Ballkani Perëndimor në rrugën e integrimit europian

Nga Vasil Kureta, botuar në BalkanWeb, 2 nëntor 2014

Tashmë Ballkani Perëndimor është në rrugën pa kthim të stabilitetit e prosperitetit ekonomik e social dhe i fokusuar nga e ardhmja e tij europiane. Ndryshimi me të kaluarën, jo të largët, është esencial. Tri vende të këtij rajoni janë nën statusin e vendit kandidat për anëtar në BE dhe dy të tjerë janë në përpjekjet e vështira për të plotësuar standardet e domosdoshme për integrimin europian. Ky rajon sot po konsolidon kalimin nga përfitues i sigurisë, në prodhim të saj. Natyrisht, problemet nuk mund të mohohen, as brishtësia e këtij ndryshimi të arritur, por kjo është prirja.
Orientimi nga integrimi europian është njëherësh edhe objektiv kryesor, edhe harmonizim përpjekjesh edhe bashkëpunim e dialog rajonal, por edhe rritje e cilësisë së mirëkuptimit. Është gjithashtu, mjeti dhe çelësi i duhur, që stabiliteti i arritur dhe përjashtimi aktual i luftërave mes tyre, të konsolidohet, të krijojë statusin e qëndrueshëm e të besueshëm.
Kjo, me qëllim që, as grindavecët e konfliktualët brenda rajonit të mos kenë akses për sherre shterpë, por të sigurohet imuniteti i nevojshëm, që të gjithë pa përjashtim të refuzojnë të gjitha ato forca, politika e strategji të errëta jashtë Ballkanit, që historikisht u kanë fryrë konflikteve, grindjeve e shereve ballkanike. Integrimi europian është projekti më i mençur, më efektiv, më bashkues dhe më zgjidhës, që është ofruar për popujt e rajonit tonë deri më sot. Kjo është kuptuar jashtëzakonisht mirë nga popujt e rajonit tonë, por po kuptohet edhe më mirë nga klasat politike tyre.
Natyrisht, që ka edhe sot strategji kundërvënëse, që po përpiqen me insistim të mbjellin sherret e konfliktin, duke përdorur problemet ndëretnike të trashëguara për interesa strategjike të tyre. Këto strategji duan t’ia kthejnë Ballkanit cilësinë e fuçisë së barotit, që tashmë është kapërcyer, të mendojmë përfundimisht. Them kështu, sepse nuk përjashtohen në mjedisin ballkanik edhe mëri dhe ndikime të sëmundjeve të vjetra të nacionalizmit ekstrem, që te disa janë sanksionuar në doktrina strategjike afatgjata të shkruara, të hapura e të fshehta.
Ka gjithashtu edhe mbyllje të syve e veshëve, me qëllim, ndaj organizmave legalë, mjeteve të informimit, përmes të cilave mbahen gjallë e ushqehen orekse shoviniste e pretendime territoriale ndaj të tjerëve. Tërheq vëmendjen, që këto instrumente ushqehen në raste të veçanta edhe nga zyra e institucione shtetërore, por që ka reagim kur forca të tilla ekstremiste ia behin në parlamentet e tyre me rrugën e votës, duke rrezikuar stabilitetin politik të vendit të tyre. Emancipimi politik e demokratik i vendeve të rajonit tonë nuk është uniform, por me dallime të ndjeshme mes tyre, por është emancipim dhe ndryshim i madh.
Brenda këtij realiteti të ndryshuar cilësisht ka hedhur rrënjë optimizmi e besimi se ky rajon ka të ardhme europiane. Natyrisht, që krahas optimistëve ka dhe skeptikë e të sëmurë të pandreqshëm, që shohin vetëm të metat, apo nga ata që janë dashuruar së tepërmi me mendësitë bizantine. Optimistët përbëjnë shumicën sot dhe popujt i mbështesin ata. Optimistët nuk e zbukurojnë realitetin, por ndeshen me fenomenet negative e gërryese të institucioneve demokratike, të ekonomisë e të shoqërisë në tërësi.
Ka në secilin vend një problematikë specifike, siç ka edhe sëmundje që i ka prekur të gjithë si korrupsioni, sidomos ai qeveritar e në sistemin e drejtësisë, siç ka problematika, që lidhen me krimin e organizuar e trafiqet. Këto e sëmundje të tjera kanë gjetur terren të përshtatshëm, për shkak të brishtësisë së institucioneve demokratike e një prapambetje e gjatë ekonomike, që e bën rajonin tonë të dallohet dukshëm nga vendet e Evropës Qendrore e Veriore.
Kjo prapambetje e diferencë e dukshme me to është përgjegjësi e klasave politike të rajonit tonë, por edhe një lloj mosinteresimi i vendeve të zhvilluara. Këto vende e kanë konstatuar akumulimin e problemeve dhe thellimin e disnivelit, në zhvillimet politike, ekonomike e sociale, por nuk kanë reaguar sa duhet, madje janë trembur disi të merren me këtë problematikë të rajonit që ka mbajtur gjatë cilësimin “fuçi baroti”, sepse mund të shpërthente dhe problemonte të gjithë Europën. Kjo rrethanë e ka rënduar në të gjitha drejtimet situatën e rajonit tonë.
Ky realitet kompleks problematik ka ushqyer dukshëm skepticizmin e institucioneve europiane për integrimin e këtij rajoni në BE, siç shfaqet më strong kur përballen me problemet e emigracionit, krimit të organizuar, kontrabandës e trafiqeve. Skepticizmi i burokracisë europiane shtohet kur shpesh ka marrëdhënie të tensionuara mes pozitës e opozitës në vendet e rajonit tonë, apo rishfaqen sëmundje të vjetra, siç ngjau dhe pas një ndeshjeje futbolli mes skuadrave kombëtare. Më duket se jemi paragjykuar e anatemuar më shumë se sa e meritojmë, kur duhet të ndihmoheshim më shumë e me më profesionalizëm që të mund të ngriheshim në nivelet e standarteve që kanë arritur vendet e zhvilluara europiane.
Kjo është e vërteta që na hidhëron ne, por që mund të hidhërojë edhe disa politikanë europianë, që ne na shohin si shumë me syze të errëta, sikur të jemi problem i pazgjidhshëm. Kjo ndodh në një kohë kur Europa e bashkuar ka flamur të saj solidaritetin, që realisht ka funksionuar më së miri brenda vendeve anëtare të BE. Këto paragjykime kanë krijuar hapësira jo të vogla për vegjetimin e klasave politike në rajonin tonë, të sëmura nga armiqësitë dhe ekstremizmat nacionalë, apo të lidhura ngushtë me korrupsionin, trafiqet e krimin e organizuar.
Ka ndihmuar grupe e individë, të pasuruar nga korrupsioni, që u fryjnë për interes të tyre grindjeve, përçarjeve e konflikteve brenda vendit të tyre dhe mes vendeve të rajonit. Është kjo kategori që bën marrëveshje të hapura e të fshehta me strategjitë e rikthimit të konfliktualitetit e të shereve mes nesh në rajonin tonë. Por kjo kategori nuk janë shumicë në vendet tona, shumicë janë popujt tanë, që kanë pasur një histori, kulturë, e kontribut jo të vogël për zhvillimin e njerëzimit. Po kështu kemi resurse të mëdha natyrore e burime ushqimi të mbrojtura nga ndotjet, siç janë ujërat tona dhe një shoqëri të re, ku grupmoshat e reja zënë vend dukshëm më të lartë se në vendet e zhvilluara europiane, që kërcënohen nga dukuria e plakjes së popullsisë.
Ne kemi mentalitet e aftësi, që kanë mundësuar mbijetesën tonë, që na kanë ndihmuar të ngrihemi shpejt kur jemi rrëzuar keqas, që jemi bartës së shumë vlerave europiane. Kemi shpirt optimizmi, madje edhe kur jemi në situatën e rrëzimit më të rëndë. Si rregull, jemi orientuar nga forcat e përparimit, siç bëmë dhe në Luftën e Dytë Botërore dhe siç insistojmë tani integrimin në BE. Nuk kam qëllim të bëj listim të këtyre burimeve e vlerave, por të nënvizoj se optimizmi dhe fokusimi ynë nga e ardhmja europiane është i bazuar dhe i mundshëm realisht.
Ne mund dhe do t’ia dalim, por ndihma dhe mbështetja e fuqishme nga institucionet e BE është tepër e rëndësishme që ëndrra dhe objektivi ynë të mos cenohen e veniten, por të bëhen realitet. Ne kemi vërtet nevojë për vlerat dhe standardet europiane, por edhe vendet e BE kanë nevojë për vlerat tona. Madje, Europa nuk mund të jetë e plotë pa këto vlera dhe pa anëtarësimin tonë të plotë në këtë bashkësi vlerash. Vonesa e anëtarësimit të vendeve tona në BE është padyshim përgjegjësi e rëndë e klasave politike që drejtojnë, por tani nuk shtrohet çështja se kush e ka fajin, por tek arritja e një vendimmarrje e mençur dhe në kohën e duhur nga institucionet europiane.
Kuptohet që secili vend duhet të kryejë detyrat e përcaktuara dhe do të vlerësohet veçmas për to, por arritja e objektivit të përbashkët të integrimit në BE kërkon një bashkëpunim e integrim brenda nesh, duke larguar të gjitha përvojat e dukuritë e mëparshme negative. Kështu do fuqizohemi të gjithë, përmes përfitimit nga përvoja e gjithsecilit. Kështu do të bëjmë më efektive reformat dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të të gjitha llojeve.
Mbi të gjitha na nevojitet të mirëkuptohemi më shumë, bashkëpunim për të shfrytëzuar me efektivitet të lartë pasuritë tona natyrore. Na duhet të ndihmojmë e jo të pengojmë njeri-tjetrin, duke mbajtur larg armiqësitë e vjetra dhe veset bizantine. Ky fokusim i të gjithëve nga integrimi europian dhe ky trend pozitiv duhet shfrytëzuar maksimalisht, që ëndrra e popujve tanë të mundësohet.
Të kuptohemi, edhe organizmi në të cilin synojmë të integrohemi përjeton probleme të brendshme funksionimi. Dëgjojnë popujt tanë për to, siç dëgjojnë për pasojat e krizës së eurozonës, por dëgjojnë edhe për lodhje nga zgjerimi, apo për vendosje afatesh bllokimi apo pauza. Këto nuk mund të mos ndikojnë te klasat politike në secilin vend, por dhe te popujt, që realisht janë më optimistë se klasat politike. Në këto kushte duhet menduar një lëvizje që nuk dobëson apo vret shpresën e popujve tanë e nuk u mundëson klasave politike të lëvizin në gjirize të rrezikshme.
Plotësimi i standarteve është domosdoshmëri, por ato nuk duhen lejuar të kthehen në mure të lartë, të pakapërcyeshëm, që të ushqejnë pesimizmin dhe të dobësojnë shpirtin e reformave. Rregullat janë të nevojshme, por nganjëherë ato ose disa, kur absolutizohen e ngurtësohen, bëjnë efektin e kundërt, duke mundësuar një dëm më të rëndë e ndoshta të pariparueshëm për të gjithë Europën. Që Europa të mos harxhojë energji e financime për të riparuar pasojat e mundshme që mund të vijnë nga ky ngurtësim, kërkohet më shumë fleksibilitet përsa i përket cilësisë së standarteve.
Ta themi qartë, nëse këto standarde dogmatizohen e zgjasin kohën e anëtarësimit, atëherë do ta kenë më të lehtë antieuropianët dhe zjarrvënësit e njohur të pengojnë realisht integrimin e këtyre vendeve në BE dhe të kthejnë destabilitetin e konfliktet në rajon. Ashtu si në një familje të zakonshme, mund të ketë pjesëtarë problematikë e jo të cilësisë që kanë të tjerët, po i integrojnë, i mbajnë në familje, që t’i ndryshojnë e nuk i mbajnë larg për të shpëtuar ata dhe familjen, ashtu dhe institucionet e BE, ndoshta nevojitet të ndryshojnë këtë rutinë të vendosur e të veprojnë ndryshe për anëtarësimin e vendeve të rajonit tonë.
Brenda familjes europiane mund t’i shërojmë më mirë e më shpejt sëmundjet tona. Institucionet europiane arsyetojnë me logjikën “bëhu si unë plotësisht, që të bëhesh pjesë e jona”. Çështja është se unë kam nevojë të ndihmohem maksimalisht që të bëhem si ju, por kjo nuk mund të bëhet duke na lënë prapa derës të presim duke dobësuar shpresat. Mund të bëhemi më shpejt si ju, po të bëhemi më shpejt pjesë e familjes europiane.
Nuk duhet menduar për veten për pastërti absolute dhe për të tjerët për papastërti përjashtuese. Ne nuk jemi dhoma e pasme e Europës. Vendet tona nuk janë në periferi të Europës, por në zëmër të saj. Popujt tanë janë me shpirt, kulturë, mentalitet vërtet europianë. Në kushtet e krijuara, vendimi për të shtyrë anëtarësimet në BE, për ta bllokuar e të tjera si këto, që mendohen, për ca llogari si zgjidhje, mund të pohohet se kjo nuk është zgjidhja.
Madje, duhet thënë qartë se shpejt do të kuptohet gabimi i këtij vendimi. Sikur të harxhoheshin vetëm pak më tepër për vendet tona, që të plotësonin standardet, sot do të ishte mbyllur integrimi i plotë i vendeve europiane. Kjo do të ishte njëherësh në të mirën e vendeve tona dhe të vetë BE.
Evropa është dalluar historikisht për prodhimin e ideve e vizioneve, por e ngurtë, e ngadaltë, e vonuar në vendimmarrje. Më duket se kjo e shpjegon në një farë mase edhe vonesën e përmbylljes së integrimit europian. Problemi është se vonesa mund të dëmtojë shpresat e integrimit europian dhe t’u hapë udhe problemeve të rrezikshme. Nëse do të ndodhë, atëherë nuk do të ketë fitues e të humbur, por vetëm të humbur bashkarisht. Le të jem unë shkruesi i këtyre radhëve i gabuar, por e nesërmja, e afërt apo e largët e rajonit tonë nuk mund të parashikohet saktë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi