“Sindromi i lodhjes demokratike” në Shqipëri
Nga Ben Andoni, botuar në Java News, 21 prill 2023
Duhet të sqarojmë një koncept, që mbase nuk shkon me titullin e shkrimit: Në shkencat politike, “Sindromi i lodhjes demokratike” (referuar literaturës), ka të bëjë me lodhjen e votuesve në demokraci dhe vjen si shkak i apatisë së elektorateve të demokracive përfaqësuese, që u kërkohet të votojnë shumë shpesh. Ky nuk është aq rasti i Shqipërisë, sepse pas viteve ’90 ka zhvilluar rregullisht 18 zgjedhje, nga të cilat 10 të Përgjithshme dhe 8 syresh Lokale. Votimet Lokale të 14 Majit do afrojnë këtë statistikë me atë të Zgjedhjeve të Përgjithshme. Por, prej nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 dhe në dy zgjedhjet e fundit lokale, pjesëmarrja vetëm në dy zgjedhjet e përgjithshme 2009 dhe 2013 arriti respektivisht 50.52% dhe 53,47%, kurse në të gjithë të tjerat mbeti poshtë 50%, një tregues fare i qartë se publiku e ka humbur interesin në zgjedhjen e përfaqësuesve të tij dhe është i lodhur me ta. Në Zgjedhjet Vendore (2019), ku partitë opozitare bojkotuan dhe nuk morën pjesë me kandidatë, iu kërkua elektoratit përkatës ta bojkotonte fare procesin. Dhe, ashtu ndodhi. Dolën të votonin vetëm 22.26 % e zgjedhësve në listë, ndërkaq që edhe pse ishte garë pa rivalë, procesi sërish u shoqërua me parregullsi dhe me vota të pavlefshme!!
Një gjë që duhet sqaruar është se: politikanët ia hedhin fajin për fenomenin e lodhjes: ikjes së shqiptarëve dhe mos rakordimit të mungesave prej largimeve jashtë vendit me listat e prezantuara. Diaspora duke mos pasur mundësi për votim përbën shkakun tjetër. Disa anketa dhe metodologji të zhvilluara nga INSTAT-i, por dhe organizata të ndryshme joqeveritare tregojnë për një rritje të fenomenit emigrativ në dekadën e tretë pas rënies së regjimit komunist. Njëra syresh evidenton se: nga viti 2011 deri më 2020, ikën nga vendi rreth 600 mijë persona.
Kthim në realitet tashmë. Kryeministri Rama mbështet një tezë, që ka argumenta deridiku të pranueshme: Po ikin të gjithë, madje edhe nga Perëndimi! Dhe, vërtetë i gjithë Ballkani është në ikje, por mbase jo si shqiptarët dhe shuma e kërkesave të tyre për azil. Topi i mbetet Globalizmit për Ramën e Socialistët, kurse për Opozitën është fare e qartë: Drejtimi i keq i vendit, po ashtu, që justifikon dhe provon shumë argumenta
Duket se këtë situatë e kanë paraparë deridiku politikanët që bënë histori: ”Politika s’është profesion i keq. Nëse ia del, ka shumë shpërblime, nëse e turpëron veten, gjithmonë në fund mund ta shkruash një libër”, -shprehej në formë cinike Regani, njëri nga njerëzit që uli “Perden e Hekurt”. A janë të lodhur shqiptarët nga demokracia e tyre? Janë sinqerisht sepse nuk ndryshon shumë nga zgjedhjet . Qeverisja Rama thjesht ka vazhduar trendin e qeverisjes të mëparshme, paçka se nuk mund t’i mohohet kalimi i dy fazave të vështira: Tërmeti dhe periudha e Covid-it, dy momente, që çdo lloj qeverie do e trandnin nga themelet. Ndërkohë që reformat e nisura kundër informalitetit, për territorin, energjinë duhen vlerësuar, paçka se nuk shkuan atje ku duhet të shkonin ose më saktë ku duhej. Veçse, nga ana tjetër, kur ia numëron PS-së skandalet, korrupsionin, parametrat e ulët të zhvillimit dhe mbi të gjitha mos krijimin e frymës demokratike, atëherë kupton se ka bërë shumë pak në tre mandate. Për më shumë akoma, në momentin që realisht je në të njëjtin nivel me Kosovën, që sapo mbushi 15 vjet si shtet atëherë duhet t’i vësh gishtin kokës. Shqetësuese është se ka një propagandë lëbyrëse nga ana e administratës Rama, ashtu si ka anatemim të gjithçkaje nga ana e Opozitës, që në përpjekje për të gjetur identitetin, e nxin çdo gjë. Kjo i ka bërë shumë nga njerëzit të kuptojnë se: përveç militantëve, ata, në të shumën e herës e ndjejnë veten shumë të barazlarguar nga i gjithë ky proces i dyanshëm baltosje politike dhe i lodhur të PS dhe PD. Të thuhet se është lodhur nga zgjedhjet e njëpasnjëshme (ritmi u prish vetëm në vitin 1997): “Jo”; porse është lodhur nga të zgjedhurit e saj dhe një qeverisje që nuk çon dot përpara një nga vendet më potenciale ekonomiko-natyrore më të mëdha në Ballkan. Kjo: “Po”. A është problem përfaqësimi? Për shkak të demokracisë sonë që paradosalisht ende etiketohet në fillimet e saj, s’mund të gjejmë dot forma të reja përfaqësimi, pasi ato janë më shumë domen i vendeve me demokraci të zhvilluar, por duam shpesh të kuptojmë (më kot) sesa vlen përfaqësimi ynë dhe si pjesëmarremi në demokraci. Kuotat gjinore, moshore shpesh po rezultojnë shtojca të narracioneve të politikës për të plotësuar vërejtjet dhe sugjerimet e OSBE\ODHIR, kurse në shumicën e rasteve listat e njerëzve që na përfaqësojnë në parlament, pushtetin lokal me Këshillat Bashkiak janë shumë larg pritshmërive të publikut për prezantimin e problematikave dhe zgjidhjeve të tyre. Individë që nuk sjellin dot modele, që nuk prezantojnë dot qëndrime të pjekura dhe tejet të varur nga liderat, kjo është fytyra e përfaqësuesve tanë. Parlamenti ka qenë prova më e madhe. Kjo i bën njerëzit të kuptojnë me keqardhje pas çdo zgjedhje se është gati e pamundur të mund të fashitet korrupsioni i frikshëm dhe të edukohet një administratë gjithnjë e më shumë e pasjellshme. Prej kohësh flitet për ardhjen e referendumit dhe mbase nga ky cak mund të prishet dhe tandemi i frikshëm PS dhe PD, konsakruar në 2008. Kjo është madje një nga kauzat e mira, që po mbahet nga Partia e Lirisë. Por idealizimi i referendumit përmban po ashtu probleme. A mund ta shfrytëzojë politika? Historia është e pamëshirë në këtë argument. Gjermania e provoi me Hitlerin dhe shumë pas në histori Napoleon Bonaparti e përdori gjithashtu referendumin për të vendosur diktaturën e tij zyrtare. Brexit ishte një nga momentet që bëri ndryshimin e të gjithë narracionit politik në kontinent, kurse në Greqi politikanët u munduan “ta ndajnë” barrën me popullin pikërisht prej asaj politike të lodhshme, që ndoqën me breza. Veçse, nga ana tjetër, referendumi, që kërkon prej vitesh shoqëria shqiptare, përbën një mjet të kërkuar gjithashtu për shprehjen e demokracisë së publikut. Ashtu, si duhet të kuptohet që “Referendumi” është një instrument që duhet të kuptohet ndryshe nga “plebishiti”. Në demokraci të drejtpërdrejtë, një pjesë e popullit vendos përmes një “iniciative qytetare” ose një “iniciative popullore” dhe ka të drejtë të ftojë të gjithë njerëzit të vendosin përmes një referendumi. Nëse kjo do ekzistonte mbase politikanët do ishin më të kujdesshëm dhe më të përulur, sepse do e dinin se gjithmonë do korrigjohen mes zgjedhjeve. “Sot pjesa më e madhe e kuadrit të demokracisë perëndimore nuk i lejon shoqëritë të shfrytëzojnë potencialet që kanë te qytetarët. Qytetarët ndihen të nënvlerësuar dhe të përjashtuar nga politika nëse nuk mund të marrin pjesë në vendimmarrje përtej zgjedhjeve. Kjo është një nga arsyet që krijon sindromën e lodhjes demokratike”, referuar Carsten Berg tek “Representation vs. Participation: How to overcome the Democratic Fatigue Syndrome?” Ky është edhe rasti tipik i Shqipërisë: Ndihemi të papërfaqësuar, sepse ata që votojnë i shërbejnë kryetarokracisë dhe partisë por jo zgjedhësve. S’duhet harruar po ashtu se: Një demokraci e drejtpërdrejtë e projektuar gabim është më e keqe se asgjë dhe diskrediton proceset, siç ndodh ende fatkeqësisht në shumë vende të botës. Por jo si Zvicra, ku autori i mësipërm na sjell arsyetimin e shkrimtarit zviceran Dürrenmatt: “Zviceranët janë shumë të ndryshëm pasi s’kanë histori të përbashkët, gjuhë të përbashkëta, s’kanë fat të përbashkët, e as nuk fe të përbashkët (Siç është BE-ja). E vetmja gjë që kanë të përbashkët zviceranët është se ata janë të ndryshëm. Dhe për faktin se ata mund të shprehin rregullisht dallimet e tyre, u pëlqen të jenë bashkë”. A mund ta bëjnë shqiptarët, apo do vazhdojnë me këtë lodhje? Edhe sikur të komunikonim, si frymëzim i shpirtit të demokracisë së drejtpërdrejtë, do ishte fitore se në vend të lodhjes do kishte mundësi të zhvilloheshin ide dhe të plazmoheshin figura. Realisht, kur i lë jashtë proceseve demokratike njerëzit, lind pyetja pse duhet të interesohen? Dhe, kjo po u leverdis politikanëve sot. “Politika e vërtetë – si politika e denjë për këtë emër – e vetmja politikë të cilës jam gati t’i përkushtohem -është thjesht çështje shërbimi ndaj atyre që rrethohemi: t’i shërbejmë komunitetit dhe atyre që do të vijnë pas nesh. Rrënjët e saj më të thella janë morale sepse është një përgjegjësi e shprehur përmes veprimit, ndaj dhe për të gjithë”. Kjo është shprehja e duhur e Vaclav Havel, që do kishte efekt, nëse politikanët do t’i shkonin kësaj logjike dhe të mos na lodhnin kaq shumë sa demokracia jonë e pas viteve ‘90. (Homo Albanicus)