BE, rezolutë për Shqipërinë
Bruksel, BE, 16/12/2014, Teksti i plotë i Rezolutës
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian miraton rezolutën ku i kërkon qeverisë dhe opozitës të arrijnë në një dialog konstruktiv.
Sipas rezolutës, ai duhet të zhvillohet në parlament dhe të shoqërohet me reforma në sistemin e drejtësisë dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dhe kjo, sipas rezolutës është përgjegjësi e të dyja palëve. Vendosja e dialogut do të jetë jetike për progresin e Shqipërisë drejt BE-së.
Në rekomandimet e këshillit përpos arritjeve që e çuan Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat këtë vit, ajo duhet të përmbushe disa prioritete kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Dhe zbatimi i reformave është thelbi i tyre. Administrata publike është në qendër të këshillave të ndërkombëtarëve, për të rritur profesionalizmin dhe depolitizimin e saj.
Në rezolutë theksohet se duhet forcuar pavarësia e gjyqësorit, të intensifikohet lufta kundër krimeve, duke përfshirë edhe kultivimin e drogës dhe trafikimin e saj.
Sipas ndërkombëtarëve, ky proces duhet të shoqërohet me ndjekje penale dhe dënime të të inkriminuarve.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian risjell në vëmendje nevojën për angazhim konstruktiv për ndërtimin dhe mbajtjen e një fqinjësie të mirë.