“Pastrimi”- antonim i “Rilindjes” apo vazhdim i saj?!

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama, 25 nëntor 2015

rexhep_meidani_1682-473x266NJË NISMË E RE APO NJË TIP I RI “MANIKYRI”?!

Këto ditë, në takime të ndryshme, pas disa vitesh të propagandimit të “nismës” së Rilindjes, po ekspozohet një “nismë” tjetër me formatin: “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”. Ajo synon të prezantojë disa arritje në qeverisje, ndoshta, dhe projektet për të ardhmen. Sipas Kryeministrit, “Shqipëria ka hyrë në një fazë reformash që ishin të munguara… ky është një kurs i panegociueshëm reformash”, që “kanë nisur të japin rezultatet e para”, madje duke na shpëtuar “nga kanceri i informalitetit”. Por, përtej fjalëve të thëna, qoftë dhe të duartrokitura, mungojnë rezultatet, qofshin ato dhe relativisht modeste.

Prandaj, dhe qytetari neutral (jo militanti), bazuar në rezultatet konkrete, sidomos niveli i investimeve, ka mbetur relativisht i zhgënjyer nga këto dy vite qeverisjeje. Pakënaqësia qytetare është akoma më e prekshme përkundrejt “guximit” të skajshëm të zyrtarëve në mbrojtjen apo lejimin e korrupsionit, në administratë apo pushtetin politik. Sidomos, e pajustifikueshme është mbrojtja e këtij korrupsioni apo justifikimi i tij banal ndaj abuzimeve triviale të disa zyrtarëve, politikanëve dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre…

NJË GLORIFIKIM I PAKUPTIMTË

Sipas Kryeministrit, objektivi i nismës së re është “pastrimi” i mëtejshëm i Shqipërisë në të gjitha aspektet, duke filluar nga rendi dhe ekonomia. Për të, reformat janë operacione të dhimbshme, por janë e vetmja rrugë. Madje, ai, pas një vlerësimi glorifikues në lidhje me rendin dhe sigurinë, e gjykon me optimizëm edhe situatën ekonomike të vendit, deri duke theksuar: “Kemi shumë për të bërë për ekonominë, por mos të harrojmë se dy vite më parë ekonomia ishte në buzë të humnerës. Nuk mund të shpenzosh më shumë seç ke dhe nuk mund të jetohet me borxhe. Ne bëmë të mundur që shtëpinë tonë të përbashkët ta përforconim në themele, për të qenë të sigurt se nuk do të na zinte brenda. Kemi ende shumë punë për të bërë tani që ta mobilojmë”…

Fjalë të bukura për t’i thënë e dëgjuar, po kujt po ia thotë këto fjalë? Vallë, a nuk është rritur këto dy vite qeverisje borxhi publik? Cili është përgjegjës për këtë, kur, në fakt, financat shqiptare po marrin borxhe të reja për të shlyer borxhet e mëparshme?! Prandaj, nëse nuk është një gënjeshtër radhe, thjesht është një hipokrizi shtesë!… Sipas tij, edhe reforma në Drejtësi do të ketë suksesin e reformës në menaxhimin dhe pagesën e energjisë, apo rezultatin inkurajues që ka filluar të prodhojë reforma kundër informalitetit, duke harruar, kështu, specifikat e tyre, teknologjitë e nevojshme apo sfidat në pasoja e rezultate…

QEVERISJA POLITIKE NUK ËSHTË AS PROPAGANDË, AS “SHPIKJE” FJALËSH E NISMASH!

Ky aspekt thelbësor i qeverisjes lidhet ngushtë me aspektet e tjera, konkretisht me aspektin ekonomik, legal, social e kulturor. Por, ai, në përmbajtjen e tij, mishëron mënyrën e ushtrimit të autoritetit qeverisës, por dhe besimin e krijuar prej tij te qytetarët. Krahas bindjes se një qeverisje demokratike duhet të respektojë dinjitetin e qytetarit të saj, të mbrojë lirinë dhe të garantojë të drejtat e tij, të ruajë qetësinë dhe rendin publik, me mjaft rëndësi është dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i qeverisjes mbi njerëzit, besueshmëria e tyre ndaj kësaj qeverisje, leximi i tyre mbi ritmet e zhvillimit ekonomik, për trajtimin e problemeve kryesore me përmbajtje sociale, perceptimi i tyre lidhur me shfrytëzimin e parave publike, me pastërti ose jo, me vetë luftën kundër korrupsionit, evazionit e mitmarrjes etj.

Në fakt, çuditërisht, me një shpejtësi në përshpejtim, po rrënjëzohet mendimi masiv mbi një korrupsion politik e kapilar në rritje, krahas perceptimit “pezhorativ” të një “qeverisjeje fasadë” e dedikuar në “lyerje fasadash”… Prandaj, nuk japin “nismat”, trillet e ndryshme letrare, propaganda e gjithanshme që e bën një qeverisje politike të pranueshme, por është serioziteti e angazhimi, sinqeriteti e transparenca, ndershmëria e qytetaria, dhe aspak arroganca e arbitrariteti.

Aq më keq që, jeta politike në Shqipëri shfaq dhe një ngërç permanent në marrëdhëniet midis forcave politike, dhe, po ashtu, manifeston edhe një interferencë të tepruar në binomin politikë-biznes, duke e fuqizuar në vazhdimësi lidhjen politikë-oligarki. Në këtë kuptim, niveli politik i përfaqësimit në Kuvend apo në qeverisjen vendore e ka bërë më se të domosdoshëm dhe urgjent procesin e dekriminalizimit në përfaqësimin politik, përfshirë dhe një proces të tillë brenda vetë strukturave partiake.

QEVERISJA EKONOMIKE

Në fakt, qeverisja nuk është “ndonjë rrotullim në boshllëk”, as lëvizje thjesht për “show” e fjalime. Kjo vlen aq më tepër për qeverisjen ekonomike. Sepse, ajo është një “mprehje lapsi” për llogaritje sa më të kujdesshme, madje dhe kur lapsi nuk të punon, duhet t’i besohet një individi tjetër për të cilin ky laps shkruan. Pra, në këtë kuptim, qeverisja ekonomike është mendim, është llogari, por është edhe seriozitet e kurajë. Sidoqoftë, pas një terminologjie të ngarkuar me kërcënime për kasa e kuponë tatimorë, për ndjekje penale dhe burg, të paktën diçka ndryshoi, ditët e fundit, si një reflektim i realitetit shqiptar, konkretisht me bërjen zero të tatimit për biznese me xhiro vjetore nën 5 milion lekë.

Por, edhe pse paketa fiskale kërkon një analizë të mëtejshme, mesa duket, qeveria ka ndryshuar 10 taksa dhe tatime për vitin 2016. Gjysma e tyre ka rritje në vlerë, madje, me këtë paketë, pritet që qeveria të marrë më shumë para për buxhetin vetëm nga taksimi i ri! Sidoqoftë, problem në vete është se: Si do të harxhohen këto para? Si do të jetë rritja ekonomike? Dhe a do të rriten investimet në vitin e ardhshëm, pas një rritjeje minimale, gati një stanjacioni evident? Përvoja e këtyre dy viteve të kaluara nuk e gjeneron lehtë optimizmin, përkundrazi!…

QEVERISJA SOCIALE

Një qeverisje me tipare të qarta sociale mishëron në vetvete mendim e zemër, shërbim të sinqertë dhe ndarje halli me qytetarin. Kuptohet se, në rastin shqiptar, as që bëhet fjalë për një sjellje të tillë. Përkundrazi! Në fakt, një qeverisje me orientim të qartë social transferon mjaft fonde publike te shërbimet kolektive për qytetarët (edukim, përkujdesje shëndetësore, mbrojtje mjedisore etj.), jo t’i reduktojë ato; ose ia kalon drejtpërsëdrejti individit, me anë të skemave të asistencës sociale, pensioneve etj. Në një qeverisje të tillë, shteti luan një rol bazik në mbrojtjen e të drejtave njerëzore, përfshirë dhe ato sociale, duke mbështetur e promovuar mirëqenien ekonomike-sociale të qytetarëve të vet.

Vetë parimet e një konceptimi të tillë lidhen me: barazinë e oportuniteteve, shpërndarjen e drejtë (sa më të barabartë) të pasurisë, përgjegjësinë publike për ata që nuk kanë mundësi të garantojnë një minimum jetese etj. Në të vërtetë, e gjitha kjo tingëllon bukur! Por, në thelb, ka dhe përmbajtje hipokrite në kushtet e sotme shqiptare. Mjafton të lexohen shifrat konkrete dhe tabloja del gati-gati tragjike në të gjithë lakuriqësinë e saj. Sepse modeli i pretenduar social i Shqipërisë është një fiasko, ai nuk arrin të plotësojë as minimumin e detyrave të veta, sidomos në reduktimin e varfërisë, asistencën apo në trajtimin e invaliditetit, mbrojtjen ndaj rreziqeve të tregut të punës, pagesën e duhur për punën e bërë etj.

Pikërisht, kohët e fundit, këtë e dëshmoi qartë rritja e pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë në raport me një standard të pranueshëm jetese dhe, akoma më keq, në mungesë të një pune për t’u ushqyer. Një ilustrim i qartë i kësaj situate është largimi nga vendi apo kërkesa e azilit gjatë eksodeve të fundit të shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova…

QEVERISJA LIGJORE

Edhe aspekti ligjor i një qeverisje trupë- zon natyrën e vërtetë të saj. Sidomos nëse ajo e do ligjin, vepron në respektim dhe mbrojtje të tij, apo e quan normale një refuzim dhe shkelje të tij. Pamje të veçanta të arbitraritetit dhe mosrespektimit të ligjit, neneve apo frymës së Kushtetutës, i kemi ndeshur jo pak gjatë këtyre dy vjetëve. Të tilla kanë qenë përpjekjet jokushtetuese (apo jo në përputhje me frymën e Kushtetutës) për reduktim të kompetencave të Presidentit të Republikës si kryetar shteti, ndodhitë me të dërguarit tanë, ushtarakë e civilë, në përfaqësitë tona jashtë vendit; me shkarkimet e ndryshme në administratë, apo dhe shkarkimet e fundit, me një “ngjyrosje emocionale”, në Doganë, pa ndjekur linjën ligjore të emërim-shkarkimit, procedurat e nevojshme, etj.

Në fakt, në një qeverisje realisht ligjore, përveç bazamentit të saj kushtetues, gjithçka aty duhet të zhvillohet në pajtim me vetë sistemin rregullator, ligjin dhe procedurat përkatëse, pikërisht për të fuqizuar frymën e ligjit dhe rrezatimin e tij në gjirin e shoqërisë. Po ashtu, përveç kolegjialitetit e konsultimit, respektimit të akteve ligjore, procedurave dhe ligjit, po aq i rëndësishëm është edhe respektimi ose garantimi i hierarkisë së emërimit e shkarkimit; larg “inateve” dhe emocioneve të çastit; aq më keq kur ato bëhen dhe peng i parasë!…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi