Çfarë është Shteti i së drejtës?


Fillimisht duhet të sqarojmë se cila është terminologjia që duhet të pranojmë: shteti ligjor apo shteti i së drejtës, terma këto të përdorura gjerësisht sot në literaturën politike e juridike. Të dyja termat kanë të njëjtin kuptim, shprehin të njëjtin koncept, atë të lidhjes së ngushtë dhe reciproke midis shtetit dhe së drejtës. Kjo lidhje shprehet në mënyrë tepër të qartë në nenin 4, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: “ e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Ndoshta për arsye të referimit kushtetues, në Shqipëri duket se shprehja “shtet i së drejtës” ka fituar qytetarinë.

Përkufizimi i Shtetit të së drejtës ndryshon sipas autorëve dhe epokave. Shteti i së drejtës është para së gjithash një model teorik i organizimit të sistemeve politike. Ai është bërë një temë themelore e politikës meqenëse konsiderohet si një nga karakteristika kryesore të regjimit demokratik, por nuk është detyrimisht një rregjim demokratik. Përgjithësisht një Shtet i së drejtës nuk është detyrimisht demokratik, por çdo Shtet demokratik është një Shtet i së drejtës. Shteti i së drejtës duket kështu si një etapë e parë në formimin e një Shteti demokratik. E kundërta e tij është despotizmi ose rregjimi policor, ku mbretëron arbitrariteti dhe rregjimi i dhunës. Ndodh që nocioni i Shtetit të së drejtës të kundërshtohet nga nocioni i Arësyes së Shtetit.

Sipas një përkufizimi të vjetër shteti i së drejtës është një sistem institucional në të cilin fuqia publike i nënshtrohet së drejtës. Ai bazohet në parimin thelbësor të respektimit të ligjit, sejcili i nënshtrohet së njëjtës së drejtë, qoftë ky individ apo pushtet publik. Pra, në një rast të veçantë mund të kundërshtohen veprimet e Shtetit ose të një drejtuesi politik, nëse ato konsiderohen jo në përputhje me ligjin. Juristi austriak Hans Kelsen e ka ripërkufizuar këtë koncept me origjinë gjermane (Rechtsstaat) në fillim të shekullit të XX, si një “Shtet në të cilin normat juridike janë të hierarkizuara në mënyrë që fuqia e tij të jetë e kufizuar”. Në këtë model, çdo normë merr vlefshmërinë e saj në përputhje me normat e mësipërme.

Shteti i së Drejtës mund të përmblidhet sipas formulës: “Asnjë nuk është mbi ligjin”. Përgjithësisht, ky regjim grupon një tërësi normash juridike që mbrojnë qytetarët nga format arbitrare të pushtetit (ekzekutiv). Që një Shtet i së drejtës të ekzistojë duhet që detyrimet që lindin prej Shtetit të jenë zyrtare, pavetore, detyruese dhe me sanksione. Me fjalë të tjera, ligjet duhet të: 1) jenë bërë publike, 2) asnjë nuk mund t’u shpëtoj atyre, 3) ato duhet të zbatohen realisht, dhe 4) shkelja e ligjeve duhet të sjell sanksione.

Shteti i së drejtës është shumë i lidhur me respektimin e hierarkisë së normave, ndarjen e pushteteve, barazinë e subjekteve të së drejtës para normave juridike, ekzistencën e juridiksioneve të pavarura dhe garantimin e të drejtave civile dhe politike të individëve. Këto përbëjnë kushtet themelore që duhet të plotësojë një Shtet i së Drejtës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi