Drejtësia sociale
Drejtësia sociale është një koncept moral dhe politik që synon barazinë e të drejtave mes njërzve dhe solidaritetin kolektiv.
Si një projektim drejt një shoqërie më të drejtë, edhe pse duke pranuar egzistencën e padrejtësive, drejtësia sociale mund të konsiderohet si një utopi, ose si një përpjekje drejt një shoqërie më përparimtare. Veprimet që kanë për objektiv drejtësinë sociale synojnë t’i japin çdo individi shanse të njëjta përgjatë gjithë jetës së tyre. Ky model shoqëror karakterizohet nga ajo që quhet “barazia e shanseve”. Korrigjimet e modelit, nëse janë të nevojshme, mund të jenë te natyrës sociale, financiare ose kulturore.
Drejtësia sociale mund të përkufizohet në mënyrë negative: është padrejtësia që shoqërisht nuk është e pranueshme. Për shëmbull, pabarazitë në të ardhura që rrjedhin prej kualifikimeve të ndryshme zakonisht konsiderohen si të drejta, sepse ato janë shoqërisht të pranueshme nga shumica. Megjithatë ekziston një dallim midis drejtësisë sociale, si paanësi dhe barazisë.
Drejtësia sociale është gjithashtu një nocion që ndryshon në kohë. Ajo që shoqërisht është e drejtë, mund të bëhet e padrejtë nëse konteksti ndryshon. Por kjo është më shumë objekt i sociologjisë së drejtësisë sociale.
Në veprën e tij madhore “Teoria e drejtësisë”, të botuar në 1971, liberali John Rawls shkruan që një shoqëri është e drejtë nëse ajo respekton tre parime, sipas rradhës:
1) garancinë e lirive themelore për të gjithë;
2) barazinë e shanseve;
3) ruajtjen e vetëm atyre mosbarazive nga të cilat përfitojnë më të defavorizuarit.
Drejtësia sociale si paanësi (equité) mund të jetë:
horizontale, kur synon që dy persona në të njëjtën situatë duhet të kenë të njëjta të drejta dhe detyrime. Kjo është e afërt me parimin e barazisë “në situata të barabarta, pagesa të barabarta”. Ky është nocioni aristotelian i drejtësisë komutative.
vertikale, kur synon të pakësojë diferencat në nivelin e jetesës midis individëve. Në këtë qasje ata që janë më të pasur duhet të kontribuojnë më shumë se më modestët. Në këtë rast flitet për drejtësinë shpërndarëse (distributive).
Duke e konsideruar dobishmërinë ,si niveli i mirëqënies që do të kishin sjellë të mirat që rezultojnë nga të ardhurat financiare, Richard Musgrave dallon tre koncepte të drejtësisë vertikale:
sakrifica absolutisht të barabarta: të njëjtën sakrificë të dobishmërisë për secilin.
sakrifica proporcionalisht të barabarta: secili duhet të sakrifikojë të njëjtën pjesë të dobishmërisë së përgjithshme që do të kishte mund të përftojë prej të ardhurave të veta fillestare.
sakrifica margjinale të barabarta: taksat dhe pagesat duhet të jenë të tilla që utiliteti margjinal që vjen prej të gjitha të ardhurave të bëhet i barabartë pas këtyre transfertave.
John Rawls në 1971 futi konceptin e “parimit të diferencës” duke specifikuar që optimumi i drejtësisë shoqërore arrihet kur gjëndja e popullsisë më të defavorizuar do të ishtë më e mira e mundëshme. Ky koncept kundërshtohet në vizionin egalitarist të drejtësisë sociale.
Duhet dalluar drejtësia sociale nga e Drejta Sociale. E drejta sociale është një term që bashkon rregullat që administrojnë raportet individuale dhe kolektive të punës: e drejta e punës, e drejta e Sigurimeve Shoqërore dhe Solidaritetit dhe e drejta e veprimit social të shtetit (ndihma sociale). Ndërsa drejtësia sociale është një synim, objektiv, i politikave publike të realizuara nga qeveria. Drejtësia sociale tashmë konsiderohet si përbërës i rëndësishëm i asaj që quhet “Qeverisje e mirë”. Gjithmonë e më shumë kohët e fundit, përmes vlerësimit të politikave publike, synohet në kalkulimin e disa treguesve nga kombinimi i të dhënave të performancës së politikave sociale me informacionet online të marra prej sondazheve me fokus politikat dhe iniciativat e qeverisë. “SIM Europa” është një instrument i monitorimit të politikave sociale të BE-së për 28 vendet anëtare. Duke kombinuar të dhënat statistikore dhe vlerësimet e ekspertëve, SIM (Monitori i Përfshirjes Sociale) synon të zbulojë erozionin social apo/dhe progresin dhe të nxjerrë rekomandimet përkatëse për politikat publike.
Një analizë më të plotë dhe konkrete Shih Raportin 2014 për 28 vendet anëtare të BE