Kuvendi miraton reformën territoriale me 88 vota pro
Kuvend, 31 korrik 2014
Pas mbi 6 orë debatesh, Kuvendi miratoi me 88 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 abstenim ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë, që përfshin 61 njësi vendore. Deputeti i PBDNJ-së Vangjel Dule votoi kundër projektit ndërsa abstenoi deputeti i LSI-së Vangjel Tavo. Prezent në sallë 90 deputetë, mungoi PD.
Një debat maratonë përfshiu seancën e sotme në Parlament që ishte dhe e fundit për këtë sesion parlamentar. Reforma Territoriale solli fjalime të zjarrta mbi krahinat në vend ku në fokus ishte Himara dhe kundërshtitë që kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule ka mbi bashkimin e kësaj bashkie me Vranishtin. Përkundër Dules flet kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi që dhe pse në koalicion me PD ka thyer bojkotin që opozita i bën punimeve në Kuvend. Pasi dorëzoi dy amendamentet e PDIU për Reformë, Idrizi garantoi 5 votat pro Reformës Territoriale që ka hartuar qeveria. Por Dule thekson se Himara do zgjidhet me referendum, kurse kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me studimin e Eqrem Cabej në vitin 1936 qe vlerësonte se Himara dhe banorët e atjeshëm janë kryekëput shqiptarë. Rama në fjalën e tij theksoi se respekton minoritetet dhe se kjo ndarje e re territoriale nuk cënon askënd nga minoritetet qofshin dhe ata greke ne Himarë.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita nuk është e pranishme në seancë. Deputetet e maxhorancës shprehën keqardhje për mungesën e opozitës në seancën e fundit. I vetmi nga radhët e PD, Nard Ndoka thyen bojkotin, hyn ne parlament dhe në fjalimin e tij kërkon që të mos votohet drafti i përgatitur nga qeveria për reformën territoriale.
Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut e drejtuar nga Vangjel Dule, pjesë e koalicionit qeverisës, është shprehur kundër ndarjes së re administrative të Shqipërisë, pasi sipas tyre cënon të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë. Pavarësisht disa përplasjeve brenda Partisë Socialiste, maxhoranca konfirmojë sot shumicën e cilësuar në Kuvend.
Kreu i qeverise, Edi Rama e ka quajtur reformen themelore te Rilindjes. Reformë historike, kjo është fjala e duhur për të caktuar peshën e ndikimit që kjo do të ketë në rrjedhën e historisë së zhvillimit të Shqipërisë si e tërë, reformë themelore e projektit tonë të rilindjes, e imponuar nga 1 milionë shqiptarë që na dhanë mundësinë e madhe që me konsensusin kushtetues të garantojmë transformimin e shumëpritur e të munguar për vite të tëra. Kjo reformë e demokratizon më tej qeverisjen vendore, krijon energji të mëdha transformuese për ekonominë vendore, kushtin e munguar të zhvillimit të integruar urban e sociale, godet tribalizimin e politikës vendore”- tha Rama, gjate fjales se tij ne Kuvend.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama
Ndarja e Re Administrative Territoriale, miratuar nga Kuvendi