Fleckenstein: Shqipëria duhet të vijojë të punojë me reformat
Shtetiweb, 19 shtator 2017
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein konfirmoi sot gjatë një konference për shtyp në Tiranë se PE do të vazhdojë të inkurajojë Këshillin Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Konferenca e shtypit u zhvillua në aktivitetin e organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim: Round-table “After Trieste Summit: Albania’s achievements and challenges on its road to the EU”, ku Z. Fleckenstein ishte i ftuar i nderit.
Sipas raportuesit, nuk ka kushte shtesë për hapjen e këtyre negociatave, përveç 5 prioriteteve tashmë të përcaktuara. Eurodeputeti Knut Fleckenstein deklaroi sot se për çeljen e negociatave me BE-në, Shqipëria nuk do të ketë asnjë kusht shtesë. Ai sqaroi se do të ishte e padrejtë nëse do të shtohej ndonjë kusht gjatë këtij procesi.
Raportuesi i PE për Shqipërinë në Bashkimin Europin, Knut Fleckenstein, ka deklaruar se vendimi për çeljen e negociatave është i KE-së (Këshilli Evropian) dhe jo i Parlamentit Europian.
Eurodeputeti gjerman theksoi se Shqipëria duhet të vijojë me reformat. “Shqipëria duhet të vijojë të punojë me reformat. Sa i përket kultivimit dhe asgjësimit të kanabisit, presim raportin e Italisë, – tha Fleckenstein. – Zbatimi i reformës në drejtësi nuk është proces i lehtë, edhe pse duhet të vazhdojë me ritme të shpejta. Mendoj se nuk do ishte e drejtë të kishte kushte shtesë”.
Megjithatë, eurodeputeti ka pranuar se kanabisi përbën një problem serioz. “Sa për kanabisin do pres raportin e partnerëve italianë, që kanë kryer fluturime mbi territor. Është diçka serioze dhe duhen marrë masa në të ardhmen”, ka shtuar ai.
Knut Fleckenstein tha se u njoh me situatën pas zgjedhjeve por se fokusi kryesor ishte situata aktuale politike dhe se ka ardhur në vendin tonë për të njohur prioritetet e qeverisë pas zgjedhjeve.
“Ne në Parlamentin Europian do vazhdojmë qe të punojmë, në mënyrë që negociatat në Shqipëri të çelen sa më parë. Do vazhdojmë të punojmë dhe inkurajojmë faktorët në BE në mënyrë që negociatat të çelen gjysmën e parë të vitit që vjen”, u shpreh Fleckenstein
Sa i takon ngritjes së komisionit “ad-Hoc” për reformën zgjedhore, eurodeputeti shpjegoi se palët kishin qasje të përafërta për nisjen e këtij procesi.
Deklarata e tij u pasqyrua edhe nga mediat ndërkombëtare.