Ç’është administrata publike?
Ndërsa në gjuhën shqipe termi “administrata publike” dallohet nga termi “administrimi publik”, në gjuhë të tjera për të dy këto nocione përdoret i njëjti term: “public administration” (anglisht), “administration publique” (frëngjisht), “amministrazione pubblica” ose “pubblica administrazione” (italisht). Termi “public administration” ka një kuptim të dyfishtë:
– në kuptimin objektiv (përkufizimi funksional), termi përcakton tërësinë e aktiviteteve të kryera që u përgjigjen nevojave të një interesi të përgjithshëm të popullsisë (rendi publik, tregu i shërbimeve publike, etj); ky kuptim lidhet me funksionin publik (funksioni administrativ)
– në kuptimin subjektiv (përkufizimi organik), është një tërësi subjektesh që ushtrojnë funksionin e mësipërm.
Pra, administratat publike janë njësi institucionale qeveritare, që rregullojnë funksionimin e shoqërisë. Administrata publike është një ndërfaqe në mes të qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat dhe qytetarëve. Ajo zbaton politikat publike të ndërmarra nga qeveria duke rritur kështu kohezionin social dhe besimin midis Shtetit dhe qytetarëve. Ndërsa administrimi publik, në veçanti, është një fushë studimi e shkencave politike. Ai studjon format e organizimit të Shtetit, të organizimit të demokracisë, zbatimin e politikave publike; e thënë shkurt, çdo gjë që lidhet me veprimin e organizimit të sferës publike.
Fjala “publike” që plotëson fjalën administratë apo administrim shërben për të kuptuar se kjo e fundit në vetvehte ka një kuptim më të gjërë: veprimtaria e cilitdo enti ose personi ka për qëllim t’u shërbej interesave të përgjithshme, të popullsisë dhe të kolektivitetit. Këtu ekzistojnë dy qasje: një konceptim i gjërë, që konsideron pjesë të administratës edhe organizmat private të ngarkuara me një veprim administrativ, dhe një konceptim i ngushtë, që i përjashton ato.
Administratat publike ndahen në administratën qëndrore (ministritë dhe institucionet e tjera qëndrore), në administratën territoriale (njësitë e qeverisjes vendore) dhe në administratën e sigurimeve shoqërore.
Për të kryer aktivitetet e vehta, administrata disponon mjetet e saj: prerogativat e fuqisë publike. Është fjala për pushtetin e komandimit, të cilën nuk e kanë personat privat. Kjo e lejon administratën të imponojë vullnetin e saj, që asaj i trasmetohet nga pushteti ekzekutiv, prej nga varet. Për shumicën e aktiviteteve të saj administratata i nështrohet një të drejte të veçantë, të drejtës administrative. Megjithatë, e drejta private zbatohet për disa raste të përcaktuara me ligj.
Më shumë për këtë temë:
Çfarë është funksioni administrativ?
Sektori publik dhe Shërbimi publik
Menaxhimi i ri publik
Ç’është e Drejta Administrative?