Ç’është politika fiskale?
Politika fiskale, si dhe politika monetare, përbëhet nga një tërësi instrumentash që synojnë ndryshimin e gjëndjes së treguesve makroekonomikë. Politika fiskale shprehet dhe mbështetet në ligjet përkatëse financiare dhe konsiston në ndërhyrjen e qeverisë për të përballuar shpenzimet e shtetit nëpërmjet administrimit të të ardhurave që mblidhen përmes sistemit fiskal. Një problem tipik dhe mjaft kufizues me të cilin qeveritë ballafaqohen në këtë fushë është evazioni fiskal.
Objektivat e politikës fiskale mund të jenë të shumtë, por ato klasifikohen në bazë të tre funksioneve tradicionale të ndërhyrjes, që shteti bën në sferën ekonomike:
a) funksioni shpërndarës i burimeve të financimit, të nevojshëm për prodhimin e atyre mallrave dhe shërbimeve që tregu i lirë nuk është në gjëndje të furnizojë në mënyrë efektive, përfshirë dhe të mirat publike, si për shëmbull, drejtësia, mbrojtja kombëtare, infrastruktura rrugore, etj;
b) funksioni ri-shpërndarës, që synon ndryshimin e shpërndarjes së të ardhurave e të pasurisë nëpërmjet ndryshimit të taksimit të burimeve të të ardhurave të taksapaguesve;
c) funksioni rregullator i aktivitetit ekonomik nëpërmjet ndryshimit të nivelit të taksimit, , ose kontrolli i agregatëve makroekonomike.
Klasifikimi sipas funksioneve, është jo vetëm i dobishëm për një analizë sistematike, por ai duhet të mbahet gjithmon në konsideratë, sepse një ndërhyrje në buxhetin e shtetit prodhon njëkohësisht efekte mbi shpërndarjen e burimeve, mbi ri-shpërndarjen e të ardhurave dhe mbi agregatët makroekonomik.
Të ardhurat fiskale përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të një shteti. Politika fiskale ka për objektiv fillestar të garantojë të hyrat buxhetore minimale. Por nga momenti që vazhdimësia financiare e shtetit është garantuar, shteti vendos objektiva të tjera të politikës fiskale.
Në mënyrë tipike ndeshen dy qëndrime të dallueshme dhe të kundërt në fushën e politikës fiskale, të cilat, varen nga opsionet politike dhe secila ka kufizimet e veta. Nga njëra anë, kemi nje politike fiskale, që mbështetet në detyrimin fiskal krahasimisht të lartë mbi të ardhurat e mëdha, duke favorizuar kështu një ri-shpërndarje të të ardhurave në shoqëri; ana negative e saj qëndron në kufizimin e mjeteve monetare që të “pasurit” mund të shpenzojnë në investime, e si rrjedhim, kjo sjell një kufizim të rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, kemi një detyrim fiskal të njëtrajtshëm, ose “taksa e sheshtë”, që ruan investimet, por me pasoja të mundëshme negative mbi konsumin, pra, mbi klasat e mesme dhe të varfra, të cilat përbëjnë shumicën dërrmuese të konsumatorëve. Ulja e të ardhurave të disponueshme ndikon në uljen e kërkesës në treg dhe si rrjedhim kemi një kufizim mbi ofertën dhe rrjedhimisht mbi prodhimin, investimet e mbi vetë rritjen ekonomike.
Midis dy qëndrimeve, sigurisht janë të mundëshme situata të ndryshme të ndërmjetme.