Pritshmëritë e sesionit të ri parlamentar
Nga Afrim Krasniqi, botuar Shqiptarja.com, 3 shtator 2023
Deputeti më i votuar në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 në vendin që pretendon të bëhet anëtar në BE është një emër i panjohur në publik, pa CV dhe aktivitet politik, pa ide politike, nisma ligjore apo opinione politike gjatë dy viteve të fundit në parlament, pa lidhje organike me forcën e tij politike dhe pa njohje e kontratë sociale me votuesit e shumtë të tij. Ai është votues besnik në 100% të rasteve pro qeverisë dhe me rritjen e rrogave në parlament, qytetarët e paguajnë dyfish më shumë se rektorët e universiteteve.
Historia është e thjeshtë dhe tipike për Shqipërinë e dekadës së fundit: babai i tij, një biznesmen i njohur dhe me lidhje të forta financiare dhe politike me kryeministrin aktual, ishte deputet para se të dëbohej për shkak të dekriminalizimit. në pamundësi kandidimi, djali i tij u emërua nga shefi i qeverisë në listën shumëemërore të PS, si dhe përmes ndikimeve informale ia dolën që ai të bëhet deputet, duke qenë dy herë më i votuar se vetë kryeministri dhe tri herë më i votuar sesa kryetari dhe ish kryetari i opozitës.
Nuk është fiction, por narrativë reale dhe domethënëse e standardeve të zgjedhjeve dhe e cilësisë së parlamentit aktual, i cili, në sondazhe periodike vijon të ketë mbështetjen më të ulët historike të besimit publik. Legjislatura aktuale, e nisur me bisedimet për anëtarësim në BE, do të duhej të shënonte fillimin e fundit të tranzicionit, megjithatë duket se do të duhen së paku dy legjislatura të tjera pasuese për këtë mision. Ky është çmimi i vonesës historike, i deficitit në kulturën politike, por edhe i kostove të larta të dështimeve të elitës politike të tranzicionit, e cila vijon të mbaj peng pa ide dhe pa vizion, nevojat, prioritetet dhe sfidat thelbësore të shtetit dhe të shoqërisë.
Parlamenti i ri do të mblidhet në sesionin e shtatorit. Me Kushtetutë ai kontrollon qeverinë, por ky i sotmi kontrollohet nga qeveria. Parlamenti duhet të reflektojë pluralizëm konstruktiv dhe qasje alternative, por opozita është e investuar kundër vetes dhe ndjehet komode si shtojcë e mazhorancës. Parlamenti duhet të miratojë reforma dhe të përfaqësojë interesat qytetare, por u bë kohë që në agjendë nuk ka asnjë reformë dhe qytetarët ndjehen të papërfaqësuar. Në kohë krize ekonomike, emigrimi masiv të rinisë dhe pjesës së mirëedukuar, bojkotit masiv në zgjedhje dhe zhgënjimeve në rritje, parlamenti vendosi të shumëfishojë privilegjet e veta financiare.
Sesioni i ri hyn në histori si rasti i parë kur një deputet, ish zv/kryeministër, është në kërkim ndërkombëtar për korrupsion dhe vetë Kuvendi apo forca e tij politike nuk kanë apeluar as formalisht dorëzimin e tij apo përjashtimin nga strukturat drejtuese partiake e parlamentare. Në pritje të zyrtarëve të lartë, kryesisht të PS, pjesë e listës së re “non grata” amerikane e britanike, opozita vijon të mbahet peng nga 2-3 politikanë në lista të tilla prej 2021-2022, qeveria është në koalicion me një parti që drejtohet nga një tjetër i tillë prej 2018, ndërkohë që disa prej zërave moderatorë dhe “me letra në rregull” kanë zgjedhur karrierën në shkëmbim të heshtjes, duke braktisur interesin publik dhe nevojën për politikë të pastër.
Çfarë do të shënojë sesioni i ri? Në aspektin politik, – rotacion emrash në financë, diplomaci apo sektor tjetër në mazhorancë, të paraqitura si ndryshime në qeveri dhe ekipin drejtues? Konfirmim personal të Ramës në Asamblenë e PS, Berishës në Kuvendin e tij në PD2, Bashës në Kuvendin e tij në PD1, Metës në partinë e tij, PL, dhe në thelb, një parlament vijues pa raporte të qarta identifikuese pozitë-opozitë? Humbje e identitetit dhe ndikimit të PDIU, PBDNJ, PSD, PR, e partive të vogla, dhe krijimin e disa partive të reja, sfiduese ndaj sistemit?
Në aspektin legjislativ, – ngritjen e komisionit të 13-të për reformën zgjedhore, ligj presioni mbi Presidentin, pazar të ri për ndryshime kushtetuese në drejtësi dhe Avokatin e Popullit, nismë ligjore për amnistinë fiskale, ligj të ri mbi median, rikthimi i pasaportave të arta, kontroll të ri mbi pronësinë apo amendime të personalizuara në legjislacionin mbi partitë / zgjedhjet? Në aspektin publik, – thellim të hetimeve nga SPAK dhe më shumë politikanë përpara drejtësisë? Rritje e ndikimit politik parlamentar në procesin e ripërtëritjes së KLGJ e KLP? Retorikë personale konfliktuale që ushqen status-quon dhe ndonjë miting vjeshtor nga opozita, ndërkohë që qeveria pritet të përfitojë nga samiti i procesit të Berlinit në tetor?
Përvoja e kaluar dhe leximi i të sotmes nuk na lejon të jemi optimistë dhe të pretendojmë një parlament më progresiv, efektiv, të ndershëm dhe me integritet, dhe kështu, as një sesion parlamentar që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme për Shqipërinë. Në thelbin e tij është një sesion rutinë, në një parlament rutinor që konsumon pushtet, nuk udhëheq dhe as përfaqëson; në një sistem politik që refuzon ndryshimin dhe ushqen oligarkët; me parti politike në të cilat nuk votohet, nuk diskutohet dhe as lejohet mendim ndryshe; në një mjedis mediatik e publik të kontrolluar nga kullat politike dhe financiare, dhe së fundi, me një elitë politike që vegjeton, riciklon veten dhe mban peng vendin pa ide e aftësi transformuese.
Edhe në këto rrethana, a mund të ishte ndryshe? Po, në disa elementë. Për shembull, nëse numri i qytetarëve reagues, i individëve kritikë, i zërave kurajozë dhe personave publikë aktivë do të ishte më e madh, – nëse hapësira bosh do të mbushej me presionin civil dhe qytetar për llogaridhënie, nëse media do të hiqte dorë nga shitja e lajmeve të gatshme partiake e zyrtare si gazetari; nëse politikat e gabuara refuzohen, roli si dekor refuzohet; nëse pakica e përgjegjshme ushtron më shumë presion për politikë e politikanë të pastër, nëse reforma e re zgjedhore do të bazohej në parimet e nenit 9 të Kushtetutës, – përfaqësim, demokraci funksionale, transparencë financiare, duke përfshirë edhe votën e diasporës, vetingun në politikë dhe depolitizimin e administrimit zgjedhor. Të gjitha këto mund të tentohen edhe me peticione, nisma, adresime, rekomandime dhe forma të tjera ligjore, së paku për të mbajtur të gjallë aspiratën te demokracia funksionale dhe shpresën se meritojmë më shumë, por edhe mund të bëjmë më shumë.