Borxhi publik, jo zgjidhje “të lehta” apo një borxh të ri

Intervistë me anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici, botuar në ShekulliOnline, 7.11.2012

Borxhi publik dhe performanca e administratës fiskale janë dy problemet më të mprehta me të cilat përballen financat publike. Borxhi ka arritur në nivelin 60 %  të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që të ardhurat nga Tatim-Taksat janë realizuar në masën 65 % të parashikimeve në 9-muajt e parë të vitit. Sfida e  qeverisë mbetet mbajtja nën kontroll e parametrave ekonomikë. Mosrealizimi i një prej objektivave, në rastin konkret të ardhurat e parashikuara,  çekuilibron balancën. Treguesi më problematik është niveli i borxhit. Por sa e rrezikuar është Shqipëria nga borxhi?  Për anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Prof. Dr. Adrian Civici pesha e borxhit sa vjen dhe bëhet më shqetësuese, e parë nga dy këndvështrime: pesha që zë kosto e shërbimit të borxhit, pra “çmimi” vjetor i tij për buxhetin dhe investimet tona dhe vëllimi total i borxhit në raport me PBB. Në një intervistë për gazetën Shekulli, Civici thekson se financat tona nuk janë të rrezikuara në nivelin më të lartë. Sipas tij, problem më shumë se madhësia e borxhit mbetet  menaxhimi i tij. Sa të rrezikuara janë financat publike nga borxhi?

Në kontekstin e krizës globale dhe efekteve të saj, por veçanërisht nga mënyra se si po evoluon kriza në shumë vende të eurozonës, raportet e borxhit publik me qëndrueshmërinë e financave publike janë bërë komplekse e të ndërlikuara. Peshën negative apo ndikim shqetësues të borxhit në financat publike e shton së tepërmi dhe rritmi i ulët i rritjes ekonomike. Mendoj se dhe në rastin e Shqipërisë, pesha e borxhit vjen dhe bëhet më shqetësuese e parë nga dy këndvështrime: pesha që zë kosto e shërbimit të borxhit,  pra “çmimi” vjetor i tij për buxhetin dhe investimet tona; dhe vëllimi total i borxhit në raport me PBB. Në kushtet kur ky i fundit është i ulët, pesha e borxhit bëhet gjithnjë e më e rëndë. Në këto kushte ne duhet të jemi absolutisht të kujdesshëm në sjelljen ndaj borxhit publik, jo thjesht në debatin tashmë formal “mbi apo nën 60% të PBB”, por mbi të gjitha në kuptimin e sjelljes më borxhin.

Në Shqipëri mbizotëron debati politik për këtë çështje, ndërkohë që është shumë e dëshirueshme që analizat dhe zgjidhjet të jenë sa më teknike e profesionale. Dalja nga situatat e vështira që mund të ketë ekonomia apo buxheti i vendit nuk duhet të kenë si zgjidhje “të lehtë” një borxh të ri qoftë ky i brendshëm apo i jashtëm, aq më pak një borxh që nuk përdoret për qëllime investimesh prodhuese që stimulojnë direkt rritjen ekonomike. Ne mund t’i krijojmë vetes “lehtësira” duke ju dhënë prioritet instrumenteve afat-gjatë të maturitetit të borxhit, ose të marrim borxh të brendshëm në euro, por ky burim nuk duhet ekzagjerohet dhe parë si më i lehti pasi në fund të fundit shlyerja e tij do të bëhet përsëri në euro, pra në një monedhë shumë të fortë. Në këto raste është dalja në tregjet financiare ndërkombëtare me një kërkesë për borxh, e cila nëpërmjet normave të interesit të ofruara përbën lakmuesin apo “termometrin” që tregon për shëndetin real të financave tona publike.

Për momentin nuk mendoj se financat tona janë të rrezikuara nga niveli i lartë i borxhit megjithëse kemi nivelin më të lartë në rajon, por nëse rritja ekonomike për 2012 dhe 2013 do të rezultojë në nivelet  0.5-2%  siç e parashikojnë dhe shumë institucione ndërkombëtare, nëse të ndodhur në një vit elektoral do të abuzohet me “investimet me theks populit apo elektoral”  atëherë financat tona publike dhe buxheti do të duhet të paguajnë një “çmim të lartë” për menaxhimin korrekt të tij dhe mund të rrezikohen nga pesha e tij. Problem nuk është thjesht madhësia e borxhit, por përdorimi i tij i shoqëruar me performancën e ekonomisë në përgjithësi.

Gjatë këtyre 9-muajve administrata e Tatim taksave nuk ka arritur të mbledhë të ardhurat e parashikuar për periudhën. Si e vlerësoni modelin e taksimit dhe si e gjykoni ndryshimin mundshëm nga i sheshte në progresiv? Cilat do të ishin avantazhet dhe disavantazhet?

Vështirësitë e administratës së tatim-taksave në realizimin e planit të të ardhurave mendoj se lidhen me tre çështje thelbësore. Së pari, me euforinë dhe optimizmin e madh në të cilin u përcaktuan treguesit tatimorë kur u hartua paketa fiskale e vitit 2012. E thënë ndryshe, nuk u treguam realistë në raport me situatën e brendshme të ekonomisë dhe biznesit, dhe sidomos nuk u treguam largpamës për efektet e ndikimit të krizës, sidomos asaj greke e italiane në Shqipëri. Së dyti, disa sektorë të ekonomisë, deri tani aktivë në kontributin e tyre në rritjen ekonomike dhe kontributin fiskal si ndërtimi, transporti, industria, etj., e kanë reduktuar disi aktivitetin e tyre duke reduktuar kështu dhe kontributin e tyre fiskal. Së treti, reduktimi i konsumit të brendshëm dhe puna nën kapacitetet optimale për shumë nga bizneset shqiptare, e shoqëruar me ritme të moderuara të aksesit në kredinë bankare nga individët dhe bizneset. Këtu mund të shtohet dhe fakti se një pjesë e bizneseve e reklamojnë veten si taksa e tatim pagues të çrregullt si pasojë e borxheve që shteti ju ka atyre për punë të ndryshme tashmë të kryera.

Në lidhje me sistemin e taksave, e sheshtë apo progresive do të thoja që në vetvete asnjë sistem nuk është absolutisht i mirë apo i keq. E rëndësishme është në ç’rrethana dhe për çfarë qëllimesh e zbaton. Historia njeh plot raste të suksesshme apo dështime të të dyja sistemeve. Në momentin aktual dhe të paktën për 2-3 vitet e ardhshme, mendoj se taksa e sheshtë është më e përshtatshme për biznesin dhe ekonominë shqiptare, pasi i krijon më shumë hapësirë individëve dhe bizneseve që të investojnë dhe të dalin nga momenti i vështirë i ciklit ekonomik në të cilin ndodhen aktualisht.

Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.  Si e vlerësoni këtë vendim. Çfarë efektesh do të kishte për çlirimin e kreditit ulja e mëtejshme e kostos së lekut?

Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë në kuadrin e politikës monetare të saj për normën bazë të interesit është shumë komplekse. Analizat dhe targetimi i saj kryesor është mbajtja nën kontroll e nivelit të inflacionit 3% me një marzh tolerance + apo – 1%. Edhe këtë radhë, shqyrtimi i kujdesshëm i faktorëve që ndikojnë në nivelin e inflacionit ose stabilitetin e çmimeve  dhe sjellja e pritshme afat-shkurtër dhe afat-mesme e tyre nuk “sugjeronte” nevojën për ndryshimin e normës bazë të interesit për lekun, pra mbajtjen e saj në nivelin 4%. Ndërkohë duhet nënvizuar se në vëmendjen e Bankës së Shqipërisë dhe politikës së saj monetare janë edhe dy faktorë të tjerë : stabilizimi i kursit të këmbimit të lekut dhe mbështetja e rritjes ekonomike, sidomos nëpërmjet uljes së kostos së parasë dhe nxitjes së investimeve, kreditimit dhe konsumit. Gjatë kohëve të fundit janë bërë disa ulje të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit për lekun, duke dëshmuar për një trend relaksues të politikës monetare, ndërkohë që nga analizat e Bankës së Shqipërisë transmetimi i efekteve të kësaj uljeje në drejtim të tregut ndërbankar, përqindjes së interesit të bonove të thesarit dhe obligacioneve apo dhe interesit të kredive ka qenë pozitiv. Në një gjuhë më të thjeshtë kjo do të thotë se qëllimet për të cilat u bë ulja e normës bazë të interesit po realizohen, pasi duhet të kemi parasysh që efektet e politikës monetare kërkojnë periudha 10-18 muaj që të transmetohen plotësisht.

Në këtë kuadër duhet theksuar se politika monetare, sado relaksuese që të jetë, nuk mund të ndikojë e vetme në objektivat e mësipërm. Ajo ecën në çdo rast e kombinuar me politikat fiskale-buxhetore dhe ato ekonomike. Nëse stimuli fiskal e buxhetor tkurret apo ka hapësirë të kufizuar veprimi, atëherë është politika monetare ajo që bëhet më aktive e relaksuese. Kur deficiti buxhetor dhe inflacioni rritet, atëherë politika monetare bëhet shtrënguese dhe norma bazë e interesit rritet. Ndikim të konsiderueshëm në këtë lloj vendimmarrje ka edhe situate e ekonomisë reale dhe perceptimi që aktorët e tregut kanë për stabilitetin dhe ecurinë ekonomike. Në këtë këndvështrim, mendoj se “gjykimi nga jashtë” i vendimeve të Bankës së Shqipërisë nuk duhet të jetë i segmentuar vetëm për interesa të momentit apo sektorë të caktuar të ekonomisë, por të shihet në tërë kompleksitetin e mundësive dhe objektivave të saj.

Ndryshimi drastik i sistemit fiskal, i dëmshëm 

Të taksohet sa më pak puna, të ardhurat individuale apo të ardhurat e bizneseve të vogla e të mesme. Mund të përqendrohet më shumë ngarkesa fiskale tek pasuria, dividentët apo prona

Ndryshimi drastik i sistemit fiskal është i dëmshëm për një ekonomi. Ky është vlerësimi i Prof. Dr. Adrian Civici në lidhje me debatin mbi ndryshimin e modelit të taksimit. “Institucione si OCDE, FMN apo Banka Botërore rekomandojnë që në këto momente vende si Shqipëria të taksojnë sa më pak punën, të ardhurat individuale apo të ardhurat e bizneseve të vogla e të mesme, ndërkohë që mund ta përqendrojnë më shumë ngarkesën fiskale tek pasuria, dividentët apo prona. Është e dëmshme për ecurinë e ekonomisë, investimet e huaja për të cilat jemi dificitarë apo dhe investimet e brendshme që çdo vit apo çdo mandat qeverisës ne diskutojmë për ndryshime drastike të sistemeve fiskale. Kjo shton pasigurinë dhe frikën për investime të mëdha e afat-gjata. Sipas studimeve të kryera për këtë qëllim, bizneset dhe individët janë shumë më të ndjeshëm ndaj mungesës së stabilitetit të sistemeve fiskale sesa ndaj rritjes apo uljes së taksave e tatimeve” thotë Civici.

Norma bazë e interesit 4 %

Ulja e normës bazë të interesit nuk mund të pasqyrohet në treg brenda një afati relativisht të shkurtër. Për këtë shkak masat e marra nga Banka e Shqipërisë në lidhje me politikën monetare vlerëson si efikase nga ekspertët. Për anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë vendimi është bazuar në shqyrtimin e kujdesshëm të faktorëve që ndikojnë në nivelin e inflacionit ose stabilitetin e çmimeve  dhe sjellja e pritshme afat-shkurtër dhe afat-mesme e tyre, e cila  nuk “sugjeronte” nevojën për ndryshimin e normës bazë të interesit për lekun, pra mbajtjen e saj në nivelin 4%.

Debati: E sheshtë, apo progresive? 

Modeli i taksimit në Shqipëri ndan në dy pjesë ekspertët e ekonomisë në lidhje me modelin që duhet të ndiqet. Përkrahësit e taksës së sheshtë por edhe ato të taksës progresive bashkohen vetëm në një pikë, në menaxhimin sa të mirë të sistemit. Në një kah janë ekspertët që sugjerojnë aplikimin e të njëjtit sistem taksimi që po ndiqet në vend vitet fundit me argumentin se ky sistem është më i menaxhueshëm dhe ka sjellë identifimin e bizneseve duke zgjeruar bazën e taksueshme. Nga ana tjetër një grup tjetër ekspertësh vlerësojnë se aplikimi i taksës progresive ofron drejtësi ekonomike, më shumë liri për zhvillim dhe kontribut më të drejtë në buxhet. Efektet pozitive të sistemit progresiv do të ndjehen edhe në portofolet e qytetarëve. Gjithçka do të varet nga skema, modalitetet dhe shkallëzimi i tarifës së progresitetit.

BB: Borxhi publik, Shqipëria shumë e rrezikuar

Shqipëria renditet ndër vendet më të rrezikuara nga borxhi publik. Koordinatorja rajonale e Bankës Botërore, Jane Armitage, thotë se vendi ynë është në nivelin më të lartë të rrezikut ndaj borxhit. “Do të thoja se borxhi në Malin e Zi, Serbi dhe Shqipëri është në nivele shumë të rrezikshme, veçanërisht në Shqipëri në 60 % të prodhimit të brendshëm bruto, por është duke u rritur me shpejtësi në Serbi dhe Mal të Zi,”- thekson Armitage në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters. Koordinatorja rajonale e Bankës Botërore, Jane Armitage, thekson se Ballkani Perëndimor është duke u përballur me recesion dhe rigjenerimin e ekonomisë që vitin 2013-të do të jetë shumë i ngadaltë. Parashikimi i Bankës Botërore për Serbinë, ekonominë më të madhe të rajonit, është pesimist teksa vendi përballet me përpjekjet për stimulimin e rritjes ekonomike.  “Shqipëria dhe ish-Republikat Jugosllave kanë pësuar rënie të eksporteve dhe investimeve direkte të huaja për shkak të krizës së borxheve në Eurozonë. Remitancat nga qytetarët jashtë vendit janë ulur dhe dimri i ftohtë dhe vera e nxehtë kanë goditur sektorin e bujqësisë dhe prodhimin e energjisë”,- shprehet koordinatorja e Bankës Botërore, Armitage.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi