Shkarkimi i Presidentit të Republikës
Duhet bërë dallim ndërmjet përgjegjësisë juridike dhe përgjegjësisë politike të Presidentit të Republikës. Shumica e kushtetutave republikane parashikojnë vetëm përgjegjësi juridike, kryesisht penale, për aktet e presidentit. Edhe sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij, dhe me këtë kuptohet pikërisht mungesa e përgjegjësisë politike. Kushtetuta parashikon përgjegjësinë juridike. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, sipas proçedurës së parashikuar në nenin 90, pika 2 dhe 3. Në nocionin “krim i rëndë” hyn në rradhë të parë krimi i tradhëtisë ndaj atdheut. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, neni 91 i Kushtetutës parashikon se Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.