Ja tekstet e Projektbuxhetit 2015 dhe Paketës Fiskale: Fillon diskutimi në Kuvend
Projektbuxheti dhe Paketa Fiskale 2015:
Relacioni i projektbuxhetit 2015, Projektligji i buxhetit 2015
Relacioni dhe projektligji mbi tatimin e të ardhurave, Relacioni dhe projektligji mbi taksat_kombëtare
Relacioni dhe projektligji mbi tarifat doganore, Relacioni dhe projektligji mbi akcizat
Ja objektivat kryesore të Qeverisë, që synon të realizojë përmes këtij projektbuxheti:
Projektbuxheti 2015 është projektbuxheti i reformave strukturore, për të përshpejtuar modelin e ri të zhvillimit të vendit, duke u përqendruar në disa nga sektorët më të rëndësishëm si: zhvillimi lokal dhe reforma administrative, energjia, bujqësia dhe reforma e ujit, inovacioni dhe shërbimet për qytetarët, rendi publik dhe siguria. Në funksion të këtyre, projektbuxheti 2015 mundëson konsolidimin dhe thellimin e reformave të ndërmarra tashmë me buxhetin e vitit 2014, dhe në të njëjtën kohë siguron vazhdimësinë e mbajtjes së zotimeve të Programit të Qeverisë për periudhën 2013-2017.
Në nivelin makroekonomik ky projektbuxhet bën të mundur:
Mbajtjen e një niveli 5.4% të investimeve publike, duke u fokusuar në sektorin e ujit të pijshëm; energjisë; inovacionit dhe IT; turizmit dhe infrastrukturës rrugore qendrore e vendore;
Vazhdimin e reformave strukturore në fushën e pensioneve, energjisë, ndarjes administrative dhe territoriale dhe tregut të punës;
Vazhdimin e konsolidimit fiskal, me synimin që të përmbushet objektivi afatmesëm i uljes së borxhit publik nga rreth 71% e PBB në fund të vitit 2014, në 65.5% të PBB në 2017.
Më konkretisht, buxheti i vitit 2015 mbështet reformat në sektorët kyç, si më poshtë:
• Zhvillimi Lokal do të mbështetet veçanërisht në këtë buxhet nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, i provuar si një skemë financimi e suksesshme merr rëndësi akoma më të madhe në buxhetin e vitit 2015. Objektivat madhore të Qeverisë për zbatimin e ndarjes së re administrative-territoriale dhe për rilindjen e qyteteve e të qendrave të tjera zhvillimore, do të mbështeten fuqishëm nga skema e financimit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Zgjerimi i kësaj skeme, bën që buxheti vendor të jetë më i madhi në historinë e tij.
• Në Bujqësi, do të përmirësohet efektiviteti i funksionimit të skemës së subvencionimit të fermerëve, si dhe do të përmirësohet infrastruktura e ujitjes dhe e kullimit , ndërsa për herë të parë Qeveria do të paraqesë një paketë të gjerë mbështetjeje për bujqësinë, agro-industrinë dhe peshkimin, me synim zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe këta sektorë dhe rritjen e eficiencës brenda tyre.
• Në Transportin Rrugor, gjatë vitit 2015 do të rritet ndjeshëm siguria rrugore, duke përmirësuar mirëmbajtjen dhe sinjalistikën rrugore.
• Në sektorin e Ujësjellës – Kanalizimeve do zgjerohet dhe përmirësohet aksesi i popullatës në furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizime, sidomos në zonën turistike të Durrësit, me zbatimin e një investimi të ri të rëndësishëm.
• Në drejtim të zhvillimit ekonomik, me anë të buxhetit 2015 do të vazhdojë reforma në klimën e biznesit, për të vazhduar lehtësimin e sipërmarrjes vendase, rritjen e prodhimit dhe punësimit në sektorët me potencial të lartë zhvillimi dhe uljen e hapave administrativë dhe procedurialë, reduktimin e afateve kohorë dhe të kostove për shërbimet ndaj biznesit.
• Për të mbështetur reformën e nisur në sektorin e Energjisë do të fillojë zbatimin një investim i madh prej 150 milionë USD, i cili do të përmirësojë infrastrukturën dhe ulë humbjet duke synuar uljen e humbjeve dhe kthimin e sektorit në një sektor fitimprurës brenda 5 viteve.
• Në fushën e Inovacionit, do të përmirësohen shërbimet e ofruara qytetarit dhe biznesit përmes projektit “Reforma e Shërbimeve në Administratën Publike”, mbështetur nga një kredi prej 35 milionë EUR nga Banka Botërore.
• Nxitja e Punësimit, do të përfshijë në programin e saj, për herë të parë këtë vit, fondin e “Punësimit dhe Aftësive” në masën 250 milionë LEK, i cili do të mbështesë punësimin dhe aftësimin e punëkërkuesve të orientuar drejt industrisë fasone.
• Në Arsim, do mbështetet përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies në të gjitha nivelet, përmes përmirësimit të infrastrukturës, kurrikulave, teknologjisë dhe aftësive të arsimtarëve/pedagogëve.
• Në Shëndetësi, buxheti i vitit 2015 materializon fillimin e zbatimit të mbulimit dhe qasjes universale ndaj kujdesit shëndetësor.
• Sektori i Turizmit, gjatë vitit 2015, do të synojë krijimin e një modeli turizmi gjithë-vjetor e të integruar, me fokus në dimensionin kulturor-natyror-bregdetar, duke zhvilluar produkte turistike tërheqëse dhe konkurruese në destinacionet turistike.
• Në Rendin dhe Sigurinë Publike, do të rritet numri i punonjësve të policisë, referuar faktit se aktualisht numri i punonjësve të policisë për 1000 banorë është më i ulët se në gjithë vendet e rajonit, duke krijuar kësisoj edhe mundësinë për funksionimin e zyrave të pritjes së qytetarëve pranë çdo drejtorie policie qarku.