Shqipëria vazhdon të jetë në një fazë tranzitore zhvillimi

 

Shqipëria vazhdon të jetë në një fazë tranzitore zhvillimi. Politikisht, vendi ynë nuk ka ende një sistem demokratik të konsoliduar; demokracia te ne është kryesisht një demokraci elektorale. Ekonomia rregullohet nga loja e tregut, por ajo mbetet një ekonomi ende e varfër dhe e padiversifikuar, ndërkohë që dora e shtetit do të duhej të ndihej më shumë në dobi të interesave publike.

Kështu shprehet sociologu dhe diplomati i njohur, Prof. Dr. Fatos Tarifa, Rektor i University of New York Tirana, në një intervistë për gazetën Dita dhënë gazetarit Xhevdet Shehu, ku ai jep vlerësimet e tij për procese, dukuri dhe personazhe të jetës politike e shoqërore shqiptare e botërore. 

Profesor Tarifa, përmes kësaj interviste do të dëshiroja t’i komunikonit lexuesit të gazetës Dita vlerësimet tuaja për disa nga proceset, ngjarjet dhe personazhet kryesorë të jetës politike e shoqërore shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Po e nis me një pyetje të përgjithshme: Në ç’fazë zhvillimi gjendet vendi ynë sot dhe a duhet të jemi optimistë për të ardhmen tonë si shoqëri?

Shqipëria vazhdon të jetë në një fazë tranzitore zhvillimi. Politikisht, vendi ynë nuk ka ende një sistem demokratik të konsoliduar; demokracia te ne është kryesisht një demokraci elektorale. Ekonomia rregullohet nga loja e tregut, por ajo mbetet një ekonomi ende e varfër dhe e padiversifikuar, ndërkohë që dora e shtetit do të duhej të ndihej më shumë në dobi të interesave publike. Si politikisht, ashtu edhe nga pikëpamja sociale (këtu kam parasysh praktikat shoqërore dhe mentalitetet që i ushqejnë ato), e shkuara rëndon ende mjaft mbi të sotmen dhe kjo nuk e ndihmon të ardhmen. Unë besoj, sidoqoftë, se me resurset që ka, me një sistem arsimor më të mirë për brezin e ri, me një klasë politike më të maturuar e më të përgjegjshme dhe me politika më të informuara e më të mençura zhvillimi, Shqipërinë e presin ditë më të mira

 Por a lidhet kjo gjendje tranzitore e Shqipërisë me faktin që ende nuk jemi bërë një vend anëtar i Bashkimit Europian?

Anëtarësimi i një vendi në BE nuk është fundi i historisë së tij politike, ekonomike e sociale. Sidoqoftë, nisja eventuale e negociatave me BE-në dhe anëtarësimi në të do të dëshmonin një fazë zhvillimi më të pjekur të shoqërisë sonë.

Reforma në drejtësi?

E vonuar (duhej të kishte nisur shumë vite më pare, por më mire vonë se kurrë). E penguar nga segmente të caktuara të të trija degëve të pushtetit. Unë uroj që ajo të mos korruptohet në proces e sipër. Nëse rezultatet e derisotme të vetingut janë një indikator për suksesin e kësaj reforme, besoj se ajo do të ketë sukses. Dhe Shqipëria do të shpëtojë nga një gangrenë e madhe që po i zinte frymën. Natyrisht, korrupsioni ka lindur me shtetin dhe do të ekzistojë sa kohë që shteti të ekzistojë, por ai edhe mund të luftohet me sukses. Kjo reformë, në thelb, këtë synon.

Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj. A mban përgjegjësi z. Xhafaj për veprimin kriminal të vëllait të tij dhe a duhet të japë ai dorëheqjen nga posti që mban në Kabinetin e kryeministrit Rama?

Në një shoqëri demokratike, të hapur, të emancipuar, përgjegjësia dhe faji janë individual. Faji kolektiv është një koncept klanor, por edhe bolshevik. Koka e çdo njeriu është mbi supet e tij, të askujt tjetri; po kështu edhe përgjegjësia apo faji për veprimet e tij bien mbi individin. Nëse duam t’u kthehemi praktikave të kohës së socializmit shtetëror, kur njerëzit vlerësoheshin, gjykoheshin, stigmatizoheshin, diskriminoheshin dhe vuanin për veprime që nuk i kishin kryer ata vetë, por pjesëtarë të familjes apo të afërmit e tyre, atëherë le ta shpallim z. Xhafaj përgjegjës për veprimet e vëllait të tij. Por ai nuk është dhe s’ka si të jetë i tillë. Dorëheqja e tij? Në emër të ligjit? Asnjë ligj nuk e pengon atë të vazhdojë të mbajë postin që ka. Në emër të moralit? Të cilit moral? Një personalitet publik, pra edhe një ministër, për mua është i moralshëm nëse kryen mirë detyrën që i është besuar, duke i shërbyer së mirës publike dhe interesave të vendit.

Konsiderata juaj për kreun e shtetit, Z. Ilir Meta?

Një politikan par excellence.

Kryeministri Edi Rama?

Një politikan estet, i një prerjeje të veçantë, vizionar dhe reformator. Nëse do të kisha dëshirë të lexoja një libër prej tij, ky libër do të doja të fliste për Estetikën e Politikës.

Z. Erion Veliaj?

Një fat i mirë për Tiranën që e zgjodhi kryetarin e Bashkisë së saj. I ditur, vizionar, i talentuar në komunikim me publikun dhe shumë punëtor.

Kryetari i opozitës, z. Lulzim Basha?

E kam mik prej 20 vitesh, qysh nga koha kur ai studionte në Universitetin e Utrecht-it, në Hollandë, dhe unë shërbeja si ambasador i Shqipërisë në atë vend.

Z. Sali Berisha?

Një fatkeqësi kombëtare.

Cilët politikanë opozitarë keni çmuar dhe çmoni më shumë dhe pse?

Dy individë, të cilët nuk janë më pjesë e opozitës politike në këtë vend: ish-Presidentin Bamir Topi dhe znj. Majlinda Bregu. Zotin Topi, ndër të tjera, edhe për shkak të një miqësie të vjetër që më lidh me të dhe me familjen e tij; znj. Bregu pasi kam vlerësuar dhe vlerësoj tek ajo njohuritë politike dhe integritetin e saj. Vlerësoj, gjithashtu, edhe ish-studentin tim, Eduard Selami, një politikan i moderuar.

Ministri i jashtëm, z. Ditmir Bushati?

Një diplomat i klasit të parë, një jurist shumë i mirë dhe një europianist pasionant.

Cila është Amerika e sotme? Ose, më mirë, ç’mendoni për vendin dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në sistemin e sotëm ndërkombëtar?

Amerika e sotme është e njëjta Amerikë që kemi njohur gjatë shekullit të fundit. Por, ndërsa 100 vite më parë, ky vend kishte një president të iluminuar dhe internacionalist, si Woodrow Wilson, në krye të administratës së sotme amerikane është një president i pailuminuar, konfliktual dhe izolacionalist, si Donald Trump, krejtësisht e kundërta e Wilson-it. Sidoqoftë, një individ i vetëm, në një republikë demokratike, si Shtetet e Bashkuara, nuk mund t’i ndryshojë dot as natyrën e sistemit, as thelbin e politikave të tij, të cilat, ngrihen mbi bazën e interesave kombëtare të atij vendi dhe në shërbim të tyre. Interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara, në thelb, nuk kanë ndryshuar.

Kina?

Një fuqi e madhe ekonomike, politike dhe ushtarake, e cila, potencialisht, mund t’i zhvendosë pllakat tektonike të globit. Por vetëm potencialisht, pasi ky vend nuk vepron i izoluar, por në një mjedis rajonal e ndërkombëtar, në të cilin ajo balancohet e kundërshtohet nga fuqi të tjera të mëdha, si Japonia, India, Rusia dhe, veçanërisht, nga Shtetet e Bashkuara. Kina nuk ka mundur ta ndryshojë dot rendin botëror të krijuar pas Luftës së Ftohtë. Ky rend vazhdon të dominohet nga Shtetet e Bashkuara.

Rusia?

Një fuqi e madhe ushtarake, por jo më Bashkimi Sovjetik. Antagoniste ndaj Shteteve të Bashkuara, prepotente e kërcënuese ndaj Bashkimit Europian, e trembur dhe e kujdesshme në marrëdhëniet e saj me Kinën, me të cilën është e lidhur formalisht në një partneritet politik dhe ekonomik përmes Organizatës së Shanghait (Shanghai Cooperation Organisation).

Turqia?

Një fuqi e madhe në Azinë e Vogël, në pellgun e Mesdheut dhe në Lindjen e Mesme. Një vend mik dhe aleat strategjik për vendin tonë.

Italia?

Simotra jonë më e zhvilluar përtej Adriatikut. Një vend i zhvilluar, i begatë, djepi i qytetërimit modern dhe advangardë e kulturës moderne europiane. Fatmirësisht, një vend shumë miqësor me ne, shqiptarët.

Greqia?

Një vend dhe një popull fqinj, ndër më të vjetrit në Ballkan. Me Greqinë dhe popullin e saj do të na duhet të jetojmë në fqinjësi të mirë deri në fund të historisë. Kjo është në interesin e përbashkët të të dy popujve tanë.

Dhe Gjermania?

Gjermania është jo vetëm fuqia më e madhe ekonomike e Europës, por edhe vetë raison d’être e krijimit të Komunitetit Europian rreth 60 vite më parë. Pavarësisht problemeve dhe krizave që mund të njohë në të ardhmen, BE-ja do të mund të vazhdojë të ekzistojë, në një formë ose në një tjetër, për sa kohë që Gjermania dhe Franca do të jenë pjesë e saj, ashtu sikurse vetë Komuniteti Europian u krijua për shkak të këtyre dy fuqive të mëdha europiane. Me BE-në, Gjermania është “europianizuar”, ndërkohë që, për shkak të rolit dominues të saj në ekonominë dhe politikat e BE-së, një pjesë e Europës duket se është “gjermanizuar”.

Dhe, më në fund, Bashkimi Europian, në të cilin ne duam të bëhemi një vend anëtar.

 Një projekt i hatashëm, i cili, edhe pse përbën eksperimentin më të madh e më të suksesshëm deri më sot të inxhinierisë sociale, mund të mbetet i papërfunduar. Nëse Robert Schuman, Jean Monnet, Alcide De Gasperi apo Konrad Adenauer do të jetonin sot dhe do të shihnin thellësinë në të cilën janë integruar ekonomitë dhe politikat e vendeve europiane, si dhe hapësirën gjeografike në të cilën është zgjeruar komuniteti europian i ëndrrës së tyre, ata, me siguri, do të habiteshin me suksesin e projektit që ata ideuan. Por, stadi në të cilin gjendet sot Bashkimi Europian dëshmon, ndoshta, edhe kufijtë e suksesit të projektit të tyre, përtej të cilit integrimi europian duket se nuk do të mund të shkojë dot.

Dështimet e herëpashershme të iniciativave politike të BE-së, mungesa e një politike të jashtme të përbashkët dhe e një politike të përbashkët për mbrojtjen dhe sigurinë, deficiti demokratik dhe kriza e legjitimitetit të institucioneve të BE-së, marrëdhëniet e vështira mes vendeve qendrore – ekonomikisht më të zhvilluara e më të pasura të BE-së – me vendet periferike, populizmi që ka sjellë dhe mban në pushtet parti dhe liderë europianë që u shkaktojnë dhimbje koke drejtuesve më të lartë të BE-së në Bruksel, kriza e fundit e Eurozonës, dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, vështirësitë reale për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në pjesën lindore e juglindore të kontinentit, gabimet e përsëritura të Brukselit në marrëdhëniet me Turqinë etj. – të gjitha këto më bëjnë të mendoj se Bashkimi Europian po përjeton sot krizën më të rëndë që nga krijimi i tij. Kjo është jo vetëm një krizë financiare, por edhe një krizë politike, institucionale, një krizë besimi – të gjitha këto së bashku – me fjalë të tjera, një krizë sistemike, nga e cila do ta ketë të vështirë, në mos edhe të pamundur të dalë.

A nuk është ky qendrim pesimist i juaji i pajustifikuar?

Edhe pse mund të tingëllojë shumë pesimist, gjykimi i mësipërm nuk është krejt i pajustifikuar. Unë nuk dëshiroj të konsiderohem një “europesimist” por, ndërsa shoh se sa pak të motivon Bashkimi Europian i sotëm për të qenë optimist, them se qëndrimi im për të ardhmen e BE-së është eurorealist. Dëshira më e madhe që kam është, natyrisht, që në kontinentin tonë të bien edhe ato barriera të fundit që i ndajnë vendet europiane nga njëra-tjetra, përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit dhe Turqinë, për të krijuar një Europë vërtet të bashkuar, ose “Shtetet e Bashkuara të Europës”, siç ëndërronte më shumë se një shekull e gjysmë më parë Victor Hugo. Por sa e mundur është realisht një gjë e tillë? Lexuesi është i lirë të gjykojë dhe të arrijë vetë në përfundime.

Pra, ju nuk mendoni se Bashkimi Europian, edhe pa Britaninë e Madhe, do të mund të zgjerohet e të forcohet si një fuqi e madhe në shekullin e 21-të?

Unë mendoj se Bashkimi Europian ndodhet sot në një udhëkryq të tillë historik, në të cilin ai ende nuk e di se ç’drejtim duhet të marrë për të vazhduar më tej.“Projekti Europian” edhe mund të dështojë. Arsyet për të qenë pesimistë për të ardhmen e tij janë po aq të shumta e të rëndësishme sa edhe ato që motivojnë optimizmin e shumë njerëzve. Vizioni i Victor Hugo-së për “Shtetet e Bashkuara të Europës” nuk ka gjasa të materializohet në një kontinent, i cili, pavarësisht paqes së gjatë dhe prosperitetit të arritur qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, vuan një krizë strukturore, një krizë legjitimiteti dhe, ipso facto, dëshmon deficitin demokratik të Bashkimit Europian. Nëse integrimi europian nuk thellohet në drejtim të federalizimit të Europës, siç argumenton edhe Anthony Giddens, mund të ndodhë që pesha dhe roli i kontinentit tonë në ekonominë dhe në politikën globale të bien përballë Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe fuqive të tjera të që po ngrihen.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan