Programi i Qeverisë Ilir Meta 2 (6 shtator 2001- 29 janar 2002)

Ilir Meta – I nderuar zoti President i Republikës, zoti Kryetar i Kuvendit,

të nderuar deputetë të Legjislaturës së Parë të shekullit të ri,

të nderuar bashkatdhetarë kudo që jeni,

të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

të nderuar të ftuar,

Rreth 22 muaj të shkuara paraqita në këtë sallë programin e Qeverisë sime të parë. Që nga ajo ditë kanë ndryshuar plot gjëra, ka ndryshuar edhe vetë ky Kuvend, i cili është rinovuar dhe rikompozuar, në bazë të vullnetit të shprehur nga populli shqiptar në zgjedhjet e lira të 24 qershorit. Duke i uruar punë të mbarë Kuvendit të ri, më lejoni të theksoj që në fillim se njëlloj si atëherë nuk ka ndryshuar për mua dhe nuk do të ndryshojë as për këtë Qeveri të re bindja themelore, se jemi këtu për t’i fituar e jo për t’i humbur sfidat e së ardhmes.

Unë vi sot përpara jush, përpara gjithë shqiptarëve, me bindjen se e nesërmja kërkon një ritëm të ri, një shpejtësi më të madhe dhe detyrimisht kërkon njerëz të rinj me përkushtim atdhetar dhe vizion europian, njerëz profesionistë dhe me kurajë, që nuk deformohen as nga pengesat burokratike, as për shkak kompromisesh me ndërgjegjen e tyre, dhe as si pasojë e terrenit të valëzuar ku zhvillohet politika shqiptare. Njerëz të tillë ne i kemi gjetur, i kemi mbështetur, u kemi dhënë mundësitë të zhvillojnë idetë dhe personalitetin e tyre duke iu ngarkuar përgjegjësi, të cilat janë kthyer në sukses të qeverisjes sonë. Ata janë ngritur mbi paragjykimet e të gjitha llojeve duke i mundur ato, jo me paragjykime të reja, por me profesionalizëm, me kurajë dhe rezultate, duke na dëshmuar të gjithëve se edhe në qeverisjen e vendit suksesi ka në themel të tij besimin.

Jam i bindur se të rinj të tjerë do të identifikohen në vazhdim, gjatë përpjekjes sonë të përbashkët për integrimin europian, duke marrë përgjegjësira të rëndësishme në administratën publike apo duke krijuar profile të reja politike.

       Dua t’ju siguroj juve dhe qytetarët, se unë besoj te Qeveria dhe te programi që po paraqes sot. Besoj se përmes programit të kësaj Qeverie ne së shpejti do të mbyllim në të gjithë sektorët kapitullin e tranzicionit të tejzgjatur, do të arrijmë të luftojmë dhe të godasim efektin e fenomeneve gërryese për shoqërinë tonë si korrupsioni, trafiqet, mediokriteti administrativ, diferenca e trashëguar në zhvillim midis zonave gjeografike të vendit, do të arrijmë të krijojmë arkitekturën e një shoqërie realisht moderne dhe kompetitive, e cila nuk funksionon thjesht e vetëm për ekspertët apo statisticienët mbikëqyrës, por funksionon çdo ditë, e në radhë të parë për qytetarin.

       Nuk duhet të harrojmë se në dhjetë vjet ambicia jonë për të europianizuar dhe modernizuar Shqipërinë, jo vetëm është frenuar shpesh nga paaftësia, mediokriteti apo nostalgjia sterile për të kaluarën, por disa herë është ndalur e tkurrur për shkak të pengesave e reaksioneve primitive, antidemokratike, antiinstitucionale e antiligjore dhe padyshim antieuropiane.

       Më lejoni të ndaj me ju shpresën e bazuar se sot, më në fund, ia kemi arritur të çlirohemi si klasë politike në tërësi nga makthet e formimit tonë të mangët politik, që ndoqën më shumë se një herë Shqipërinë, dhe të vëmë në shërbim të vendit dhe të njerëzve më shumë vetëdije qytetare dhe politike e pse jo, edhe më shumë dashuri e solidaritet njerëzor.

       Duke ndarë me ju këtë shpresë, ndaj dhe urimin që ky mandat i ri të jetë një fazë e re e zhvillimit tonë politik, që morali i atyre që qeverisin dhe morali i të gjithë të tjerëve, që natyrshëm synojnë të qeverisin nga pozicione të ndryshme, por gjithsesi oponente, të ketë si pikë konverguese konkurrencën e lirë të vlerave dhe të ideve në shërbim të Shqipërisë europiane. Çdo moral tjetër do të ishte vetëshkatërrues për bartësit e tij dhe i padobishëm për rrugën europiane të Shqipërisë.

       Gjatë mandatit të shkuar kemi marrë vendime të vështira dhe kemi kryer një punë të jashtëzakonshme, pavarësisht nga pengesat e kuptueshme objektive dhe subjektive, që na kanë dalë apo që na janë vënë sistematikisht përpara. Falë drejtësisë së këtyre vendimeve dhe vlerësimit që qytetarët shqiptarë i bënë kësaj pune, ne jemi përsëri këtu, të gatshëm për të hapur jo vetëm një kapitull të ri në qeverisjen e vendit, por edhe një faqe të re në historinë e tij. Kjo është faqja e përpjekjes sonë të përbashkët, pa dallim përkatësish partiake, krahinore dhe fetare, për të kaluar nga stadi i stabilizimit drejt modernizimit dhe integrimit europian të Shqipërisë.

Dua t’i garantoj të gjithë bashkëqytetarët tanë kudo që ndodhen, se jam plotësisht i vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm që ka ky kabinet i ri, në kuadrin e përpjekjes mbarëkombëtare për realizimin e ëndrrës europiane të të gjithë shqiptarëve. Njëkohësisht, edhe t’i siguroj të gjithë se kjo Qeveri do ta luajë rolin e saj, duke u mbështetur mbi parimet e shenjta të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke respektuar në çdo kohë të gjitha normat dhe institucionet, që garantojnë funksionimin normal të sistemit tonë demokratik, duke kultivuar me durim frymën e bashkëpunimit me të gjithë faktorët politikë e shoqërorë. Sepse ne jemi të bindur që procesi historik, ku synojmë të hyjmë përfundimisht brenda vitit të parë të këtij mandati me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, imponon si kusht themelor të suksesit të vet një standard të ri marrëdhëniesh midis këtyre faktorëve.

       Një faktor i pazëvendësueshëm për arritjen e këtij standardi ka qenë dhe mbetet opozita, prandaj do të dëshiroja t’i adresohesha sot asaj pjese të rëndësishme të opozitës, që është rreshtuar në koalicionin Bashkimi për Fitore. Do të dëshiroja t’u kujtoja deputetëve të këtij koalicioni se qytetarët, që i kanë votuar për t’u ulur në ato karrige të lëna bosh, nuk mund të mbeten të papërfaqësuar në përpjekjen madhore e mbarëshqiptare të integrimit europian, të cilën ky Kuvend do ta bëjë duke hartuar ligje të standardeve perëndimore dhe duke ushtruar kontrollin e vet mbi Qeverinë e votuar nga maxhoranca.

Fatkeqësisht, deputetët e Bashkimit për Fitore mungojnë në këtë debat

parlamentar për votëbesimin e Qeverisë, duke iu shmangur në fakt kontributit në përmirësimin e mundshëm të një programi qeverisës për ndërtimin e Shqipërisë europiane, së cilës Qeveria e re është e vendosur t’i shërbejë pa neglizhuar asnjë faktor politik e shoqëror e aq më pak opozitën. Kjo është një ftesë e sinqertë për opozitën e Bashkimit për Fitore, e cila sot jo vetëm duhet të luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm në Kuvend, por edhe duhet të mos vetëpërjashtohet nga procesi historik i integrimit europian, duke krijuar një boshllëk politik, institucional dhe etik, në vazhdën e një përpjekjeje që s’është e s’mund të jetë përgjegjësi ekskluzive e maxhorancës.

       Përshëndes me këtë rast Grupin Parlamentar të Partisë Demokrate dhe i siguroj ata që do të mirëpres çdo qëndrim konstruktiv dhe kritik të tyre, që do t’i shërbejë përmirësimit të qeverisjes, transparencës dhe respektimit të ligjeve dhe të Kushtetutës. Ne shpresojmë dhe urojmë që në të ardhmen bashkëpunimi dhe ballafaqimi me opozitën në tërësi të zhvillohet brenda kornizës së Kushtetutës të Shqipërisë, dhe në respekt të plotë për institucionet e shtetit demokratik, larg frymës së anarkisë dhe pa keqkuptime rolesh, apo më keq akoma, abuzime me rolin e përcaktuar për gjithsecilin nga vota e 24 qershorit.

       Ne jemi gati t’ia lëmë së shkuarës të gjitha polemikat e vjetra, ta ftojmë e ta presim qetësisht opozitën të ulet në vendin e vet dhe të marrim në konsideratë çdo shqetësim të shprehur prej saj në rrugë demokratike. Por njëkohësisht, theksoj se kjo Qeveri dhe kjo maxhorancë, si shprehje e vullnetit të lirë të popullit shqiptar, kanë të drejtën dhe detyrën të qeverisin, duke përmbushur në kohën e caktuar angazhimet e marra e të reflektuara në programin qeverisës. Këtë ne nuk do ta harrojmë për asnjë çast dhe kështu urojmë që të mos e harrojë askush tjetër.

       Zoti President, zoti Kryetar,

         Të nderuar deputetë,

       Nuk do të bëj përpara jush një përshkrim të detajuar të programit të Qeverisë së re, program që gjithkush nga ju e ka përpara, ashtu sikundër e kanë në dispozicion të gjitha organet e shtypit, që dëshirojnë për të informuar publikun. Kështu që, do të më lejoni që përpara pyetjeve, diskutimeve dhe votëbesimit të kabinetit qeveritar, të ekspozoj një sintezë të programit të kësaj qeverie për katërvjeçarin në vazhdim.

       Prioriteti, që dikton të gjitha prioritetet tona, është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne do ta afrojmë në mënyrë të ndjeshme ditën e anëtarësimit në familjen e bashkuar europiane. Besoj se ndaj me të gjithë ju mendimin se, nëse Shqipëria e sotme është e denjë për vëmendjen dhe përkrahjen e çmuar të partnerëve euroatlantikë, kjo ka ardhur në radhë të parë si pasojë e angazhimit maksimal të shtetit të ri shqiptar në krijimin e kushteve të favorshme për lindjen dhe zhvillimin e institucioneve demokratike, në rritjen e ndjeshme të standardeve të sigurisë në vend, në avancimin me sukses të reformave të ekonomisë së tregut, në zhvillimin e një drejtësie të pavarur, si dhe në mbështetjen e një politike të paqes dhe të bashkëpunimit në rajonin tonë.

Rezultatet në këto drejtime vitet e fundit kanë qenë mjaft shpresëdhënëse, në raport me të kaluarën tonë problematike, por të pamjaftueshme me axhendën europiane të Shqipërisë.

       Brenda vitit të ardhshëm ne synojmë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkim Europian, gjë që ndër të tjera do të thotë se kjo Qeveri do të ketë si vijë të sjelljes së saj konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, si dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Sepse asnjë shtet s’mund të jetë i denjë për Europën e sotme, pa pasur në qendër të vëmendjes së vet rritjen e pandërprerë të standardeve të veta të drejtësisë dhe të sigurisë dhe zhvillimin e aftësisë së vet bashkëpunuese me të tjerët, në funksion të një Europe më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë. Të ndërgjegjshëm se lufta kundër krimit dhe trafiqeve të çdo lloji përbën një gur të patjetërsueshëm prove, edhe për mandatin tonë të ardhshëm, ne jemi të vendosur dhe të angazhuar për të hedhur në këtë drejtim të gjithë hapat e nevojshëm dhe të domosdoshëm. Ngritja e Qendrës Rajonale të luftës kundër trafiqeve në Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, është një nismë konkrete, në funksion të luftës pa kompromis që jemi të vendosur të zhvillojmë kundër një fenomeni kaq negativ për rajonin dhe vendin tonë siç janë trafiqet.

       Ndryshimi rrënjësor i imazhit të Shqipërisë në këtë aspekt është një objektiv plotësisht i realizueshëm dhe një angazhim konkret i këtij mandati të ri qeverisës. Krahas luftës kundër trafiqeve ilegalë të çdo lloji, lufta kundër korrupsionit do të jetë një betejë tjetër prioritare e kabinetit të ri. Plani i luftës kundër korrupsionit, i cili është hartuar në kuadrin e një bashkëpunimi të gjerë me pushtetin legjislativ, atë gjyqësor, shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe ka gjetur konsensusin e këtyre faktorëve, është një dokument veprimesh konkrete për goditjen sistematike të hapësirave të korrupsionit. Përmirësimi i legjislacionit shqiptar, në funksion të përafrimit të tij me legjislacionin e Bashkimit Europian, si dhe rezultatet e zbatimit të këtij legjislacioni në praktikë, janë jo vetëm kërkesë parësore e axhendës së procesit të integrimit europian, por edhe pjesë plotësisht e realizueshme e programit tonë qeverisës. Gjej rastin të nënvizoj se ky aspekt i procesit të integrimit është ndoshta sfida më komplekse e tij, pasi funksionimi i drejtësisë në një shtet demokratik kërkon ndërveprimin e efektshëm të një sërë faktorëve me detyrime kushtetuese e të përcaktuara qartë. Qeveria është vetëm njëri ndër ta dhe bashkë me Kuvendin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, gjykatat dhe prokurorinë kanë detyrimin të garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, pronën si dhe rregullat e konkurrencës së lirë.

 Synimi ynë është forcimi i institucioneve në luftë kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe rritja e profesionalizmit të tyre.

       Angazhimi ynë i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme e korrupsionit, dhe të gjitha angazhimet e tjera që kanë zënë vend në programin tonë qeveritar, nuk mund të përmbushen pa thelluar reformimin e administratës publike. Reformat, që kanë të bëjnë me modernizimin shumëplanësh të administratës publike, kërkojnë rishikimin e institucioneve, përmes përcaktimit të qartë të kompetencave të çdo dikasteri dhe institucioni, përsosjen e procedurave të rekrutimit në shërbimin civil, reformën e strukturës së pagave dhe të shpërblimeve, me synim motivimin e mëtejshëm të administratës, duke mbajtur parasysh domosdoshmërinë e zbutjes së diferencave, që tashmë janë krijuar në këtë aspekt midis sektorit publik dhe atij privat.

       Hapat e hedhur në drejtim të modernizimit të administratës publike janë vetëm fillimi i një procesi, që duhet të ketë në qendër të vëmendjes së vet rritjen e cilësisë së shërbimeve, që shteti ka për detyrë t’u ofrojë qytetarëve. Një kërkesë për një dokument të thjeshtë identifikimi ose për licencimin e një aktiviteti nuk mund të mbyllet nëpër sirtarët e zyrave të shtetit me muaj të tërë, ndërkohë që njerëzit sorollaten sporteleve e korridoreve. Jo më pak e rëndësishme është që të eliminohen vështirësitë burokratike e radhët stresuese për derdhjen e detyrimeve të dritave, ujit, telefonave si dhe për marrjen e pensioneve, duke iu kthyer jo vetëm qytetarëve, por edhe vetë zyrave të shtetit dhe nëpunësve të tyre dinjitetin e munguar e të nëpërkëmbur deri tani edhe nga mungesa e kushteve.

       Një shoqëri e orientuar drejt nga ekonomia e tregut nuk mund të neglizhojë dimensionin e saj social, prandaj angazhohem personalisht që brenda vitit të parë të këtij mandati, në bashkëpunim të ngushtë edhe me pushtetin vendor, të fillojmë një revizionim të metodikës, një ristrukturim të plotë të zyrave të shërbimeve të administratës qendrore e lokale, me synim përmirësimin e shpejtë të cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Futja e sistemeve bashkëkohore kompjuterike, përmes të cilave nëpunës civilë të trajnuar si duhet do të mund t’u përgjigjen më me shpejtësi e transparencë kërkesave të qytetarëve, do të sjellë një hop cilësor edhe në luftën për të minimizuar, deri në eliminim, bakshishet e turpshme në zyrat ku kryhen këto shërbime. Ambicia jonë është që në fund të kësaj legjislature, administrata publike në përgjithësi të kryejë rolin e vet në kushte shumë më të mira pune dhe të ketë mësuar të punojë me një respekt shumë më të spikatur për kohën e qytetarëve.

       Reforma e decentralizmit të pushtetit, si pjesë përbërëse e procesit të konsolidimit të demokracisë, përmes forcimit të autonomisë vendore gjatë viteve në vazhdim do të fitojë dimensione të reja. Jo vetëm falë vënies në jetë të ligjeve të guximshme, që ne kemi miratuar gjatë legjislaturës së kaluar, por edhe falë një sërë ligjesh të tjera, që presin miratimin e këtij Kuvendi, ne do t’i hapim rrugë një reformimi esencial të vetë pushtetit. Me gjithë rritjen e ndjeshme të grandit të buxhetit qendror për pushtetin vendor për rritjen e kapacitetit, cilësisë dhe transparencës së shërbimeve ndaj komunitetit dhe shkallës së vetëveprimit qytetar, një rëndësi të veçantë do të ketë mobilizimi më efiçent i burimeve të të ardhurave në dispozicion, që burojnë nga pronat dhe aktiviteti ekonomik në territorin ku ata ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Në raport me pushtetin vendor, vëmendja jonë nuk do të përqendrohet thjesht te kryerja me sa më shumë efikasitet e punëve për rehabilitimin dhe mirëfunksionimin e infrastrukturës urbane, por te tërësia e elementeve të mjedisit urban, me qëllim rritjen e cilësisë së jetës në qytetet tona.

       Kontrolli i shtetit mbi territorin e qyteteve dhe pasurinë publike të tyre do të shkojë duke u forcuar, në luftë me të gjitha fenomenet abuzive dhe korruptive të dekadës së fundit. Tashmë që lufta mbi krimin ka ardhur në parametrat normalë, ne kemi mundësi të fokusohemi edhe më tepër në goditjen e shkelësve të ligjit, që ndërhyjnë në rrjedhjet e shërbimeve esenciale të qyteteve, siç janë ata që ndërhyjnë në rrjetet e ujit të pijshëm, të energjisë elektrike apo që dëmtojnë për qëllime individuale hapësirat e tyre publike. Më duhet të theksoj këtu, se edhe politikat tona për mjedisin në përgjithësi deri më sot kanë qenë spontane dhe të paintegruara siç duhet në axhendën e punës së Qeverisë.

       Është fakt se në dhjetëvjeçarin e fundit ka ndodhur para syve tanë një degradim serioz i mjedisit. Plagët e këtij degradimi i shohim të gjithë, jo vetëm në qytete, por edhe në bregdet e në zonat e pyllëzuara, ashtu sikundër i konstatojnë shkencërisht profesionistët në analizat e tyre të ndotjes së ajrit, të ujërave dhe të vetë tokës. Për të ndaluar këtë degradim të shkatërrimit të mjedisit, si dhe për të kryer detyrat ambicioze që na dalin në këtë aspekt, edhe në kuadër të procesit të stabilizimit dhe të asociimit, në përbërjen e Këshillit të ri të Ministrave, që kërkon sot votëbesimin tuaj, është përfshirë edhe Ministria e Mjedisit. Detyra imediate e këtij dikasteri të ri do të jetë plotësimi dhe përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Europian i kuadrit ligjor në fushën e mjedisit, si dhe planifikimi i ndërhyrjeve konkrete për rehabilitimin e zonave më të prekura nga ndotja. Ndalimi përfundimtar dhe dënimi i të gjitha akteve të paligjshme mbi mjedisin, si dhe fillimi i një pune intensive për shërimin e plagëve të hapura në mjedisin e qyteteve, të bregdetit dhe të pyjeve tona, do të jenë objektiva, që kjo Qeveri dhe unë personalisht, do të kemi nderin e madh t’i përmbushim në emër të së ardhmes.

       Zhvillimi i bujqësisë dhe i industrisë agroushqimore do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë në fushën ekonomike gjatë mandatit të ri, për vetë peshën specifike që bujqësia zë në produktin e brendshëm bruto dhe për numrin e popullsisë që angazhohet në këtë degë të ekonomisë, e cila gjithashtu mbetet edhe pjesa më e varfër e vendit. Për këtë, krahas marrëveshjeve që pritet të realizohen me Bashkimin Europian dhe financimet e rëndësishme nga Buxheti i Shtetit, do të nxirret me përparësi kreditimi nëpërmjet sistemit bankar. Ne jemi të vetëdijshëm se zona verilindore e Shqipërisë përjeton akoma një trashëgimi ekonomike, sociale dhe infrastrukturore, të rënduar dhe të prapambetur, që e pengon të zhvillohet me të njëjtin ritëm si pjesët e tjera të vendit. Unë angazhohem sot, veçanërisht përpara përfaqësuesve të zgjedhur të zonës verilindore në këtë Kuvend, se do të ndjekim nga afër mbarëvajtjen e punës së të gjitha atyre hallkave të Qeverisë dhe të shtetit, që do të veprojnë apo kanë të bëjnë me realizimin e objektivit, për t’i bërë njëlloj të jetueshme qytetet apo komunat tona të Verilindjes. Me këtë synim, kemi parashikuar investime të rëndësishme dhe afatgjata për zhvillimin në radhë të parë të infrastrukturës, por edhe të arsimit dhe të shëndetit publik. Po kështu, po riaktivizojmë industritë nxjerrëse dhe përpunuese të kromit dhe të bakrit, nëpërmjet dhënies me koncesion, që do të bëjnë të mundur që këto industri të jetojnë dhe të ndihmojnë në gjallërimin e jetës ekonomike të Bulqizës, Burrelit, Mirditës, Pukës, Kukësit, Hasit etj.

       Trajtimi me përparësi i infrastrukturës së vendit në tërësi do të jetë pjesë e punës edhe për këtë Qeveri të re, që po paraqes sot përpara jush. Përveç investimeve të shumta, ne kemi parashikuar edhe një varg reformash institucionale, që do të ndërmerren për të nxitur pikërisht përparimin me ritme të shpejta të infrastrukturës, sidomos në ato zona, që paraqesin një potencial të fuqishëm për zhvillimin e turizmit, si një nga degët më me perspektivë të ekonomisë sonë në të ardhmen. Investimet do të kryhen duke u bazuar në masterplane të rëndësishme, që harmonizojnë të gjithë faktorët e zhvillimit me mundësitë financiare të vendit.

        Në vijim të punës, tashmë të nisur vrullshëm në fushën e modernizimit të infrastrukturës së transportit, ne do të përfundojmë rehabilitimin dhe ndërtimin e Korridorit Tetë dhe të atij Veri-Jug, do të nisim zbatimin e projektit madhor të rrugës drejt Kosovës, do të përfundojmë ndërtimin e terminalit të ri në aeroportin e Rinasit dhe ndërtimin e aeroportit të Kukësit, si dhe do të kryejmë investime të mëdha në portin e Durrësit, në zbatim të masterplanit 20 vjeçar të zhvillimit të tij, pa lënë mënjanë edhe portet e tjera të vendit.

       Dua të theksoj se ne e kemi kapërcyer përfundimisht fazën e emergjencës dhe të spontanitetit, dhe kemi filluar të hedhim bazat e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe afatgjatë, me strategji të qarta zhvillimi, që nga ato të karakterit global, siç është strategjia e zhvillimit ekonomik dhe e reduktimit të varfërisë, e deri te strategjia sektoriale apo planet specifike të zhvillimit. Në katër vitet e ardhshme ne do të ruajmë ritmet e rritjes ekonomike të të ardhurave për frymë në vit, do të mbajmë nën kontroll inflacionin, do të garantojmë stabilitetin e lekut dhe do të vazhdojmë rrugën e reduktimit të mëtejshëm të deficitit buxhetor, të financuar nga burimet e brendshme.

Mbi këto parashikime realiste mbështetet edhe programi buxhetor afatmesëm, i cili është një instrument modern dhe mjaft efikas i planifikimit buxhetor.

       Nëse dekada që u mbyll ishte një dekadë ku traumat e sistemit financiar tronditën themelet e shtetit e të shoqërisë, duke vrarë më shumë se një herë shpresën e qytetarëve. Dekada ku po hyjmë, falë reformave dhe bashkëpunimit me partnerët dhe institucionet ndërkombëtare financiare, është periudha e konsolidimit dhe e modernizimit përfundimtar të financave të shtetit, në funksion të ardhmërisë së sigurt të vendit tonë.

        Sot kemi hyrë plotësisht në një fazë të zhvillimit ekonomik, ku jemi të gatshëm t’i garantojmë biznesit privat më shumë hapësira reale zhvillimi dhe investimesh dhe, duke respektuar pavarësinë e sistemit bankar, të ndikojmë dhe të nxisim zgjerimin e zhvillimit të kreditit për ekonominë dhe për sektorët privatë, si gjeneratorë kryesorë të zhvillimit të ekonomisë së vendit. Në këtë mënyrë, gjatë këtij mandati do të mund të sigurojmë një zhvillim të mëtejshëm të ekonomisë reale, rritjen konstante të punësimit, të përmirësimit të të ardhurave dhe të një mirëqenieje për gjithnjë e më shumë qytetarë. Për ne biznesi dhe përfaqësuesit e tij mbeten partnerë me të drejta të plota, në rrugën e ndërtimit të një shoqërie moderne, e cila garanton konkurrencë dhe dinjitet për ata që kanë zgjedhur të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes sipërmarrjes së lirë.

       Qeveria do të marrë edhe masat e mundshme për të iniciuar zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe të funksionimit të institucionit të bursës, për të zgjeruar kështu mundësitë e financimit të zhvillimit ekonomik të vendit. Në të njëjtën kohë do të mbështesë sistemin bankar, që të jetë sa më aktiv në kreditimin e ekonomisë së vendit, krahas rritjes së vëllimit të depozitave të popullsisë dhe të sektorit privat. Duke respektuar barazinë e të gjithëve përpara ligjit, konkurrencën e ndershme, ne do të zbatojmë një politikë tatimore, që do të krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e biznesit, investimeve private vendase dhe të huaja, dhe do të inkurajojmë marrëdhëniet dhe shkëmbimet tregtare, veçanërisht me vendet e rajonit. Ne do t’u ofrojmë një administratë të shkathët dhe të pakorruptuar, si dhe shkolla me nivel bashkëkohor, nga ku dalin stafe dhe ekspertë, të cilët do të dinë të drejtojnë investimet, kompanitë, bizneset dhe tregtinë. Po aq të rëndësishme do të jenë dhe reformat për përmirësimin e përkrahjes sociale, me synim parësor rritjen e pensioneve në tërësi, duke synuar mënjanimin e diferencave të krijuara padrejtësisht gjatë këtij dhjetëvjeçari, dhe ngushtimin e diferencave ndërmjet pensioneve të qytetit me ato të fshatit, si dhe të gjitha masat për përmirësimin e kushteve të jetesës së brezave më të moshuar dhe grupeve më në nevojë të shoqërisë. Tashmë ekzistojnë programe dhe strategji të qarta edhe për reformat që do të duhet të ndërmarrim në fushën e shëndetësisë për të thelluar ndryshimin rrënjësor, që ka filluar në këtë sektor, ku pasqyrohet shkalla e solidaritetit të shoqërisë dhe niveli i respektit për jetën. Prioriteti është shërbimi parësor dhe mbështetja me investime gjithnjë e në rritje në këtë sektor.

       Përmirësimi rrënjësor i burimeve njerëzore dhe mbështetja me përparësi i sektorëve që lidhen me to, e veçanërisht i arsimit, do të jetë lajtmotivi kryesor i punës së kësaj Qeverie. Bota moderne po jeton dita-ditës me efektet e një revolucioni të jashtëzakonshëm teknologjik, i cili po ndryshon shoqërinë, ekonominë dhe vetë perspektivat e mirëqenies dhe të lirive të njerëzve. Asnjë përpjekje e jona për t’u integruar në familjen europiane nuk do të ishte e plotë dhe as e kuptueshme, pa iu krijuar dalëngadalë, por sistematikisht, të rinjve shqiptarë mundësinë e përfshirjes në të ashtuquajturin fshat global, përmes sistemeve kompjuterike, që medoemos duhet të kthehen prioritare në shkollat dhe universitetet tona. Shkolla jonë është ende larg mundësive, programeve dhe kapaciteteve edukuese në këtë drejtim. Ne jemi të vetëdijshëm se çdo orë që kalon pa vëmendjen e duhur të këtij prioriteti jetik për zhvillimin e rinisë, i largon të rinjtë tanë nga bashkëmoshatarët e tyre në Europën moderne. Prandaj, Qeveria do të shtojë ndjeshëm buxhetin e destinuar për arsimin gjatë katër viteve të ardhshme, duke pasur si pikësynim edhe krijimin e një elite administrative të biznesit, si një domosdoshmëri për reformimin e shoqërisë shqiptare dhe integrimin e saj të plotë në familjen europiane. Ky investim në arsim do të konsistojë në modernizimin dhe teknologjizimin e infrastrukturës shkollore, në ndryshimin e përmbajtjes së teksteve, në zgjerimin e autonomisë universitare, në shtimin dhe përsosjen e shkollave profesionale, në nxitjen dhe krijimin e hapësirave të nevojshme për arsimin privat. Objektivi ynë është të ngremë dhe të konsolidojmë një sistem edukimi shkollor e universitar, që t’u japë jo thjesht një diplomë të rinjve tanë, por mbi të gjitha një të ardhme.

       Kam bindjen se përpjekjet tona për reformimin e këtij sistemi, ashtu si dhe kujdesi më i madh për shkencën dhe institucionet shkencore, duhet të inkurajohen pa asnjë dyshim nga të gjithë, duke bërë kështu që investimi në arsim dhe në shkencë të kthehet në një nga investimet më themelore, në dobi të së ardhmes europiane të brezave që do të vijnë. Kjo është sfida jonë e madhe, ky është detyrimi ynë i patjetërsueshëm kombëtar. Pjesë e kësaj sfide është edhe çuarja deri në fund, pa ngurim e nostalgji frenuese për të kaluarën, e reformave në sistemin e institucioneve kulturore. Trashëgimia jonë kulturore, qendrat arkeologjike, muzeumet, ashtu si dhe sallat e teatrove e të galerive, duhet dhe do të vihen më shumë në shërbim të qytetarëve dhe mund e do të bëjnë më shumë për imazhin e Shqipërisë në botë, qoftë përmes formave të reja të menaxhimit, qoftë dhe përmes rritjes së numrit e të cilësisë së botimeve. Po ashtu, një vëmendje shumë e madhe do t’i kushtohet në këta katër vjet edhe politikave të librit.

       Për të garantuar zbatimin e suksesshëm të programit të saj, Qeveria do t’i kushtojë rëndësi të veçantë forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me shoqërinë civile, për realizimin e projekteve në kuadrin e Paktit të Stabilitetit, dhe për plotësimin e standardeve të nevojshme për integrimin europian të Shqipërisë.

       Qeveria do të vazhdojë dialogun dhe bashkëpunimin me komunitetet fetare për zgjerimin e mëtejshëm të lirisë së besimit në vendin tonë. Ashtu si deri më sot, ajo do të zbatojë ligje dhe standarde të avancuara demokratike, të sanksionuara edhe në dokumente ndërkombëtare, që garantojnë liritë dhe të drejtat demokratike të minoriteteve.

       Gjatë këtij mandati qeverisës, një vëmendje e veçantë do të tregohet ndaj diasporës dhe emigrantëve shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, interesim për integrimin sa më të mirë e dinjitoz të tyre në vendet ku jetojnë. Kujdesi për ruajtjen e vlerave, traditave, kulturës dhe të gjuhës kombëtare do të përbëjnë disa nga përparësitë e punës së Qeverisë në këtë drejtim.

       Siç theksova më sipër, integrimi në Bashkimin Europian është prioriteti i prioriteteve, është objektivi absolut strategjik për të ardhmen e Shqipërisë. Gjatë mandatit të kaluar ne kemi dhënë prova se mund të ndërtojmë marrëdhënie bashkëpunimi në shkallë rajonale, dhe se dimë të jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Europës Juglindore. Qëndrimet tona ndaj krizës në Kosovë, ose së fundi ndaj konfliktit në Maqedoni, rivendosja e marrëdhënieve me Beogradin, pas përmbysjes së regjimit të Milosheviçit, të miratuara dhe të vlerësuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë, e kanë shndërruar Shqipërinë në një partner të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Kjo nuk është gjë tjetër veçse materializim i filozofisë sonë qeverisëse që nuk mund të ketë integrim europian pa integrim rajonal dhe fqinjësi të mirë.

       Si pjesëtarë të botës moderne dhe demokratike, nga e kaluara ne nuk ringjallim platforma nacionaliste, por konservojmë dhe zhvillojmë ato vlera universale demokratike, të cilat na bëjnë nder në gjirin e familjes europiane. Bazuar në këto vlera, edhe gjatë mandatit në vazhdim, do të vazhdojmë të punojmë për ta forcuar e konkretizuar këtë politikë të fqinjësisë së mirë dhe të integrimit rajonal, duke iu dhënë prioritet marrëdhënieve ekonomike, heqjes së regjimit të vizave dhe qarkullimit të lirë të njerëzve, uljes së barrierave doganore dhe krijimit të zonave të lira tregtare. Për këtë qëllim, ne do të shfrytëzojmë edhe të gjitha iniciativat ndërkombëtare e rajonale, veçanërisht Paktin e Stabilitetit, por dhe nismën e Europës Juglindore, kryesimin e së cilës kemi marrë këtë vit.

       Ne kemi qenë dhe mbetemi të angazhuar, edhe krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe europiane, ku të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë dhe minoritetet, të gëzojnë në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë demokratike. Marrëdhëniet me Kosovën ne nuk i shikojmë në një kënd të ngushtë shqiptar, por shumë më gjerë, në një kuadër integrues rajonal dhe europian, dhe si marrëdhënie që kontribuojnë për të konsoliduar edhe më shumë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe jo për t’i provokuar ato. Qeverisja jonë ka qenë dhe është kundër paternalizmit, nocioneve nacionaliste në marrëdhëniet me Kosovën. Ne synojmë të ndërtojmë marrëdhënie konkrete të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, arsimor, kulturor dhe shkencor.

Një nxitje e rëndësishme për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve është përmirësimi i infrastrukturës midis Shqipërisë dhe Kosovës, dhe veçanërisht ndërtimi i një rruge të re të standardeve europiane, të cilën kam besim të plotë, se do ta fillojmë gjatë këtij mandati të ri qeverisës.

       Gjatë katërvjeçarit të ardhshëm ne do t’i thellojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona me Kosovën. Zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen së shpejti atje dhe institucionet qeverisëse që do të dalin prej tyre, do t’i japin një shtytje më të madhe këtyre marrëdhënieve.

       Ne jemi optimistë për zhvillimet e fundit në Maqedoni. E kemi dënuar sistematikisht dhe me vendosmëri fillimin e dhunës dhe shpërthimin e ekstremizmit atje, sepse kemi qenë të bindur që në fillim, se nuk është kjo rruga e paraqitjes dhe e zgjidhjes së problemeve, që kanë shqiptarët në Maqedoni, dhe kemi mbështetur me të gjitha forcat dialogun dhe procesin politik për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ne përshëndesim edhe një herë arritjen e marrëveshjes së paqes dhe dëshirojmë që të gjitha palët të angazhohen për zbatimin e saj, në dobi të paqes dhe të stabilitetit në këtë vend, që tashmë ka një ndikim të gjerë në rajon. Bindja jonë është se rajoni i Europës Juglindore ka hyrë përfundimisht në një proces afatgjatë stabiliteti, demokratizimi dhe integrimi. Tashmë për herë të parë në historinë e rajonit tonë kemi kudo qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike. Kjo është një garanci se vatrat e mbetura të tensionit e të krizave mund të izolohen dhe eliminohen në mënyrë demokratike.

       Katër vjet më parë marrëdhëniet tona me Bashkimin Europian ishin pothuajse të ngrira. Sot ato janë më të avancuara se asnjëherë tjetër. Ne po përfundojmë procesin përgatitor për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e re të Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Në këtë rrugë ne kemi mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe veçanërisht të dy partnerëve tanë strategjikë Italisë dhe Greqisë, me të cilët ruajmë dhe do të zhvillojmë marrëdhënie cilësisht të frytshme edhe gjatë katër viteve që do të vijnë.

       Sot marrëdhëniet tona me SHBA-në janë në ditët më të mira që kanë qenë ndonjëherë. Ato nuk janë vetëm marrëdhënie politike, por të gjithanshme; në fushat e ekonomisë, të reformave institucionale, të mbrojtjes, të sigurisë, të drejtësisë, të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

       Të nderuar deputetë,

       Ndërkohë që rendis përpara jush prioritetet e kësaj Qeverie, ndërkohë që flas për integrimin europian, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, për reformën e administratës publike ose për futjen e sistemeve kompjuterike në sistemin arsimor, më mundon mendimi se shumëkush ndër ju, ashtu si dhe shumëkush nga qytetarët që e ndjekin këtë fjalë përmes televizionit, do të donte të më ndalte e të më pyeste për mungesën e energjisë elektrike. Nëse i rezervoj kësaj çështjeje pjesën përmbyllëse të kësaj fjale, do të thotë vetëm se desha të nënvizoj me forcë si çështje më vete, pa zgjidhjen e së cilës, gjithë të tjerat rrezikojnë të mbeten në letër.

        Çështja e dritave dhe e sigurimit në përgjithësi të burimeve të nevojshme energjetike, është në radhë të parë një çështje dinjiteti kombëtarë dhe njerëzorë, është një e drejtë, që kur privohet dhe motivon një komb të tërë, e shkurajon cilindo që e provon këtë privacion. Ndaj sot si Kryeministër ndihem më i motivuar se kurrë për të afruar sa të jetë e mundur fundin e kësaj odiseje torturuese. Por, dëshiroj të më besoni ju, dhe dëshiroj të më besojnë të gjithë shtetasit e Shqipërisë, kur them se kjo ndërmarrje jashtëzakonisht e vështirë lidhet me akumulimin shumëvjeçar të problemeve. Ndërkohë që ekonomia jonë rritet me 8% në vit, ndërkohë që biznesi është rritur me shpejtësi dhe kërkesat e konsumit shtohen, kapacitetet tona të prodhimit të energjisë mbeten krejt të pamjaftueshme dhe të amortizuara ndjeshëm. Në vitet e fundit na është dashur të paguajmë haraçin e një neglizhence mbi 15 vjeçare në këtë sektor, periudhë gjatë së cilës nuk u ndërtua asnjë burim i ri prodhimi energjie dhe nuk u bë asnjë investim serioz dhe i plotë për rehabilitimin e sistemit. Po të llogarisim këtu edhe sistemin e trashëguar ilegal të abuzimeve në masë me energjinë, nuk na mbetet tjetër veçse të afirmojmë konkluzionin se në këto dy vitet e fundit kemi shmangur përfundimisht një katastrofë, që do të kishte qenë absolutisht unikale në Europën e sotme.

       Pa lejuar që pasojat e gjendjes së trashëguar të binin vetëm mbi supet e qytetarit, ne përballuam peshën kryesore të shmangies së katastrofës, duke përcaktuar energjinë si sektorin më të subvencionuar direkt apo tërthorazi nga Buxheti i Shtetit. Edhe tani që po flasim ky sektor vazhdon të thithë shuma kolosale, të cilat në një situatë tjetër do të ishin përdorur më së miri për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë. Mjafton të themi se ne e kemi rritur subvencionimin e energjisë nga 2-4 miliardë lekë të reja, në vitet e kaluara, në 5.5 miliardë lekë të reja në vitin në vazhdim. Dhe të mos harrojmë se në vendin tonë energjia nuk shitet me çmimet e tregut, por me një çmim të kontrolluar nga Qeveria.

       Për të përballuar dhe zgjidhur situatën energjetike në vend, Qeveria do të synojë zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm nëpërmjet trajtimit të tij, jo vetëm përmes ndërhyrjeve imediate, por veçanërisht përmes hartimit dhe zbatimit të një strategjie afatmesme dhe afatgjatë të këtij sektori. Nëpërmjet kësaj strategjie do të bëhet e mundur që për një periudhë afatmesme sistemi elektroenergjetik shqiptar t’i përgjigjet kërkesës për energji në vend. Kjo do të realizohet nëpërmjet ndërhyrjeve për rehabilitimin dhe fuqizimin e sistemit të prodhimit, të transmetimit dhe të shpërndarjes, përmes projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe donatorët e tjerë.

Një rëndësi të veçantë në përmirësimin e treguesve të sistemit do të ketë edhe arritja e dyfishimit të kapacitetit importues të vendit, që do të realizohet brenda këtij viti. Gjatë këtij mandati, Qeveria do të inkurajojë realizimin e investimeve private në ndërtimin e burimeve të reja energjetike, veçanërisht në termocentrale për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji dhe për të reduktuar vartësinë nga burimet hidroenergjetike. Kjo do të arrihet nëpërmjet liberalizimit të çmimeve të energjisë, me synim krijimin e tregut kombëtar dhe integrimin e tij në tregun rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimit të legjislacionit aktual për energjinë, dhe krijimin e kushteve optimale për veprimtarinë e operatorit privat në tregun shqiptar. Nga ana tjetër, i gjithë ky proces do të shoqërohet me një ristrukturim operacional dhe financiar të KESH-it, reduktimin e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve, pozicionimin e KESH-it si një operator në një treg të liberalizuar. Në këtë mënyrë KESH-i do të jetë i gatshëm për të ndjekur një proces të suksesshëm privatizimi, duke filluar nga hidrocentralet e vogla, sektori i shpërndarjes, dhe më pas të burimeve gjeneruese të vendit.

       Të nderuar deputetë,

       Nuk është e vështirë të konstatohet se kjo legjislaturë është e mbartur me barrën e sfidës së madhe të një kthese historike, të një kthese që mund ta ngrejë cilësinë e jetës në Shqipëri në një nivel të ri, të një kthese që do ta nxjerrë një herë e përgjithmonë vendin tonë nga listat problematike të prapambetjes sociale dhe do ta rendisë në vendet atraktive, jo më për gazetarët e specializuar të krizave e të kronikave të zeza, po për të apasionuarit e historisë, arkeologjisë, mjedisit apo detit dhe diellit mesdhetar. Gjatë historisë sonë ne kemi pasur shpesh raste të kthejmë përfundimisht rrugën e krizave ciklike në një rrugë të zhvillimit të qëndrueshëm, por jo gjithmonë kemi arritur të përcaktojmë me gjakftohtësi dhe racionalitet aleatët tanë natyralë.

       Kam bindjes se mijëvjeçarin e ri ne e nisëm me një avantazh të madh, pavarësisht nga ngarkesat e betejave të brendshme politike, nga mundësitë e dobësitë e shprehura prej nesh gjatë një dekade në liri, në pushtet, në opozitë dhe anasjelltas. Besoj se përtej shumë gjërave që na ndajnë ka sot një synim që është i përbashkët. Ky synim është dhe do të mbetet Europa. Europa është sot identiteti, aleati dhe rruga jonë e rritjes. Europa është një mënyrë e re e të menduarit dhe e të punuarit. Europa është një mënyrë e re jetese.

       Integrimi europian nënkupton në radhë të parë adaptimin tonë me të gjitha standardet europiane të të menduarit e të punuarit. Europa është një sfidë e madhe, e cila kërkon disiplinim institucional, përkushtim shoqëror dhe qëndresë morale. Qeveria, si rregullator i zhvillimit të shoqërisë shqiptare, do të vazhdojë të inkurajojë dhe të kërkojë mbështetjen e të gjithë atyre, të cilët e kuptojnë se sot profesionalizmi dhe përkushtimi janë patriotizmi më i mirë.

       Unë besoj se misioni që kemi marrë përsipër na dikton përcaktimin e drejtë të rrugës drejt së ardhmes, larg demagogjive shterpë, luftës politike të panevojshme dhe humbjes së pakuptimtë të kohës. Një nga sfidat e këtij kabineti është ekonomizimi i drejtë i kohës, i qëllimeve dhe i mjeteve. Dua t’i siguroj të gjithë se gjatë katërvjeçarit politik që po nisim, demokracia si premisë e integrimit europian, do të përsoset më tej. Në këtë kuadër e shoh të pakthyeshëm suksesin e reformave tona të gjithanshme në ekonomi, në rend, në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi dhe përgjithësisht në mënyrën tonë të jetesës.

       Po ndalem këtu, duke kërkuar prej jush të njëjtin privilegj që mora në këtë sallë 22 muaj më parë, privilegjin për t’i shërbyer Shqipërisë. Me këtë rast më lejoni që të njëjtin privilegj t’jua kërkoj edhe për anëtarët e kabinetit të ri, përbërjen e të cilit po e lexoj:

       Zoti Skënder Gjinushi – zëvendëskryeministër dhe ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale.

       Zonja Arta Dade – ministre e Punëve të Jashtme.

       Zoti Ilir Gjoni – ministër i Rendit Publik.

       Zoti Pandeli Majko – ministër i Mbrojtjes.

       Zoti Anastas Angjeli – ministër i Financave.

       Zoti Sokol Nako – ministër i Drejtësisë.

       Zoti Arben Imami – ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.

       Zoti Mustafa Muçi – ministër i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.

       Zoti Bashkim Fino – ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.

       Zoti Maqo Lakrori – ministër i Transportit.

       Zoti Ben Blushi – ministër i Arsimit dhe Shkencës.

       Zoti Gjergj Koja – ministër i Shëndetësisë.

       Zonja Ermelinda Meksi – ministre e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë.

       Zoti Agron Duka – ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit.

       Zoti Luan Rama – ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

       Zoti Ethem Ruka – ministër i Mjedisit.

       Zoti Paskal Milo – ministër Shteti për Integrimin Europian.

       Zoti Dritan Prifti – ministër Shteti për Energjetikën.

       Zoti Ndre Legisi – ministër Shteti.

       Zoti Lufter Xhuveli – ministër Shteti.

       Zoti Niko Kacalidha – ministër Shteti.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan