Roli i shtetit në ekonomi

 

Në të gjitha ekonomitë moderne, shteti ka një rol të padiskutueshëm, e madje shpesh parësor në aktivitetin ekonomik. Detyra themelore e shtetit në raport me ekonominë e cdo vendi është krijimi dhe mbarëvajtja e funksionimit të platformës ligjore dhe institucionale mbi të cilën zhvillohet aktiviteti ekonomik.

Ekonomistët sot dallojnë disa faktorë të rëndësishëm që justifikojnë pjesëmarrjen e shtetit në aktivitetin ekonomik, të tilla si:

Mosfunksionimi në përsosmëri i tregut. Historia dëshmon qartazi se në rrethana të caktuara tregu i lirë nuk arrin të funksionojë si duhet duke e futur shpesh aktivitetin ekonomik në një spirale negative, nga e cila nuk mund të dilet pa ndërhyrjen e një faktori të ndryshëm nga sektori privat që përballet me këtë situatë. Krizat ekonomike që përsëriten rregullisht diktojnë qartë nevojën e ndërhyrjes nga ana e shtetit për të kapërcyer dështimin e përkohshëm në funksionimin e mekanizmit të tregut. Në raste të tilla dobia e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi justifikohet me kapacitetet që shteti zotëron. Sidoqoftë  ndërhyrja e shtetit deformohet nga presioni politik, efekti i kufizuar i ndërhyrjeve në tregun privat, shkalla e aftësisë së institucioneve shtetërore në përballjen e problemeve, si dhe mungesa e informacionit të plotë në çdo treg.

Nevoja e ofrimit të të mirave dhe shërbimeve publike. Shteti përgjithsisht merr përsipër ofrimin për qytetarët e tij të atyre të mirave e shërbimeve, të cilat përfitohen në mënyrë të njëjtë nga të gjithë qytetarët e në një pjesë të madhe, pa pagesë të drejtpërdrejtë. Një shëmbull klasik i kësaj kategorie është shërbimi i zjarrëfikseve. Shtete të ndryshëm klasifikojnë brënda kësaj kategorie edhe shërbime të tjera si psh. arsimi fillor apo i mesëm, furnizimi me ujë, shërbimi shëndetësor etj.

Funksionimi i shtetit si agjent prodhues i të mirave materiale dhe shërbimeve. Krahas rolit të pazëvendësueshëm në krijimin dhe mbarëvajtjen e platformës ligjore mbi të cilën zhvillohet aktiviteti ekonomik, për arsye të ndryshme, Shteti implikohet në raste të caktuara drejtpërsëdrejti në prodhimin e të mirave materiale apo shërbimeve duke operuar si çdo agjent tjetër ekonomik në treg. Sistemi arsimor apo shëndetësor, furnizimi me energji elektrike apo ujë, transporti publik apo prodhimi i armëve janë vetëm disa shëmbuj të fushave në të cilat shteti tradicionalisht ka qenë aktiv në ofrimin e produkteve përkatës, në disa prej tyre edhe mbi baza ekskluzive. Mungesa e interesit të sektorit privat (kur psh. çmimet nuk janë tërheqëse, si në furnizimin me ujë), interesi publik dhe siguria kombëtare (si psh. prodhimi i armëve), moskryerja e reformave për transferimin e aktiviteteve shtetërore tek sektori privat edhe kur kjo sjell rritjen e eficiencës, shpjegon angazhimin e shtetit si agjent prodhues. Së fundi, shumë shtete, bazuar në modelin ndërhyrës të shtetit në ekonomi, përfshihen në aktivitetin prodhues kryesisht përmes kompanive publike, ku pronar është shteti.

Funksionimi i shtetit si blerës i të mirave materiale dhe shërbimeve në treg. Shteti është gjithashtu një blerës i të mirave dhe shërbimeve në treg, madje ndër më të rëndësishmit, në mos kryesori. Nëpërmjet blerjes së produkteve, që prej letrës, kompjuterave, pajisjeve të zyrave, ushqimit për shkolla e spitale, e deri tek avionët e anijet, shteti influencon drejtpërsëdrejti aktivitetin e sektorit privat, duke kontrolluar kërkesën për produktet e shërbimet që ai ofron. Blerja e këtyre produkteve e shërbimeve kryhet përmes procedurave të prokurimit publik.

Funksionimi i shtetit si rregullues i tregut. Shteti ndërhyn në treg për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike, stabilitet cmimesh dhe rritje të punësimit. Shteti ndikon në mënyrën e funksionimit të sektorit privat përmes: (i) ngritjes dhe mbarëvajtjes së sistemit rregullues te tregut me synim mbrojtjen e konsumatorëve, punonjësve, mjedisit dhe shmangien e praktikave jo-konkuruese & diskriminuese, (ii) taksave, subvencioneve dhe kreditimit të cilat zbatohen mbi bizneset, individët dhe çdo njësi tjetër e aktivitetit ekonomik, (iii) dhënies së të drejtave të përdorimit, shfrytëzimit apo zhvillimit të pasurive kombëtare të një vendi.

Roli i shtetit në rishpërndarjen e të ardhurave. Funksioni rishpërndarës i të ardhurave përbën ndër rolet më të hershëm të shtetit. Në ekonomitë moderne mekanizmi rishpërndarës bazohet kryesisht në sistemin e taksimit që mundëson marrjen e të ardhurave nga grupe të caktuara shoqërore, dhe rishpërndarjen e tyre nëpërmjet asistencës sociale, sigurimeve shoqërore e shëndetësore apo sistemeve të arsimimit, etj.

Trashëgimia e institucioneve publike. Edhe në vendet me liberale, për arsye historike, utilitare apo politike ka qenë e pamundur që disa funksione ekonomike shtetërore, të transferohen në duart e sektorit privat. Një rast të cilit i binden të gjitha ekonomitë botërore psh, është funksionimi i bankave qëndrore, të cilat janë tërësisht funksion publik i shteteve përkatëse ose grupimeve ekonomike të tyre. Në mënyrë të ngjashme, shumë prej vendeve ish-komuniste (përfshirë dhe Shqipërinë), megjithë sukseset në reformat strukturore dhe privatizimin e ekonomisë, ende një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik e kanë të zotëruar nga institucione apo shoqëri tërësisht ose pjesërisht publike,

Një nga treguesit kryesorë mbi rëndësinë e rolit të shtetit në ekonomi është numri i punonjësve shtetërorë, si pjesë e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend. Gjithashtu, shpenzimet publike si pjesë e prodhimit të përgjithshëm ekonomik të një vendi, përdoret si një tregues tjetër i shkallës së përfshirjes së shtetit në ekonomi.

Gjithsesi, dy parime mbeten përherë të vlefshme për të dalluar institucionet shtetërore prej atyre private. Së pari, drejtuesit e institucioneve shtetërore zgjidhen në këto pozicione (ose emërohen në to përmes një autoriteti tjetër të zgjedhur që e gëzon këtë të drejtë), ndërkohë që institucionet private përgjithsisht i emërojnë pozicionet drejtuese nëpërmjet bordeve të drejtimit të përbëra nga përfaqësues të aksionerëve të këtyre institucioneve. Së dyti, marrëdhëniet midis institucioneve private të tregut funksionojnë mbi baza vullnetare, ndërkohë që institucionet shtetërore gëzojnë dhe të drejta të përcaktuara në ligj, që detyrojnë individët, bizneset apo organizata të tjera për veprime të caktuara si psh, pagesa e taksave, konfiskimi i pasurisë, shpronësimi për interes publik etj, të drejta të cilat nuk i takojnë institucioneve private të tregut.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi