Qeveria e Stabilitetit, një fillim i vështirë i tranzicionit

 

Fjala e Ylli Bufi, kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit, 1991, në Konferencën e 25 vjetorit të tranzicionit, UET, 24 prill 2015

Betimi si Kryeminister 3

Duke pregatitur këto refleksione, u përpoqa të imagjinojë se si do të kishin shkuar gjërat në Shqipëri, nëse të paktën nga fundi i vitit 1990, Universiteti juaj apo qeveria e kohës, do të kishte organizuar konferencën me temën “Kur dhe Si duhet të fillojë tranzicioni në Shqipëri? me pjesmarrjen e auditorit të sotëm. Natyrisht unë nuk nxitojë të përgjigjem “shumë më mirë”, sepse realiteti i sotëm është kryekëput i ndryshëm nga ai i 25 viteve më parë; fillimi dhe mbarimi i periudhës së tranzicionit u përkasin dy sistemeve jo vetëm të ndryshëm, por edhe jo kompatibël, gjë që e bën jofunksionale, të pakuptimtë, edhe imagjinatën e përdorur.

Fillimi i tranzicionit lidhet me përmbysjen politike të sistemit të kaluar, që daton me shpalljen e pluralizmit politik (dhjetor 1990) dhe zgjedhjet e para shumëpartiake (mars 1991), të cilat i hapën rrugë krijimit të institucioneve të Shtetit të ri, duke filluar nga parlamenti pluralist. Këtu nis rruga e “Tranzicionit demokratik”, e proçesit politik që karakterizohet nga kalimi i një rregjimi monist në një rregjim pluralist, ose më shkurt, nga “diktatura” në “demokraci”.

Pa këtë përmbysje politike paqësore ishte e pamundur të mendoje dhe të veproje për “Tranzicionin ekonomik”, proçesin e kalimit nga “plani” tek “tregu”. Modeli ekonomik i Shqipërisë, jo vetëm bazohej në planifikimin e centralizuar dhe ndalimin e pronës private, në përmasa më ekstreme sesa në çdo vend tjetër socialist, por parimi i mbështetjes në forcat e veta u bë kredoja e politikës ekonomike, që çoi në vetizolimin ekonomik të vendit. Praktikisht, deri në vitin 1990, në Shqipëri nuk ishte ndërmarrë asnjë reformë ekonomike, me përjashtim të “mekanizmit të ri ekonomik” që përmbante disa masa të kufizuara me synim hapjen e ekonomisë dhe “zbutjen” e planifikimit të centralizuar.

Të gjitha forcat politike të sapo krijuara, përfshirë edhe PPSH e futur në rrugën e transformimit, vendosën pluralizmin, shtetin e së drejtës dhe ekonominë e tregut në themel të programeve të tyre politike. Në programin e Qeverisë së parë të majtë të dalë nga zgjedhjet pluraliste u deklarua se së shpejti një një projekt i plotë, i detajuar, me detyra e afate konkrete do t’i paraqitej Kuvendit. Por jeta e kësaj qeverie do të rezultonte më pak se një muaj.

Qeveria e Stabilitetit, qeveri e një koalicioni 5 partiak, të cilën unë drejtova, e vendosur në qershor 1991, megjithëse në kushtet e mungesës së theksuar të stabilitetit politik dhe të kohës së kufizuar të qeverisjes, hodhi hapat e parë të vështirë në rrugën e gjatë të tranzicionit ekonomik. Në vënd të konferencës së imagjinuar “Kur duhet të fillojë tranzicioni?”, në Kuvendin e Shqipërisë politika debatoi në disa seanca, nëse qeveria duhej të fillonte Reformën Ekonomike. Alternativa tjetër insistonte që më parë duhet të bëhej stabilizimi ekonomik i vendit. Sidoqoftë politika e hapi dritën jeshile.

Për të institucionalizuar 4 rregullat bazë të ekonomisë së tregut: të drejtën e pronës private, formimin e lirë të çmimeve, liberalizimin e tregtisë dhe konvertueshmërinë e monedhës, në gusht 1991 Qeveria e Stabilitetit do t’i paraqiste Parlamentit paketën e parë të projektligjeve të reformës ekonomike. Pas miratimit të ligjit nr. 7512 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë dhe të veprimtarive private të pavarura”, dhe ligjit 7501 “Për Tokën”, që do të përbënin bazën ligjore të të gjithë reformës ekonomike, u miratuan edhe një sërë ligjesh apo vendimesh të tjera, si ligji për ndërmarrjet, ligji për pagat dhe çmimet, ligji për asistencën, ndryshimet në ligjin për Bankën e Shtetit Shqiptar. Për zbatimin e kësaj baze ligjore, qeveria do të miratonte edhe një numër të madh aktesh nënligjore.

Sidoqoftë, pavarësisht nga transformimet e mëdha që pësuan fusha të tilla si privatizimi i aktiviteteve bujqësore, liberalizimi i tregtisë dhe i çmimeve, pavarësia financiare e ndërmarrjeve shtetërore, duhet theksuar se shpejtësia e zbatimit të reformave gjatë qeverisë sonë por edhe më vonë, ishte e vogël dhe masat për reformat u zbatuan shumë ngadalë.

Arësyet mund të jenë të ndryshme dhe ndoshta nuk do të biem dakort për sa dhe si kanë ndikuar faktorë të tillë, si “kushtet fillestare të nisjes së tranzicionit”, “funksionaliteti dhe efikasiteti i institucioneve të reja”, “përmbajtja e reformave të ndërrmara”, “kapaciteti dhe cilësia qeverisësë në nivel qëndror dhe vendor”, “shpejtësia dhe efektiviteti i masave liberalizuese dhe të privatizimeve”, “nga resurset natyrore”, “përshtatshmëria me kontekstin lokal të konsulencës së ofruar nga partnerët ndërkombëtarë”, etj. Këta faktorë, në dukje më karakter teorik, kanë përcaktuar ecurinë e tranzicionit ekonomik në Shqipëri.

Konfliktualiteti partiak ka shoqëruar në mënyrë permanente tranzicionin duke penguar gjetjen e një konsensusi politik sa më të gjërë për të siguruar qëndrueshmërinë e nevojshme të prioriteteve të reformës, të dinamikës së zbatimit të tyre dhe të vet modelit ekonomik.

Mbështetësit e politikave neoliberale, që përfaqësoheshin nga Partia Demokratike, u pozicionuan që në fillim në favor të “Terapisë së choc-ut”. Sipas tyre, masat stabilizuese-liberalizuese dhe rikthimi në rritjen ekonomike të vendit mund të ndodhnin automatikisht pa ndërhyrjen e Shtetit, por falë përmirësimit të strukturës ekonomike e institucionale dhe “shkatërrimit” të operatorëve inefikas. Futja “me një goditje të vetme” e mekanizmave të ekonomisë së tregut do të sillte një alokim më të mirë të burimeve financiare e prodhuese duke e çuar ekonominë drejt rritjes së qëndrueshme. Sipas tyre, roli i Shtetit duhej të ishte i limituar në krijimin e infrastrukturave të tregut. Çdo gjë tjetër do krijohej e evoluonte nën ndikimin e forcave të tregut.

Grupimi tjetër politik, i përbërë nga forcat e majta, Partia Socialiste, shprehej në favor të një zgjidhje më “graduale”, duke preferuar një ritëm reformash më të ngadaltë e të “kontrolluar nga lart”. Sipas tyre, fillimisht duhej të ndërtoheshin institucionet që garantonin mbrojtjen sociale dhe të punësimit dhe pastaj të vazhdohej me reformat ekonomiko-financiare radikale për ndryshimin e strukturës së ekonomisë. Shteti nuk duhej të tërhiqej nga jeta ekonomike, por thjesht duhet të ndryshonte modalitetet e ndërhyrjes në të. Ekonomia mund të vazhdonte edhe shumë vite të zhvillohej nëpërmjet ekzistencës në nivele të barabarta të sektorit privat dhe atij publik. Kjo qasje synonte “ekonominë sociale të tregut”.

Këto dallime të alternativave duket se shërbyen më shumë për nxitjen dhe ushqimin e konfliktualitetit partiak, sepse në programet e qeverive, për shkak të marrëveshjeve me institucionet ndërkombëtare (FMN, BB, BERZH), dhe sidomos në zbatimin e tyre, dallimet nuk ishin të dukshme, të paktën për syrin e qytetarëve.

Përballë këtyre dy alternativave që ndikuan në ritmin dhe gjerësinë e reformave: “tranzicion gradual” apo “terapi choc-u”, Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 1992 ndoqi rrugën e tranzicionit radikal dhe liberalizimit të gjerë në të gjitha fushat. Realiteti shqiptar i viteve të mëvonshme dëshmoi për rezultate të kundërta me pritshmëritë e saj. Shumë sektorë e degë jetike të ekonomisë u shkatërruan dhe u braktisën, pa patur mundësi që të rikuperohen. Dhe sikur e gjitha kjo të mos mjaftonte, skemat piramidale dhe ngjarjet e 1997, na riçuan përsëri në pikën fillestare duke shkatërruar edhe institucionet e reja të porsa ngritura. Përsëri u desh një rifillim, pothuaj nga e para, por besoj jo me entusiazmin e pikës së nisjes.

Eksperienca shqiptare e tranzicionit tregon qartë se në trekëndëshin Pluralizëm, Ekonomi Tregu dhe Demokraci, në momentin kur Pluralizmi është tashmë një arritje e pakthyeshme, trajektorja e procesit të tranzicionit do të varet shumë nga funksionaliteti dhe efikasiteti i dy termave të tjera: Ekonomisë së tregut dhe Demokracisë. Sfida e institucioneve të Shtetit është të garantojë standartet perëndimore të funksionimit të tyre të përcaktuara në Kushtetutën e vendit..

Tashmë, 17 vjet pas këtyre ngjarjeve, pa hezitim mund të themi se kemi ndërtuar një ekonomi të tregut, megjithëse jo plotësisht funskionale, vazhdojmë të hartojmë dhe zbatojmë strategji të rritjes dhe të stabilitetit, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Por qytetarët ende nuk besojnë se standartet demokratike dhe ato të shtetit të së drejtës janë një realitet në shqipëri. Po mesa duket, edhe ngjarjet e fundit të përsëritjes së fenomenit të exodit, e vertetojnë këtë, ende jemi larg parametrave të një vëndi të normalizuar.

Në këtë fazë të tretë të tranzicionit (nëse do të pranonim fazat emergjente, normalizuese dhe zhvilluese të tranzicionit) unë mendoj se qeverisjes së vendit i mungojnë dy gjëra të rëndësishme:

Së pari, modeli i kapitalizmit që po ndërtojmë (kapitalizmi anglo-sakson, kapitalizmi social apo ai shtetëror). Flitet shumë për modelin, por mesa duket vazhdojmë të mbetemi tek modeli post-socialist, ku avancojmë duke qënë “kundër”.

Së dyti, qeverisja ende nuk realizohet përmes hartimit dhe implementimit të dokumenteve të politikave publike, monitorimit dhe vlerësimit të efekteve që ato prodhojnë, si dhe kontrollit të fondeve të përdorura sipas rezultateve të arritura. Sistemi i planifikimit të integruar është jo funksional. Prandaj ndodh shpesh që prioritizimet të zëvëndësohen me improvizime.

Desha të theksoj faktin se vitet e fundit disa studjues procesin e tranzicionit e shohin të lidhur me procesin e integrimit europian. Qysh në vitin 1993 BE përcaktoi kushtet konkrete dhe standartet bazë që vendet e lindjes ish-komuniste duhej të plotësonin për t’u antarësuar në BE (Kushtet e Kopenhagës: demokracia dhe institucionet, ekonomia e tregut, efiçensa dhe konkurrueshmëria, objektiva të përbashkëta me vendet e BE, etj).

Me fjalë të tjera, një vend mund të anëtarësohet në BE nëse ka një ekonomi tregu funksionale dhe nëse treguesit kryesorë të ekonomisë janë të krahasueshëm me ato të vendeve të tjera të zhvilluara. Një vend mund të ketë ekonomi tregu dhe mund të mos jetë anëtar i Bashkimit Evropian, por një anëtar i Bashkimit Evropian duhet të ketë një ekonomi tregu. Pra, çështja antarësimit në BE nuk përcakton fundin e tranzicionit, por me t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, çështja e “përfundimit të tranzicionit” nuk do të ketë më rëndësi. Sidoqoftë, ashtu siç u shpreha këtu në takimin promovoues të librit të prof. Civicit, mbarimi i tranzicionit nuk është më objekt i politikës, siç ishte fillimi i tij. Çështja ka kaluar në “kompetencat” studjuesve, jo në kuptimin që ata duhet të datojnë mbarimin e tranzicionit, por kur ata të ndajnë pikëpamje të njëjta për fundin e këtij tranzicioni të gjatë.

 

 

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi