Programi i Qeverisë Pandeli Majko (2 tetor 1998 – 25 tetor 1999)

 

Pandeli Majko – E nderuara Kryesi e Kuvendit Popullor,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

 Të nderuar klerikë,

 Të nderuar të ftuar,

Të nderuar dhe të dashur bashkëkombas kudo që jeni,

Më lejoni t’ju paraqes programin e Qeverisë së re Shqiptare, të cilën kam fatin, nderin dhe përgjegjësinë e madhe ta drejtoj në prag të një shekulli të ri. Kjo Qeveri, e ngritur mbi verdiktin popullor të 29 qershorit 1997, përbëhet nga përfaqësues të Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate, Partisë së të Drejtave të Njeriut, Partisë Aleanca Demokratike, Partisë Agrare dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Programi i kësaj Qeverie i përmbahet marrëveshjes politike të koalicionit progresist, të qendrës së majtë dhe të qendrës, të firmosur në muajin korrik të vitit të shkuar. Ky program synon përmbushjen e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë dhe plotësimin e interesave më të lartë të vendit dhe të popullit tonë, duke marrë në konsideratë si arritjet e këtyre 14 muaj qeverisjeje, ashtu edhe korrigjimin e të gjitha mangësive dhe dobësive të konstatuara gjatë kësaj periudhe.

Kur më 29 qershor 1997 votuesit shqiptarë u dhanë votat për një mandat 4-vjeçar për qeverisjen e vendit partive të alternativës progresiste shqiptare, këto forca të shumicës shqiptare morën përsipër një barrë tepër të rëndë, në një situatë të vështirë politike, ekonomike dhe sociale.

Kjo fazë e re e demokracisë shqiptare kërkonte një konceptim, strategji dhe program reformash të tilla që të mundësonin nxjerrjen e vendit nga emergjenca dhe futjen e tij në rrugën e zhvillimit të gjithanshëm dhe të qëndrueshëm. Falë edhe mbështetjes, si dhe solidaritetit ndërkombëtar, Shqipëria vendosi një bazament real demokratik mbi të cilin filluan të ngriheshin muaj pas muaji strukturat e një shteti të së drejtës.

Në dokumentin e Romës, me vendimet e Brukselit, Shqipëria dhe partnerët e saj perëndimorë përcaktuan edhe prioritete për daljen nga kriza, duke projektuar atë çka duhet të jetë demokracia shqiptare në prag të viteve 2000: ecjen në rrugën e demokratizimit dhe të normalizimit politik, vendosjen e rendit dhe  strukturimin e shtetit ligjor, reformat institucionale, trajtimin e varfërisë të shkaktuar nga krizat, stabilizimin makroekonomik, reformat në sektorin financiar dhe zgjidhjen e problemeve të skemave piramidale, privatizimin e sektorëve strategjikë etj.

Qeveria për të cilën do të votohet sot në këtë Parlament nuk ka lindur në një boshllëk si ai i vitit të kaluar, por është fryt i një zhvillimi organik, në kuadrin e strategjisë së socialistëve shqiptarë dhe partnerëve të tyre në koalicion, për t’u korrigjuar në proces, për të përmbushur me sukses synimet dhe aspiratat e atyre që na dhanë mandatin 4-vjeçar të 29 qershorit 1997.

Kjo Qeveri do të angazhohet seriozisht në thellimin e reformave, në neutralizimin e menjëhershëm të të gjitha pasojave që solli grushti i dështuar i shtetit i muajit të shkuar, në mbajtjen e angazhimeve të partive të koalicionit në planin kombëtar e ndërkombëtar, në rritjen e ndjeshme të vëmendjes ndaj kritikave ose kërkesave normale të opinionit publik.

Politika e kësaj Qeverie mbështetet në konceptin e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit mbarëshqiptar në të gjitha nivelet dhe në vendosjen e raporteve të veta me opozitën, për të cilën shpresojmë që të përmbushë misionin e saj e të jetë luajale në ndeshjen politike. Ajo bazohet, gjithashtu, edhe në bashkëpunimin e ngushtë me faktorin ndërkombëtar. Kjo Qeveri mbështetet në programin afatgjatë të përcaktuar në platformën e partive në koalicion, në masat që tashmë janë marrë dhe do të merren në vijim.

Situata e rëndë që krijuan elementët ekstremistë të opozitës me provokacione të përsëritura që kulmuan rebelimin, në tentativën për marrjen e pushtetit me dhunë më 14 shtator 1998, evidentoi me qartësi gjendjen reale të demokracisë shqiptare dhe rrugën që ajo duhet të ndjekë, për të mos u tronditur nga tentativa ose aventura ekstremistësh. Nga ana tjetër, këto ngjarje treguan edhe se deri ku ka shkuar reforma e nisur pas zgjedhjeve të 29 qershorit, deri ku është eliminuar kriza shqiptare.

Gjatë një viti qeverisjeje të forcave progresiste shqiptare mund të konstatojmë se u arrit të kalohet situata e emergjencës dhe të stabilizohet situata ekonomike, me një qëndrueshmëri të buxhetit dhe të lekut, të cilat po vijnë drejt normalizimit dhe konkretizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë.

Gjatë kësaj periudhe u konsoliduan vlerat e nëpërkëmbura të demokracisë, u arrit që e drejta e fjalës, e debatit të hapur dhe e shtypit të lirë të çlirohen nga tutela e shtetit dhe e partisë në pushtet. U rifitua e drejta e manifestimit dhe e grumbullimit të lirë deri atëherë të mohuara.

Ngjarjet e dhunshme të shtatorit treguan qartë se ende ekzistojnë faktorë që ushqejnë krizën shqiptare. Ndonëse u bënë përpjekje, korrupsioni, kontrabanda, krimi i organizuar etj., që koalicioni ynë trashëgoi, nuk u arritën të çrrënjosen gjatë periudhës gusht 1997 – shtator 1998 dhe lufta kundër tyre përbën një nga detyrat parësore të Qeverisë së re.

Programi, që kam nderin t’ju paraqes, synon jo vetëm shërimin e shoqërisë sonë nga dukuritë ekzistuese negative, por edhe krijimin e të gjitha kushteve dhe hapësirave pozitive për zhvillimin e gjithanshëm të institucioneve demokratike të ekonomisë, të vëna në lëvizje nga iniciativa e lirë private dhe e shoqërisë civile.

Kemi bindjen e plotë që zbatimi i këtij programi do të sigurojë një jetë më të mirë për shqiptarët dhe një proces të sigurt integrimi në bashkësinë europiane dhe në strukturat euroatlantike. Duke  e vlerësuar më tej opinionin publik, struktura e Qeverisë së re përmban edhe Ministrinë e Informacionit, si një mekanizëm ndihmës në marrëdhëniet e Qeverisë me publikun, për më shumë informim dhe transparencë,  për më shumë intensitet në komunikim.

Më lejoni të ndalem në një paraqitje të renditur të programit të Qeverisë: zhvillimi i demokracisë, objektiv themelor për mirëqeverisjen e vendit, politikë e mbështetur në dialogun konstruktiv – ky është momenti i parë që dëshiroj t’ju trajtoj. Stabilizimi i raporteve demokratike në shoqërinë shqiptare është një domosdoshmëri për zgjidhjen përfundimtare të krizës.

Qeveria në këtë program të saj konsideron parësor mirëkuptimin politik në Shqipëri. Në emër të Qeverisë së porsakrijuar dëshiroj të theksoj se do të vazhdojë misioni që ka koalicioni për ringjalljen dhe rindërtimin europian të Shqipërisë, duke u mbështetur në konceptin dhe në vizionin e bashkëpunimit, integrimit, bashkëjetesës politike, paqes dhe mirëkutimit.

Pas ngjarjeve dramatike të marsit 1997, ishte kuptueshme dhe e shpjegueshme që të flitej dhe të punohej për një pajtim kombëtar, madje, për këtë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u arrit edhe në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Nëse koncepti i pajtimit kombëtar ishte jo vetëm i arsyetuar, por edhe mjaft i vlefshëm në çastin e daljes nga shoqëria e izoluar totalitare e regjimit komunist, që i kishte ndarë me pahir shqiptarët në të mirë e të ligj, duke u përpjekur t’i armiqësonte me njëri-tjetrin në emër të luftës së klasave, sot ky koncept është kapërcyer.

Ajo që realisht i mungon Shqipërisë së tranzicionit demokratik nuk është pajtimi kombëtar midis shqiptarëve, por mirëkuptimi qytetar dhe politik midis aktorëve të klasës politike, të cilët përfundimisht duhet të kuptojnë se ka ardhur koha të marrin përgjegjësitë e tyre në emër të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe jo në emër të interesave meskinë të klaneve ose të gupimeve politike.

Ngjarjet e shtatorit, nga njëra anë, sollën shqetësimet që dihen por, nga ana tjetër, treguan qartë se shqiptarët me gjithë këmbënguljen e disa qarqeve këtu dhe jashtë nuk u bashkuan as me krimin, as me grabitjen, as me thirrjet për të marrë armët në emër të ndarjes krahinore ose fetare. Ky realitet e bën të mundshëm arritjen e një platforme të mirëkuptimit qytetar dhe politik aq të domosdoshëm për Shqipërinë.

Qeveria është  vendosur të ecë në rrugën e mirëkuptimit, duke u bazuar në heqjen dorë nga platformat dhe praktikat për arritjen e synimeve politike me dhunë, respektimin real të të drejtave të partive opozitare e parlamentare, duke i ftuar këto t’i ushtrojnë këto të drejta brenda rregullave të lojës demokratike: dialogun e Qeverisë me opozitën, pasi ajo të jetë kthyer në Parlament, bashkëpunimin me OSBE-në, BE-në, Këshillin  e Europës dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, bashkëpunim me grupin e miqve të Shqipërisë etj.

Bërja e vendit me Kushtetutë, ky është një premtim solemn dhënë elektoratit shqiptar në fushatën e zgjedhjeve të 29 qershorit 1997, për ta bërë vendin me Kushtetutë, së cilës po i vjen koha që të përmbushet. Shtetasit shqiptarë po presin që prej 7 vjetësh të kenë ligjin themeltar të shtetit të tyre.

Në këtë program që po paraqesim, miratimi i Kushtetutës së re të Shqipërisë është një nga 3 prioritetet kryesore imediate krahas rendit publik dhe stabilizimit ekonomik dhe social. Koalicioni qeveritar është i angazhuar tërësisht në këtë proces dhe me këtë rast i bën thirrje të tëra forcave politike, që të japin kontributin maksimal për arritjen e këtij objektivi madhor.

Projekti i Kushtetutës, drafti, që tashmë ndodhet në Parlament, sipas Komisionit të Venecias dhe institucioneve të specializuara europiane dhe amerikane, është në përputhje të plotë me të gjitha standardet demokratike europiane. Mbas përmbushjes së procedurave, sipas afateve të përcaktuara nga Kuvendi Popullor, Projekti i Kushtetutës do t’i nënshtrohet referendumit popullor dhe  Qeveria do të marrë të gjitha masat e nevojshme organizative dhe logjistike për realizimin e referendumit konform të gjitha standardeve demokratike.

Shpejtimi i reformës në administratën publike dhe në shërbimin civil. Qeveria Shqiptare është e ndërgjegjshme për gjendjen e administratës publike dhe për rrugët që të çojnë drejt  modernizimit të saj. Në këtë përvojë të re për vendin tonë ndërthuren jo vetëm faktorët tekniko-juridikë, por edhe ato socialë, psikologjikë, politikë, ekonomikë. Rezultatet e deritanishme janë një bazë e mirë për të vazhduar dhe përfunduar brenda vitit 2001 reformat e ndërmarra në fushën e administratës publike, sipas programit të hartuar në nëntorin e vitit 1997 nga Qeveria Shqiptare dhe donatorët perëndimorë.

Objektivat strategjikë të reformës që duam të ndërmarrim janë: realizimi i një integrimi institucional, rritja e shkallës së kualitetit dhe profesionalizmit nëpërmjet përcaktimit të qartë të së drejtës së nëpunësisë. Rritja e rolit aktiv të administratës dhe modernizimi i saj nëpërmjet futjes së teknologjisë së informacionit.

Element parësor në paketën e reformës për administratën publike do të jetë kompletimi i të gjithë kuadrit juridik të shërbimit civil shqiptar. Synimi final është krijimi i një shërbimi civil luajal ndaj ligjit, të pakorruptueshëm dhe të aftë që të ndikojë në formulimin e politikave dhe që të menaxhojë, me kompetencë, administrimin publik. Rritja e tij cilësore varet kryesisht nga shkalla e pavarësisë dhe e imunitetit të tij nga politika. Kjo do të sjellë krijimin e një administrate me një karakter të qëndrueshëm demokratik dhe ligjor.

Brenda vitit 1998 do të përfundojë kuadri ligjor i nëpunësisë, për të kaluar më pas në konkretizimin e statusit të tyre, caktimin e të drejtave dhe të detyrimeve të nëpunësit civil, përcaktimin e kodit disiplinor, si dhe rregullimin e marrëdhënieve të karrierës, shpërblimit dhe përcaktimit të pagës.

Krahas reformës në shërbimin civil, një reformë e thellë do të përfshijë marrëdhëniet midis administratës dhe publikut. Për këtë po hartohet një paketë ligjesh të Kodit Administrativ, ku më të rëndësishmit do të jenë: ligji për procedurat administrative, që ka si qëllim unifikimin e procedurave dhe afateve në veprimtarinë e administratës publike, garantimin e të drejtave të qytetarëve nga pikëpamja procedurale.

Ligji “Për Avokatin e Popullit” që do të krijojë për herë të parë në Shqipëri një institucion kombëtar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personit, si dhe interesave të tjerë të ligjshëm nga shkeljet e mundshme të administratës shtetërore.

Ligji “Për përgjegjësinë shtetërore publike” do të demokratizojë raportet e shtetit me privatët.

Vazhdimi i reformës në sistemin ligjor të drejtësisë.  Drejtësia shqiptare sot përballet me sfidën e afrimit me parametrat europiane të pavarësisë, paanësisë, përgjegjësisë, profesionalizmit dhe ndershmërisë.

Në Kushtetutën e re do të bëhet sanksionimi përfundimtar i pavarësisë së gjyqësorit dhe do të përcaktohen një sërë masash të tjera, ligjore dhe institucionale, me synim garantimin e mirë të funksionimit të drejtësisë.

Marrëdhëniet e Këshillit të Ministrave me pushtetin gjyqësor do të ndërtohen dhe do të realizohen, duke i qëndruar konsekuent parimit të ndarjes, balancimit dhe kontrollit reciprok të pushteteve në pajtim me detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligjet.

Këshilli i Ministrave angazhohet në plotësimin e kushteve materiale e financiare për pushtetin gjyqësor, për kualifikimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, për plotësimin dhe aftësimin e administratës gjyqësore, për përmirësime të ndjeshme në sferën e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe për krijimin e kushteve sa më të mira në sistemin e vuajtjes së dënimeve penale.

Pas miratimit të Kushtetutës, do të punohet me përparësi për rishikimin e të gjithë legjislacionit ekzistues, plotësimin e mëtejshëm të tij dhe përshtatjen me parimet dhe normat e reja kushtetuese. Përparësi do të kenë ligjet organike, për organizimin dhe funksionimin e gjykatave dhe të Prokurorisë, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe përmirësimet e nevojshme në kodet dhe në ligjet e tjera.

Në veçanti, kujdes do t’i kushtohet përmirësimit dhe plotësimit të akteve ligjore dhe nënligjore në fusha të tilla si financa, rendi dhe drejtësia, me përparësi luftën kundër korrupsionit, kondrabandës dhe krimit të organizuar.

Për realizimin e qëllimeve të lartpërmendura, do të krijohet një komitet qeveritar për reformën ligjore dhe gjyqësore. Veprimtaria e këtij komiteti dhe reformat e ndërmarra prej tij do të mbështeten nga Banka Botërore, bashkimi Europian, Bashkimi i Europës dhe OSBE-ja.

Zbatimi i autonomisë së pushtetit lokal, Qeveria e re e koalicionit do të realizojë decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit lokal, me qëllim që demokracia lokale të funksionojë mbi bazën e parimeve të Kartës Europiane të Autonomisë Lokale.

Përmbushja e këtij objektivi presupozon kompletimin e paketës ligjore, si dhe të akteve nënligjore që do të plotësojnë vakuumin e derisotëm për një funksionim normal të pushtetit lokal. Brenda këtij viti do të punohet për përmirësimet e nevojshme të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal”. Për hartimin e ligjeve, për pasuritë e pushtetit lokal dhe për referendumet lokale, tërësia e të cilave do të sigurojë përcaktimin e drejtë të kompetencave dhe të detyrave për nivelet e ndryshme të pushtetit lokal dhe masat e rëndësishme legjislative që bëjnë të mundur realizimin e kushteve për një autonomi lokale reale.

Nënshkrimi i Kartës Europiane të Autonomisë Lokale kërkon plotësimin e legjislacionit aktual dhe masa organizative të cilat do të bëjnë të mundur forcimin e financave lokale. Kështu, rritja  gamës së taksave lokale dhe kalimi i tatimit të pasurisë 100 % të pushtetit lokal kërkon ngritjen e strukturave për vjeljen e detyrimeve fiskale nga organet e pushtetit lokal. Kjo kërkon njëherësh edhe forcimin e kontrollit, në përdorimin e fondeve, duke ngritur struktura të reja dhe duke ndihmuar në forcimin e kontrollit të buxheteve nga këshillat lokalë. Tërësia e këtyre masave do të ridimensionojë dialogun midis pushtetit qendror dhe atij lokal të zgjedhur.

Një objektiv tjetër imediat është vazhdimi i kujdesit për të shpërngulurit nga Kosova. Siç dihet, jemi duke përballuar një fluks tjetër të  madh  të ardhurish nga Kosova, si pasojë e dhunës serbe. Masë prioritare do të jetë ndjekja e përditshme e problemit, duke zbatuar programe tashmë të miratuara dhe duke rikonceptuar zgjidhjen e problemeve të strehimit dhe të furnizimit me ushqime, me veshmbathje dhe me medikamente për periudhën e dimrit, në bashkëpunim të ngushtë me UNHCR-në dhe organizma të tjerë humanitarë ndërkombëtarë.

Prioriteti i synimeve afatmesme të Qeverisë do të jetë krijimi i komitetit të bashkëpunimit me donatorët e huaj që asistojnë reformën e pushtetit lokal, për hartimin e planit kombëtar të decentralizimit të kompetencave dhe modernizimit institucional të pushtetit lokal, plan që do të thellojë në vazhdimësi autonominë lokale.

Në momentin e rinegocimit të Marrëveshjes Shqipëri-Bashkimi Europian ky plan do të përfshihet si kapitull i veçantë me titullin “Reforma në pushtetin lokal në këtë marrëveshje”. Kështu, prioritet do të jetë nënshkrimi nga Qeveria Shqiptare i konventës-kuadër të Këshillit të Europës për  Kooperimin Ndërkufitar ndërmjet autoriteteve lokale së bashku me 2 protokollet plotësuese.

Forcimi i rendit, prioriteti imediat i Qeverisë. Besoj se shpreh edhe opinionin tuaj, të nderuar kolegë, që rendi dhe lufta kundër kriminalitetit të organizuar qëndron si moment kryesor i këtij diskutimi.

Sigurimi i rendit dhe lufta kundër krimit do të jetë prioriteti i Qeverisë së re, në mënyrë që të garantohet veprimtaria normale e institucioneve, veprimtarive ekonomike publike dhe private, zbatimi i programeve të investimeve vendase dhe të huaja, qarkullimi normal dhe i sigurt në të gjithë territorin e Republikës i qytetarëve, i mallrave dhe i bizneseve.

Për fazën emergjente. Qeveria që drejtoj angazhohet: të luftojë me ashpërsi krimin, veçanërisht atë të organizuar dhe aktet terroriste. Të realizojë me përparësi kapjen e të gjithë autorëve të ngjarjeve të grushtit të shtetit të datës 14 shtator, ndaj të cilëve prokuroria ka lëshuar fletarreste. Të zbulojë dhe të çojë përpara  drejtësisë terrorizmin e çdo lloji, duke dëshmuar vullnet të pakontestueshëm për respektimin e rendit dhe të ligjit, të pastrojë nga radhët e policisë të gjithë elementët që me veprimet ose mosveprimet e tyre bashkëpunuan në ngjarjet e dhunshme dhe në shkatërrimet e institucioneve. Të miratojë në një kohë sa më të shkurtër trajtimin e përmirësuar financiar  të forcave të policisë.

Ne do të punojmë për rinovimin e domosdoshëm moral dhe profesional të Policisë Shqiptare. Për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike Qeveria ka përgatitur tashmë një plan të detajuar, i cili konsiston në masa organizative, në bashkërendimin e vendimeve dhe në zbatimin rigoroz të ligjit. Një vend të veçantë zënë në program masat për parandalimin e goditjeve të veprimtarisë kriminale dhe antiligjore, ato janë të lidhura me të gjitha planet dhe aksionet për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë, që kanë tendenca kriminale. Këtu Policia Shqiptare do të vërë të tërë potencialin e saj për të hequr një herë e përgjithmonë nga mentaliteti shqiptar justifikimin e vetëgjyqësisë, mosrespektimin e integritetit të personit, respektimin e pronës së individit dhe të pronës publike.

Strukturat e Forcave Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë, do të marrin një rol më të madh për vetë logjikën e reformës që po bëhet në forcat shqiptare të rendit. Ato do të marrin detyrime sipas situatës dhe detyrave që kanë, me kërkesë të drejtorive të policisë së prefekturave dhe komisariateve të policisë në rrethe për të kryer detyra sipas platformës së tyre të sanksionuar me ligj.

Mbi bazën e të dhënave të  deritanishme dhe studimit të sektorëve më të prekshëm nga korrupsioni, do të hartohet plan kalendarik i kontrollit me qëllim parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni. Nëpërmjet kontakteve me OJQ-të dhe nëpërmjet analizës së kërkesë-ankesave në adresë të Ministrisë së Rendit Publik do të paraqiten në formë përgjithësimi dukuritë e korrupsionit në radhët  e policisë në marrëdhënie me publikun.

Qeveria do t’i kushtojë vëmendje të veçantë bashkëpunimit ndërdikasterial të Ministrisë së Rendit, Prokurorisë, Ministrisë së Financave, asaj të Drejtësisë për të drejtuar me efikasitet në procesin e hetimit, zbulimit, denoncimit dhe dënimit të çdo lloj krimi dhe sidomos atyre të rënda.

Mbledhja e armëve mbetet një detyrë parësore për Qeverinë tonë e cila do të vazhdojë të realizohet në bashkëpunim të ngushtë edhe me organizmat ndërkombëtarë, në radhë të parë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Gjatë më shumë se një viti përvoje, forcat shqiptare të rendit kanë ndjerë peshën   dhe pengesën e logjistikës, bazës materiale dhe të ndërlidhjes së informacionit.

Për këtë qëllim do të merren masa që, në bashkëpunim me partnerët tanë të huaj, të modernizohet Policia Shqiptare me mjete, me pajisje bashkëkohore, si dhe të investohet, sidomos në fushën e ndërlidhjes, sipas marrëveshjeve të arritura ose të atyre që do të arrihen më pas.

Në drejtim të reformës legjislative në forcat e rendit është parashikuar hartimi i projektligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe i akteve në zbatim të tij. Rishikimi i ligjit “Për SHIR-in”, përgatitja  e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Interpol”, ratifikimi i Memorandumit të Bashkëpunimit me MAPE-n, ratifikimi  konventave ndërkombëtare për drogat etj.

Fuqizimi i mbrojtjes kombëtare. Mbrojtja e atdheut përbën një detyrë konstante në programin e Qeverisë. Ajo do të bazohet në përdorimin e të gjitha resurseve dhe materialeve që disponon vendi, si dhe në vlerat materiale dhe patriotike të popullit tonë nga kërcënimet dhe rreziqet që mund të paraqiten.

Zhvillimi i situatave të brendshme dhe të jashtme dikton për Qeverinë nevojën e marrjes së masave të gjithanshme, për  rIngritjen dhe forcimin e pandërprerë të Forcave të Armatosura. Përgatitja e moralit të personelit në ushtri, ruajtja e objekteve dhe e depove ushtarake, ringritja e reparteve aktive, administrimi i sigurt i pasurisë së ushtrisë, i armëve, i municioneve, i teknikës ushtarake dhe i vlerave materiale në përdorim, rritja e përgjegjësisë komanduese e drejtuese të komandave dhe shtabeve, përmirësimi i mbështetjes logjistike dhe financiare, si dhe kujdesi i vazhdueshëm për jetën e njerëzve do të jenë në qendër të vëmendjes së Qeverisë edhe për periudhën në vazhdim.

Këto masa që do të realizohen krahas planifikimit edhe për periudhën në vazhdim, do të realizohen krahas planifikimit të zhvillimit perspektiv të mbrojtjes. Vendosja e plotë dhe e padiskutueshme e drejtimit dhe e kontrollit demokratik e civil në Forcat e Armatosura, departizimi tërësor i tyre, si dhe krijimi i marrëdhënieve të shëndosha civile ushtarake do të jenë detyra në bazë të veprimtarisë që do të sigurojë integrimin e shëndoshë të Forcave të Armatosura në shoqërinë shqiptare.

Në këtë kuadër, programi i Qeverisë parashikon përsosjen e plotë të bazës ligjore, të ndërtimit dhe funksionit të Forcave të Armatosura. Për këtë do të punohet për përsosjen e dokumenteve bazë të politikës së sigurimit dhe të mbrojtjes së vendit, në përputhje me kushtet e reja gjeopolitike të krijuara, riformulimin e strategjisë dhe të doktrinës ushtarake, ristrukturimin e forcave dhe të programeve për stërvitjen e tyre, ripunimin e legjislacionit ushtarak, të rregulloreve, manualeve, si dhe të gjithë bazës teorike të nevojshme për përgatitjen e ushtrisë në zbatimin e detyrave për mbrojtjen e vendit.

Në planifikimin e mbrojtjes së vendit, programi i Qeverisë parashikon kushtimin e vëmendjes së nevojshme zhvillimit të burimeve njerëzore, plotësimin dhe kualifikimin e personelit, përdorimin me eficensë të investimeve në përmirësimin e ndërtimeve të infrastrukturës ushtarake, për të siguruar përqendrimin e plotë të njësive dhe të reparteve nëpër kazerma, sigurimin efektiv të depove të armatimit dhe të municionit në afërsi të tyre.

Kujdes të veçantë Qeveria do të tregojë për të siguruar thellimin e bashkëpunimit ushtarak në kuadrin e partneritetit euroatlantik, për të përgatitur kushtet e nevojshme të integrimit të vendit në strukturat e mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe në Bashkimin e Europës Perëndimore. Forcat tona të Armatosura do të plotësojnë angazhimet e marra në programet dhe në veprimtaritë e përbashkëta me NATO-n dhe shtetet e tjera partnere, për të realizuar sa më shpejt detyrën e përputhjes së interoperabilitetit me to. Në vëmendje të Qeverisë do të jetë dhe realizimi i kërkesës së kohës për plotësimin dhe vendosjen mbi baza ligjore të statusit të ushtarakut.

Në programin e Qeverisë është parashikuar, gjithashtu, ndjekja me vëmendje të veçantë e studimit për përmirësimin e trajtimit me pagesë të ushtarakëve në raporte të krahasueshme me subjekte të tjera buxhetore, si dhe duke marrë si shembull vende të tjera me zhvillim ekonomik të ngjashëm me vendin tonë.

Rritja e efikasitetit të shërbimeve informative. Objektivi themelor i Shërbimit Informativ Kombëtar do të jetë thellimi i transformimit rrënjësor të nisur një vit më parë, transformim që synon ta kthejë këtë shërbim nga një organ represiv në një organ informativ të forcimit të sigurisë kombëtare.

Miratimi i ligjit të ri për këtë shërbim, hartimi dhe miratimi i akteve nënligjore që do të rrjedhin nga ky ligj dhe që do të disiplinojnë veprimtaritë konkrete, përfundimi i riorganizimit të strukturave operative, krijimi i struktuarave më të përqendruara dhe më elastike, do të jenë disa nga objektivat kryesorë të shërbimit tonë të ardhmen.

Forcimi i bashkëpunimit me shërbimet partnere amerikane dhe europiane, përgatitja dhe rikualifikimi bashkëkohor i kuadrove, pajisja me teknika operative moderne do të jenë disa nga faktorët që do të sigurojnë arritjen e objektivave tanë.

Jemi të bindur se me rrugën ku po ecim, ne do të jemi shumë më efektivë në luftën kundër disa dukurive që cenojnë sigurinë e vendit, të tilla si terrorizmi i çdo ngjyre, krimi i organizuar në format e tij dhe në luftën kundër cenimit të kësaj sigurie nga faktorë të jashtëm armiqësorë.

Procesi antikorrupsion – prioritet i programit të Qeverisë.  Në themel të drejtimit të qeverisjes është, pa dyshim, lufta kundër kontrabandës dhe korrupsionit, pa të cilën çdo përpjekje për një stabilizim të shpejtë të jetës shoqërore të vendit do të ishte, për fat të keq, pa rezultat.

Tashmë, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Bankën Botërore dhe me institucione të tjera ndërkombëtare, Qeveria ka në dorë dhe do të zbatojë me rreptësi një sërë masash që trajtojnë gjerësisht programin që po paraqesim. Unë theksoj, në emër të Qeverisë, se lufta jonë kundër korrupsionit do të jetë një prioritet me synime afatshkurtëra dhe afatmesme.

Ajo do të përqendrohet në këto drejtime kryesore:

– Në sistemin fiskal, nëpërmjet informimit të plotë, të menjëhershëm, të publikut për aktet normative të këtij sistemi.

– Vendosjen e kritereve të sakta normative për rekrutimin e punonjësve, thjeshtësimin e procedurave për përgatitjen e dokumentacionit doganor, klasifikimin e saktë të shkeljeve administrative dhe të kontrabandës, në përsosjen e procedurave të prokurimit publik me anë të informimit të plotë të sektorit privat, për prokurimin e kryer, publikimin transparent të rregullave ekzistuese të prokurimit, si dhe ndryshimet eventuale në këto procedura, rregullimin me ligj të kontrollit financiar të brendshëm të administratës publike dhe përmirësimin e dokumentacionit standard të prokurimit.

Për një administratë të aftë dhe të motivuar, duke rishikuar ligjin “Mbi shërbimin civil” dhe duke nxjerrë aktet nënligjore shtesë, me qëllim depolitizimin e punonjësve publikë, duke krijuar dhe vënë në funksionim një ordinogramë qendrore për punonjësit e sektorit buxhetor, duke rishikuar të paktën sektorët e katër ministrive kryesore, gjatë këtij 3-mujori, për të përgatitur një strategji për një realizim të shpejtë për trajtimin segmentar të sistemit të pagave, me qëllim rrijen e motivimit të punonjësve buxhetorë dhe thithjen e njerëzve më të aftë në këtë sektor.

Do të mbështetemi  nga një sistem gjyqësor i pavarur, që po paraprihet nga disa masa të rëndësishme në lidhje me vendosjen dhe zbatimin e kritereve të qarta për kualifikimin e gjyqtarëve, do të adoptojmë një praktikë unike të marrjes së vendimeve dhe publikimin e vendimeve gjyqësore, si dhe do të miratojmë projektligjin “Për njohjen e të drejtës së prokurorit për ushtrimin e rekursit në emër të ligjit, ristrukturimin e gjykatave të kasacionit dhe kushtetuese”.

Politika ekonomike e Qeverisë. Situata aktuale në financat publike. Situata makroekonomike e vendit, në fund të  tetëmujorit të vitit 1998 vlerësohet të jetë konform parametrave të parashikuar dhe që karakterizojnë stabilitetin ekonomik.

Rritja ekonomike vlerësohet të jetë e lartë dhe inflacioni në kontroll të plotë. Me ecurinë e deritanishme të aktivizimit të ekonomisë dhe kontrollin e inflacionit, nëpërmjet një politike monetare dhe fiskale të shtrënguar, parashikohet që në fund të vitit, krahas rritjes reale të prodhimit të brendshëm bruto për 10 %, inflacioni vjetor të zbresë, në muajin dhjetor, në më pak se 10 %, pra nën nivelin e programuar për këtë vit.

Në fund të 8-mujorit të parë të këtij viti rezultonte një deficit buxhetor total prej 25,6 miliardë lekësh ose sa 6 % e prodhimit të brendshëm bruto. Financimi i brendshëm i deficitit rezulton të jetë realizuar në rreth 45,6 % të masës vjetore të parashikuar, duke arritur në fund të muajit gusht në 13,8 miliardë lekë, i mbuluar pothuajse tërësisht me bonot e thesarit. Për 4 muajt e ardhshëm të vitit 1998 parashikohen rritje më të larta të deficitit kryesisht për shkak të një vëllimi më të lartë të investimeve publike për këto muaj. Megjithatë, duke synuar mbi të gjitha një ecuri normale të ekonomisë, do të bëhet e mundur që në fund të vitit 1998, deficiti i financuar nga burime të brendshme të jetë aq sa ç’është objektivi vjetor prej 28,8 miliardë lekësh.

Të ardhurat e buxhetit për 8 muajt e parë, përkundrejt parashikimit të vitit 1998, arrijnë në 61 %, duke marrë në konsideratë parashikimin e zhvillimeve në 4 muajt e mbetur, siç është rigjallërimi gradual i ekonomisë në 8 muajt e deritanishëm. Parashikohet që totali i të ardhurave të mbërrijë në rreth 94 % të nivelit vjetor të parashikuar.

Arsyet e këtij  mosrealizimi janë si më poshtë: të ardhurat tatimore për vitin 1998 parashikohet të zënë mbi 12,9 % të prodhimit të brendshëm bruto, nga 10,7 % që zinin në vitin 1996. Për 8-mujorin e parë këto  të ardhura u realizuan në terma realë rreth 2 herë më shumë se e njëjta periudhë e 1996-s.

Nga të ardhurat e realizuara në sistemin e doganave, megjithëse termat realë në 8-mujorin e parë janë rreth 2 herë më të larta se ato të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit 1996, duke i konsideruar si efekte të faktorëve objektivë që ndikuan negativisht gjatë 8-mujorit dhe duke bërë një parashikim më realist të tyre, për pjesën e mbetur të vitit, si dhe nga përmirësimet e vazhdueshme në luftën kundër kondrabandës dhe evazionit fiskal, pritet që në fund të vitit shkalla e realizimit të të ardhurave në sistemin e doganave të jetë në masën 88 % të planit. Të ardhurat e realizuara në sistemin e tatimeve për 8-mujorin e parë të vitit 1998 janë rreth 60,5% më të larta se e njëjta periudhë e vitit 1996. Përkundrejt parashikimit 8-mujor, ky realizim është 103,2 %. Mbi këtë bazë për vitin 1998 pritet që të ardhurat e realizuara në sistemin e tatimeve të jenë më të larta nga parashikimi fillestar i vitit.

Shpenzimet buxhetore për 8-mujorin zënë 52,7% të planit vjetor, ndërkohë që shkalla e realizimit të shpenzimeve korrente është 61 %, ndërsa ajo e shpenzimeve kapitale  ka qenë vetëm 25 %. Megjithatë, duke pasur parasysh që investimet masive do të realizohen në 3-mujorin e fundit, parashikojmë që niveli vjetor të arrijë të arrijë në 96% të planit të buxhetit. Shkaku i vonesave në realizimin e shpenzimeve kapitale është kryesisht absorbimi i investimeve të huaja.

Për vitin 1998, shkalla e realizimit të investimeve publike me finacim të huaj llogaritet që të shkojë në 4 % të parashikimit fillestar. Megjithatë, duke parashikuar një fluks më të madh investimesh në muajt e ardhshëm, mund të arrihet që plani vjetor i shpenzimeve kapitale të ngrihet në 65 % të planit vjetor.

Objektivat në fushën e financave publike. Synimi imediat i Qeverisë në fushën e financave publike është që të evitohet në maksimum ndikimi i ngjarjeve të muajit shtator ndaj stabilitetit makroekonomik të arritur deri më tani. Të evitohet çdo ndikim ndaj arritjes së objektivave të buxhetit të shtetit  dhe ndaj luhatjes së monedhës nacionale. Qeveria nuk do të hezitojë që të bëjë edhe ndonjë përmirësim të mundshëm të politikave makroekonomike, duke iu përmbajtur atyre drejtimeve që janë përcaktuar në marrëveshjen e saj.

Ruajtja e stabilitetit makroekonomik është ndër objektivat kryesorë të strategjisë afatmesme të Qeverisë. Në radhë të parë, ajo synon të sigurohet një rritje e shpejtë e prodhimit, ulje e mëtejshme e inflacionit për të gjeneruar rritjen e shpejtë të punësimit dhe reduktimin e varfërisë.

Gjatë periudhës afatmesme 3-vjeçare, në përputhje me parametrat e përcaktuar në marrëveshjen ESAF me FMN synohet të arrihet një rritje ekonomike e prodhimit në nivelet 7 deri 8% në vit, një nivel inflacioni në nivelet e partnerëve kryesorë tregtarë, me përafërsisht 4-6 % në vit, si dhe të ruhen rezervat valutore të mjaftueshme për 3-4 muaj  importe.

Në këtë kontekst politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të jetë e orientuar nga prioriteti i mbajtjes nën kontroll të inflacionit dhe ulja e deficitit buxhetor do të ndihmojë në realizimin e këtij objektivi.

Me uljen e inflacionit dhe me uljen e presionit për financimin e deficitit buxhetor në periudhë afatmesme, do të mund të krijohet hapësirë për t’u ulur interesat bankarë të kreditit, njëkohësisht duke favorizuar rritjen e normave reale të interesit për depozitat.

Lidhur me kufirin e kreditit për bankat e nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë do të operojë që të sigurohet progresi i mjaftueshëm në zhvillimin e instrumenteve të tërthorta të kontrollit, si dhe do të përmirësohet praktika e mbikëqyrjes së bankave. Masa e përgjithshme e kreditit do të jetë në vijueshmëri me kuadrin e përgjithshëm monetar që do të shpërndahet kryesisht në banka private, për të inkurajuar funksionimin e tyre. Banka e Shqipërisë, gjithashtu, do të jetë fleksibël në caktimin e kufirit të kreditit për bankat e veçanta, duke inkurajuar, gjithashtu, edhe veprimet nëpërmjet bankave në kufijtë e kreditit. Një politikë aktive do të ndiqet në drejtim të stimulimit të mëtejshëm të bankave të  nivelit të dytë.

Ristrukturimi i tregut interbankar dhe sidomos  shdërrimi i tregut financiar në një treg real, që të kontribuojë në ecjen përpara të ekonomisë dhe procesit të privatizimit, politikat ekonomike do të përpiqen të inkurajojnë rigjallërimin e eksportit, të turizmit dhe të investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Në mbështetje të këtij synimi, do të vazhdohet të zbatohet regjimi fleksibël i kursit të këmbimit me ndërhyrje të kufizuara, vetëm për të zbutur ndonjë luhajtje të konsiderueshme.

Në tregtinë e jashtme do të vazhdohet progresi drejt një sistemi të hapur multilateral pa kufizime sasiore importi dhe me synimin e uljes së nivelit mesatar të tarifave doganore nëpërmjet kombinimit të reduktimit të nivelit maksimal të tarifës, që aktualisht është 30% me numrin e shkallëve që aplikohen, gjë që do të lehtësojë integrimin Shqipërisë në Organizatën Botërore  të Tregtisë, sipas angazhimeve standarde ndërkombëtare.

Objektivat fiskalë janë programuar në mbështetje të objektivave të përgjithshëm makroekonomikë, duke përcaktuar si objektiv parësor thellimin e uljes së deficitit të financuar nga burimet e brendshme. Nga rreth 11% të arritur gjatë vitit 1997 dhe rreth 6,6% të prodhimit të përgjithshëm bruto të parashikuar për 1998, synohet një ulje graduale e mëtejshme e tij deri në 3,2 % në vitin 2001.

Objektivi afatmesëm i Qeverisë do të jetë ruajtja e një niveli të qëndrueshëm të të ardhurave kundrejt prodhimit të brendshëm bruto. Ky objektiv ambicioz do të kërkojë përmirësime të mëtejshme në gjenerimin e të ardhurave. Ndërkohë që përpjekjet për përmirësimin e administrimit të tatimeve dhe të taksave do të vazhdojnë, vëmendja do të përqendrohet jo në rritjen e normave ekzistuese, por kryesisht në eliminimin në maksimum të përjashtimeve, si dhe në përjashtimin e bazës së taksave.

Rishikimi i normës së akcizës, si dhe i procedurave përkatëse për tërheqjen e tyre, i dhanë efektet e tyre që në muajt e parë të vënies në zbatim. Akoma më tepër efekte pozitive në të ardhurat priten gjatë vitit 1999 e në vazhdim, nga veprimi i kombinuar i këtyre ndryshimeve me rishikimin e tarifave doganore.

Drejtimi kryesor ku synohen të arrihen përmirësime më të mëdha janë taksat direkte. Gjatë vitit 1998 po punohet me asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikimin e sistemit të taksave direkte, me synimin që efekti i reformës përkatëse të përfshihet në buxhetin e 1999-s. Aktualisht të ardhurat nga taksat direkte me fitimin, biznesin e vogël, të ardhurat personale dhe pasurinë janë vetëm rreth 1% e prodhimit të brendshëm bruto, në një nivel shumë më të ulët nga standardet ndërkombëtare.

Duke aspiruar të anëtarësohet në organizmat ndërkombëtarë të tregtisë së lirë, gjatë periudhës së programit afatmesëm, Qeveria do të synojë një ulje të niveleve të taksave doganore. Procedura  përkatëse aktualisht ka nisur, me përfundimin e nomenklaturës së re 3-shifrore të mallrave. Në këtë kuadër, jemi të ndërgjegjshëm se procesi i përmirësimeve në administrimin doganor do të vazhdojë për të kompensuar përkatësisht  ndonjë ulje të mundshme të të ardhurave doganore.

Drejtim kryesor në aspektin e shpenzimeve të buxhetit, për periudhën afatmesme, deri më 2001, do të jetë zbatimi më i mirë i politikave buxhetore sektoriale, përmirësimi  në planifikimin e shpenzimeve buxhetore dhe sidomos në menaxhimin e tyre. Kësaj politike i shërben ligji i ri organik i buxhetit dhe nxjerrja e akteve nënligjore që lidhen me të, fillimi i praktikës së re për hartimin e projektbuxhetit, për 2 vjetët pasardhës, rritja e autonomisë dhe fleksibiliteti i buxhetit lokal, si pjesë e politikës decentralizuese në fushën e financave publike.

Në vazhdimin e këtyre masave të ndërmarra gjatë vitit 1998, por me efekte edhe për vitet në vazhdim, gjatë periudhës afatmesme do të synohet në përsosjen e skemave që sjellin efekte pozitive në fushat sociale-ekonomike të vendit, si skema e sigurimeve shoqërore e shëndetësore etj., rishikimi i politikave të subvencionimit dhe rregullimet ligjore përkatëse, stimulimi  i të ardhurave jotatimore për disa sektorë me peshë në buxhet, duke përsosur përkatësisht bazën ligjore e nënligjore, në hartimin e procedurave të reja për menaxhimin e fondeve të Qeverisë, veçanërisht për fondet në  kesh, në rikodifikimin e klasifikimit buxhetor, për të rritur eficencën e kontrollit të shpenzimeve, në rritjen e shkallës së kompjuterizimit dhe të informatizimit të sistemit të thesarit, në hartimin dhe zbatimin e planit kontabël të shtetit, në ristrukturimin e strukturës së buxhetit dhe thesarit, sidomos në qendër, duke reflektuar përkatësisht edhe në përmirësimin e degëve në rrethe.

Një rëndësi të veçantë Qeveria do t’i kushtojë përmirësimit të raporteve midis buxhetit kombëtar dhe atij lokal, të rretheve, bashkive dhe komunave, në mënyrë që të zgjerohet më tej vetëqeverisja dhe autonomia e atyre organeve me burimet financiare që u duhen lënë në përkatësi, duke mbajtur vetë përgjegjësinë e arkëtimit dhe të financimit të shpenzimeve në zotërim të tyre.

Kështu do të arrihet që organet e pushtetit lokal të mos e ndiejnë veten si deri tani të diskriminuara nga pushteti qendror për mungesë fondesh. Synimet dhe objektivat afatmesëm në fushën e borxhit, do të jenë zgjidhja e problemit të borxhit të jashtëm të trashëguar, kufizimi i marrjes së kredive të reja vetëm me kushte lehtësuese, përmirësimi i monitorimit dhe i administrimit të borxhit të jashtëm e të brendshëm.

Zgjidhja e problemeve të borxhit të jashtëm konsiston në riskedulimin e tij deri në fund të vitit 1999, mbi bazën e një programi të posaçëm pune, që ka filluar të zbatohet që nga fillimet e 1998-s. Aktualisht është krijuar komiteti qeveritar i bisedimeve për borxhin e jashtëm, i cili aktualisht funksionon me struktura të plota dhe mbi bazën e rregullores dhe të udhëzimeve përkatëse.

Në këtë kuadër është nënshkruar edhe marrëveshja midis Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, e cila do të ndihmojë, ndër të tjera, në evidentimin dhe inventarizimin e saktë të tij. Në kuadrin ligjor është miratuar ligji për ngrirjen e borxheve të vjetra dhe  marrjen përsipër të tyre nga shteti shqiptar dhe pritet të kalojë në Parlament brenda muajit tetor të këtij viti strategjia për zgjidhjen e borxhit të jashtëm. Ndërkohë janë marrë disa veprime në përputhje me programin, si kontaktet me të gjitha vendet kreditore dhe me institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Klubi i Parisit.

Deri në muajin dhjetor 1998 do të mbarojë procesi i rakordimit të shifrave sipas pretendimeve të palëve, në aspektin e kredimarrjes së re, sikurse është marrë angazhimi edhe në marrëveshjen e Saft për periudhën afatmesme që do të kufizohet vetëm me kredi koncensionale. Ndërkohë do të synohet të rishikohen kreditë e mëparshme të papërdorura, që nuk janë me terma koncesionale Berzh, duke siguruar zëvendësimin e tyre me kredi të re koncesionale në bashkëpunim me donatorët.

Për të administruar borxhin e jashtëm, do të vendosen baza të reja të monitorimit të tij, duke e bërë më eficent edhe administrimin. Për këtë po punohet me asistencë të huaj.Do të përmirësohet kuadri ligjor për procedurat e financimeve të huaja, duke synuar përshpejtimin e procedurave për bërjen efektive të marrëveshjeve të kredisë.

Qeveria e konsideron borxhin e brendshëm një problem shumë serioz nga një rritje galopante e stokut të borxhit të brendshëm  prej mbi 50% në 1996-n dhe 44% në 1997, pas uljes së konsiderueshme të rritjes së stokut gjatë 1998-s rreth 25%. Për periudhën afatmesme parashikohet ulja afatmesme e ritmit të rritjes. Në vitin 2001 llogaritet që rritja e stokut të brendshëm të jetë jo më shumë se 10% më i lartë se stoku i vitit 2000.

Synimi afatmesëm në lidhje me borxhin e brendshëm do të jetë ulja e ritmeve të rritjes së stokut të borxhit të brendshëm nëpërmjet uljes së vazhdueshme të deficitit të financuar nga burime të brendshme. Qeveria merr përsipër që të evidentojë me transparencë edhe mbi ç’bazë është kryer financimi i deficitit buxhetor me kredi bankare, si dhe mënyrën e krijimit të borxhit të brendshëm në periudhën 1992-1995.

Kjo situatë e borxhit të brendshëm do të reflektojë politikën e uljes së vazhdueshme të huamarrjes së re, nëpërmjet uljes së konsiderueshme të deficitit buxhetor të financuar me bono thesari. Rol pozitiv do të luajë edhe tendenca e uljes përkatësisht të normave të interesit.

Gjatë periudhës së programit afatmesëm parashikohet të futen edhe instrumente të reja në tregun e letrave me vlerë, si dhe do të zgjerohet pjesëmarrja në këto tregje edhe e jorezidentëve. Gjithashtu, do të bëhen përmirësime në administrimin e borxhit të brendshëm, nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor, krijimit të komitetit ndërdikasterial për borxhin e brendshëm, si dhe nëpërmjet krijimit të një baze të konsoliduar të dhënash.

Çrrënjosja e skemave piramidale. Likuidimi dhe shpërbërja e shoqërive huamarrëse, si dhe rikompensimi për kthimin e vlerave financiare kreditorëve do të vazhdojnë të jenë një nga angazhimet prioritare të Qeverisë. Objektivat tanë në këtë fushë qëndrojnë në respektimin e plotë të marrëveshjes së nënshkruar  me organizmat ndërkombëtarë dhe donatorët e huaj, veçanërisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, për mbylljen e plotë dhe shpërbërjen e skemave piramidale dhe mashtruese brenda afateve tashmë të njohura dhe të limituara, në kryerjen e një procesi transparence të plotë, të thellë e gjithpërfshirës, me qëllim që njerëzit të bëhen të vetëdijshëm për atë çka ndodhi gjatë viteve 1992-1996 në skemat piramidale dhe në evidentimin e episodeve spekulative dhe mashtruese të kryera prej tyre, në kompletimin me akte të tjera ligjore dhe nënligjore, të nevojshme dhe të domosdoshme për thellimin e kryerjes sa më të plotë të procesit të transparencës dhe realizimin e shpërbërjes së tyre, me synim maksimalizimin e kthimit të vlerave të kreditorëve, vazhdimin e procesit të shitjes së pasurive huamarrëse nga ana e shoqërive të huaja, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë projekt për rreth 10 muaj, për grumbullimin e vlerave financiare për rishpërndarje ose për blerjen e aseteve të veçanta nga ana e kreditorëve, kur ata e gjykojnë të nevojshme, sipas kuadrit ligjor të miratuar, me qëllim aktivizimin dhe vënien në eficencë të bizneseve të mundshme që u shërbejnë interesave të tyre.

Përgatitja e procesit të kthimit ose kompensimit të vlerave të mundshme financiare kreditorëve, sipas koeficientit llogaritës të kthimit të shumave. Ky proces do të zhvillohet hap pas hapi dhe për çdo firmë, në marrjen e masave të plota legale për parandalimin e fenomeneve të tilla spekulative dhe mashtruese, që bizneset në Shqipëri të zhvillohen në mënyrë të ndershme, pa skema piramidale ose pastrim parash. Qeveria do të kërkojë që organet e drejtësisë të vënë përpara përgjegjësive ligjore të gjithë spekulantët dhe mashtruesit që krijuan, nxitën dhe përvetësuan vlerat financiare të kreditorëve.

Bashkëpunimi ekonomik dhe programi i investimeve publike. Bazën e financimit të investimeve publike do të vazhdojë ta përbëjë ndihma e huaj. Qeveria do të jetë një partner serioz dhe i përkushtuar, për të realizuar marrëveshjet e deritanishme, për të lidhur marrëveshje të reja e për të garantuar zbatimin e programit të investimeve publike.

Në kuadrin e bashkëpunimit shumëpalësh, Bashkimi Europian luan një rol të rëndësishëm për të mbështetur reformën ekonomike dhe për zhvillimin e ekonomik të vendit. Qeveria do të vazhdojë forcimin e lidhjeve me institucionet financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, Banka Islamike e Zhvillimit etj., që kanë angazhuar dhe pritet që të angazhojnë në të ardhmen burime financiare të rëndësishme në dobi të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në kuadrin e bashkëpunimit bilateral. Për këtë Qeveria vlerëson dhe mbështet bashkëpunimin e suksesshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Gjermaninë, Greqinë dhe shtete të tjera, veçanërisht ndihmën financiare që ato kanë dhënë në kuadrin e marrëveshjeve ekonomike dypalëshe.

Qeveria e re vlerëson punën  e bërë për nxitjen e komunitetit të donatorëve, për të mbështetur me fonde reformat e zhvillimit ekonomik në Shqipëri dhe, në këtë kuadër, vlerëson paraqitjen në Konferencën e Brukselit të 22 tetorit 1997, ku u sigurua një angazhim i mëtejshëm financiar prej mbi 600 milionë dollarësh.

Me gjithë burimet e shtrënguara financiare, programi i investimeve publike, si faktor i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë për vitin 1998, zinte 14 % të xhi-di-pi-së. Këto investime u programuan kryesisht në sektorët shumë të prapambetur të infrastrukturës së trashëguar, veçanërisht në rrugë, por angazhimet e rëndësishme financiare, veçanërisht ato të huaja, nuk u justifikuan siç pritej me ritmet e thithjes së tyre, prandaj Qeveria do të punojë për të përmirësuar zbatimin e projekteve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Prioritet, në këtë kuadër, do t’i jepet zgjidhjes së problemeve që kanë ngadalësuar realizimin e investimeve, në projektet ekzistuese kryesore, si në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm ose energji elektrike, të rrugëve etj., nëpërmjet angazhimit direkt për zgjidhjen në kohë të problemeve të shpronësimeve, si dhe të forcimit institucional të strukturave  që realizojnë projektet e investimeve.

Gjithashtu, për të rritur shkallën e absorbimit të fondeve dhe efektivitetin e ndihmës së huaj, si dhe për t’i prerë rrugën korrupsionit, krahas rregullimeve në legjislacion, Qeveria parashikon krijimin e organizmave të veçantë, me kompetenca të realizuara me realizimin e projekteve të investimeve publike dhe një transparencë më të plotë, duke siguruar një bashkëpunim më të mirë me deputetët e zonës ku zbatohet projekti dhe me publikun e gjerë që përfiton nga ky projekt.

Qeveria do të marrë masa që çojnë në ndryshimin e qëndrimit të administratës shtetërore ndaj projekteve të ndihmës dhe në përfshirjen e plotë të saj në të gjitha fazat e ciklit të projektit. Kjo do të realizohet duke përfshirë  projektet e  ndihmës së huaj, në mënyrë organike në Buxhetin vjetor të Shtetit, duke hartuar një paketë rregullimesh institucionale dhe procedurale në lidhje me ciklin e menaxhimit të projekteve, si dhe duke marrë vendime të shpejta për forcimin e strukturave të menaxhimit dhe të zbatimit.

Qeveria synon, gjithashtu, që për një periudhë afatmesme të vendosë procedurat e saj për monitorimin dhe vlerësimin e projekteve dhe, mbi këtë bazë, të ngrejë një sistem nacional të unifikuar monitorimi e vlerësimi.

Krahas këtyre përmirësimeve, Qeveria do të intensifikojë punën për të siguruar burime të tjera financimi për programin e investimeve publike, duke mbajtur parasysh të kërkojë e të përdorë financime me terma të butë ose grand, do të mbajë raporte optimale të financimeve të huaja me kostot lokale, si dhe do të përqendrojë financimet në sektorët prioritarë dhe në projekte me efektivitet të lartë ekonomik.

Nxitja e investimeve dhe biznesi. Qeveria do të punojë për programin e hapave të duhur për hartimin dhe harmonizimin e politikave ekonomike tregtare dhe legjislacionin përkatës të nevojshëm, për integrimin në organizmat ndërkombëtarë për tregtinë.

Në këtë kuadër, në periudhën afatshkurtër do të vazhdojë me intensitet puna e nisur për të përgatitur negociatat dy e shumëpalëshe, në kuadrin e  integrimit të Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, ndërsa  në periudhën afatmesme do të synohet forcimi hap pas hapi i detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet përkatëse të integrimit.

Mbështetja për zhvillimin e sektorit të biznesit të vogël e të mesëm do  të  vazhdojë të jetë orientim konstant i Qeverisë, jo vetëm sepse ai konsiderohet si zhvillim i iniciativës së lirë në një masë të madhe shqiptarësh, por sepse ai krijon vetëpunësim dhe ka efekte sociale më të shpejta e më mëdha. Në këtë kuadër, Qeveria do të vazhdojë punën e deritanishme jo vetëm për mobilizimin e burimeve të nevojshme financiare, por edhe për forcimin e sektorit mbështetës financiar e bankar edhe për përmirësimin e legjislacionit të duhur mbështetës e garantues dhe zbatimin e tij.

Qeveria do të punojë edhe për përmirësimin e mjedisit ekzistues dhe krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për zhvillimin e sektorit privat, kryesisht atë të SMT-ve, për marrjen e masave për nxitjen e konkurrencës ekonomike, si dhe për krijimin, stimulimin e mbrojtjen e tregjeve dhe të konsumatorëve.

Nxitja  investimeve të huaja direkte do të përbëjë një nga drejtimet e punës së Qeverisë. Në këtë kuadër, do të punohet për forcimin e institucioneve dhe strukturave të reja të kriijuara rishtas, si: Agjencia e Zhvillimit Ekonomik, si dhe të strukturave ekzistuese që merren me nxitjen e zhvillimit ekonomik e promovimin e privatizimit, si dhe ato të angazhuara për organizimin e promovimin e shkëmbimeve ekomomike e tregtare me botën, siç janë bashkimi i dhomave të tregtisë dhe qendra për organizimin e panaireve.

Politika strukturore dhe sektoriale. Sektori bankar. Ristrukturimi i bankave shtetërore të nivelit të dytë, si dhe stimulimi i sektorit bankar privat konsiderohen si element esencial i programit afatmesëm të Qeverisë.

Synimi është krijimi i një sistemi bankar të bazuar në një sistem bankar privat, të rregulluar dhe që funksionon mirë. Në këtë drejtim janë programuar dhe po merren masa për të privatizuar bankat shtetërore, ndërkohë që kreditimi nga ana e tyre është mjaft i kufizuar dhe menaxhimi i tyre është vënë nën kontrollin e mbikëqyrësve dhe të  këshilltarëve  kompetentë.

Ndërkohë janë ndërmarrë një sërë veprimesh specifike, si thithja  e Bankës Tregtare Agrare dhe transferimi i aseteve dhe i detyrimeve të saj pjesërisht në Bankën e Kursimeve dhe pjesërisht në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, të ngritur posaçërisht kohët e fundit.

Shefi ekzekutiv për Bankën Kombëtare Tregtare, i angazhuar fillimisht me ushtrimin e kontrollit ndaj Bankës Tregtare Kombëtare dhe të minimizimit të humbjeve, aktualisht është angazhuar me zbatimin e programit të punës për ristrukturimin dhe privatizimin e bankës, program për të cilin është rënë dakord me Bankën Botërore. Nënshkrimi i kontratës së menaxhimit të Bankës së Kursimeve me anëtarët e këshillit drejtues të saj, si dhe konsulenca e një banke të huaj kanë ndikuar në përmirësimin e rezultateve të kësaj banke, e cila parashikohet të privatizohet deri në fund të vitit 1999.

Po në këtë kuadër të reformës në sektorin bankar janë edhe përmirësimet në kuadrin ligjor përkatës, duke filluar me ligjin “Për sistemin bankar”, i miratuar kohët e fundit në Parlament, përgatitjen e ligjit “Mbi kolateralin”, si dhe një sërë masash për përmirësimin e sistemit të pagesave nga bankat e nivelit të dytë. Gjithashtu, po punohet për përmirësimin e detyrimit për zbatimin në kuadrin ligjor ekzistues.

Forcimi i funksionit mbikëqyrës kundrejt institucioneve financiare bankare dhe jobankare është një nga impenjimet aktuale dhe afatmesme të Ministrisë së Financave. Mbikëqyrja e realizimit të programit të ristrukturimit dhe të bankave shtetërore të nivelit të dytë, si dhe krijimi i një mjedisi të mjaftueshëm ligjor dhe organizativ për funksionimin e rregullt dhe normal të institucioneve të ndryshme financiare jobankare, si shoqëritë e sigurimit, fondet e investimeve etj., janë elemente të rëndësishme për realizimin e objektivave afatmesëm dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Në këtë kontekst, do të rishikohet kuadri ligjor ekzistues, përfshirë edhe rregullimin e procedurave të licensimit të kompanive të reja private, krahas ristrukturimit dhe privatizimit të atyre ekzistuese.

Për Institutin e Sigurimeve INSIG, që aktualisht ka pothuajse një pozitë monopol, po përpunohet një program pune për transformimin e tij në shoqëri anonime dhe për ristrukturimin e tij deri aty nga fundi i vitit 1998. Për vitin 1999 parashikohet të avancohet, pse jo, deri në privatizimin e tij.

Privatizimi i ekonomisë publike. Duke e quajtur rivitalizimin e ekonomisë një nga objektivat e saj prioritarë, Qeveria është angazhuar që të thellojë proceset dhe reformat në kuadrin ligjor dhe në planin strukturor, duke synuar që t’i japë një dimension të ri ekonomisë shqiptare në tërësi, duke reduktuar gjithnjë e më tepër rolin e shtetit në ekonomi. Ekonomia e deformuar shqiptare dhe problemet komplekse të trashëguara nga ndërhyrjet e kryera në të, gjatë këtyre viteve kanë qenë sfidat me të cilat maxhoranca e sotme është përballur gjatë kësaj periudhe 1-vjeçare e gjysmë. Deri tani është ndërhyrë fuqimisht për të krijuar dhe përmirësuar një bazë ligjore inekzistente dhe jofunksionale.

Gjatë kësaj periudhe janë përgatitur dhe miratuar një numër i madh ligjesh dhe aktesh nënligjore, të cilat i shërbejnë objektivit që kemi marrë përsipër të arrijmë, privatizimin e ekonomisë publike, tërheqjen e kapitaleve të huaja, rregullimin dhe nxitjen e konkurrencës së sektorit publik. Vëmendja e Qeverisë do të përqendrohet në privatizimin e ndërmarrjeve tërësisht me kapital shtetëror dhe të atyre ku shteti është aksioner, në sektorët jostrategjikë, ristrukturimin dhe modernizimin e ndërmarrjeve në sektorët strategjikë, deri në privatizimin e këtyre të fundit, qoftë nëpërmjet shitjes së aksioneve, koncesioneve ose formave të ndryshme të partneritetit, gjithnjë me synimin e arritjes së një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, duke forcuar dhe konsoliduar tiparet e ekonomisë së lirë të tregut.

Në lidhje me privatizimin e ndërmarrjeve në sektorët jostrategjikë, Qeveria do të synojë realizimin transparent të privatizimit të rreth 400 objekteve, në përputhje edhe me angazhimet e marra në marrëveshje me donatorët dhe me objektivat financiarë të realizimit të të ardhurave për Buxhetin e Shtetit.

Në përputhje me strategjinë e privatizimit të sektorëve strategjikë, të miratuar nga Parlamenti dhe të reflektuar edhe në marëveshjen 3-vjeçare me FMN-në, Qeveria do të fokusohet në sektorin e energjetikës, ajo do të vazhdojë të synojë në sigurimin e furnizimit me energji të konsummatorëve, duke synuar rritjen e aftësive menaxhuese të kapaciteteve ekzistuese, si dhe realizimin e një sërë investimesh të nevojshme për rehabilitim fizik të strukturave prodhuese, transmetuese dhe shpërndarëse të sistemit të energjisë elektrike.

Vëmendje do t’i kushtohet zbatimit të projekteve të rehabilitimit të hidrocentraleve mbi lumin Drin dhe rehabilitimin e rrjetit të transmetim shpërndarjes, si dhe realizimin e ndërtimit të Hidrocentralit të Bushatit. Një paketë e veçantë masash ka filluar të zbatohet për të garantuar më mirë furnizimin me energji elektrike të Tiranës dhe të disa qyteteve të tjera për periudhën që po troket. Në fokusin e Qeverisë, një vend të veçantë do të zërë edhe përmirësimi tërësor i menaxhimit financiar të KESH-it, sidomos për sa i përket zvogëlimit të humbjeve joteknike dhe pagesës së energjisë së konsumuar, në përputhje edhe me angazhimet ndërkombëtare të Qeverisë.

Në sektorin e hidrokarbureve Qeveria, si objektiva të saj, do të ketë rehabilitimin e prodhimit nëpërmjet aktivizimit të vendburimeve ekzistuese, krijimin e mundësive të reja për kërkime në zona të reja dhe modernizimin  e sektorëve, në përpunimin e marketingut, në përputhje me strategjinë e privatizimit.

Hapat kryesorë do të jenë vazhdimi i marrëveshjeve ekzistuese të Albpetrolit, dhe tërheqja e investitorëve të tjerë në zona të lira, ristrukturimi i Albpetrolit, bazuar në një riorganizimin e shoqërisë, mbi bazën e ndarjes operacionale, me synim për të përmirësuar ndjeshëm rezultatin ekonomik të shoqërisë, përmes një menaxhimi bashkëkohor, duke i dhënë një dimension tjetër produkteve vendase në tregun e hidrokarbureve dhe, së fundi, fillimin e vetëprivatizimit të Albpetrolit.

Në sektorin e telekomunikacioneve Qeveria do të vazhdojë të ketë si objektiv të sajin sigurimin e një game sa më të gjerë shërbimesh, duke i sjellë ato në parametra kualitativë ndërkombëtarë. Politika e Qeverisë në lidhje me Telekomin dhe AMC-në do të fokusohet në kryerjen e investimeve për përmirësimin e  rrjetit, rritjen e shkallës së penetrimit dhe të shfrytëzimit të të gjitha mundësive financiare, qofshin të brendshme ose të huaja, për t’i bërë këto dy shoqëri sa më aktrative, deri në privatizimin e tyre. Po të njëjtën vëmendje do t’i kushtojë Qeveria edhe shërbimit postar, me synimin e rritjes së cilësisë dhe gamës së këtij shërbimi.

Në sektorin e minierave Qeveria do të kryejë ristrukturimin bashkëkohor të skemës administrative të industrive të bakrit, të kromit etj., duke synuar që burimet natyrore shqiptare të shfrytëzohen në mënyrën më fitimprurëse. Do të përdoren forma të ndryshme të tërheqjes së kapitaleve të huaja, në mes të të cilave edhe koncesioni me objektivin e rigjallërimit dhe të rritjes së efektivitetit të këtyre industrive të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit në tërësi, si dhe fillimi i privatizimit të disa minierave.

Në këtë kontekst është edhe ristrukturimi i shërbimit gjeologjik shqiptar. Gjithashtu, Qeveria, në lidhje me zhvillimin perspektiv industrial të vendit, do të ndjekë me përparësi edhe ngritjen e dy parqeve industriale në Tiranë dhe në Durrës, ku parashikohen të investohen rreth 40 milionë dollarë investime, duke hapur rreth 3000 vende pune. Qeveria e gjykon të rëndësishme  ndjekjen e kësaj politike, pasi kjo do të shërbente si një impuls i fuqishëm për thithjen e investimeve të huaja, duke lejuar, në të njëjtën kohë, një shfrytëzim më efektiv dhe racional të burimeve njerëzore dhe natyrore të vendit.

Qeveria e konsideron një prioritet politik të sajin përmirësimin dhe rehabilitimin e rrjeteve të transportit dhe të komunikacionit, jo vetëm duke e parë atë si një prerogativ të zhvillimit të ekonomisë së tregut, por edhe të integrimit të Shqipërisë në strukturat europiane dhe ndërkombëtare, duke e sjellë vendin tonë pranë standardeve të familjes së madhe  europiane.

Strategjitë dhe hapat konkretë të Qeverisë në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në një fazë imediate, do të fokusohen në sektorin e rrugëve, për finalizimin, kryerjen dhe inicimin e investimeve dhe punimeve në të gjithë kompleksitetin e tyre, që nga shpronësimi e deri te kryerja e investimit, që përfshin rreth 820 km rrugë nacionale dhe rurale; fillimin e punimeve në projektet kryesore të financuara nga donatorët e huaj, sidomos në aksin rrugor Lindje – Perëndim, që është pjesë integrale e infrastrukturës madhore të Korridorit të 8-të, së bashku me ndërtimin e pikave të kalimit të kufirit; zbatimin e skemës së rregullimit të trafikut dhe rehabilitimin e transportit urban në qytetin e Tiranës.

Në lidhje me ujësjellësit dhe kanalizimet, si objektiv primar është përfundimi dhe vënia në shfrytëzim e të gjitha investimeve të filluara, që mbulojnë të gjithë territorin e vendit, krijimi dhe plotësimi i kuadrit ligjor, që krijon mundësitë e bashkëpunimit të frytshëm midis Qeverisë dhe pushtetit lokal, për të realizuar dhe angazhuar burime financiare që ofrojnë mundësi për trajtimin  imediat e perspektiv për problemin e strehimit, si dhe për të hartuar buzhetin e vitit 1999, brenda të cilit do të parashikohen një seri ndërhyrjesh në fushën e transportit dhe të punëve publike.

Duke e quajtur një prioritet të sajin zhvillimin e sektorit të transportit dhe të punëve publike, Qeveria, në një optikë afatmesme, do të synojë menaxhimin optimal të territorit për qëllime urbane dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme të punëve publike, në ndihmë të zhvillimit të ekonomisë dhe të lëvizjes së lirë të popullatës, harmonizimin, shfrytëzimin racional dhe modernizimin e të gjitha llojeve të transportit, për të krijuar një  infrastrukturë transporti efiçente në shërbim të perspektivave të zhvillimit ekonomik e social të vendit, për të siguruar rregulla të përshtatshme të veprimtarive të transportit, në interes të sigurisë dhe të ruajtjes së mjedisit.

Menaxhimin, rehabilitimin dhe zhvillimin e infrastrukturës ekzistuese, nëpërmjet miradministrimit të rrjetit rrugor, rritjes së cilësisë së shërbimeve të lëvizjes së udhëtarëve, nxitjes së transportit të kombinuar të mallrave, rritjes graduale të vëlllimit të cilësisë së transportit hekurudhor; rehabilitimin e porteve, rritjen e kapaciteteve dhe të aftësive përpunuese të tyre për t’iu përgjigjur kërkesave të tranzitit të Korridorit të 8-të; krijimin dhe modernizimin e shërbimit ajror; sigurimin e një shërbimi publik cilësor dhe ekologjik, duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme trajtimin e mbetjeve, duke shtuar sipërfaqet e gjelbërta dhe një zhvillim të qëndrueshëm dhe të planifikuar urban.

Thellimin e reformës institucionale përmes pasurimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor të të gjithë sektorit të transportit, punëve publike, privatizimin e një serie shërbimesh transporti, si dhe krijimin e një kuadri ligjor e rregullues, që do të nxitë realisht zhvillimin e operacioneve të transportit dhe do të stimulojë nivele të reja konkurruese, shoqëruar me një politikë nxitëse çmimesh dhe taksash, duke i hapur përfundimisht rrugën iniciative private në këta sektorë të rëndësishëm.

Sensibilizimin e donatorëve dhe angazhimin maksimal të burimeve financiare të brendshme dhe të huaja, si dhe bashkërendimin e ndërhyrjeve në infrastrukturën e transportit me Italinë e Maqedoninë dhe institucionet financiare, në kuadrin e realizimit të veprës madhore të Korridorit të 8-të, duke realizuar një pjesëmarrje aktive në të gjitha iniciativat rajonale për këtë qëllim.

Zhvillimi i bujqësisë. Edhe pse bujqësia ka treguar shenja pozitive të rritjes së prodhimit gjatë këtij viti, Qeveria, e ndërgjegjshme për rëndësinë vitale që ka zhvilllimi i këtij sektori për ekonominë shqiptare, mbetet e angazhuar të mbështesë një zhvillim të qëndrueshëm të tij përmes investimeve në strukturën rurale, ashtu edhe duke krijuar hapësirat e nevojshme ligjore për konsolidimin e pronës mbi tokën, ruajtjen dhe përdorimin racional të saj.

Bujqësia do të zhvillohet mbi bazën e koncepteve  më të qarta strategjike, ku përfshihen: krijimi i kushteve për nxitjen e tregut të tokës, duke përfunduar proceset e regjistrimit të tokës, konsolidimit të ndarjes së saj, përmirësimet në kuadrin ligjor që trajton kalimin e pronësisë së tokës ose dhënien me qira të saj dhe menaxhimin më të mirë të tokës së pandarë, që do t’i japin, gjithsesi, një dimension bashkëkohor zhvillimit të bujqësisë.

 Gjithashtu, do t’i jepet rëndësi investimeve për rehabilitimin dhe rritjen e kapaciteteve ujitëse e kulluese në të gjithë territorin e vendit, duke synuar rritjen e ndjeshme të prodhimit bujqësor, nxitjen dhe mbështetjen e krijimit të fermave bujqësore e blegtorale, zhvillimin e tyre kualitativ dhe krijimin e sistemeve të qëndrueshme të prodhimit dhe tregtimit të produkteve të këtyre fermave, pakësimin e importeve ushqimore dhe rritjen e eksporteve bujqësore.

Nxitja e investimeve të reja në sektorin e agroindustrisë, së bashku me plotësimin e kuadrit ligjor, me synimin e krijimit të një mjedisi sa më të përshtatshëm zhvillimi për agroindustrinë, shoqëruar edhe nga një proces transparent privatizimi të industrisë ekzistuese.

Rritja e sigurisë ushqimore dhe rikonceptimi i rolit të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, reforma institucionale si dhe ristrukturimi e riorganizimi i drejtorisë së ujërave dhe të atyre të pyjeve dhe të kullotave në rrethe, me synim menaxhimin më të mirë të  këtyre burimeve, si dhe ristrukturimi i shërbimit këshillimor kombëtar bujqësor, ruajtja e integritetit të pyjeve dhe të kullotave, transferimi i rreth 40 % të sipërfaqes pyjore dhe 60 % të sipërfaqes së kullotave në përdorim të komunave, kujdesi për mjedisin natyror, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit detar dhe ai i ujërave të brendshme.

Absorbimi në kohë dhe me efektivitet i të gjitha fondeve të angazhuara në projekte nga donatorë të huaj, projekte të cilat prekin pothuajse të gjitha aspektet dhe fushat e zhvillimit të sektorit bujqësor, që nga investimet e drejtpërdrejta, hartimin e ligjeve dhe të akteve nënligjore të reja, ose edhe përpilimin e strategjive në fusha të caktuara në një periudhë 3-vjeçare. Do të synojmë thithjen e mbi 100 milionë dollarëve në projekte të ndryshme, ndërkohë që rreth 30 milionë dollarë të angazhuar më 1998 kanë hyrë tashmë në rrugën e zbatimit të tyre.

Turizmi. Qeveria ka bindjen se turizmi është ndër potencialet më të mëdha të ekonomisë shqiptare. Qeveria që kryesoj synon që turizmi në Shqipëri të zhvillohet jo vetëm në mënyrë fitimprurëse, por edhe afatgjatë dhe në harmoni me ekologjinë dhe ambientin, traditën kulturore dhe historike. Në këtë fushë objektivat tanë kryesorë do të jenë: përmirësimi i strategjisë së turizmit, plotësimi i përmirësimit të kuadrit ligjor, vazhdimi i privatizimit në fushën e turizmit, si dhe krijimi i klimës së nevojshme për tërheqjen e investitorëve të huaj, kryerja e studimeve racionale dhe sigurimi i investimeve në infrastrukturë për zona të veçanta, si dhe harmonizimi i tyre me projekte madhore që përfshihen në programin e investimeve publike.

Në përputhje me situatën në vend, punësimi dhe mbrojtja sociale, në programin e Qeverisë do të zbatohet në 2 faza kryesore, faza emergjente dhe ajo afatmesme. Faza emergjente do të shtrihet, të paktën, deri në mesin e vitit 1999, elementi kryesor i së cilës është programi i punëve publike, rrjedhojë e  drejtpërdrejtë e këtij programi është rritja e nivelit të të ardhurave të familjeve në nevojë. Me qëllim vijimin e këtij programi, Qeveria do të mbështesë Shërbimin Kombëtar të Punësimit me 300 milionë lekë. Për pjesën e mbetur të këtij viti, do të parashikojë në prjektbuxhetin e vitit 1999 të paktën 1,5 miliardë lekë.

Objektivi është që për periudhën 1998-1999 të rezultojnë rreth 35 dhe 50 mijë veta të angazhuar në punë publike, gjë që do të përbëjë një kontribut të mjaftueshëm për uljen e tensioneve sociale dhe ngjalljen e shpresës e të besimit në shtetin dhe institucionet e tij.

Në periudhën afatmesme, synimi kryesor do të jetë përmirësimi sasior dhe cilësor i nivelit të ndihmës dhe shërbimeve sociale ndaj grupeve dhe personave në nevojë. Në lidhje me punësimin, do të  synohet nxitja dhe krijimi i vendeve të reja të punës, nëpërmjet bashkëpunimit dhe mbështetjes së bizneseve vendase dhe të huaja, për të krijuar dhe zgjeruar punësimin nëpërmjet zbatimit të këtyre programeve. Kështu, pritet të sigurohet punësim i përkohshëm për 20 000 veta dhe të punësohen definitivisht të paktën 15 000 veta të tjerë në periudhën deri në fund të vitit 1999.

Ndërkohë, në periudhën 2000-2001, ku pritet që investimet të jenë cilësisht më të mëdha, impakti i zbatimit të këtyre programeve të jetë më i ndjeshëm në punësim. Në fushën e pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore Qeveria synon krijimin e një sistemi të ri të të siguruarve, duke indentifikuar problemet e mëposhtme:

 Numri relativisht i vogël i kontribuesve, që e ka bërë kritike shkallën e varësisë që aktualisht është një më një;

Masa relativisht e ulët e përfitimeve, si për pensionin minimal të qytetit dhe sidomos për pensionet e fermerëve;

Niveli i lartë i përqindjes së kontributeve për sigurimet shoqërore, 46,9 % e pagës së caktuar për këtë qëllim;

Çështjet që lidhen me dokumentimet e vjetërsisë në punë, të shkaktuara nga djegia dhe humbja e dokumenteve në periudhën e trazirave të vitit 1997.

Nevoja për të kryer një studim të plotë dhe hartimi i procedurave adekuate për indeksimin në vazhdim të pensioneve.

Objektivat e zhvillimit të sistemeve të sigurimit shoqëror janë: garantimi i përfitimeve në një nivel të mjaftueshëm dhe sigurimi i vazhdimësisë së tyre në rritje. Për këtë, krahas masave të marra aktualisht, këtë vit parashikohet një rritje e pensioneve të pleqërisë në masën 10 %, ndërsa pensionet e invaliditetit dhe ato familjare 15 %.  Nga kjo rritje do të përfitojnë mbi 258 mijë pensionistë që marrin pension shteti, rreth 29 mijë invalidë, mbi 51 mijë pensione familjare dhe mbi 175 persona që marrin pensione si ish-anëtarë të kooperativave bujqësore.

Për vitet në vazhdim, rritja e pensioneve parashikon që të ndjekë masën e inflacionit. Krijimi i një fondi të sigurimeve shoqërore, i cili do të çojë në balancimin e skemës së sigurimeve shoqërore dhe do të arrihet nëpërmjet rritjes së treguesve të punësimit dhe personave të siguruar, zhvillimeve të sistemeve të reja në mbledhjen e kontributeve individuale, monitorizimin edhe mbledhjen e borxheve, shmangien në maksimum të abuzimeve gjatë mbledhjes së kontributeve, përcaktimin dhe dhënien e përfitimeve dhe përmirësimin e ndjeshëm të  raportitkontribues përfitues, përmirësimin e menaxhimit dhe qarkullimin e parave të fondit rezervë.

Zgjerimi i skemës së sigurimit shoqëror. Krahas konsolidimit dhe përmirësimit të skemës së detyrueshme, është programuar edhe zgjerimi i skemës së sigurimit vullnetar suplemetar, sidomos për shtetasit në emigracion dhe ushtarakët, si dhe krijimi i kushteve të nevojshme për funksionimin e instituteve private të pensioneve.

Përmirësimi i shërbimeve të administrimit të sigurimeve shoqërore në nivel rajonal dhe lokal. Për këtë do të vihen në funksionim të plotë regjistri qendror i autorizuar i sigurimeve shoqërore, do të vendoset numri i sigurimit shoqëror dhe i kartës së sigurimeve shoqërore për çdo shtetas.

Zgjerimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kapaciteteve institucionale të sistemeve të sigurimeve shoqërore, rritja e efikasitetit të funksionimit të sistemit kërkon zgjerimin e rrjetit të shërbimeve. Për këtë, krahas zyrës qendrore dhe 12 zyrave rajonale, parashikohen të ngrihen dhe të kompletohen edhe agjencitë lokale për shërbime të përbashkëta punësimi, sigurime shoqërore, shërbime sociale etj.

Shëndetësia. Shkatërrimet e vitit 1997, që dëmtuan rëndë bazën materiale dhe infrastrukturën shëndetësore, duke sjellë me vete edhe demotivimin e  personelit shëndetësor, bëjnë që Qeveria ta konsiderojë këtë sektor si një nga prioritetet më të para të saj. Duke qenë koshiente për përgjegjësitë që ajo ka përballë shtetasve të saj, Qeveria ka parashtruar një platformë veprimesh për të realizuar objektivin e Organizatës  Botërore të Shëndetësisë “Shëndet për të gjithë” në vitin 2000, duke realizuar rinovimin e ligjeve dhe rehabilitimin fizik të të gjithë sistemit shëndetësor, pra duke e sjellë atë pranë standardeve europiane.

Prioritet për Qeverinë do të ngelet fuqizimi i shërbimit shëndetësor parësor, për ta siguruar atë në të gjithë territorin e vendit, në sasi dhe në cilësi, duke shfrytëzuar ritmikisht  dhe  me efikasitet të gjitha burimet financiare në dispozicion, si të brendshme dhe nga donatorët. Si objektiv imediat i Qeverisë është zhvillimi i infrastrukturës dhe rehabilitimi fizik i të gjitha qendrave shëndetësore dhe i spitaleve, sidomos i atyre rajonale.

Paralelisht me këtë objektiv,  Qeveria do të ketë në fokusin e saj edhe formimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore përmes trajnimeve afatshkurtra dhe afatgjata të mjekëve të përgjithshëm të familjes dhe specialiteteve, përcaktimin e qartë të detyrave dhe obligimeve, duke zbutur maksimalisht dukuritë demokratike që kanë krijuar shpërpjesëtime në nivelin e shërbimit shëndetësor  në të gjithë territorin e vendit.

Do të vazhdohet puna e mirë e kryer në fushën e planifikimit familjar, me rëndësi për të tashmen dhe të ardhmen. Nga ana tjetër, në fokusin e Qeverisë do të jetë aplikimi i protokolleve dhe i standardeve të shërbimit si në spitale, ashtu edhe në laboratorët e shëndetit publik. Për të përsosur administrimin, do të realizohet bashkëpunimi ligjor efektiv në nivelet e administratës qendrore dhe lokale, duke zgjeruar decentralizimin e kompetencave.

Vëmendje do t’i kushtohet përsosjes së sistemit farmaceutik, duke fuqizuar kontrollin dhe furnizimin me barna të popullatës, duke synuar nxitjen dhe riaktivizimin e sektorit prodhues, përmirësimin e legjislacionit drejt standardeve europiane. Në sektorin stomatologjik synohet rritja e kontrollit mbi sektorin privat dhe rregullimin e shërbimit të sektorit shtetëror për kategori të përcaktuara.

Pa dyshim, prioriteti ynë do të jetë zgjerimi i kujdesshëm i skemës së sigurimeve shëndetësore, duke mbuluar tërësisht shërbimet që u ofrohen nga mjeku i familjes në të gjithë territorin e vendit, përmirësimin e skemës së rimbursimit të barnave dhe futjen graduale e të pandërprerë të kësaj skeme në sektorin spitalor, duke filluar që në janar 1999 me projektin pilot në spitalin e rrethit të Durrësit.

Konsolidimi i sistemit të informatizimit shëndetësor, në nivel qendror dhe lokal, do të vazhdojë të jetë objektivi i Qeverisë, ndërkohë që me financimin e donatorëve ka filluar puna për rehabilitimin dhe modernizimin e Institutit të Shëndetit Publik, duke punuar me eksperienca dhe teknika bashkëkohore. Prioriteti ynë do të jetë parandalimi ndaj mjekimit. Në vitin që vjen do të paraqitet në Parlament strategjia e zhvillimit të politikave shëndetësore, si kurorëzim i një pune tepër profesionale me grupe pune, me bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Arsimi dhe shkenca. Gjatë qeverisjes së Aleancës për Shtetin u arrit që arsimi të dalë nga emergjenca dhe të futet në rrugën e normalitetit. Buxheti i Shtetit për arsimin për vitin 1998 arriti gati 11% të buxhetit të përgjithshëm ose 3% më shumë se në vitin e kaluar. Gjatë kësaj qeverisjeje u rIngrid dhe filloi nga puna Universiteti Bujqësor i Tiranës, u rikonstruktuan ose janë në ndërtim mbi 200 objekte shkollore, u disiplinua arsimimi në të gjitha nivelet e tij dhe u morën masa drastike për luftën kundër korrupsionit përmes heqjes së notës mesatare në shkollën e mesme, ndryshimit radikal të konkurseve të pranimit në shkolla të larta, minimizimit të tregut të zi të librit shkollor, kalimi i arsimit parauniversitar në sistemin 5-ditësh, futja e informatikës në shkollë të mesme, incizimi i një sërë projektesh të reja etj., etj.

Në programin e kësaj Qeverie mbetet parësor rehabilitimi fizik i mjediseve shkollore, si dhe lirimi i objekteve të pushtuara nga qytetarët. Në këtë optikë, në fund të këtij viti do të mbarojë studimi për nevojat në rang vendi, që do të lejojë konceptimin e një politike të re ndërtimesh mbi bazë zone. Projekti më i rëndësishëm është Tirana 2000, që mbi bazën e kontributeve të përbashkëta të Qeverisë Shqiptare dhe Fondacionit Soros, ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës shkollore në pellgun e Tiranës, i cili vazhdon të jetë i  ngarkuar për shkak të fluksit të madh të të ardhurve nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë.

Ndryshimi i kurikulumit të shkollës në të gjitha nivelet e shkollimit, mbetet një përparësi e programit të kësaj Qeverie. Këto ndryshime do të mundësojnë afrimin e shkollës shqiptare me standardet europiane, do të vazhdojnë përpjekjet për njësimin e kurikulumeve në disiplinat bazë për shkollat e të gjithë hapësirës shqiptare. Në  kuadrin e ndryshimit të kurikulumeve, del i domosdoshëm trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve, si dhe i ndryshimeve konceptuale në shkollat e larta për përgatitjen e mësuesve të profileve të ndryshme.

Për vlerësimin e standardeve të arsimit pasuniversitar dhe atij të lartë, do të ngrihen përkatësisht dy qendra vlerësimi që do t’i japin mundësi jo vetëm identifikimit real të gjendjes, por do të mundësojnë dhe përpunimin e politikave shkencore për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të shkollimit.

Arsimi profesional përbën një përparësi për  Ministrinë e Arsimit. Shkollat e reja dhe profesionale duhet t’u ofrojnë të rinjve shqiptarë profesione të reja për teknologjitë e informacionit, ndërtimit, përpunimit të prodhimeve bujqësore, për shërbimet në hoteleri dhe turizëm etj.

Nëse raporti aktual arsim i mesëm i përgjithshëm – arsim profesional është 84 me 16% në strategjinë afatmesme, ai parashikohet të arrijë në ndryshim 70% me 30%. Arsimi i mesëm i përgjithshëm do të përmirësohet drejt atij të orientuar. Kjo risi do të lejojë formimin e nxënësve mbi bazën e një trungu të përbashkët dhe pastaj profilizimin e tij sipas parapëlqimit të nxënësve në drejtimin e shkencave shoqërore  dhe të atyre natyrore-teknike.

Projekti “Informatika në shkollë”, që do të mbulojë rreth 70% të nxënësve të shkollave të mesme, ka për qëllim të përgatisë gjeneratën e re për shoqërinë e sotme të informacionit, ndërkaq projekti “Edukimi qytetar në shkollë”, që po pilotohet në një sërë shkollash, mendohet të shtrihet në të gjithë vendin me një qëllim: të ndryshojë mentalitetin e shoqërisë  shqiptare nga ai i një shoqërie të mbyllur, drejt atij të një shoqërie të hapur që njeh dhe respekton realisht vlerat e demokracisë.

Në kuadrin e programit të Qeverisë për të ardhurit nga Kosova, Ministria e Arsimit dhe Qeveria po ndjekin në vazhdimësi shkollimin e fëmijëve kosovarë pranë shkollave tona. Në këtë program përfshihen identifikimi i fëmijëve të ardhur sipas klasave, pajisja me libra falas, shtimi i personelit mësimor, pajisja me bazë didaktike dhe njësimi i një sërë programesh për uljen e stresit social që kanë përjetuar këto fëmijë.

Programi i Qeverisë parashikon një sërë masash konkrete për kualifikimin pasuniversitar. Këto masa kanë për qëllim që të disiplinojnë këtë nivel arsimimi, duke vendosur akte të reja normative, të cilat përjashtojnë subjektivizmin në dhënien e titujve dhe të gradave shkencore. Ministria e Arsimit do t’i propozojë Këshillit të Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik një platformë të re për të konceptuar fushat e programeve kombëtare të krijimit shkencor, mbi bazën e nevojave që shtron zhvillimi socialekonomik i vendit.

Në planin legjislativ është përgatitur ligji i ri i arsimit të lartë, i cili do t’i paraqitet shumë shpejt Parlamentit. Ky ligj sanksionon në mënyrë shumë të qartë autonominë institucionale dhe financiare të shkollave tona të larta, ndërkaq Ministria e Arsimit do të hartojë për herë të parë ligjin për arsimin profesional, me qëllim që t’i krijojë një frymëmarrje të re.

Për një politikë të re kulturore. Kriza e marsit 1997 dhe  po ashtu ngjarjet e shtatorit të këtij viti, veç të tjerash, shpalosën edhe një dimension tjetër të kompleksitetit të krizës shqiptare dhe ky ishte dimensioni kulturor i krizës në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Nëpërmjet një reforme të thellë institucionale, që më në fund ka hedhur hapat e saj të parë, ne do të synojmë adaptimin sa më frytdhënës, në kushtet e reja, të të gjitha institucioneve tona kulturore, të cilat vuajnë, mbi të gjitha, mungesën e një sensi bashkëkohor të administrimit.

Nevoja e përshpejtimit të progresit integrues të kulturës shqiptare me ato europiane e më gjerë, tej dogmave propagandistike dhe kufizave të një romantizmi nacionalist anakronik, mbetjet atavike të izolimit të gjatë në jetën tonë bashkëkohore e bëjnë të domosdoshme një politikë ku të gërshetohen në mënyrë racionale eksperiencat e vlefshme të jetës sonë kulturore me ato të traditës së ndritur botërore.

Në këtë kontekst, Qeveria ime do të bëjë ç’është e mundur për të krijuar hapësirat adekuate të lulëzimit të debatit dhe nismave kulturore që i ndihin integrimit. Po nxjerr përmbledhtas në pah iniciativat e mëposhtme: decentralizimi i politikës kulturore në kuadrin e gjerë të decentralizimit të pushtetit; çlirimi i kulturës dhe i strukturave të saj administrative nga politikat dhe logjikat centralizuese, kryesisht në rrafshin  organizativ e financiar, që është një pjesë përbërëse e objektivit tonë madhor për europianizimin e Shqipërisë.

Në bazë të platformës së një politike kombëtare në kulturë, do të nxisim dhe inkurajojmë bashkëpunimin e ngushtë të institucioneve kombëtare të kulturës me strukturat lokale. Në këtë politikë të re çliruese dhe stimuluese, do të bazohemi në një përvojë tashmë të konsoliduar të të gjitha vendeve europiane. Plotësimi dhe përmirësimi rrënjësor i kuadrit ligjor të politikës kulturore të shtetit shqiptar, hartimi dhe miratimi i ligjit për fondet e bibliotekave, përmirësimi i ligjit për trashëgiminë kulturore, hartimi i ligjit për spektaklin e gjallë janë disa nga shembujt që do ta mëshirojnë këtë prioritet në një periudhë të afërt kohore.

Pa një strukturë solide ligjore, çdo përçapje për rimëkëmbjen e kulturës sonë kombëtare është e dënuar të mbetet gjysmake. Do të minimizojmë efektet dramatike të politikës së dyerve të shqyera të kohës së tranzicionit mbi trashëgiminë tonë kulturore dhe nuk do t’i lëmë më terren grabitjes dhe kontrabandimit të vlerave të rralla, objekteve të trashëgimisë  kulturore. Në këtë kuadër, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe strukturat përkatëse do të bashkërendojnë veprime e aksione konkrete.

Zgjerimi dhe forcimi i bashkëpunimit mbi një koncept të ri me organizmat ndërkombëtarë, si UNESKO, Këshilli i Europës, Banka Botërore, UIPO etj., si dhe intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe me strukturat kulturore europiane, në bazë të marrëveshjeve me vendin tonë, duke mos e parë kulturën si një element dytësor, por si një kartvizitë të domosdoshme të të qenurit tonë europianë, do të sjellë në mënyrë normale përparësi absolute për rritjen dhe integrimin gjithnjë e më të madh të kulturës shqiptare në iniciativat dhe programet e ndryshme të ndërmarra nga këto organizma.

Përpunimi i një platforme të zhvillimit të turizmit kulturor, duke nxjerrë në pah vlerat e traditës sonë kulturore në lëmin e arkitekturës tradicionale, folklorit, artizanatit dhe duke e kthyer këtë traditë, si edhe bukuritë natyrore të trojeve shqiptare, në një burim të ardhurash për njerëzit tanë.

Politika e jashtme. Qeveria që unë kryesoj, duke njohur vlerat dhe rëndësinë e veprimtarisë shtetërore me jashtë, do të vazhdojë të ndjekë një politikë koherente dhe realiste në shërbim të stabilitetit të brendshëm, zhvillimeve ekonomike, ngritjes së institucioneve dhe përmirësimeve të standardeve demokratike, zgjidhjes së çështjes  së Kosovës dhe asaj mbarëkombëtare, paqes dhe stabilitetit në rajon, integrimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë.

Qeveria Shqiptare, në themel të programit të saj për politikën e jashtme, ka interesa  mbarëkom-bëtarë, mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre në favor të të gjithë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë dhe punojnë. Është e drejta jonë, si përfaqësues legjitimë të shtetit amë, që të shfaqim interes gjithnjë e më të dukshëm, më konkret për bashkëkombasit tanë, sidomos për të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare.

Politika jonë e jashtme, duke reflektuar frymën demokratike dhe vullnetin paqësor të popullit shqiptar, do të përcjellë në vazhdimësi mesazhe mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Ajo do të përpiqet të kontribuojë në mënyrë efektive për zgjidhjen me dialog të konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Qeveria Shqiptare do të bashkëpunojë me të gjitha pushtetet dhe segmentet e tjera të shoqërisë shqiptare, të angazhuara në fushën e politikës së jashtme, për t’i dhënë asaj përmbajtje më të plotë, më të thellë dhe më të aplikueshme.

Shqipëria, si vend ballkanik, e konsideron politikën e saj rajonale si një nga drejtimet themelore të marrëdhënieve të saj ndërkombëtare. Kjo përcaktohet si për shkak të pozitës gjeografike, të historisë, të kulturës, të konstitucionit shpirtëror, ashtu edhe për arsye të interesave dhe të synimeve të përbashkëta që janë të orientuara drejt integrimit  në strukturat europiane dhe euroatlantike.

Duke u nisur nga këta parametra, Qeveria e re Shqiptare do të vazhdojë të ndjekë me përparësi kursin e zhvillimit të gjithanshëm dhe intensiv të marrëdhënieve me fqinjët tanë të drejtpërdrejtë, si dhe me vendet e tjera të rajonit. Dëshiroj të nënvizoj dimensionin strategjik të politikës sonë të jashtme për marrëdhënie dhe bashkëpunim të ngushtë me Italinë, me të cilën na lidhin interesa të gjerë dhe të shumëllojshëm rajonalë dhe europianë, të së tashmes dhe të së ardhmes.

Ky objektiv i politikës së jashtme shqiptare do të gjejë një angazhim më të madh dhe më cilësor, si nga strukturat shtetërore të specializuara, ashtu edhe nga të gjitha institucionet e tjera që realizojnë marrëdhëniet tona me Italinë mike. Gjithashtu, Qeveria e re Shqiptare shpreh vullnetin e saj të plotë që edhe bashkëpunimin me Greqinë ta ngrejë në një nivel edhe më të lartë dhe më rezultativ, duke u bazuar jo vetëm në trashëgiminë pozitive që ekziston, por edhe në potencialet e shumta ende të pashfrytëzuara.

Ne na gëzon fakti që edhe me Qeverinë maqedonase vitin e fundit kemi shënuar një hop të vërtetë cilësor në nivelin e bashkëpunimit, që ka krijuar një klimë mjaft të dobishme për nxitjen e mëtejshme të shkëmbimeve në të gjitha fushat midis të dy vendeve tona. Ajo i shërben stabilitetit, sigurisë, mirëkuptimit në rajon. Ne shpresojmë që ky nivel marrëdhëniesh do të inkurajojë veprime pozitive në drejtim të përmirësimit të gjendjes dhe të plotësimit të të drejtave të ligjshme të shqiptarëve në këtë vend.

Një shtytje të mëtejshme ne do t’u japim marrëdhënieve me Turqinë, me të cilën na lidh një miqësi e konsoliduar. Qeveria Shqiptare, sikurse edhe deri tani, do të vazhdojë të aplikojë në marrëdhëniet me vendet e tjera të rajonit, me Rumaninë, Bullgarinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, parimet dhe politikën e bashkëpunimit konstruktiv me interes të ndërsjelltë dhe në shërbim të konsolidimit të faktorëve dhe të klimës që sjellin paqe dhe stabilitet në rajon.

Ne do të dëshironim që spektri i politikës sonë rajonale të ishte i plotë dhe efektiv, por, jo për fajin tonë, në Ballkan vazhdojnë të mbijetojnë politika të vjetëruara që marrëdhëniet fqinjësore i konceptojnë me mentalitete e kritere të kapërcyera për fundin e shekullit XX.

Me gjithë përpjekjet tona, marrëdhëniet me Republikën Federative të Jugosllavisë, Serbi dhe Mali i Zi, kanë mbetur në një nivel të ulët, në kundërshtim me kërkesat e kohës, të interesave të ndërsjella dhe të politikave integruese. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave kanë si pikë referimi Kosovën, ato nuk mund të zhvillohen në mënyrë normale, pa gjetur zgjidhjen e problemit të Kosovës, duke respektuar vullnetin e shqiptarëve të Kosovës dhe standardeve e parimeve të njohura ndërkombëtare.

Autoritetet e Beogradit, me politikën e gjenocidit dhe të spastrimit etnik, që kanë zhvilluar dhe që vazhdojnë  ta zhvillojnë aktualisht në Kosovë, jo vetëm që nuk kanë lënë hapësirë për përmirësimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve tona por, përkundrazi, kanë kontribuar realisht për të kundërtën.

Një politikë e tillë ka krijuar një konflikt të drejtpërdrejtë që rrezikohet të shdërrohet në rajonal, në rast se nuk ndërmerren veprime aktive dhe të menjëhershme për të ndaluar dhunën shtetërore, vrasjet e civilëve të pafajshëm, të fëmijëve dhe të shkatërrimeve masive në Kosovë.

Qeveria Shqiptare, e prirur për të mbështetur zgjidhjen paqësore dhe me mjete politike të konfliktit, vëren me keqardhje se nuk ekziston asnjë  predispozitë  pozitive nga ana e autoriteteve të Beogradit për të ndërprerë fushatën ushtarake në Kosovë dhe për të tërhequr të gjitha forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe nga terreni.

Ne dënojmë me indinjatë krimet barbare të shovinistëve serbë dhe të skuadroneve të saj gjakatare kundër popullit shqiptar të Kosovës. Ne  mbështesim fuqimisht të gjitha iniciativat e komunitetit ndërkombëtar, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendimet e Grupit të Kontaktit, si dhe çdo veprim të mundshëm të NATO-s, që do të çonte në krijimin e kushteve për një zgjidhje politike të kësaj krize.

Në përballimin e situatave tejet të vështira, që Shqipëria ka kaluar në vitet e fundit, si dhe në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit në Kosovë, Qeveria Shqiptare ka pasur ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së SHBA-së. Qeveria Shqiptare do të vazhdojë t’i konsiderojë prioritare dhe thelbësore marrëdhëniet me SHBA, duke vlerësuar esencial kontributin amerikan në zhvillimin e demokracisë, të ngritjes së institucioneve të shtetit shqiptar, në zhvillimin ekonomik të vendit, në përkrahjen që i ka dhënë dhe i jep kombit shqiptar për realizimin e aspiratave të tij.

Ajo do të vazhdojë punën për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe të bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, drejtësisë, ekonomisë dhe fushave të tjera me interes të përbashkët dhe po ashtu, në planin rajonal, si dhe në atë shumëpalësh, në kuadrin e strukturave euroatlantike.

Qeveria Shqiptare do t’i kushtojë një rëndësi parësore edhe nxitjes e zhvillimit të mëtejshëm të marëdhënieve dypalëshe me vendet e Bashkimit Europian, me të cilin e lidhin interesat e gjerë strategjikë. Ne kemi vlerësuar dhe çmojmë si të një rëndësie shumë të veçantë marrëdhëniet me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, kontributi i të cilave ka qenë dhe mbetet i çmuar për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Ideja e integrimit është relativisht e re në politikën shqiptare.  Qeveria që unë drejtoj e konsideron integrimin në strukturat europiane dhe euroatlantike si një nga përparësitë kryesore në politikën e saj të jashtme. Shqipëria tashmë është anëtare e Këshillit të Europës dhe OSBE-së, anëtare e nismës së Partneritetit për Paqe të NATO-s, ka marrëdhënie bashkëpunimi të ngushta me DEP-in dhe po avancon me procedurat e bashkëpunimit me Bashkimin Europian.

Ky proces kompleks integrimi e angazhon Qeverinë Shqiptare në një punë më intensive, më profesionale dhe më tejpamëse. Në vëmendje të Qeverisë Shqiptare do të jenë edhe zhvillimi e konsolidimi i marrëdhënieve me vende të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore dhe veçanërisht me Rusinë.

Në fokusin e politikës së saj të jashtme do të vazhdojnë të mbeten partnere të konsideruara e të rëndësishme tanimë vendet aziatike dhe në mënyrë të veçantë Kina dhe Josenia. Po kështu, në politikën e jashtme shqiptare do të shtohet interesi edhe më për të nxitur marrëdhënie të frytshme bashkëpunimi me vendet e Lindjes së Afërme dhe të Mesme, me shumë prej të cilave na bashkojnë edhe lidhje të vjetra historike.

Të nderuar deputetë, këto janë synimet, objektivat dhe rrugët për arritjen e tyre, të programuara nga Qeveria e re. Ato përfshijnë zgjidhjen e problemeve aktuale akute, daljen përfundimtare nga kriza, stabilizimin e jetës në vend dhe zhvillimin në rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të të gjithë parametrave institucionalë, ekonomikë dhe socialë të vendit tonë drejt standardeve të përparuara europiane.

Qeveria është e ndërgjegjshme për vështirësitë që i duhet të përballojë, por edhe për rezervat e mëdha potenciale për kapërcimin e tyre dhe realizimin e programit të saj. Pikërisht kjo na bën optimistë, jo vetëm mosha.

Qeveria do të punojë që të përmbushë të gjitha angazhimet e koalicionit në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, me bindjen e plotë se i shërben të gjithë vendit dhe popullit. Ne jemi të bindur që t’i shkojmë deri në fund mandatit tonë, deri më 2001. Këtë vendosmëri ne e bazojmë në seriozitetin dhe potencialin e forcave politike dhe të shoqërisë civile, të përfaqësuar në këtë Qeveri. Ne e bazojmë edhe në përkushtimin dhe ndershmërinë  e secilit prej nesh. Ne do të veprojmë si Qeveri e dialogut dhe jo e konfrontimit, si Qeveri e rezultateve konkrete dhe e bashkëjetesës demokratike. Kemi bindjen se në veprimet e Qeverisë sonë dhe në interes të vendit dhe të popullit tonë, në interes të zhvillimit të demokracisë, të paqes dhe të stabilitetit në rajon ne do të kemi mbështetjen aktive të faktorit ndërkombëtar.

Në  këtë proces vendi ynë do të bëhet gjithnjë e më shumë një partner i besueshëm dhe dinjitoz. Në këtë mënyrë, ne shpresojmë se do të mund të rritet më tej edhe kontributi ynë në gjetjen e zgjidhjes së drejtë të problemit të Kosovës dhe për krijimin e një fryme dhe të një realiteti të qëndrueshëm  mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në Ballkan e më gjerë.

Më së fundi, më lejoni t’ju paraqes kabinetin qeveritar që kam nderin të drejtoj, duke kërkuar, me këtë rast, votëbesimin tuaj për programin dhe strukturën e Qeverisë:

 – Kryetar i Këshillit të Ministrave  Pandeli Majko – Partia Socialiste;

 -Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Koordinimit Qeveritar,Ilir Meta – Partia Socialiste;

-Ministër Shteti për Reformën Legjislative dhe Marrëdhëniet me Kuvendin Popullor, Arben Imami – Partia Aleanca Demokratike;

– Ministër i Rendit Publik, Petro Koçi – Partia Socialiste;

– Ministër i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga – Partia Socialiste;

– Ministër i Punëve të Jashtme,  Paskal Milo – Partia Socialdemokrate;

– Ministër i Financave, Anastas Angjeli, Partia Socialiste;

– Ministër i Drejtësisë, Thimjo Kondi – I pavarur;

– Ministër i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, Ylli Bufi – Partia Socialiste;

– Ministër i Bashkëpunimit Ekonomik dhe i Tregtisë, Ermelinda Meksi – Partia Socialiste;

-Ministër i Punëve Publike dhe i Transporteve, Ingrid Shuli – Partia Socialdemokrate;

– Ministër i Bujqësisë dhe i Ushqimit, Lufter Xhuveli – Partia Agrare;

– Ministër i Pushtetit Lokal, Arben Demeti – Partia Aleanca Demokratike;

– Ministër i Arsimit dhe i Shkencës, Ethem Ruka – Partia Socialiste;

– Ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale, Kadri Rrapi – Partia Socialiste;

– Ministër i Shëndetësisë, Leonard Solis – Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut;

– Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Edi Rama – I pavarur;

– Ministër i Informacionit, Musa Ulqini – Partia Socialiste;

– Sekretar Shteti për Integrimin Europian, Maqo Lakrori – Partia Socialiste.

Falemnderit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi