Ukraina, kjo është loja e Putinit

Nga Andrew Higgins, New York Times, 15 shkurt 2015

ukrainaTë ardhurat e vendit të tij nga eksporti i naftës kanë rënë, dhe monedha kombëtare është zhvlerësuar. Ekonomia është duke u tkurrur dhe disa prej aleatëve të tij në Moskë po pyesin se ku po i çon ai. E megjithatë, kur presidenti rus Vladimir Putin, u ul të mërkurën e shkuar në kryeqytetin bjellorus të Minskut me udhëheqësit e Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës, për të diskutuar mbi konfliktin në Ukrainë Lindore, ai kishte ende letrat vendimtare të lojës.

Prej muajsh tashmë, udhëheqësit shpesh grindavecë të Evropës, kanë folur me një zë mbi Ukrainën, duke përjashtuar një zgjidhje ushtarake, dhe duke iu lutur të gjitha palëve të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes diplomacisë. Por në Minsk ata u përballën me realitetin se zoti Putin e mbante dorën lart, pikërisht sepse ai është i përgatitur të përdorë edhe forcën ushtarake, për të marrë atë që ai dëshiron përmes diplomacisë.
Në një shenjë të angazhimit diplomatik të Evropës, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, figura më e fuqishme politike e kontinentit, dhe presidenti francez Fransua Holond, kreu i vendit më të madh të Evropës Perëndimore, udhëtuan drejt Minskut të mërkurën e shkuar, në një përpjekje të minutës së fundit për ringjalljen e procesit të paqes, që ndodhej në agoni prej shtatorit të vitit të kaluar, kur marrëveshja e armëpushimit e negociuar po në Minsk, në pjesën dërrmuese nuk ishte zbatuar asnjëherë. Ata e bënë këtë, edhe përkundër asaj që zëdhënësi i zonjës Merkel, Stefën Seibert, tha se ishte vetëm “një dritëz shprese”.
Megjithatë, në Minsk, besimi i Evropës tek një “zgjidhje politike” – një mantra e përsëritur gjatë vitit të kaluar, në çdo takim në Bruksel të liderëve dhe ministrave të jashtëm – u përball me realitetin e vështirë të krijuar nga zoti Putin, mbështetja e të cilit ndaj rebelëve separatistë, e sabotoi marrëveshjen e fundit të Minskut, duke fuqizuar kërkesat e pro-rusëve për një zgjidhje të qartë ushtarake, si dhe përforcoi zërat në Uashington, që bënin thirrje për ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës.
“Putin ka marrë të gjitha lëshimet për të cilat ai shkoi në takimin e Minskut, por ai po luan një lojë të gjatë” – thotë Fiona Hill, oficere e lartë e shërbimit sekret të Shteteve të Bashkuara në Rusi në vitet 2006-2009. “Ai luan në fronte të shumta. Kur ne fillojmë të flasim për një përgjigje ushtarake, ai nis të flasë për diplomacinë” – shton ajo.
Zonja Hill, që tani është drejtoreshë e “Qendrës mbi Shtetet e Bashkuara dhe Evropën” në Institutin Brookings, dhe bashkë-autore e librit “Zoti Putin: Operativi në Kremlin”, parashikon se edhe marrëveshja e re e armëpushimit do të “të jetë vetëm e përkohshme, sikurse ajo e shtatorit të kaluar”, sepse sipas saj Putin ndërron vazhdimisht opsionet, mes atyre diplomatike dhe ushtarake, në varësi të asaj që ai sheh se i jep Rusisë përparësi më të madhe.
Perëndimi – thekson ajo – i ndihu manovrave taktike të Rusisë, duke e bërë të qartë çfarë donte, ndërsa zoti Putin i vazhdimisht mban gjithë të tjerët në akth, duke hamendësuar çfarë ka ai në mendje. “Ju mund të fitoni edhe më një dorë të dobët, nëse kundërshtari juaj ju tregon gjithmonë letrat e tij” – tha ajo.
Duke folur të hënën e shkuar në Bruksel, gjatë një takimi të ministrave të jashtëm evropianë, të cilët sërish ripohuan “shenjtërinë” e diplomacisë mbi forcën, shefi i diplomacisë franceze, Loren Fabius, theksoi se bisedimet e mërkurës në Minsk ishin të nevojshme për të forcuar, jo rishkruar, të ashtuquajturin ‘Protokoll të Minskut’ shtatorin e kaluar.
Por ai e pranoi, se zbatimi i plotë i asaj marrëveshje nuk ishte më një opsion, për shkak të atyre që i cilësoi si “disa zhvillime të reja në terren”, domethënë një përparimi i vazhdueshëm nga ana e luftëtarëve pro-rusë, që ka zgjeruar territorin e kontrolluar prej tyre me më shumë se 200 miljesh katrorë, nga shtatori i shkuar.
Në javët e shkuara, që i paraprinë samitit të së mërkurës në Minsk, rebelët pro-rusë, të fuqizuar ndjeshëm përmes furnizimeve të reja me armë nga Moska, pushtuan rrënojat e aeroportit të Donjeckut dhe nisën një ofensivë të vendosur kundër qytetit të Debaltseves, një kryqëzim i rëndësishëm hekurudhor dhe “xhepi” i fundit i territorit, që mbahej ende nga trupat ukrainase, përgjatë një brezi të gjerë territori të humbur në veri të Donjeckut.
“Hendeku mes diplomacisë së paepur të Evropës dhe qasjes së Putin në Ukrainë, që përzien thirrjet e rregullta për paqe, me furnizimet e fshehta me armë e madje edhe me ushtarë për separatistët, ka bërë që Moska dhe Brukseli “të luajnë lojëra krejtësisht të ndryshme” – mendon Amanda Pol, një eksperte mbi Rusinë në “Qendrën e Politikave Europiane”, një grup ky kërkimor në Bruksel.
“Putin mund të na e hedhë fare lehtë, sepse ai e di cilat janë kufizimet tona. Ai e di se ne nuk do të dërgojmë trupa. E di gjithashtu, se edhe nëse SHBA vendos të dërgojë disa armë, Rusia është ende mjaft e fortë për ta mundur Ukrainën. Nga ana tjetër, ne s’kemi ndonjë ide të saktë, se cilat janë limitet e Putinit. Ai nuk ka treguar ende kartat e tij. Perëndimi e ka bërë. Ndoshta nuk ka një zgjidhje ushtarake të konfliktit, por ne duhet të vazhdojmë të hamendësojmë çdo të bëjë Rusia”- thotë ajo.
Ndërsa shfaqet i paqartë mbi objektivat e tij në Ukrainë, përtej vendosmërisë për të bllokuar atë që ai e sheh si një komplot nga ana e NATO-s për t’u shtyrë thellë në ish-territorin e Bashkimit Sovjetik, Putin e ka bërë të qartë dëshirën e tij për ta përçarë Bashkimin Evropian, duke synuarë të nxjerrë jashtë vende si Hungaria dhe Greqia, ku së fundmi një qeveri e re e krahut të majtë ka ngritur dyshime të forta lidhur me urtësinë e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, për shkak të krizës në Ukrainë. Megjithatë, deri tani blloku 28-anëtarësh, ka arritur të qëndrojë jashtëzakonisht i bashkuar, pjesërisht edhe për shkak se ndaj Moskës ka vendosur sanksione relativisht më modeste, krahasuar me Uashingtonin.
Linas Linkevicius, ministri i Jashtëm i Lituanisë, një nga vendet e pakta evropiane që mbështesin dërgimin e armëve në Ukrainë tha: “Përpjekjet diplomatike janë natyrisht të vlefshme, por ne s’mund të gjykojmë nëse ato po funksionojnë, edhe nëse marrim nga Rusia një marrëveshje të nënshkruar”. “Kemi mësuar se mund të gjykojmë vetëm ngjarjet në terren. Nuk mund t’i besojmë një fjale të vetme të udhëheqjes ruse. Ato janë të gjitha pavlerë” – deklaroi ai.
Marrëveshja e fundit e Minskut u zbulua se ishte thuajse e pazbatueshme, vetëm pak ditë pasi ishte nënshkruar. Ka pasur shkelje të armëpushimit nga të dyja anët, por veçanërisht nga rebelët, udhëheqës i të cilëve në atë kohë, Pavël Gubarev, e denoncoi marrëveshjen si një pazar dhe deklaroi se “ne duam të pështyjmë mbi këtë paqe”.
Prej atëhere, rebelët kanë konsoliduar kontrollin e tyre, më parë të fragmentuar, mbi një territor më të mbrojtur, dhe janë zotuar t’i rezistojnë çdo rrikthimi tek e ashtuquajtura “vijë e demarkacionit”, e fiksuar në shtator 2014. Ministri i jashtëm francez, tha se Parisi dhe Berlini, që kanë marrë rolin udhëheqës në kursin diplomatik të Evropës, do të pranonin rishikimin e marrëveshjes së parë, duke thënë se ajo do të respektohet “sa më shumë të jetë e mundur”. Konferenca vjetore e Sigurisë në Mynih fundjavën e kaluar, ishte e dominuar nga diskutime në lidhje me Ukrainën dhe debatin mbi atë nëse bisedimet e paqes të mërkurën do të jepnin një “Minsk plus”, pra rivendosjen e marrëveshjes së vitit të kaluar, ose një “Minsk minus”, domethënë një konfirmim se marrëveshja më herët cilësohet e vdekur, dhe do të zëvendësohet me një marrëveshje të re, që njeh avancimin territorial të muajve të fundit nga rebelët.
Kishte plot skepticizëm mbi mundësitë e arritjes së një marrëveshje, që nuk do të shpërblente forca e armatosura, dhe qeveria gjermane ka qenë qëllimisht pesimiste, duke deklaruar më herët se takimi Minsk nuk duhej të zhvillohej, dhe madje edhe nëse ndodhte, shpresat e një zgjidhjeje të qëndrueshme do të ishin të pakta.
Pavarësisht irritimit në rritje dhe mohimet e përsëritura të Rusisë, lidhur me furnizimin e rebelëve me armëve, vendet europiane kanë arsye të forta të refuzojnë idenë e armatosjes së Ukrainës, madje edhe me armë mbrojtëse, dhe të mbështeten vetëm tek sanksionet ekonomike.
“Sektori i vetëm, ku Putin nuk ka asnjë frikë, është ai i armëve”- tha Paolo Xhentiloni, ministër i jashtëm i Italisë, gjatë një interviste për “New York Times” të mërkurën e shkuar. “Rusia është e dobët në shumë sektorë, por shumë e fortë në armatime”. “Çdo armë që mund të e dërgohet në Ukrainë nga Shtetet e Bashkuara – vijoi më tej shefi i diplomacisë italiane – mund ta ndihmojë më tej Putinin, veç të tjerash edhe duke “mbështetur fabulën e tij” se Rusia ka arsye legjitime t’i frikësohet shkeljes ushtarake perëndimore të kufijve të saj”. /New York Times/

Botuar në bota.al

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi