Çfarë janë Institucionet?

INSTITUCIONET PUBLIKE

Fjala institucion (institutum in.), rrjedh prej latinishtes instituo (krijoj, formoj). Zakonisht, sidomos në këtë web, fjala institucion  ka kuptimin politik dhe atë juridik, por shpesh ajo ka edhe kuptime të tjera, sidomos fetar, ekonomik, sociologjik, filozofik apo akademik. Në kuptimin politik, fjala institucion përcakton tërësinë e strukturave politike që rezultojnë prej rregjimit politik dhe që funksionojnë sipas Kushtetutës, ligjeve, rregulloreve dhe zakoneve. Në kuptimin juridik përcakton  institucionet  e drejtësisë, domethënë gjykatat, etj. Në planin sociologjik një institucion përcakton një strukturë sociale (ose një sistem raportesh sociale) e qëndrueshme në kohë.

Sipas një përkufizimi më sintetik,  një institucion është një “rregull loje” e pranuar shoqërisht. Sejcili institucion nënkupton një tërësi normash, të cilat individët duhet ti zbatojnë. Të tilla norma mund të jenë me natyrë morale, zakone të vendit dhe norma të shtetit. Gjithashtu ato janë parime themelore juridike të shtetit dhe janë organizmat politike kushtetuese që i shprehin ato. Kur është fjala për struktura dhe mekanizma të rregullit shoqëror, institucionet janë objekt i studimit të shkencave shoqërore: të sociologjisë, shkencave politike dhe ekonomike.

Historikisht, dallimi midis epokave ose periudhave të ndryshme, nënkupton një ndryshim të madh dhe themelor në sistemin e institucioneve që qeverisin shoqërinë. Ngjarjet politike dhe ushtarake vlerësohen me rëndësi historike nëse shoqërohen me ndryshime të institucioneve. Në historinë evropiane një rëndësi të veçantë ka patur tranzicioni i gjatë të institucioneve feudale të Mesjetës në institucionet moderne, që qeverisin jetën bashkëkohore.

Dallohen institucionet formale dhe institucionet informale. Institucionet formale janë tërësia e kontratave, rregullave politike, juridike dhe ekonomike të shkruara, eksplicite dhe zbatimi i të cilave sigurohet prej një njësie, përgjithësisht Shtetit ose administratës të tij. Në të kundërtën, institucionet informale nuk janë të shkruara, ato janë rregulla implicite, ekzekutimi i të cilave sigurohet në mënyrë endogjene prej individëve që i përkasin të njëjtit grup ose të njëjtit komunitet. Institucionet informale janë një tërësi zakonesh, marrëveshjesh, normash ose kode të sjelljes në një shoqëri. Këtu përfshihen psikologjia, kultura, zakonet, sistemi i simboleve përgjithësisht të bashkëpranuara nga anëtarët e një shoqërie, vlerat dhe normat e sjelljes universale të njojtura dhe të zbatuara, tërësia e diskutimeve që formulojnë një bazë për proceset e komunikimit. Pra, janë institucione edhe etika, e drejta dhe arti.

Shumë institucione të rëndësishme, të konsideruar abstrakte zotërojnë si aspekte objektive dhe subjektive. Si shëmbull përmëndim paranë dhe martesën. Institucioni i parasë përqafon shumë organizata formale, përfshirë bankat, departamentet qeveritare të thesarit dhe bursat, që mund të quhen “institucione”.  Institucionet e fuqishme janë në gjëndje ti japin një vlerë parasë letër dhe të fusin miliona njërëz në prodhim dhe në tregti për të arritur qëllimet ekonomike të përfaqësuara nga paraja. Martesa dhe familja, si tërësi institucionesh, mbulojnë aspekte formale dhe informale, si objektive ashtu dhe subjektive. Institucionet qeveritare dhe ato fetare krijojnë dhe zbatojnë rregulla që i përkasin martesës dhe familjes, të cilat krijojnë dhe rregullojnë koncepte të ndryshme, për shëmbull si përsonat lidhen njëri me tjetrin dhe cilat mund të jene për pasojë të drejtat e detyrat e tyre si dhe detyrimet që lindin nga këto lidhje. Gjithashtu kultura dhe traditat  e një vendi përshkojnë gjërësisht martesën dhe familjen. Institucionet formale ndryshojnë relativisht më shpejt se institucionet informale. Kështu, është më lehtë të ndryshosh rregullat elektorale se sa kulturën dhe normat sociale të një vendi. Gjithashtu ndryshimi i institucioneve formale mund të jetë i menjëhershëm ose brutal, ndërsa institucionet informale evoluojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe gradualisht.

Institucionet formale grupohen në dy kategori: institucionet ekonomike dhe institucionet politike. Institucionet ekonomike përcaktojnë rregullat që rregullojnë bashkëveprimet njërzore në fushën ekonomike, ndërsa institucionet politike përcaktojnë këto rregulla në fushën politike. Në një vend, mund të ekzistojnë shumë tipe të institucioneve ekonomike: institucionet e krijimit të tregut (për shëmbull, institucionet e së drejtës së pronës), institucionet e regullimit të tregut (për shëmbull, organizmat e regullimit), institucionet e stabilizimit të tregut (për shëmbull, institucionet monetare dhe buxhetore) dhe institucionet e legjitimimit të tregut (për shëmbull, institucionet e mbrojtjes dhe të sigurimeve shoqërore). Këto vitet e fundit, institucionet e së drejtës së pronës dhe institucionet e regullimit janë ato që kanë tërhequr më shumë vëmëndjen e ekonomistëve në studimet e tyre. Duhet gjithashtu të dallojmë institucionet e politikave ekonomike, të cilat janë instrumenta të përcaktuara nga qeveria për realizimin e objektivave të interesit publik. Zgjedhja e politikave ekonomike varet prej institucioneve që ekzistojnë në një vend. Në rregjimet diktatoriale, kjo zgjedhje varet prej një individi të vetëm, përgjithësisht shefi i ekzekutivit; ky nuk është rasti në rregjimet demokratike. Shënojmë që politikat ekonomike ndryshojnë shumë shpejt në krahasim me institucionet. Kështu në një vend politika buxhetore ose e taksave mund të ndryshojnë nga një vit në tjetrin, ndërsa institucionet që bëjnë përcaktimin e këtyre politikave qëndrojnë në kohë.

Ekzistojnë gjithashtu institucionet e organizatave që formohen nga një grup individësh të bashkuar për të njëjtin objektiv dhe për realizimin e të njëjtave rezultateve. Këtu identifikohen partitë politike si organizata politike, firmat si organizata ekonomike, shkollat, universiteti si organizata edukative, etj.

Për sa i përket institucioneve politike, zakonisht pranohet përkufizimi që lidhet me institucionet demokratike:  ato janë rregullime institucionale përgjithësisht të pranuara që lejojnë të marrin vendime politike dhe në të cilat personat drejtues e marrin pushtetin e vendimarrjes nëpërmjet garave elektorale. Në praktikë institucionet demokratike janë të lidhura me ekzistencën e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, përgjegjësinë e politikanëve kundrejt zgjedhsve dhe me pjesmarrjen e lirë të qytetarëve në aktivitetet politike. Në kuptimin juridik, një institucion publik është një person juridik i cili në veprimtarinë e vet financohet nga fonde publike dhe kontrollohet nga shteti. Drejtimi i një institucioni publik mund të bëhet nëpërmjet një personi të vetëm ose prej një bordi apo Këshilli Administrativ, anëtarët e të cilit janë të gjithë nënpunës të shtetit dhe të emëruar prej tij për një periudhë kohe të caktuar. Veprimtaria e institucioneve politike është objekt i së drejtës kushtetuese, ndërsa veprimtaria e institucioneve publike është objekt i së drejtës civile.

“Institucionet Publike kanë një vlerë jashtëzakonisht të madhe për një komb. Nëqoftëse ato përdoren në mënyrë të përshtatshme për hartimin e politikave, për zbatimin dhe administrimin e tyre, atëhere institucionet publike do të jenë po aq të rëndësishme për zhvillimet dhe perspektivën kombëtare, sa ç’janë edhe burimet ekonomike natyrore. Problemi shtrohet se sa saktë ndërtohen këto istitucione me qëllim që të funksionojnë në mënyrë sa më efektive perspektivat administrative dhe manaxheriale” (Dwight Waldo)

image_pdfimage_print
Për të mësuar më shumë

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold Macmillan
  • Një burri të vërtetë shteti, kur ndodh t'i mungoj armiku, duhet ta shpiki atë
    - Otto von Bismarck