Cilët janë treguesit e vlerësimit të ekonomisë?
Treguesit makroekonomikë karakterizojnë anët më të rëndësishme të gjëndjes dhe të ecurisë së ekonomisë të një vendi në tërësi. Më kryesorët janë vëllimi e dinamika e Produktit të Brëndshëm Bruto (PBB), niveli dhe ecuria e inflacionit, niveli dhe ecuria e punësimit dhe e papunësisë, niveli dhe ecuria e mirëqënies së popullsisë, gjendja dhe ecuria e bilancit tregtar e të pagesave, etj. Ndërsa treguesit financiarë e monetarë karakterizojnë gjëndjen e ndryshimet e ofertës monetare, nivelin dhe ecurinë e normave të interesit, të kurseve valutore, të deficitit buxhetor, të borxhit publik, etj.
Produkti i Brëndshëm Bruto (PBB) (Gross Domestic Product – GDP) është treguesi që mat vlerën e produkteve dhe të shërbimeve të përdorimit përfundimtar, të prodhuara në territorin e një vendi gjatë një periudhe kohe të caktuar, zakonisht një viti kalendarik. Në madhësinë e PBB nuk përfshihen ato produkte e shërbime që janë të ndërmjetme, domethënë që përdoren për prodhimin e produkteve përfundimtare nga njësi të tjera ekonomike gjatë së njëjtës periudhë. Pavarësisht nga metoda e përdorur për llogaritjen e tij (bazuar mbi të ardhurat, mbi shpenzimet ose mbi prodhimin përfundimtar), PBB llogaritet fillimisht me çmimet e tregut të vitit përkatës. Për efekte krahasimi me vitet e mëparshme vlera e PBB e llogaritur me çmimet korrente të tregut korrektohet me deflatorin e vitit përkatës dhe përcaktohet kështu PBB me çmime kostante të një viti bazë (Real Gross Domestic Product).
Përveç PBB, në mjaft raste përdoret dhe Produkti i Brëndshëm Neto, i cili llogaritet duke zbritur nga PBB shumën e amortizimit dhe të tatimeve indirekte të shtetit. Një tjetër tregues, i ngjashëm me PBB, është dhe Produkti Kombëtar Bruto. Ndryshimi midis tyre qëndron në faktin se ndërsa gjatë llogaritjes së PBB merret parasysh kriteri gjeografik i vendit, gjatë llogaritjes së PKB merret parasysh kriteri i përkatësisë kombëtare të njësisë ekonomike, pavarësisht nëse ajo pjesërisht vepron në vendet e tjera jashtë kufijve të shtetit amë.
E Ardhura Kombëtare është një mënyrë tjetër e llogaritjes së PBB. Ajo përfaqëson vleftën totale të produkteve dhe të shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia e një vendi gjatë një periudhe vjetore, plus saldon pozitive të të ardhurave nga burimet e jashtme, të gjeneruar nga ente kombëtare por në vendet e tjera. Në këtë rast flitet për të ardhurën kombëtare bruto, nga e cila po të zbritet shuma vjetore e amortizimit të kapitalit fiks dhe ndryshimi i gjendjes së rezervave materiale, del e ardhura kombëtare neto. Për të kaluar nga e ardhura kombëtare më çmimet korrente të cdo vitit në të ardhurën kombëtare me çmime të pandryshueshme, përdoret treguesi i deflatorit të çmimeve. Vëllimi të ardhurës kombëtare me çmime të pandryshueshme përdoret për studimin e dinamikës së tij dhe përcaktimit të ritmit mesatar vjetor të rritjes nga një periudhë në tjetër. Si vëllimi ashtu dhe ritmi mesatar i rritjes së të ardhurës kombëtare, përbëjnë treguesa shumë të rëndësishëm për studimin e gjendjes dhe të zhvillimit të ekonomisë së një vendi.
Rritja ekonomike përcakon ndryshimin pozitiv të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve të tregut në një ekonomi në një periudhë të dhënë. Treguesi më i përdorur për matjen e tij është ndryshimi në kohë i PBB, zakonisht në një vit kalendarik. Përdoret shpesh rritja e PBB për frymë si treguesi i përmirësimit të nivelit të jetësës së popullsisë.
Inflacioni përfaqëson rritjen e përgjithshme në një njësi kohe, të nivelit të çmimeve të mallrave e të shërbimeve në ekonominë e një vendi. Inflacioni shoqërohet nga ulja e fuqisë blerëse të monedhës përkatëse dhe të nivelit të jetesës të popullsisë. Matësi i inflacionit më i përdorur është evolucioni i indeksit të çmimeve të shitjes me pakicë të mallrave e të shërbimeve te konsumatori (Consumer Price Index). Në ekonominë e tregut një normë e ulët inflacioni (1-2% në vit) konsiderohet e dobishme për mbështetjen e prodhuesve dhe rritjen e punësimit. Rritja dhe dalja jashtë kontrollit e procesit inflacionist, përbën kërcënim jo vetëm për nivelin jetësor të popullsisë, por edhe dhe për funksionimin normal të një ekonomie, duke shtrëmbëruar investimin racional të burimeve materiale, financiare e njërzore të një vendi, rritja e çmimeve në raport me partnerët tregëtarë përkeqëson bilancin tregtar duke ulur eksportet, dhe si pasojë prek bilancin e pagesave, ç’rregullon kurset valutore, dhe rrit normat e interesit, etj. Prandaj autoritetet monetare e financiare të cdo vendi ndjekin me vëmëndje procesin e inflacionit dhe shkaqet konkrete të tij, duke marrë, kur duhet, masat e nevojshme, qoftë për të mbajtur kostot e prodhimit nën kontroll, qoftë për kufizimin e ofertës monetare në ekonomi nëpërmjet kufizimit e dhënies së kredive, pakësimit te deficitit buxhetor, etj.
Papunësia është gjëndje dis-ekuilibri e tregut të punës, në të cilën numëri i vendeve të disponueshme të punës është relativisht më i vogël se numëri i njërzve që kërkojnë të punësohen në një moment ose periudhë të caktuar. Niveli i papunësisë mund të matet duke raportuar numërin e personave të rregjistruar si të papunë, me numërin e përgjithshëm të popullsisë së aftë për punë ose, vetëm me numërin e përgjithshëm të personave të punësuar. Sidoqoftë në të gjitha rastet duhet të sqarohet se si është llogaritur norma e papunësisë. Papunësi zyrtare quhet madhësia absolute e relative e papunësisë, e rregjistruar dhe e botuar nga autoritet zyrtare, të ngarkuara për ndjekjen e këtij problemi.
Varfëria karakterizon gjëndjen e një individi që nuk disponon burime të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet në një shoqëri dhe në një vend të caktuar. Janë tre qasje të matjes së varfërisë: qasja sipas të ardhurave krahasuar me minimumin jetik të popullsisë së një vendi, qasja administrative sipas numrit të titullarëve që përftojnë ndihma ekonomike nga shteti dhe qasja sociologjike, e lidhur me kushtet e jetesës. Pamjaftueshmëria e burimeve materiale lidhet me ushqimin, ujin e pijshëm, veshjet, banesën, ose në përgjithësi, kushtet e jetesës. Për të karakterizuar varfërinë, llogariten gjithashtu dhe qasja në edukim, ushtrimi i një aktiviteti vlerësues, respekti prej qytetarëve të tjerë, ose dhe zhvillimi personal. Kjo gjëndje prek persona të veçantë ose në grupe, segmente të popullsisë në vende e zhvilluara, një pjesë më të madhe të popullsisë në vende në zhvillim dhe shumicën e popullsisë në vendet e prapambetura.