Largimet pa të drejtë nga puna
Sipas gazetes Shqip, 11 shkurt 2019
100 milionë euro dëmshpërblime për heqje padrejtësisht nga puna. Kjo është fatura e kripur që shteti shqiptar ka paguar deri në vitin 2018.
Një studim i organizatës INFOCIP sjell të dhëna tronditëse jo vetëm për kalvarin e gjatë në dyert e gjykatave, që i duhet një të hequri nga puna në shtet, por edhe shumat marramëndëse që takpaguesit shqiptarë duhet të paguajnë për kompensime.
Rreth 30% të ngarkesës së përgjithshme të punës së gjykatave administrative kishte të bënte me shqyrtimin e çështjeve civile mbi marrëdhëniet në punë, thuhet në studimin e INFOCIP, i cili mbërrin në përfundimin se një të pushuari nga puna në administratën shtetërore i duhen 840 ditë, pra 2,3 vjet, për të gjetur drejtësi në të dyja shkallët e gjyqësorit.
Por, nuk mbaron me kaq. Nëse çështja mbërrin deri në Gjykatën e Lartë duhen edhe 1730 ditë të tjera, ose 4,7 vite, deri në vendimin final. Gjatë viteve 2017 dhe 2018, 77% e ankimuesve i fituan proceset gjyqësore me shtetin.
Përballë këtyre vendimeve, shteti për vitin 2017 duhet të paguajë 19 003 paga, kurse për 2018, 10 625 paga e kthyer në vlerë monetare 15 milionë euro.
Gert Shella, drejtor INFOCIP, tha: “Gjatë qeverisjes me ministra teknikë u raportuan 600 heqje nga puna, në 2019 pritet të kemi një faturë të re me rreth 7 milionë euro pagesa”.
Për Presidentin Ilir Meta kjo është një situatë shqetësuese, madje është shkelur edhe standarti kushtetues. Kreu i shtetit propozoi këtë zgjidhje: “Ka ardhur koha që të sanksionohet me ligj që në rastet e pushimeve të padrejta nga puna, fatura e përballimit të dëmit t’i kalojë në ngarkim zyrtarit që ka marrë vendimin e padrejtë dhe që gjykata e ka konstatuar si shkelje. Dëmi nuk mund t’i ngarkohet më taksapaguesve shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë situatë, përkundrazi janë të dëmtuarit kryesorë”.
Por, kur do të marrë fund pagesa e miliona euro për të hequrit nga puna? Studimi INFOCIP propozon ndryshime ligjore ku të sanksionohet me vendim të formës së prerë kthimi i zyrtarit në punë e kësisoj do të shmangen dëshmpërblimet miliona euroshe.