Shqipëria zgjodhi Presidentin e nëntë prej 1991
Shqipëria zgjodhi Presidentin e nëntë prej 1991.
Një president është zgjedhur me dy mandate, por nuk e ka konsumuar mandatin e dytë, një ka dhënë dorëheqje gjatë mandatit të parë, ndërkohë që të gjithë presidentët e tjerë kanë pasur një mandat parlamentar.
Tabela e hartuar nga ekspertët e Institutit të Studimeve Politike dhe që publikohet nga JavaNews.al tregon se mbështetja parlamentare ka vijuar të jetë në rënie prej 2002, kur është zgjedhur presidenti i fundit konsensual, dhe sidomos pas 2008 kur u ndryshua Kushtetuta.
Ndërkohë që presidenti aktual është zgjedhur me 56% të votave, i dyti me kuotën më të ulët mbështetëse pas Presidentit të zgjedhur në vitin 2012.
Dy gjetje me rëndësi nga database:
Mbështetja parlamentare reflekton kryesisht raportet politike të momentit në parlament, jo raportet e të gjithë parlamentit me kandidatin për President. Votat kontestuese kryesisht lidhen me mosmarrëveshjet politike midis palëve dhe nga pritshmëria politike ndaj procesit & presidentit.
Nuk janë shifrat e legjitimitetit dhe as përqindja e mbështetjes parlamentare ato që përcaktojnë suksesin apo dështimin e një Presidenti. Është vetë Presidenti që shkruan historinë e tij. Sondazhet e shumta kanë një të përbashkët se Presidenti me kuotat më të larta mbështetëse ishte ai i zgjedhur më 2002, ndërkohë që në tabelë ka presidentë me mbështetje të lartë parlamentare, por me një bilanc kritik në perceptimin publik dhe memorien institucionale.