Vizioni i Shtetiweb për Reformën Administrative Territoriale

Pse nevojitet Reforma?

Ndarja aktuale administrative dhe territoriale e njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri është përcaktuar me ligjin nr.8653/2000 “Për ndarjen administrative dhe territoriale të njësive të qeverisjes vendore të Republikës së Shqipërisë”. Ky ligj ruajti ndarjen administrative dhe territoriale të fragmentuar të vënë në zbatim në vitin 1992, ndarje e cila ishte bazuar kryesisht në trashëgiminë e organizimit shtetëror nga sistemi komunist.

Reforma e decentralizimit mori hov pas miratimit në vitin 1998 nga vendi ynë të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe miratimit të ligjit nr.8652/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Megjithatë, në një hartë administrative-territoriale tepër të fragmentarizuar me 385 njësi të qeverisjes vendore, decentralizimi mbeti më shumë një objektiv se sa një realitet.

Reforma Administrative Territoriale është bërë e domosdoshme për të adresuar problemet e mëdha të krijuara nga fragmentarizimi i tepruar i territorit të vendit, për ta thelluar procesin e decentralizimit në Shqipëri, duke përfshirë decentralizimin fiskal, si dhe për marrjen e përgjegjësive të planifikimit dhe administrimit të territorit prej qeverisjes vendore.

Objektivat

Reforma Administrativo-Territoriale duhet të synojë fuqizimin e njësive të qeverisjes vendore duke rritur kapacitetin e tyre për të ofruar shërbime të një cilësie të lartë për qytetarët dhe rritjen e efiçencës së menaxhimit të burimeve natyrore, financiare dhe njerëzore të këtyre njësive.

Reforma duhet të jetë tërësore. Ndarja e re administrative territoriale duhet të shoqërohet me një thellim të mëtejshëm të procesit të decentralizimit. Vetëm ndarja territoriale nuk do të mundësonte realizimin e objektivave për rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, afrimin e tyre ndaj qytetarëve, zhvillimin dhe kontrollin e territorit si dhe rritjen e efiçiensës së funksionit të qeverisjes vendore.

Reforma duhet të jetë gjithpërfshirëse. Procesi i realizimit të saj duhet të sigurojë përfshirjen e të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe të vetë komunitetit. Forcat politike nuk duhet të nisen nga interesat e tyre elektorale. Ndarja administrative territoriale e vendit nuk është ndarje e zonave elektorale. Një qëndrim i tillë i forcave politike do të dëmtonte mjaft  përmbajtjen e reformës.

Modeli i qeverisjes vendore

Propozimi i ShtetiWeb konsideron që qeverisja vendore duhet të vazhdojë të jetë e organizuar në dy nivele:

-          niveli i parë që konsideron Bashkitë, fokusohet kryesisht në shërbimet ndaj banorëve,

-          niveli i dytë që konsideron Rajonet, fokusohet kryesisht në zhvillimin dhe kontrollin e territorit.

Në mënyrë të veçantë, organet e reja të qeverisjes vendore, duhet të marrin dhe zhvillojnë përgjegjësitë e tyre në procesin e buxhetimit të të ardhurave të veta dhe në planifikimin e territorit. Dhënia e kompetencave të reja do të bëhet nëpërmjet thellimit të decentralizimit, sidomos të kompetencave që sot mbahen nga strukturat e dekoncetruara të pushtetit qëndror, si dhe të decentralizimit fiskal. I gjithë ky proces decentralizimi do të bazohet në një hartë të re të qeverisjes vendore, ku numri i njësive ulet në mënyrë të konsiderueshme.

Për të reformuar në tërësi modelin aktual të qeverisjes vendore, në veçanti për të ridimensionuar madhësinë e njësive vendore, do të konsiderohen specifikat e vendit tonë, që lidhen me territorin, zhvillimin social-ekonomik, resurset natyrore, infrastrukturën, lëvizjet demografike, traditat kulturore, si :

-       Një vend i vogël me popullsi 4 milion banorë dhe sipërfaqe 28 mijë km,

-       Terreni është ¾ malor,

-       Popullsia rreth 50% në fshat,

-       Lëvizje të konsiderueshme të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane,

-       Rrjeti relativisht i prapambetur i rrugëve, sidomos në zonat malore.

-       Diversiteti i popullsisë sipas krahinave,

-       Pabarazi në zhvillimin ekonomik dhe social të zonave fushore dhe malore.

Krijimi i bashkive synohet të niset nga qëndrat aktuale urbane, duke mbajtur parasysh, identitetin dhe numrin e popullsisë,  resourset potenciale të zhvillimit, kryesisht brënda territorit të rretheve, por edhe jashtë tyre. Bashkitë e krijuara do të jenë:

-   kryesisht urbane, (qytetet kryesore bashkohen me territore në proces urbanizimi të komunave përreth)

-   të përzjera urbane dhe rurale (qytete të vogla bashkohen me komuna me identite të përafërta)

-   tërësisht rurale, (bashkimi i disa komunave), këto të kufizuara kur plotësohen kriteret e më sipërme.

Propozimi i Shtetiweb do të rikonfigurojë dhe do të forcojë nivelin rajonal (shkallën e dytë) të qeverisjes vendore. Rajonet do të organizohen kryesisht sipas baseneve kryesore ujore të vendit dhe resurseve të tjera natyrore, për të siguruar me prioritet zhvillimin ekonomik të territoreve të tyre. Strukturat e rajoneve duhet të përshtaten dhe përgatitur për të siguruar fondet e ardhshme strukturore dhe të kohezionit të BE-së dhe për të shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga programet e IPA-s, si dhe iniciativa të tjera të destinuara për Ballkanin Perëndimor.

Metoda e punës

Propozimi i Shtetiweb do të marrë jetë nëpërmjet një procesi të gjërë konsultimi dhe pjesmarje qytetare:

Së pari, nëpërmjet konsultimit të një numri të konsiderueshëm personash pamvarësisht përkatësive partiake, me eksperiencë në qeverisjen vendore dhe njohës të mirë të territoreve përkatëse, do të skicohet një projekt i njësive të nivelit të parë dhe të dytë .

Së dyti, projekti i nënshtrohet një diskutimi në tryezat e punës të ngritura sipas rajoneve, kryesisht me ish drejtues të pushtetit vendor dhe personalitete të afirmuara.

Së treti, propozimi sipas rajoneve i nështrohet një diskutimi me komunitetin qytetar përmes forumit që funksionon pranë Shtetiweb.

Propozimi përfundimtar i konsultuar dhe diskutuar si më sipër, i rekomandohet organeve vendimarrëse të kësaj reforme dhe bëhet i njohur publikisht.

 

image_pdfimage_print

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Si mund të qeveriset një vend që ka 246 lloj djathrash?
    - Charles De Gaulle
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan