Lidhja e drejtpërdrejtë mes shkollimit dhe rritjes ekonomike
Ludger Wößmann, Frankfurter Allgemeine Zeitung
Të imagjinojmë sikur jemi në vitin 1960, dhe na duhet të parashikojmë se cilët rajone të botës do të rregjistrojmë një rritje ekonomike të dukshme dhe cilët do të mbeten në vend, gjatë 50 viteve të ardhshëm. Në atë kohë, vendet e Amerikës Latine ishin pothuajse dy herë më të pasur se sa ata të Azisë Lindore, apo të Afrikës nënsahariane. Po kështu, formimi shkollor i popullsive të tyre zgjaste më shumë. Pra, dukej se Amerika Latine ishte e gatshme të hapej për vendet e pasur të botës perëndimore.
Sot e dimë që gjërat shkuan ndryshe. Në bazë të GDP për frymë, banorët e Azisë lindore janë shtatë herë më të pasur se sa gjyshërit e tyre, ndërkohë që ata të Amerikës Latine janë pothuajse dy herë e gjysmë më të pasur, ndërsa ata të Afrikës nënsahariane nuk kanë arritur as dyfishimin. Në pesëdhjetë vite, Amerika Latine është rritur mesatarisht me një ritëm 1.5 përqind më të ngadaltë, në krahasim me pjesën tjetër të botës, ndërkohë që Azia lindore e ka kaluar mesataren 2.5% të rritjes ekonomike globale. Pra, kohëzgjatja më e madhe e periudhës së arsimimit të popullsisë së saj, nuk ka siguruar më shumë mirëqenie.
Atëherë, mos vallë teoritë ekonomike për rëndësinë e arsimimit në rritjen ekonomike janë të gabuara? Përpara se t’i heqim qafe, duhet të marrim në konsideratë që një vit arsimim në Amerikën Latine, transmeton një sasi dijesh, aftësish dhe kapacitetesh, shumë të ndryshme nga ato që ofron një vit arsimim në Azinë lindore. Mendojmë, për shembull, për aftësitë në matematikë dhe shkenca natyrore të matura me testet “Pisa”. Në përftimin e dijeve, studentët e Azisë Lindore janë përpara me tre vite, në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre amerikano latinë, dhe katër vjet përpara në krahasim me ata të Afrikës nënsahariane. Këto dallime në aftësi mes popullsive – që për shkurtim mund të përcaktohen si “kapitali i dijes” – janë në gjendje të shpjegojnë në mënyrë bindëse ngadalësinë e rritjes ekonomike në Amerikën latine dhe rritjen e shpejtë aziatike. Në vitet ’60, në Peru dhe në Korenë e Jugut jetonin shumë fshatarë të varfër. Sot, nipi i fshatarit peruan kryen detyra të thjeshta në një sipërmarrje të vogël, pasi ka frekuentuar shkollën për dhjetë vjet. Eshtë padyshim më mirë se gjyshi i tij, por jo shumë. Nipi i fshatarit koreano-jugor, pasi ka studiuar edhe si për dhjetë vjet, kryen detyra të një niveli të lartë në një shoqëri informatike, në një metropol që zgjerohet.
Ndryshimi në zhvillimin ekonomik të dy vendeve, mund të ketë ardhur pjesërisht prej ndryshimit në aftësi të banorëve të tyre. Por, të shkosh në shkollë dhe në universitet nuk mjafton: një aspekt vendimtar është edhe ajo që mëson. Në studimet e kryer, kapitali i dijes rezulton vendimtar, kur merren parasysh faktorët e tjerë të rritjes, si kushtet institucionale të përgjithshme dhe tiparet gjeografike. Po kështu, rezultatet e kërkimeve demonstrojnë një marrëdhënie rastësore mes rendimentit më të mirë skolastik dhe rritjes ekonomike. Studimet empirikë konfirmojnë teoritë mbi rritjen ekonomike, që i japin një rëndësi të madhe shkollës: arsimi i bën njerëzit më produktivë dhe i lejon të gjejnë dhe zbatojnë ide të reja, që janë themeli i inovacionit, e si pasojë, mirëqenies së qëndrueshme.
Shpenzimet publike
Cfarë do të thotë e gjithë kjo për Gjermaninë dhe Europën? Kapitali i dijes është i rëndësishëm edhe në vendet e zhvilluar. Nëse politika ekonomike dëshiron të shmangë rendjen gjithmonë pas problemeve afatshkurtër, dhe dëshiron të përqëndrohet në objektivin e mirëqenis jetëgjatë, duhet t’i kushtojë vëmendje të madhe arsimit. Për të mos mbetur prapa në ekonominë globale, është e domosdoshme që t’u jepen njohuri të përparuara brezave të ardhshëm.
Për këtë qëllim nuk mjafton të rritësh shpenzimet publike për arsimin: në nivel ndërkombëtar, nuk është vërejtur ndonjë lidhje mes nivelit të shpenzimeve dhe rendimentit shkollor. Eshtë e nevojshme që rezultatet shkollorë të vihen në plan të parë si nga familjet, si nga shkollat. Nevojiten docentë të përgatitur, më shumë autonomi për institutet dhe një arsimim i mirë që në fëmijërinë e hershme.
Pavarësisht kompleksitetit të analizave shkencore, konkluzioni është frikshëm i thjeshtë: në një periudhë afatgjatë, rritja ekonomike e një vendi është drejtpërdrejtë e lidhur me aftësitë dhe arsimimin e banorëve të tij.
* Ludger Wößmann jep leksione ekonomie politike ne Universitetin e Mynihut, Gjermani / Në shqip nga www.bota.al