PE miraton rezolutën për Shqipërinë, por Holanda: Jo tani, më vonë
12 dhjetor 2013
Parlamenti Europian votoi rezolutën për Shqipërinë, në të cilën thuhet se “Këshilli duhet ta bëjë Shqipërinë zyrtarisht kandidate për anëtarësimin në BE, pa vonesë”.
“Po dërgojmë një mesazh unanim ndaj Këshillit: Shqipëria meriton t’i jepet statusi kandidat. Avancoi axhendën e reformave dhe ka arritur një nivel të ri të pjekurisë politike përmes kalimit të duhur të pushtetit në paqe pas zgjedhjeve të qershorit”, shprehet menjëherë pas votimit në një njoftim për shtyp raportuesi Nikola Vuljaniç.
Rezoluta e Parlamentit Europian vlerëson se partitë politike dhe shoqëria shqiptare duhet të përmirësojnë frymën e dialogut dhe kompromisit. Në të vërehet se korrupsioni dhe pandëshkueshmëria janë mbizotëruese dhe nënvizohet nevoja për refomat e sundimit të ligjit, luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit të të gjitha niveleve, trafikut të drogës, armëve dhe qënieve njerëzore.
“Një sistem drejtësie plotësisht i pavarur, efiçent, i drejtë dhe më shumë i parashikueshëm do të mund të kthente besimin e qytetarëve dhe biznesit ndaj gjyqësorit”, sipas eurodeputetëve. Në rezolutë kërkohet ndaj autoriteteve shqiptare që të merren me zbatimin e varfër të ligjit dhe ekonominë e gjerë informale, me politikat sociale dhe punësimin dhe të krijojnë një administratë të fortë publike.
Holanda: Jo tani, më vonë
Shqipëria është në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por një sinjal negativ vjen nga Holanda.
Gjatë një debati në parlamentin holandez për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, ministri i Punëve të Jashtme, Frans Timmermans, tha se është në kërkim të vendeve të tjera europiane që do të dilnin kundër dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Timmermans u shpreh se vendi ka përmbushur kushtet politike, por këto ende nuk janë zbatuar plotësisht. Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës paralajmëron se edhe nëse gjithë vendet e tjera të BE do të jenë në favor të Shqipërisë, atëherë Holanda do të qëndrojë vetëm në pozicionin e saj.
“Ky është qëndrimi i qeverisë holandeze. Për këtë temë qëndrimi i Holandës nuk është i vetëm para Këshillit. Ne dijeninë time edhe disa vende të tjera kanë të njëjtin qëndrim si ne, pra duam t’ua japim statusin, po jo tani. Na nevojitet një kohë e caktuar për të vlerësuar ecurinë, për të vlerësuar premtimet që do të zbatohen, pra, po e shtyjmë statusin. Këtë qëndrim mund ta paraqes para Këshillit në Dhjetor”, tha Timmermans.
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të vendosin më 17 dhjetor për kandidaturën e Shqipërisë dhe ky qëndrim pritet të konfirmohet dy ditë më pas, edhe nga Këshilli i krerëve të shteteve dhe qeverive të Unionit.