Ç’është e Drejta Administrative?

E drejta administrative është një degë e së drejtës publike. E drejta publike formohet nga tërësia e normave juridike me anë të të cilave realizohen detyrat dhe kompetencat e tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Në të drejtën publike bëjnë pjesë degët e së drejtës:  kushtetuese, administrative, financiare, penale, si dhe të drejtat e njëriut. E Drejta Administrative është e lidhur ngushtë me këto degë të së drejtës publike.

E drejta administrative përfshin jo pak norma të natyrës proceduriale, në një kohë që e drejta proceduriale civile dhe e drejta proceduriale penale përfshijnë tërësinë e normave që rregullojnë organizimin, kompetencën dhe veprimtarinë e instancave gjyqësore, përfshirë edhe rastet në të cilat ato gjykojnë konflikte të natyrës administrative. Me miratimin e Kodit të Procedurave Administrative nuk duhet të ngatërrohen me ato të Kodit të Procedurës Civile ose Penale.

E drejta administrative përdoret në dy kuptime:

  1. Si degë e sistemit juridik ku përfaqëson një tërësi normash juridike, me të cilat rregullohen marrëdhëniet shoqërore të caktuara
  2. Si degë e shkencës juridike, ku merret me studimin e normave juridike me të cilat rregullohen marrëdhëniet e caktuara shoqërore.

E drejta administrative përgjithësisht mund të përkufizohej si tërësi normash juridike me të cilat rregullohen marrëdhëniet shoqërore që krijohen në fushën e veprimtarisë administrative. E drejta administrative është ajo pjesë e së drejtës në bazë të së cilës zhvillohet funksioni ekzekutiv, administrativ i shtetit.

Në sistemin e së drejtës administrative të një vendi përfshihen, së pari, normat juridike që përmban kushtetuta e atij vendi, të cilat sanksionojnë organizimin dhe veprimtarinë e organeve të administratës shtetërore. Në radhë të dytë, në sistemin e së drejtës administrative përfshihen edhe normat e akteve të tjera juridike, të cilat sanksionojnë marrëdhëniet shoqërore në fushën e administratës shtetërore. Këtu mendohet, si rregull, në normat juridike të ligjeve të veçanta, dekreteve dhe akteve të tjera.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi