Akti administrativ

Akti administrativ është një koncept thelbësor i të drejtës administrative. Akti administrativ duhet konceptuar si deklarim ose shfaqje e vullnetit të pushtetit nga organet që ushtrojnë veprimtari administrative, i kryer në përputhje të plotë me kushtetutën dhe me ligjet në tërësi, që zbatohet nëpërmjet vullnetit të lirë të subjekteve të cilëve u drejtohet ose me anë të fuqisë shtrënguese të shtetit. Qëllimi i tij është krijimi, ndryshimi ose shuarja e pasojave të caktuara juridike. Akt administrativ quhet çdo urdhër, vendim, apo veprim që merret nga autoritetet administrative për rregullimin e një rasti të veçantë ose rasteve të përgjithshme në sferën e të drejtës publike.

Në kuptimin e Kodit të Proçedurave administrative, do të konsiderohen akte administrative të gjitha vendimet e organeve të administratës publike, të cilat krijojnë pasoja juridike në raste individuale. Sipas ligjit, “Akt administrativ” është çdo vendim, me shkrim, i organit publik, i njëanshëm, i dhënë në ushtrim të funksionit publik ndaj një ose disa personave individualisht të përcaktuar, që krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike.

Duhet bërë dallimi midis akteve administrative nga aktet e administratës. Të dy llojet e akteve i nxjerr Administrata, por jo çdo akt që nxjerrë administrata është akt administrativ

Aktet administrative janë njëra nga llojet e akteve të administratës. Katër janë veçoritë ose tiparet që karakterizojnë aktin administrativ:

1. Akti administrativ është një akt juridik. Duke qënë i autorizuar nga ligji, ai ka automatikisht pasoja ligjore. Në këtë kuptim, një akt administrativ është një akt juridik. Jo të gjitha veprimet që kryejnë organet e administratës dhe nëpunësit e saj publikë përmban në vetvehte elementin juridik, jo çdo veprim i tyre sjell detyrimisht pasoja juridike. Shumë veprime të administratës publike janë veprime të një karakteri material dhe të tjera me karakter  teknik. Elementin juridik të aktit administrativ e përcakton fakti nëse ky akt krijon ose shuan një marrëdhënie të caktuar juridike nëpërmjet vendosjes së normave të detyrueshme për subjektet të cilave ai u drejtohet.

2. Akti administrativ është një akt i njëanshëm. Kuptimi i njëanshmërisë është i lidhur me faktin se domodoshmërisht në anën e tij qëndron gjithmonë shteti nëpërmjet organit të administratës publike. Duhet të ekzistojë vullneti juridik shtetëror i organit administrativ që të lind, të ndryshojë ose të shuhet një marrëdhënie juridike. Organet administrative veprojnë gjithmonë në emër dhe për llogari të shtetit.

3. Akti administrativ është specifikë e organeve që kryejnë veprimtari administrative. Ky element specifik del nga përkufizimi i aktit administrativ. Prerogativa e nxjerjes së aktit administrativ i përket si organit administrativ, ashtu dhe organit që me ligj i njihet kjo e drejtë.

4. Akti administrativ është akt nënligjor. Organet administrative nxjerrjen e aktit administrativ duhet ta kryejnë në bazë dhe dhe për zbatim të ligjit, sepse përndryshe nuk sjell efekte juridike. Vlefshmëria e aktit administrativ presupozon përputhjen e tij me përmbajtjen e vet ligjit.

Karakteri i përmbajtjes së aktit administrativ shërben si kriter për të klasifikuar dhe dalluar aktin juridik individual nga akti normativ ose i përgjithshëm. I pari rregullon në vecanti marrëdhëniet konkrete të posaçme për një çështje të caktuar dhe ndaj një subjekti ose grupi subjektesh të identifikueshëm, kurse i dyti vendos rregulla të detyrueshme sjellje për një marrëdhënie juridike ose për një kompleks marrëdhëniesh. Akti në këtë rast është abstrakt.

Akti administrativ dhe vendimi gjyqësor kanë aspekte të përbashkëta më njëri tjetrin, por kanë edhe elementë dallues si në substancë, ashtu dhe në formë. Vendimi gjyqësor për nga natyra e tij është individual sepse zgjidh një mosmarrëveshje konkrete dhe specifike midis palëve në konflikt. Efektet e tij shtrihen vetëm mbi çështjen konkrete dhe jo më tej. Vendimi gjyqësor merret nga gjykata, pasi ajo vihet në lëvizje nga palët në proces. Ai është eskluzivitet i gjykatës dhe nuk mundet ta kenë këtë prerogativë organe të tjera.

Aktet administrative kanë formë shkresore, me përjashtim të rasteve kur me ligj kërkohet një formë tjetër ose kur një gjë të tillë e imponojnë rrethanat. Aktet e organeve kolegjiale bëhen detyrimisht në formë shkresore vetëm në rastet kur një gjë të tillë e kërkon shprehimisht ligji. Në rastet e tjera këto akte regjistrohen në një procesverbal pa të cilin ato nuk shkaktojnë asnjë pasojë juridike. Aktet administrative, në çdo rast, tregojnë qëllimin e tyre.

Secili akt administrativ duhet patjetër të përmbajë: Autoritetin që e nxjerr aktin, si dhe çdo delegim të pushteteve që lidhet me nxjerrjen e aktit, identifikimin e palëve, të cilave iu drejtohet akti, shpjegimin e fakteve, që janë bërë shkas për nxjerrjen e aktit, bazën ligjore të aktit kur kërkohet nga ligji, shpjegimin e kuptimit të aktit, datën e hyrjes në fuqi të aktit, nënshkrimin e punonjësit të organit që nxjerr aktin ose të drejtuesit të organit kolegjial.

Për më shumë rreth aktit administrativ shih Leksionet e Dr. Sokol Sadushi.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi