BB miraton huanë 100 milion dollarë për Shqipërinë
16 maj 2014
Banka Botërore miraton huanë 100 milionë dollarë për politikat e zhvillimit për Modernizimin e Sektorit Financiar të Republikës së Shqipërisë. Huaja u miratua dje nga Bordi Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore.
“Huaja ka si synim të forcojë sistemin rregullator financiar dhe regjimin mbikëqyrës si dhe të zbusë cënueshmërinë e sektorit bankar dhe jobankar.Huaja mbështet axhendën reformuese të Qeverisë duke trajtuar sfida kyçe të sektorit financiar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bankës Botërore.
Huaja mbështet reformat në tri fusha të gjera.
Fusha e parë përqendrohet tek forcimi i aspekteve rregullatore dhe mbikëqyrëse të sektorit privat dhe tek përmirësimi i rrjetës së sigurisë financiare. Këto përpjekje pritet që të përmirësojnë përgatitjen e bankave për të përballuar krizat dhe të përmirësojnë kuadrin e sigurimeve të depozitave.
Fusha e dytë mbështet përshpejtimin e zgjidhjes për kreditë e këqija. Si rezultat i këtyre masave, përqindja e kredive të këqija pritet që të ulet në mënyrë të konsiderueshme deri në fillim të vitit 2015. Reduktimi i kredive të këqija do të mbrojë stabilitetin financiar dhe do t’u japë mundësi më mira bankave që t’iu përgjigjen kërkesave për kredi.
Fusha e tretë përqendrohet në forcimin e aspektit rregullator e mbikëqyrës për institucionet financiare jobankare. Ajo përpiqet të forcojë pavarësinë operacionale dhe kapacitetin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, duke e lejuar që rregullojë dhe të mbikëqyrë institucionet financiare jobankare (IFJB) në mënyrë sa më efektive.
BB sqaron se kjo është një hua e veçantë për politikat për zhvillim e cila lëvrohet me një këst të vetëm ndërsa Bankës Botërore do të mbështesë autoritetet në zbatimin e këtyre reformave.
“Autoritetet janë të angazhuara që të vazhdojnë një sërë reformash afatshkurtra dhe afatmesme për të nxitur zhvillimin e sektorit financiar. Këto reforma përfshijnë aktivitete të cilat do të kontribonin më tej në stabilitetin financiar të vendit, në zhvillimin e tregjeve financiare, në përmirësimin e përfshirjes financiare dhe në përmirësimin e raportimit financiar të organizatave. Grupi i Bankës Botërore do të mbështesë autoritetet në zbatimin e këtyre reformave. Autoritetet shqiptare të sektorit financiar kanë marrë përsipër të realizojnë reforma të rëndësishme për të zbutur cënueshmërinë e sektorit financiar”, thotë Mike Edwards, Specialist i Lartë Financiar i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore dhe Drejtuesi i këtij projekti.
“Jemi të inkurajuar nga angazhimi i autoriteteve të sektorit financiar për të vazhduar më tej dhe për të thelluar reformat për të përmirësuar menaxhimin dhe zgjidhjen e kredive të këqija, për kuadrin e sigurimit të depozitave, zhvillimin e tregut të sigurimeve, menaxhimin e borxhit publik dhe kuadrit rregullator e mbikëqyrës për fondet e investimit”, shprehet ai.