Ç’është politika ekonomike e shtetit?
Politika ekonomike e shtetit është tërësia e vendimeve dhe e veprimeve të institucioneve publike, të bazuara në ligje dhe rregulla të caktuara, për arritjen e objektivave ekonomiko-shoqërore të një vendi dhe mbrojtjen e e interesave të shoqërisë në tërësi, nëpërmjet funksionimit optimal të çdo njësie ekonomik vendore (private ose publike).
Karakteristikat më të rëndësishme të politikës ekonomike të shtetit e të organizmave të tij konsiderohen:
– vendim-marrja nga ana e organeve dhe autoriteteve publike në përputhje të plotë me kompetencat e tyre,
– ushtrimi i politikës ekonomike në bazë të vendimeve, ligjeve dhe rregullave të aprovuara nga organet ligjëvënëse,
– trajtimi i barabartë ligjor i njësive ekonomike dhe i individëve, koordinimi i politikës ekonomike me të gjitha aspektet e tjera të politikës shtetërore, përdorimi i të gjithë arsenalit të metodave, mjeteve dhe të formave të përshtatëshme për ndërhyrjen dhe ndikimin në veprimtaritë ekonomiko-financiare të një vendi,
– orientimi i vazhdueshëm për ristrukturimin sektorial e territorial të ekonomisë,
– vlerësimi i burimeve materiale, financiare e njerëzore të vendit.
Objektivat kryesore të politikës ekonomike të një qeverie janë:
– Hartimi dhe zbatimi i strategjisë ekonomike për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.
– Hartimi dhe zbatimi i strategjisë të rritjes optimale ekonomike afatshkurtër e afatgjatë.
– Përmirësimi i strukturës sektoriale të ekonomisë, i nivelit të saj teknik e teknologjik.
– Përmirësimi i zhvillimit territorial të ekonomisë dhe ulja e disniveleve mes rajoneve të ndryshme të vendit.
– Sigurimi i kushteve sa më të mira për marrëdhëniet ekonomiko-tregtare me vendet e treta dhe krijimi i një klime të favorshme për investitorët e huaj.
– Sigurimi i kushteve sa më optimale sociale, zbutja dhe eliminimi i varfërisë, zhvillimi i arësimit, shëndetësisë dhe I të gjithë sektorëve socialë, etj.
Si metoda dhe instrumente më të rëndësishme ekonomike konsiderohen ato që kanë të bëjnë me menaxhimin e masës monetare, nivelin e normave të interesit, tarifat tatimore e doganore, kurset valutore, financimet buxhetore, etj.