Identiteti kombëtar

Sipas artikullit të Çapajev Gjokutaj: Identiteti kosovar, kazani i çorbës dhe qiriri, botuar në Dita, 22 tetor 2016

capajev-gjokutajeeee-150x150….Identiteti kombëtar nuk është xhaketë që ndërrohet, vishet njeri e zhvishet tjetri në moment. Madje nuk është as flamur, që e merr me vete për ta valëvitur në stadium apo edhe në demonstratë apo në betejë. Eshtë një koncept shumë më i gjerë, më i sofistikuar dhe, më e rëndësishmja, shumë më i qëndrueshëm, ndaj nervozizmi dhe grindjet janë të tepërta.

Termi identitet kombëtar është relativisht i ri në ligjërimet tona. Ka nisur të përdoret gjerë në gjysmën e parë të viteve 1990, sidomos pas debatit të njohur mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses. Deri atëhere përdorej kryesisht termi “karakter kombëtar”.

Me karakter kombëtar kuptoheshin veçori specifike të një populli, veçori që e dallojnë nga popuj të tjerë dhe që burojnë nga jeta ekonomike, shoqërore e politike që ky popull ka bërë në shekuj. Me fjalë të tjera, karakteri kombëtar përbëhet nga tipare objektive, pjellë e proceseve historike. Identiteti kombëtar dublon thuajse tërësisht termin e vjetër “karakter kombëtar”. Me sa duket ndryshimi i emrit, nuk lidhej aq me ndryshime në përmbajtje, sa me arsye politike. “Karakter kombëtar” është përdorur gjerësisht në literaturën ruso-sovjetike, kurse “identitet kombëtar” vjen nga perëndimi.  Identiteti kombëtar, si nga Qosja ashtu edhe nga Kadareja, konceptohej si tërësi tiparesh objektive që buronin nga realiteti historik dhe përcaktonin vetëdijen, sjelljen, krijimtarinë, ceremonialet etj.

Në raste të tilla, atëhere dhe më pas, flitet për identitet si produkt historik por lihet mënjanë procesi i identifikimit individual. Eshtë ky një handikap që nuk i takon vetëm hapësirës shqiptare, deri vonë ka karakterizuar edhe teoritë dhe teoricienët e famshëm të nacionalizmit. Që të bindemi për këtë, mjafton të sjellim ndër mend diskutimet mes modernistëve dhe etnosimbolistëve, diskutime që kulmuan me debatin Kombi: real apo i imagjinuar, zhvilluar në vitin 1995 mes Ernest Gellner dhe Anthony Smith në universitetin e Warwickut.

Për etnosimbolistët, rrënjët e kombit gjenden në lashtësi dhe vijnë në kohët moderne përmes lidhjeve etnike, kurse për modernistët kombi është një formë e re komuniteti politik që nuk ka lidhje me trashëgiminë etnike dhe gjithëçka ua detyron zhvillimeve të historisë moderne. Shumë shpejt u vu re se të dyja qendrimet, si modernistet ashtu edhe etnosimbolistet, funksiononin jo keq për shtjellime të natyrës teorike, por rezultonin thuajse të papërdorshme kur ishte fjala për analiza rastesh konkrete, dmth kombesh të veçanta.

Vite para debatit të Warwickut, Benedict Anderson kishte tërhequr vëmendjen në një kontradiktë të mprehtë që lëkundëte nga themelet qasjen moderniste, paçka se vetë i përkiste kësaj qasjeje. Në thelb kontradikta thotë: kombi është një konstrukt i përfytyruar, i imagjinuar; si ka mundësi që në një kohë fare të shkurtër, jo më shumë se dy shekuj, ky konstrukt është bërë kaq i dashur dhe grishës për njerëzimin, sa të ketë shkaktuar qindra luftra dhe lumenj të tërë gjaku?

Gjendur para kontradiktash të tilla që karakterizojnë të dyja qasjet, një gjeneratë e re studiuesish po përpiqen të zbulojnë këndvështrime të reja, që lejojnë studimin e nacionalizmit dhe të identitetit kombëtar jo vetëm si histori dhe teori, por edhe si praktikë sociale.

Qysh në mesin e viteve nëntëdhjetë Michael Billig tek “Banal Nationalism” e shqyrton identitetin kombëtar në aktivitetet e përditshme shoqërore, kurse Paul James tek “Nation Formation: Towards a Theory of Abstract Community” sugjeron që, mënyra më e mirë për të analizuar një dukuri kaq komplekse është ta shqyrtosh në disa rrafshe të abstraksionit social.

Mbështetur në qasje të tilla, rezulton se kombi dhe nacionalizmi konstruktohen nga ndërveprimi i më së paku tri rrafsheve: narrativat e mëdha kombëtare, jetësimi i tyre në projekte politike dhe, e treta, zbatimi në realitet i këtyre projekteve që shpie në pranimin masiv qoftë të narrativave të mëdha, qoftë të synimeve politike.

Në rastin e nacionalizmit shqiptar, rrafshi i parë do të përbëhej nga ideologjia kombëtare e mishëruar në narrativat e mëdha të trashëguara prej Rilindjes, të tilla si autoktonia, prejardhja iliro-pellazge, lashtësia, uniciteti dhe magjia e gjuhës shqipe, Skënderbejada si simbol i liridashjes por edhe i përkatësisë perëndimore etj. etj. Ky rrafsh pretendon të jetë etern, i përhershëm, u takon të gjithë brezave, shënon dallimet kyçe nga kombet e tjera dhe shërben si gurrë që ushqen e mba gjallë dy rrafshet e tjera.

Rrafshi i dytë është më i kufizuar në kohë, krijohet prej elitave politike dhe intelektuale në periudha të veçanta. Në përgjigje të interesave të kohës së tyre, këto elita ndërtojnë platforma ideologjike dhe programe politike me adresim tek narrativat e mëdha, qoftë duke i përditësuar ato, qoftë duke i dekonstruktuar apo demistifikuar. Skënderbejada psh, gjatë sistemit totalitar, u pa kryesisht si qëndresë në rrethim, si thirrje për privacione e sakrifica. Përfytyruar kështu skënderbejada i shërbente vetizolimit.

Rrafshi i tretë nuk i përket botës së ideve, por praktikës sociale; nuk ka të bëjë me krijim narrativash a projektesh por, me përvetësimin dhe përjetimin e tyre nga masat popullore.

Pikërisht në rrafshin e tretë gjenerohet identiteti kombëtar. Ky rrafsh mundëson që kombi dhe nacionalizmi të zbresin nga domeni i letrave dhe të bëhen pjesë e të përditshmes, duke u riprodhuar në një varg praktikash shoqërore, që zenë fill me ligjërimin publik, tekstet shkollore, festimet në sheshe, tifozeritë në stadiume etj.

Në pamje të parë duket sikur rrafshi i tretë është më modest dhe më pak ndikues, krahasuar me shkëlqimin që kanë dhe vemendjen që ngjallin dy rrafshet e tjera. Në fakt kombi sendërtohet e bëhet realitet vetëm kur narrativat e mëdha dhe projektet politike nisin të gjallojnë dhe të riprodhohen në kokat dhe zemrat e njerzve të thjeshtë.

Këtë kishte parasysh Henri Tajfel, themeluesi i teorisë së identiteti social, kur thoshte se kombi mund të ekzistojë vetëm kur populli e përjeton si të tillë. Kombi nuk ekziston thjesht tek territori, gjuha, flamuri a historia. Në radhë të parë e mbi të gjitha, Kombi ekziston në mendjen e bashkëkombasve, si i tillë është një komunitet i përfytyruar apo i imagjinuar.

Qarkullojnë përfytyrime përgjithësisht rozë për krijimin e identitetit kombëtar shqiptar. Në një pjesë të rasteve konceptohet si një esencë që vjen nga prehistoria pellazge dhe pasi kalëron në historinë ilire, arbërore dhe pastaj shqiptare, vjen në ditët tona, si një trashëgimi e vyer, mbuluar me gjak e lavdi.

Në përfytyrime të tjera, identiteti shqiptar është krijim i rilindasve. Ata shkruan, populli u ushqye me idetë e tyre dhe lindi ky identitet i ri, më rrezëllyes dhe shumë më veprues se sa identiteti etnik, që e kish shoqëruar popullin tonë në shekuj, por që i kishin hyrë rëndshëm në pjesë, identitete të tjera si ai fetar, krahinor etj.

Natyrisht rilindasit kanë rol të rëndësishëm në ngjizjen e identitetit tonë kombëtar, por ky rol nuk u realizua vetiu dhe aq më pak sa hap e mbyll sytë. Idetë dhe aspiratat rilindase, janë vërtet gur themeli në ngrehinën e identitetit kombëtar, por vështirë të njiheshin nga një popull thuajse analfabet.

Do të duhej krijimi i shtetit shqiptar, veprimtaria e shkollave, teksteve mësimore, mediave, ushtrisë, festave e ceremonive kombëtare që projekti rilindas të përvetësohej masivisht nga populli dhe të merrte trajtën e një identiteti funksional, të kultivuar thellë.

Proces të ngjashëm i bie të ndjekë edhe identiteti kosovar, por në mes janë një varg nëse-sh. E para, nëse dëshirat e artikuluara nga disa intelektualë do të rezultonin të dobishme për shqiptarët e Kosovës dhe për kombin shqiptar. E dyta, nëse këto dëshira do të pranoheshin edhe nga elitat politike, si përfaqësuese të sovranit dhe do të shndërroheshin në një projekt shtetëror. E treta, nëse ky projekt do të zbatohej gjerësisht nga shkollat, mediat, institucionet. E katërta, dhe më delikatja, nëse do të ngjiste, dmth do të bindëte masën e kosovarëve të braktisnin narrativt e mëdha me autoktoni, gjak, flamur, amanetet e të parëve dhe të përqafonin idenë e një atdheu të ri. Thenë me një fjalë, identiteti kosovar, si alternativë apo si mohim i identitetit kombëtar shqiptar, mund të bëhet realitet, nëse shqiptarët e Kosovës do të identifikoheshin masivisht me këtë projekt.

Elitat politike a intelektuale të Kosovës mund të synojnë projekte për krijimin e identitetit kosovar. Por pa u pranuar nga shqiptarët e Kosovës në masë, këto mbeten vetëm projekte. Të trembesh e të nervozohesh se disa artikuj gazete, apo edhe një turmë tifozësh do të shpien në krijimin e identitetit kosovar dhe mohimin e atij shqiptar, është afërsisht njësoj si të gatuash çorbën e dasmës duke e ngrohur kazanin me një qiri.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi