive studentore.
Agjensia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI) shndërrohet në Agjencinë Kombëtare për Kërkimin Shkencor (AKKSh). Organ me autonomi të theksuar i drejtuar nga një bord akademikësh të zgjedhur dhe emëruar nga MAS. Kjo agjenci ka për qëllim kryesor shpërndarjen e fondeve të punës kërkimore–shkencore mbi bazë aplikimi si dhe fondet për studimet e doktoratës.
Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) shndërrohet dhe merr kompetenca të zgjeruara në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) veçanërisht në kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së mësimdhënies në IAL në Shqipëri. Statusi i kësaj agjencie duhet të qartësohet me perspektivën për t’u shndërruar në një agjenci të pavarur me vetë-financim e ngjashme si agjencitë e rrjetit evropian (ENQA). Këshilli (Bordi) i Akreditimit sugjerohet të përbëhet nga ekspertë vendës dhe të huaj. Bordi i Akreditimit funksionon si ent më vete nga ASCAL-i. Detyrat e Agjencisë duhet të ndahen prej detyrave të Bordit të Akreditimit.
Krijohet Agjencia Kombëtare e Aplikimit Universitar (AKAU). Ky institucion është një ide e re në kushtet e Shqipërisë, por me rëndësi shumë të madhe, pasi reformon hyrjen në AL, duke përmirësuar standardin e rekrutimit të studentëve. Është agjenci varësie e MAS-it, dhe do të ketë katër funksione kryesore: a) Organizimin e aplikimit studentor; b) Matrikullimin; c) Provimin e shtetit për profesionet e rregulluara; d) Menaxhimin e bazës së të dhënave universitare. Detyra kryesore e kësaj agjencie është organizimi i aplikimit universitar për çdo kandidat dhe çdo institucion, publik apo jopublik.
Ndryshimet e propozuara në organizimin dhe Funksionimin e IAL
Reformohet sistemi i zgjedhjeve në IAL. Parimi kryesor i zgjedhjeve është që drejtuesit të zgjidhen nga grupe që kanë njohuri të drejtpërdrejta mbi kompetencat dhe rolin e tyre. Në rastin e senatit, rektorit, dekanit apo shefit të departamentit, në zgjedhje duhet të marrë pjesë vetëm personeli akademik me kohë të plotë i IAL-së.
Departamenti kthehet në njësinë bazë të vendimmarrjes. Departamenti merr më shumë kompetenca që lidhen me procesin e pranimit të studentëve, të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, përgatitjen e strategjisë së zhvillimit të IAL-së, karrierën shkencore për fitimin e gradës “Doktor i shkencave”, propozon numrin e programeve dhe numrin e studentëve për çdo program, e të tjera.
Rritet përfaqësimi i studentëve në mbarvajtjen e IAL-ve. IAL-ja është përgjegjës për krijimin e kushteve logjistike dhe financiare për organzimin e studentëve. Studentët përfaqësohen në një numër Komisionesh të Përhershme brenda IAL-së që merren me çështjet e tyre të drejtpërdrejta. Sugjerohet futja e mbledhjes së përbashkët të personelit akademik dhe të studentëve në nivel departamenti. Në këto mbledhje trajtohen çështjet e studentëve për çdo program. Rekomandohet që çdo program studimi të zhvillojë pyetësorin studentor për cilësinë e mësimdhënies. Ky pyetësor është një tregues i rëndësishëm i cilësisë së mësimdhënies. Sugjerohet që ASCAL-i të organizojë çdo tre vjet vrojtimin studentor për çdo IAL/Departament, i cili bëhet publik dhe merret parasysh në vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies së çdo IAL-je.
Rritet përgjegjshmëria e IAL-ve duke i dhënë kopetenca të qarta Senatit dhe Bordit Administrativ: Anëtarët e Bordit propozohen nga IAL-të, MAS dhe Autoriteti lokal dhe zgjidhen nga Senati; Individët që propozohen për anëtarë të Bordit përzgjidhen për kontributin e tyre të shquar në shoqëri; Bordi është organ mbikqyrës, por jo drejtues. Mbikëqyr dhe miraton strategjinë e zhvillimit dhe anën financiare të IAL-së; Bordi është përgjegjës për garantimin e politikave të stabilitetit/rritjes institucionale; Bordi mban përgjegjësi ligjore për dështimin financiar dhe mospërmbushjen e misionit të IAL-së. Organi akademik vendimmarrës më i lartë është Senati. Senati mbulon dhe miraton të gjitha çështjet akademike të IAL-së. Krijohet një ndarje e qartë e roleve dhe detyrave brënda strukturave të IAL-së për të rritur përgjegjshmërinë dhe efikasitetin.
Përmirësohet procesi i dhënies së titujve dhe e promovimit akademik. Vlerësimi dhe promovimi i personelit akademik duhet të kalojë në kompetencë të plotë të vetë IAL-ve. Për këtë është e domosdoshme të përcaktohen drejt kriteret kombëtare të promovimit të personelit akademik dhe Këshilli i Minsitrave ka për detyrë të hartojë dhe MAS-i të mbikëqyrë zbatimin e këtyre kritereve. Kriteret që duhet të përmbushë një IAL për të pasur të drejtën e dhënies së titujve janë: a) të ketë ushtruar veprimtarinë e tij akademike pa ndërprerje, për jo më pak se 10 vjet nga krijimi; b) të jetë domosdoshmërisht i akredituar nga ASCAL-i; c) të ketë jo më pak se 18 profesorë të punësuar me kohë të plotë; d) të ofrojë programe studimi të doktoratës në fushat e studimit ku mund të japë tituj akademikë. Komisioni sugjeron që sistemi të thjeshtëzohet në tre tituj, Lektor, Profesor i Asociuar dhe Profesor. Çdo pedagog mund të punësohet me kontratë të përhershme vetëm si lektor dhe ky duhet të ketë fituar gradën “Doktor i Shkencave” përpara punësimit. Duhet të hiqet titulli “Docent” për prurjet e reja. Promovimi nga “Lektor” në “Profesor i Asociuar” duhet të bëhet pas një periudhe jo më pak se 5-vjeçare dhe sipas rregullave të brendshme të çdo IAL-je. Periudha është e njëjtë edhe për promovimin nga titulli “Profesor i Asociuar” në titullin “Profesor”.
Ndryshimet e propozuara në financimin e arsimit të lartë
Parimet mbi të cilat duhet të mbështetet financimi i arsimit të lartë nga buxheti i shtetit, janë:
i. Konkurrenca e lirë
ii. Mundësitë e barabarta
iii. Mbështetja e interesave prioritare strategjike të vendit
iv. Shpërndarja e fondeve mbi standardet e cilësisë për:
o mësimdhënien,
o kërkimin-shkencor
o inovacionin/zhvillimin.
Sugjerohet të diversifikohet mundësia financiare e IAL-ve në vënd. Financimi kryesor vjen nga Shteti. Burime të tjera financimi mund të jenë edhe autoritetet lokale, investimi i biznesit, tarifat studentore, donacionet, veprimtaria ekonomike e të tjera. Financimi shtetëror bëhet mbi bazën e tre granteve:
- Granti i Politikave të Zhvillimit – Ky grant është shumë i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe jepet vetëm për IAL-të publike. MAS-i, në bazë të politikave të saj, përcakton përparësitë për këtë grant dhe e shpërndan atë mbi bazën e aplikimit apo të përparësive strategjike të zhvillimit të vendit. Shpërndarjen e këtij granti e bën Agjencia Kombëtare e Financimit (AKF)
- Granti i Mësimdhënies – Ky grant përbën pjesën kryesore të mbështetjes nga shteti për AL dhe mbulon të paktën 60% të financimit shtetëror në arsimin e lartë dhe shpërndahet nga AKF. Ai përbëhet nga:
- Fondi institucional – u jepet IAL-ve publike, i përllogaritur në bazë të numrit të studentëve që ndjekin ciklin e parë të studimeve, drejtimin e programeve studimore, si edhe numrit të personelit akademik. Ky fond garanton funksionim bazë të IAL-ve publike.
- Fondi i mbështetjes studentore – përbëhet nga tre zëra financimi:
- Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me rezultatet më të larta në nivel kombëtar, pavarësisht nga programi i studimit dhe IAL-së publike ose jopublike, të përzgjedhur prej tyre.
- Bursat për studentët në programet parësore u jepen studentëve që zgjedhin programet parësore në IAL-të publike. Sipas rastit, bursat mund të përfitohen nga të gjithë studentët e një programi parësor ose nga studentët më të mirë që zgjedhin programin, pavarësisht se në shkallë kombëtare nuk klasifikohen si studentë të shkëlqyer.
- Bursat sociale u jepen të gjithë studentëve që përmbushin kriteret e kategorisë “në nevojë” dhe janë shpallur fitues në IAL-të publike.
- Granti i Punës Kërkimore Shkencore – Ky grant është shumë i rëndësishëm për të nxitur punën kërkimore-shkencore dhe ka munguar deri diku në sistemin e AL në vend. Ky grant është i hapur për të gjithë IAL-të në vend. Jepet për punën shkencore (përfshi doktoratat), ku përfitojnë si IAL-të publike edhe ato jopublike. Shpërndarja e fondeve bëhet nga AKKSH-ja mbi bazë merite/aplikimi dhe renditjes (“rankim”-i) që u bëhet IAL-ve publike dhe jopublike nga AKKSH-ja.
Ndryshimet e propozuara në mësimdhënie dhe kërkim shkencor
Ndryshimet e rekomanduara në drejtim të mësimdhënies janë të gjera dhe shumë të detajuara në raport. Ato përfshijnë disa drejtime kryesore:
Rishikimi i Standardeve: Standardizimi i kurrikulave në nivel kombëtar; Rritja e kontrollit në zbatimin e standardeve nëpërmjet treguesve të matshëm; Forcimi i doktoraturës si një punim shkencor; Lidhja e tregut të punës me trajnimin universitar.
Rishikimi i aksesit në arsimin e lartë: Unifikimi i mënyrës dhe formës së aplikimit; Futja e kriterit minimal për pranimin e studenteve në arsimin e lartë.
Rishikimi i ngarkesës mësimore: Ulja e ngarkesës mësimore të pedagogëve në favor të punës kërkimore;
Qartësimi dhe matshmëria e detyrave të personelit akademik.
Rëndësi të veçantë duhet të ketë mësuesia.
Në punën kërkimore shkencore komisioni sugjeron që të rritet financimi i punës kërkimore shkencore. Financimi i IAL-ve do të bëhet edhe mbi bazën e vlerësimit të punës kërkimore shkencore për do individ dhe çdo departament. IAL-të/departamentet duhet të renditen mbi bazën e punës kërkimore shkencore. Financimi për punë kërkimore shkencore bëhet i hapur dhe me konkurim nga çdo individ dhe nga çdo IAL.