Freedom House: Vlerësimi për demokracinë shqiptare në stanjacion

 

 

 

NiT2016-Albania_1-1

 

Freedom House i jep demokracisë shqiptare vlerësim pozitiv për ‘procesin elektoral’ ndërsa mori pikë negative në zhvillimin e medias së pavarur. Treguesit e tjerë mbetën të pandryshuar. Niveli i demokracisë në Shqipëri aktualisht vlerësohet më keq nga sa qe në vitin 2007.

Nga Gjergj Erebara, BIRN, 4 maj 2016

Demokracia shqiptare qëndroi në stanjacion në vlerësimin e Freedom House për vitin 2016 në 4.14 pikë në një shkallë nga 1 në 7 ku 7 përfaqëson nivelin më të ulët të demokracisë dhe 1 nivelin më të lartë. Vlerësimi qe në të njëjtin nivel në vitin 2015, ndërsa Shqipëria gjykohet se pësoi ndryshime për mirë në vitet 2014 dhe 2015.

Shtëpia e Lirisë, organizata amerikane e cila monitoron dhe mat ecurinë e demokracisë në të gjithë botën, publikoi sot raportin e saj “kombe në tranzicion” i cili përqendrohet te zhvillimet në botën post-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore.

Vlerësimi i Freedom House për shtatë fusha, Qeverisja Demokratike, Proceset Elektorale, Shoqëria Civile, Media e Pavarur, Qeverisja Demokratike Vendore, Drejtësia dhe Korrupsioni. Shqipëria vlerësohet më mitë me 3 pikë një fushën e shoqërisë civile dhe më keq në fushën e korrupsionit me 5.25 pikë.

Për vlerësimin e vitit 2016 ka pasur dy ndryshime, në indeksin e Procesit Elektoral, ku vlerësimi u përmirësua nga 4 në 3,75 pikë si dhe në treguesin e medias së pavarur, ku vlerësimi u përkeqësua nga 4 në 4.25 për qind.

“Disa e zgjedhjeve dhe procesi i numërimit qenë të qeta dhe pa akte dhune të cilat zakonisht shoqërojnë zgjedhjet në Shqipëri,” shkruhet në raport, duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2015, ku ndryshimi i hartës elektorale dhe faktorë të tjerë e pakësuan garën reale në shumicën e njësive të qeverisjes vendore duke ndihmuar edhe në pakësimin e tensioneve, me përjashtim të disa bashkive si Vora apo Shkodra.

“Shqetësimet mbi blerjen e votave, votimit në grup dhe aludimet për presion politik, gjithsesi, vijuan. Këto shqetësime të vjetra, si dhe rregullat joefikase të financimit të fushatave elektorale e mungesa e transparencës, mbetën probleme të patrajtuara deri në fund të vitit,” vijon më tej raporti.

“Vlerësimi për procesin elektoral u përmirësua nga 4 në 3.75 për shkak të tonalitetit të përmirësuar të fushatës, ditës paqësore të zgjedhjeve dhe numërimit relativisht të shpejtë dhe pa probleme madhore,”shkruhet në raport.

Media shkon më keq

Anësia politike e televizioneve qe veçanërisht e dukshme gjatë zgjedhjeve të fundit. Televizionet mbeten burimi kryesor i informacionit politik por interesat tregtarë dhe politikë të pronarëve të televizioneve shpesh ndikojnë te raportimi. Vetëcenzura dhe komformizmi dëmtojnë pavarësinë editoriale dhe pluralitetin e këndvështrimeve. Ndërsa disa gazetarë investigativë raportojnë me integritet dhe kurajë, në një vend me korrupsion të gjithëpërhapur dhe pandëshkueshmëri të elitave, këto gazetarë mbeten një përjashtim nga rregulli”, vijon më tej raporti.

Në përgjithësi, politizimi i pothuajse çdo çështje si dhe shkëmbimi i shpeshtë i akuzave personale nga figurat politike kanë zhvendosur vëmendjen e publikut nga çështje të rëndësishme, të tilla si mirëqenia ekonomike dhe shoqërore e qytetarëve, përfaqësimi i tyre politik dhe cilësia e drejtësisë.

Demokracia vendore, ende në pritje

Demokracia vendore, një fushë ku Shqipëria ka pasur vlerësim relativisht pozitiv në vitet e shkuara, nuk pësoi ndryshim në vlerësim, duke sinjalizuar se reforma administrative dhe territoriale do të duhet të shoqërohet me procesin de decentralizimit fiskal dhe administrativ, proces që nuk është se ka ecur siç pritej. Qeveria vlerësohet se nuk ka bërë hapa domethënës në decentralizimin fiskal, pasi bashkitë e reja kanë efektivisht të njëjtat hapësira ligjore në këtë fushë siç i kishin njësitë e vjetra. Premtimet e qeverisë për luftën kundër korrupsionit nuk kanë bindur gjithashtu Freedom House, ashtu si nuk ka pasur përmirësim as treguesi i qeverisjes kombëtare demokratike.

Vlerësimi për demokracinë shqiptare qe në pikën më të mirë në vitet 2007-2009, kur anëtarësimi në NATO, shpresat për integrim të shpejtë në Bashkimin Europian si dhe disa reforma në luftën kundër korrupsionit dhe transparencën e biznesit, dhanë pikë pozitive. Gjithsesi, vlerësimi për Shqipërinë mori të tatëpjetën pas vitit 2010 kur prokuroria dhe gjykatat dështuan të ndëshkojnë disa raste të korrupsionit në nivele të larta, zgjedhjet e majit të vitit 2011 për pushtetin vendor u kthyen në maskaradë duke rrëzuar vlerësimin njëkohësisht për cilësinë e zgjedhjeve dhe për demokracinë vendore ndërsa korrupsioni shënoi një nivel akoma më negativ nga sa ishte. Një përmirësim i lehtë u shënua me ndryshimin e qeverive në vitin 2013, ndryshim që nuk u pasua nga përmirësime të mëtejshme vitin e kaluar.

Ballkani në dallgë negative

Freedom House vlerëson se rajoni i Ballkanit po ecte mirë me reforma më herët, por ka pasur në përgjithësi tendencë tejet negative që nga viti 2010. Politikanët e padiskutueshëm në Serbi dhe në Malin e Zi kanë marrë kontroll pothuajse të pasfidueshëm të institucioneve të shtetit. Në Maqedoni, partia në pushtet ka krijuar një korrupsion masiv dhe skandale të manipulimit të zgjedhjeve si dhe një krizë të vazhdueshme politike. Vlerësimi mesatar i nivelit të demokracisë në Ballkan ka rënë në krahasim me vitin 2010.

Në Bosnjë dhe në Kosovë, ndërtimi i shtetit ka arritur në një pikë bllokimi. Strukturat qeverisëse të ndërtuara për të ruajtur paqen, tashmë po parandalojnë progresin ndërsa stanjacioni politik dhe ekonomik po e raskapisin popullsinë.

Këto zhvillime të brendshme tashmë rrezikojnë të përkeqësohen nga mbyllja e kufijve të BE-së për ndalimin e emigrantëve përgjatë rrugës së Ballkanit.

Gjergj Erebara

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi