Korrupsioni sistematik dhe informaliteti
Nga Bujar Leskaj, botuar në Panorama Online, 12 tetor 2015
Që në vitet e para të tranzicionit ekonomik dhe politik të Shqipërisë e deri në momentin aktual, korrupsioni dhe informaliteti kanë qenë fenomene shoqëruese dhe shqetësuese për ekonominë e vendit.
leskajAktualisht publiku shqiptar, përpos ngjarjeve dhe mesazheve me natyrë politike, po përballet pikërisht me debate dhe akuza për korrupsionin, por të pashoqëruar me aksione të forta kundër tij. E vetmja luftë e paralajmëruar dhe tashmë e filluar është aksioni aktual kundër informalitetit shoqëruar me ndryshimet ligjore, të cilat rritën ndjeshëm gjobat për aktivitetet informale. Lidhur me këtë të fundit, e ndiej të nevojshme të theksoj se institucioni i KLSH-së, të cilin përfaqësoj, e përshëndet aksionin qeveritar kundër informalitetit dhe përkrah çdo përpjekje për të vendosur autoritetin e plotë të shtetit në detyrimet fiskale. Por, nga ana tjetër, gjykojmë se gjatë ushtrimit të disiplinës fiskale duhet bërë shumë kujdes. Mjeti duhet të jetë në funksion të qëllimit.
Përpjekjet për kufizimin e informalitetit mund të sjellin një rezultat të kompromentuar. Teprimi i kontrolleve dhe presioneve tatimore mbi aktivitete modeste, por të shumtë në numër, të tillë si librashitësit, këpucarët, berberët, fermerë etj. rrezikon mos të japë kontributin e shpresuar në luftën kundër informalitetit. Biznesit të vogël dhe sidomos të vetëpunësuarve u duhet dhënë kohë e mjaftueshme të formalizohen. Jo vetëm pse janë me dhjetëra-mijëra aktivitete, por edhe se përbejnë sektorin që siguron punësimin më të madh në vend. Vështirësitë me të cilat mund t’i përballë aksioni antiinformalitet rrezikon të shkaktojë kosto të rënda ekonomike dhe shoqërore. Për këtë arsye mendojmë se disiplinimi fiskal i kësaj kategorie nuk duhet të bazohet vetëm dhe thjesht me kontrolle, gjoba e sekuestrime malli në demonstrim të një agresiviteti të skajshëm.
Është e lehtë të frikësosh biznesin e vogël dhe të vetëpunësuarit, por është e vështirë të rikthesh besimin e tyre tek ambienti ekonomik dhe sidomos të përballesh me pasojat. Mendojmë se duhen gjetur urat e komunikimit, fokusuar sidomos në mjetet e ndërgjegjësimit me synim arritjen e qëllimit të rritjes së të ardhurave publike. Ndryshimet ligjore me rritjen e gjobave për të gjitha kategoritë e bizneseve i vënë këta të fundit përballë riskut të falimentimit. Logjikisht, masat ndëshkimore duhet të synojnë zhdëmtimin e shtetit për dëmin e shkaktuar, si dhe të ndëshkojnë biznesin shkelës në mënyrë që ta nxisë drejt një aktiviteti të ligjshëm.
Solidariteti ynë për ndëshkimin e aktiviteteve informale nuk mbetet i tillë për çdo nivel gjobe. Duhet treguar kujdes në përcaktimin e sanksioneve ligjore në mënyrë që të arrijmë synimet e rritjes së të ardhurat publike dhe njëkohë- sisht krijimin e një klime sa më të përshtatshme për të bërë biznes. Një ndëshkim në masën 500 mijë lekë për një biznes të vogël rrezikon të sjellë automatikisht falimentimin për një pjesë të tyre, të cilët as kapitalin nuk e kanë në këtë masë.
Kjo gjobë në nivel të lartë dhe për më tepër joproporcionale me nivelin e evazionit, përveç dyshimeve rreth efektivitetit të saj, shkon ndesh dhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Tashmë janë të njohura disa vendime të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut, e cila nëpërmjet tyre është shprehur kundër gjobave në një masë që shkakton falimentimin e subjektit të gjobitur. Shqetësimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë për pasojat negative që aksioni kundër informalitetit ka dhënë në më pak se një muaj nga miratimi i nivelit të ri të gjobave, duhen marrë në konsideratë si një sinjal paralajmërues.
LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT DUHET TË PREVALOJË MBI ATË KUNDËR INFORMALITETIT
Kur koncepti i informalitetit u prezantua për herë të parë në fillim të viteve ‘70 të shekullit të kaluar, ai u konsiderua si një fenomen i përkohshëm, që besohej se do të zhdukej në ekonomitë e zhvilluara. Por realiteti provoi të kundërtën. Paralelisht me rritjen ekonomike, ndërmarrjet informale, aktiviteti i pataksuar dhe punësimi informal vazhduan të jenë pjesë integrale e ekonomive të vendeve në zhvillim, duke përbërë (përfshirë edhe Shqipërinë) më shumë se një të tretën e produktit të brendshëm bruto. Sektori informal, i referuar nga literatura profesionale si “ekonomia hije” ose “e nëndheshme” (Shnaider dhe Enste, 2000) ose “aktivitet jozyrtar” (Friedman dhe të tjerë, 2000), qëndron si barrierë ndaj rritjes së të ardhurave fiskale dhe përmirësimit e shtimit të shërbimeve publike. Kufizimi i informalitetit ndikon në mënyrë direkte në përmirësimin e qeverisjes publike.
Puna për minimizimit e tij mund të shihet si një e mirë publike. Por duhet të theksojmë se sektori informal nuk është armik i shoqërisë dhe ekonomisë. Armiku i mirëfilltë, kundërshtari më i madh, është korrupsioni. Ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në fjalën përpara Kuvendit të Shqipërisë (nëntor 2012) korrupsionin e ka përshkruar si “kanceri që gërryen shoqëritë, shteron burimet dhe bllokon rritjen ekonomike”. Edhe Bashkimi Europian, në të gjitha raportet e progresit të Shqipërisë, thekson përpara politikanëve dhe vendimmarrësve tanë publikë nevojën parësore për ta luftuar në sistem dhe me efektshmëri korrupsionin, duke e listuar si një nga prioritetet kryesore. Kjo është një detyrë shtëpie që nuk mund të harrohet, vonohet apo anashkalohet për asnjë arsye apo të mbulohet me petkun e luftës ndaj informalitetit të prodhuar nga biznesi i vogël dhe i madh.
Informaliteti dhe përpjekjet për ta kufizuar atë përfshihen natyrshëm në luftën totale kundër korrupsionit. Por e kundërta nuk është e vërtetë. Të kufizosh informalitetin nuk do të thotë se njëherazi ke luftuar me efektshmëri të gjithë korrupsionin. Nëse në inkurajimin e informalitetit në shkallë të lartë “kontribuojnë” zakonisht nëpunësit e mesëm dhe të vegjël të shtetit, korrupsionin që infekton sistemin e administrimit publik në tërësi dhe informalitetin në kompanitë e mëdha, e prodhojnë drejtuesit e lartë të korruptuar. Këta janë varrmihësit e vërtetë të besimit të qytetareve te shteti dhe autoriteti i tij, sidomos kur, edhe pasi denoncohen si abuzues nga institucione të ndryshme, vijojnë të qëndrojnë në detyrat e tyre.
Të gjithë si drejtues të lartë të administratës, institucioneve dhe politikes, gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni 25-vjeçare, duhet të pranojmë gabimet në trajtimin e nëpunësve të lartë të korruptuar dhe mbajtjen gjallë e madje edhe lulëzimin e antikulturës së pandëshkueshmërisë. Përpjekjet për kufizimin e informalitetit duhet të jenë pjesë e natyrshme dhe integrale e luftës kundër korrupsionit, por jo ajo më e rëndësishmja. Monopolet duhet të zvogëlohen ose të rregullohen me kujdes dhe diskrecioni (liria e veprimit, mjedisi i pambuluar nga ligje dhe rregulla) zyrtar duhet të sqarohet dhe kufizohet.
KLSH, NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT
Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucioni suprem i auditimit publik në vend, vëren me shqetësim se antikultura e pandëshkueshmërisë, jo thjesht është ende e pranishme, por mbi të gjitha po konsolidohet në gjirin e administratës publike. Gjatë kësaj kohe jemi përpjekur të japim kontributin tonë institucional në përmirësimin e qeverisjes publike, nëpërmjet rekomandimeve të dhëna në fund të raporteve tona të auditimit, kallëzimeve penale etj.
Nëse për katërvjeçarin 2008-2011 numri i kallëzimeve penale të KLSH-së ishte 52, në tre vjet e gjysmë, janar 2012- gusht 2015, ky numër është 159, ose kemi dërguar ne Prokurori mbi tri herë më shumë kallëzime penale për qindra nëpunës të mesëm dhe të lartë të shtetit. Mes të tjerëve, janë kallëzuar drejtorë të përgjithshëm ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë drejtorish etj. Njëkohësisht jemi përpjekur të rrisim cilësinë e dosjeve për kallëzim penal dhe shkurtuar kohën e përgatitjes së kallëzimit. Por, ndërsa jemi plotë- sisht të ndërgjegjshëm se kemi shumë për të bërë, vërejmë se denoncimet tona nuk sigurojnë sensibilizimin dhe mbështetjen e duhur shtetërore. Krahas kallëzimit në Prokurori, për këta zyrtarë ne rekomandojmë dhe largimin e tyre nga detyra.
Por këto rekomandime të KLSH-së për largim nga puna dhe shërbimi civil të zyrtarëve të lartë, të gjetur nga ne në abuzime dhe korrupsion, nuk zbatohen. Jemi vendosur, pa dashjen tonë, vetëm në pozicionin e fryrësit të bilbilit, si denoncues të abuzimeve, gjetës të gjurmës së korrupsionit dhe shpesh, madje, edhe të realizuesve të tij, por kemi shumë raste kur këta abuzues të lartë jo vetëm nuk janë larguar nga administrata publike, por kanë bërë karrierë po në këtë administratë edhe në pozicione më të larta. Këto veprime dekurajojnë edhe prokurorë të veçantë, të cilët hetojnë dosjen e dërguar nga ne. Kjo është një situatë e papranueshme në aspiratat tona për krijimin e një administrate publike të përgjegjshme që përpiqet të ndërtojë dhe forcojë shtetin ligjor.
LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT – SFIDË E QEVERISJES SË DREJTË DHE TË NDERSHME
Gjykojmë se sot më shumë se kurrë lufta kundër korrupsionit dhe rritja e përgjegjshmërisë dhe transparencës së administratës publike është sfida madhore e qeverisjes. Sipas studiuesit të njohur ndërkombëtar të korrupsionit dhe pasojave të tij në publik, Robert Klitgaard, në kuptim të gjerë, korrupsioni është keqpërdorimi i zyrës shtetërore për qëllime jozyrtare.
Katalogu i akteve korruptive përfshin ryshfetin, detyrimin, ndikimin, nepotizmin, mashtrimin, përvetësimin dhe edhe më shumë. Korrupsioni përshkruhet kudo si një “kancer”. Ai shkel besimin e publikut në shtet dhe rrezikon kohezionin social. Korrupsioni i madh (në shuma të mëdha) raportohet me frekuencë të rritur në vendet e pasura dhe të varfra njësoj. Korrupsioni në përmasa të vogla është më pak i raportuar. Ndërkohë në Shqipëri, po bëjmë të kundërtën. Trumbetojmë me të madhe korrupsionin te zyrtaret e rangut të ulët, si infermierë, policë ose punëtorë dhe “harrojmë” atë në gjirin e zyrtareve të lartë, që sjell abuzime në mijëra e miliona euro. Por a ka rrugëdalje? Sigurisht që ka. Nëse ekziston një vullnet i fortë nga maxhoranca në pushtet, sistemi mund t’i rezistojë korrupsionit. Madje ka ndodhur që sisteme të shkatërruara janë ringritur dhe përmirësuar duke e pakësuar korrupsionin. Por, nga ana tjetër, kur debatet dhe sloganet politike kthehen qëllim në vetvete, korrupsioni rrezikon të kthehet në normë me efektet paralizuese për një vend. Vrasësi i shoqërisë demokratike quhet korrupsioni sistematik, ai që shkatërron rregullat e lojës. Kundër tij duhet të mobilizohemi të gjithë.
BURIMET E KORRUPSIONIT
Literatura botërore jep shembuj të shumtë teorikë dhe praktikë të ndërthurjes së korrupsionit me informalitetin, duke qenë se ky i fundit e ushqen vazhdimisht të parin. Në mënyrë metaforike, korrupsioni ndjek formulën e Klitgaard: K = M + S – P ku K është korrupsioni, M monopoli, S sasia që mund të përfitohet nga korrupsioni (e quajtur ndryshe fuqia diskrecionale e korrupsionit, liria e veprimit të tij) dhe P është përgjegjshmëria, llogaridhënia. Pra korrupsioni është i barabartë me monopolin, plus liri veprimi e tij dhe minus llogaridhënien.
E thënë ndryshe, nëse aktiviteti është publik, privat, apo jofitimprurës, kudo ku ju të jeni, korrupsioni do të jetë shumë i mundshëm, kur dikush, duke filluar nga shtetari i lartë, ka fuqinë e monopolit mbi një mall apo shërbim, ka fuqinë për të vendosur nëse ju do ta përfitoni atë dhe sa do të përfitoni, si dhe nuk është i përgjegjshëm. Nuk duhet harruar se korrupsioni është një krim përllogaritjesh. Kur madhësia e ryshfetit është tepër e madhe, shanset për t’u kapur tepër të vogla dhe dënimi shumë i ulët, aq më i madh do të jetë tundimi për zyrtarët e administratës publike. Për këtë arsye, gjykoj se lufta kundër korrupsionit duhet të fillojë në themel. Krijimi gradualisht i një sistemi ligjor që dekurajon seriozisht korrupsionin shoqëruar nga ndërtimi i një administrate publike të përgjegjshme, do të zhdukte kulturën e pandëshkueshmërisë dhe incentivat për të abuzuar me fondet dhe detyrat publike.
LLOGARIDHËNIA DHE TRANSPARENCA, ARMIQTË E KORRUPSIONIT
Llogaridhënia dhe transparenca përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh. Asnjë prej tyre nuk ndodhet në atë që shumica prej nesh mendojnë menjëherë kur përmendet korrupsioni: ligje të reja, kontrolle më të shumta, një ndryshim në mentalitet dhe një evolucion etik. Ligjet dhe kontrollet mund të jenë të pranishme, por janë sistemet ato që mungojnë për t’i zbatuar ligjet. Llogaridhënia dhe transparenca janë dy shtyllat e domosdoshme të qeverisjes së mirë. Pa fuqizuar njërën, nuk mund të qëndrojë në këmbë tjetra. Veprimtarët joqeveritarë që sigurojnë llogaridhënien dhe transparencën në një vend demokratik janë institucionet supreme të auditimit dhe shoqëria civile dhe, për kushtet specifike të vendit tonë, edhe partneret ndërkombëtare. Institucionet supreme të auditimit (SAI-të), me punën e tyre zvogëlojnë arbitraritetin në aplikimet e rregullave dhe ligjeve financiare e administrative, duke ndihmuar në thjeshtimin e procedurave administrative, veçanërisht kur ato pengojnë funksionimin normal të tregjeve. SAI-të mund të ekspozojnë në publik vendimmarrjen qeveritare jotransparente, në rast se është e qartë që kjo e fundit shkon në dëm të interesit publik.
Shumica e sondazheve në vendet e zhvilluara tregojnë se shumë qytetarë nuk besojnë se qeveritë e tyre veprojnë gjithmonë në interes të publikut. SAI-të shihen gjerësisht si vëzhgues dhe ruajtës të pavarur të interesit publik dhe në këtë mënyrë janë të pozicionuara shumë mirë për të nxitur llogaridhënien, transparencën dhe sjelljen etike në administrimin publik. Nëse informacioni dhe pastaj transparenca e punës së SAI-ve lejojnë llogaridhënien të jetë efektive, raportimet në publik dhe disponueshmëria e informacionit e SAI-ve i bëjnë qeveritë më të dukshme në sytë e qytetarit. Në këtë kontekst, gjykojmë se maxhoranca dhe opozita duhet t’i krijojnë të gjitha hapësirat shoqërisë civile, sidomos personaliteteve të spikatura të saj në media dhe më gjerë, që ta drejtojnë luftën kundër korrupsionit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
PLOTËSIMI I EKUACIONIT TË KLITGAARD
Duke realizuar këtë proces, SAI-të mund ta rishkruajnë ekuacionin e Klitgaard si më poshtë: K = M + S – P(T, LL) ku vetë përgjegjshmëria “P” është një funksion i transparencës “T” dhe llogaridhënies “LL”. Ne si shoqëri, dhe në radhë të parë si institucione publike, në bashkëveprim me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, duhet të rrisim pikërisht këta dy faktorë, llogaridhënien “LL” dhe transparencën “T”, me qëllim që të zvogëlojmë korrupsionin. Institucionet supreme të auditimit (SAI-të) në vendet më të zhvilluara të Europës dhe në të gjithë botën, janë rreshtuar për një aleancë të gjerë efektive në luftën kundër korrupsionit, ku natyrshëm integrohen në një punë të përditshme (dhe jo vetëm me deklarime nëpër seminare dhe konferenca) shoqëria civile, opozita dhe institucionet e pavarura kushtetuese. Mendojmë se deri tani kjo aleancë te ne ka qëndruar thjesht në letër dhe ka qenë deklarative. Funksionimi real i aleancës nuk varet vetëm nga vullneti i institucioneve të pavarura për sinergjizim të veprimtarive (KLSH, Prokurori apo ILDKPP etj.), por nga vullneti i fortë dhe politikat e mira të prodhuara nga qeverisja shoqëruar me veprime të sinergjuara në këtë fushë dhe punë konkrete, duke lënë mënjanë deklaratat dhe frazat deklarative.
PËRVOJA GREKE SI MËSIM
Kriza e sotme nga e cila po përpiqet të dalë Greqia, më së shumti është njohur si krizë e borxhit. Në fakt e tillë është. Por si u gjend një vend i Bashkimit Europian në një situatë të tillë. Shkaktarët janë korrupsioni, informaliteti dhe sidomos keqmenaxhim i fondeve publike. Rritja e vazhdueshme e nivelit të borxhit pa rritur në të njëjtat nivele investimet, punësimin dhe të ardhurat publike e përballi Greqinë me pamundësinë financiare për të shlyer detyrimet në kohë. Njëkohësisht me këtë, politikat populiste nxitën informalitetin, duke e bërë të vështirë rikthimin e një regjimi fiskal në vend. Zyrtarët e lartë të qeverive të ndryshme, të cilët kanë qenë shkaktarët dhe shpesh përfituesit e huamarrjes në nivele të larta, pothuajse nuk u ndëshkuan. Ata që janë duke paguar gabimet e së shkuarës janë qytetarët, të cilët përballen me masat shtrënguese ekonomike. Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga ajo çka ndodhi në Greqi? Së pari, duhet intensifikuar lufta kundër korrupsionit, sidomos në sferat e larta më së pari. Ka ardhur koha për një luftë të drejtpërdrejtë dhe të hapur ndaj tij. Luftës së zbehtë dhe frazave deklarative u ka kaluar koha. Aferat e herëpashershme korruptive me dëme disa miliona euro në buxhetin e shtetit krijojnë një gropë gjithnjë e më thellë në ekonominë shqiptare.
Dëmet që ky fenomen shkakton në financat publike pengojnë aspiratat tona për shërbime më të mira publike, ekonomi më të zhvilluar dhe integrim në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, do doja të citoja zv.presidentin e SHBA-ve, Joy Biden, i cili në Samitin Global të Sipërmarrjes (nëntor 2014) ka thënë: “Të luftosh korrupsionin nuk është thjesht një mirëqeverisje. Është vetëmbrojtje. Është akt patriotik” Së dyti, kërkohet një vëmendje e shtuar ndaj informalitetit në nivele të larta. Duke ritheksuar se rregulli vlen njësoj edhe për bizneset e vogla, kërkojmë të rrisim sensibilizimin drejt atyre niveleve të informalitetit të prodhuar nga bizneset e mëdha që dëmtojnë vërtet ekonominë në një periudhë afatgjatë.
Dhe së treti, është koha të rrisim përgjegjshmërinë dhe kujdesin në menaxhimin e fondeve publike. Rritja e dukshme e stokut të borxhit këto tri vite pa pasur një nivel të dukshëm të rritjes së investimeve publike dhe private rrezikon të dobësojë potencialin e ekonomisë për të shlyer borxhe. Pa investime shtesë nuk ka të ardhura shtesë. Sado të përpiqemi të rrisim të ardhurat publike nëpërmjet aksioneve kundër informalitetit do të jetë gjithnjë e më e vështirë të kemi rezultat nëse ekonomia nuk do të rritet në nivelet e duhura. Korrigjimi i fundit i rritjes së parashikuar ekonomike nga FMN, e bën akoma më të rëndësishëm rritjen e përgjegjshmërisë qeverisëse.