Edhe FMN zhgënjehet?

Nga Monitor, 19 maj 2015

FMN në Tiranë tha se mbledhja e të ardhurave nga taksat në buxhet është zhgënjyese, por po kaq zhgënjyese është edhe analiza e saj në lidhje me shkaqet. FMN tha se shkaku kryesor buron nga diferencimi apo lehtësimi fiskal i qeverisë për disa sektorë si në karburante, tekstile, bujqësi, megjithëse pranon se efekti në buxhet i këtyre lehtësive është i vogël. FMN, megjithëse fshihet pas faktit se është ende herët për analizën, nxiton të “fajësojë” zhbalancimin e sistemit të taksave për shkak të lehtësive, pasi duke e nënkuptuar mesazhin, me gjasë ky zhbalancim ka krijuar të çara për evazion dhe paratë që duhet të shkonin në buxhet kanë rrjedhur diku në tjetër vend.

Mirëpo ky rezultat ishte i pritshëm, sepse shenjat në ekonomi ishin shumë dalluese dhe nuk ka pse FMN të zhgënjehet nga rezultati se në fillim duhet të zhgënjehet nga vetja se pse ju desh kaq shumë kohë të kuptonte atë që do të ndodhte, megjithëse ishte lehtësisht e parashikueshme.

Shqiptarët, madje edhe ata më të paarsimuarit e të painformuarit, në zonat e thella rurale e kuptuan dhe prekën këtë të rezultat zhgënjyes më shpejt se “profesorët” e ekonomisë ndërkombëtare, kur rinisën emigrimet masivisht, të patunduar nga premtimet edhe të FMN-së që deri vonë mendonte se në këtë vend, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur.

Ka vetëm një të vërtetë në atë që tha FMN se të ardhurat buxhetore mund të kenë shkuar si evazion, pasi përshkallëzimi i barrës fiskale krijon shanse për rrjedhje të parasë të destinuar për në buxhet dhe se administrimi bëhet më i vështirë. Mirëpo kjo e vërtetë nuk lidhet me pretendimin e vetëm të FMN-së se pati lehtësira fiskale, pasi mendojmë që ky është një shkak periferik. Arsyet më madhore, që prodhojnë rezultat të ulët dhe evazion të lartë, janë diku gjetkë.

Së pari, që parashikimet e qeverisë për të ardhurat buxhetore ishin euforike që në fillim, pavarësisht se mjedisi ekonomik në Shqipëri dhe jashtë saj nuk të jepte arsye për diçka të tillë. Mirëpo qeverisë i duhej ky optimizmi i lartë, sepse ishte përballë presionit të premtimeve spektakolare elektorale, por që terreni nuk e favorizonte, ndaj ishte i pritshëm zgjerimi.

Së dyti, ndërhyrja fiskale me përshkallëzimin e taksës, duke e lëvizur barrën e taksës nga shtresat me të ardhura të mesme e poshtë dhe rritja me 50% e tatimit mbi biznesin, në kushtet e një konsumi në rënie nga publiku dhe stepjeje të biznesit për investime për shkak të mungesës së likuiditetit, e bënin të sigurt performancën e ulët.

Së treti, u jo vetëm që u rritën disa taksa, por edhe vendosja e disa taksave të reja por të keqorientuara, siç ishte rritja e akcizës për naftën dhe taksa e qarkullimit për çdo litër karburant të shitur, ishin goditje për konsumin.

Së katërti, lehtësitë fiskale u orientuan në formë, por dhe në sektorë që nuk garantonin kthim të saj përmes rritjes së investimeve nga biznesi dhe rritjes së punësimit. Madje në disa raste ka shenja se këto lehtësi u bënë për interesa klienteliste pra që s’burojnë nga nevoja që ka ekonomia për gjetje të burimeve të reja të rritjes apo rigjenerimi i atyre burimeve me më shumë potenciale.

Së pesti, eficenca e qeverisë në krijimin e politikave ekonomike të volitshme dhe administrimi vijojnë të mbeten në nivele të ulëta. Sepse nëse do të merrnin të mirëqenë që rënia e të ardhurave në buxhet është pasojë e vetëm përshkallëzimit fiskal, administrata publike për këtë funksionon, që të vërejë të çarat e t’i mbyllë ato sa pa u zbrazur e gjithë ena. Por qeveria u mor vetëm me kapakun e duke pritur që lëvizjet saj të prodhonin rezultat afatgjatë, pa u kujdesur se çfarë ndodh për momentin. Edhe FMN, e mikluar nga festa e qeverisë për të riardhur në Shqipëri, pëlqeu të gënjehet, sepse duket se nuk i intereson se çfarë ndodh me ekonominë, por mjafton që deficiti buxhetor të mos rritet e që të ketë mundësi të marrë mbrapsht paratë e dhëna për buxhetin e qeverisë.

Së gjashti, u neglizhua kriza e fqinjëve, Italisë dhe Greqisë, me të cilët kemi volumin më të madh të tregtisë. Kjo krizë ende vijon, por buxheti i qeverisë nuk e konsideroi këtë fakt, përderisa nuk kishte përfshirë në të një plan antikrizë.

Së shtati, mjedisi politik e social është shumë i tensionuar, çka mban pritshmëritë e konsumit nga publiku dhe biznesi, në nivele të ulëta.

Tani jemi në këtë gjendje, ku konsumi është nën potencial ose është riorientuar me dhunë në drejtime të tjera si p.sh., pagesa të mëdha të energjisë në vend të konsumit të të mirave dhe shërbimeve të tjera. Ka rënie të masës së parasë në qarkullim dhe mjaft pasiguri, çka e bën të parashikueshme performancën buxhetore të ulët.

FMN, me deklaratën e fundit, javën e kaluar, po tregon se nuk ka ndryshuar shumë nga ajo që ka qenë më parë, ndonëse pretendon ndryshe. Ajo mbetet e shqetësuar për taksat dhe priret t’i mbajë ato të larta e pa stimuj, paçka se realiteti kërkon të tjera zgjidhje e që shpjegohen me tjetër këndvështrim nga ai i FMN-së. Mirëpo parja e problemit vetëm te lehtësitë fiskale të dhëna nga buxheti do të stepin qeverinë të guxojë në këtë drejtim, pasi është përballë faktit të rënies së të ardhurave dhe pamundësisë për të pasur investime publike, siç ka premtuar, sepse FMN kërkon mbajtje të deficitit në kontroll ose në të kundërt, kanë vënë kusht që s’mund të ketë financime për Shqipërinë nëse nuk rriten taksat. Kjo marrëdhënie e krijuar e kthen FMN vetvetiu në një arsye tjetër që vonon ringritjen ekonomike. Do të ishte fatale të mendojmë se FMN e dëshiron këtë. Ajo i dha qeverisë një drejtim, por duket në kahun e gabuar, sepse modeli i shpëtimit i ngjan Greqisë, e cila ende jeton në zgrip të saj dhe jo në kahun që të çon në zemër të Europës, e ku FMN, sigurisht nuk ka se si të ketë zyra.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi