Ç’është shërbimi statistikor?

Shërbimi statistik është pjesë e rëndësishme e administratës publike. Statistika është prezente në shumë fusha të aktivitetit të shoqërive moderne. Punimet shkencore, marrjet e vendimit në sektorin publik dhe në ndërmarrjet, informimi i qytetarëve në çdo demokraci mbështeten në pjesën më të madhe mbi prodhimin, trajtimin, analizën dhe vënien në dispozicion të të dhënave të të gjitha natyrave. Këto aktivitete realizohen prej specialistëve, statisticienëve, që zhvillojnë dhe përdorin metodat më të përpunuara dhe efikase.

Ka kuptime të ndryshme të këtij termi:

Statistika është shkenca që, studion tërësinë e metodave të grumbullimit, përpunimit dhe të analizës të të dhënave numerike, të dukurive ekonomike, shoqërore dhe tekniko-teknologjike. Kjo shkencë përdor kryesisht metoda të statistikës matematike.

Statistika konsiderohen gjithashtu rezultatet (të dhënat numerike) e marra duke aplikuar këto metoda shkencore. Këto rezultate përbëjnë informacionin statistikor. i cili shpërndahet, bëhet publik, për të informuar të interesuarit në fusha të ndryshme.

– Së fundi, termi “statistikë” përcakton gjithashtu organizimin, burimet financiare dhe njërzore, si infrastruktura e nevojshme për prodhimin e statistikës publike në bazë të programeve statistikore të paravendosura nga organe të caktuara me ligj.

Informacioni statistikor është një instrument i fuqishëm që shërben për të paraqitur fakte komplekse në mënyrë të qartë dhe ti krahasojë ato në hapësirë dhe në kohë. Me anën e një shifre të vetme – treguesi statistikor, është e mundëshme që fakte dhe evolucione të interpretohen shpejt dhe me saktësi, dhe kjo përtej kufijve politik dhe gjuhësor. Në shekujt e kaluar statistika furnizonte pushtetet publike me informacione mbi sektorët e rëndësishëm të Shtetit, të tilla si popullsia, fiskaliteti, fuqia ushtarake. Në ditët tona, statistika publike, domethënë informacioni statistikor i prodhuar prej shërbimeve të administratës, informon tërësinë e opinonit publik mbi një gamë të gjërë çështjesh; me fjalë të tjera, ajo përbën një shërbim publik.

Për të siguruar cilësinë e statistikave zyrtare dhe për të ruajtur besimin e publikut në to, organizimi dhe zbatimi i programit statistikor duhet të udhëhiqet nga parimet e mëposhtme:

– “paanshmëria“, që nënkupton mënyrën objektive dhe të pavarur të prodhimit të statistikave, të lira nga çdo presion politik ose nga grupet e tjera të interesuara, veçanërisht lidhur me përzgjedhjen e teknikave, përkufizimeve dhe metodologjisë më të mirë të përshtatshme për të arritur objektivat e vendosur;

– “besueshmëria“, që është karakteristikë e statistikave që reflektojnë në mënyrë sa më të besueshëm që të jetë e mundur realitetin, të cilin ato duhet të përfaqësojnë. Ajo nënkupton përdorimin e kritereve shkencore për zgjedhjen e burimeve, metodave dhe procedurave;

– “pavarësia profesionale“, që personeli i institucioneve statistikore, gjatë zbatimit të programit, nuk i lejohet të kërkojë ose të marrë udhëzime nga Qeveria, autoritetet e tjera shtetërore, partitë politike ose çfarëdo lloj grupi tjetër i interesuar, veçanërisht në përzgjedhjen e burimeve të të dhënave, metodave dhe procedurave statistikore, në përmbajtjen, formën dhe kohën e shpërndarjes, si dhe në zbatimin e konfidencialitetit statistikor;

– “kosto-efektiviteti“, që është përdorimi më i mirë i mundshëm i të gjitha burimeve të disponueshme. Puna dhe kostoja që kërkon prodhimi i statistikave duhet të jenë në përpjesëtim me rëndësinë e rezultatit të kërkuar;

– “konfidencialiteti statistikor“, që është mbrojtja e të dhënave që lidhen me njësi statistikore të veçanta, të cilat janë marrë direkt për qëllime statistikore ose indirekt nga burime administrative ose të tjera, kundër çdo shkeljeje të së drejtës së konfidencialitetit. Ajo nënkupton parandalimin e përdorimit jostatistikor të të dhënave të marra dhe zbulimin e paligjshëm;

– “transparenca“, që është e drejta e atyre që përgjigjen të kenë informacion mbi bazën ligjore, qëllimin për të cilin janë kërkuar të dhënat dhe masat mbrojtëse të marra.

Organizimi i shërbimit statistikor bëhet me ligj të veçantë, qëllimi kryesor i të cilit është që të sigurohet respektimi i parimeve të përmëndura më sipër. Aktualisht në shumicën e vendeve demokratike strukturat e shërbimit statistikor organizohen në tre nivele: në nivelin e ekzekutimit (operatorët e ndryshëm), në nivelin e drejtimit (borde vendimmarrëse) dhe në nivelin e mbikqyrjes (autoriteti i pavarur).

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi