Programi i Qeverisë Aleksandër Meksi 2 (11 korrik 1996 – 10 mars 1997)
Pjetër Arbnori: Kalojmë në paraqitjen e programit të Qeverisë. Zoti Aleksandër Meksi, ftoheni që të paraqisni programin e Qeverisë.
Aleksandër Meksi – I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Qeveria Demokratike e krijuar si rezultat i zgjedhjeve të 26 majit, paraqitet përpara jush me programin e vet, me të cilin synon të ecë me ritme të shpejta në reformimin e plotë të ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie tregu të zhvilluar, duke ruajtur të njëjtat ritme të shpejta të rritjes ekonomike dhe të rritjes së mirëqenies së shqiptarëve.
Ky objektiv i yni madhor, do ta shkëpusë përfundimisht Shqipërinë nga varfëria dhe do ta integrojë me dinjitet në Evropë. Detyrat e sotme janë shumë më të mëdha se ato që morëm përsipër dhe përmbushëm 4 vjet më parë, sepse tashmë është hedhur një bazë e sigurt institucionale dhe ligjore, është siguruar stabiliteti makroekonomik, si dhe ndihma dhe mbështetja e huaj, ekonomia është në një stad shumë më të lartë zhvillimi dhe me ritme mjaft të mira të rritjes, kemi kontrolluar deficitin buxhetor dhe inflacionin, kemi shumë më tepër njerëz të aftë dhe kemi mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, pra kemi një Shqipëri të qëndrueshme në aspektin politik.
Qeveria e hartoi këtë program duke iu përmbajtur vazhdimësisë së reformës dhe me synimin e afrimit sa më të shpejtë në Evropë, për të qenë pjesë përbërëse e saj në fillim të shekullit XXI.
Zonja dhe zotërinj,
Reformimi i kuadrit ligjor, krijimi i një shteti ligjor dhe demokratik, mbrojtja e të drejtave dhe interesave të ligjshme të individit ishin ndër realizimet më të mëdha të 4-vjeçarit të kaluar. U bë një përmbysje tërësore e strukturave të vjetra të shtetit, e institucioneve, e marrëdhënieve pronësore dhe u arrit rregullimi i tyre ligjor. Për këtë u rihartuan kode e disa qindra ligje të cilat u përmirësuan në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me ecurinë e reformës dhe përvojën e grumbulluar.
U krijua një administratë e re, e mbështetur në praktika të reja dhe në akte ligjore e nënligjore demokratike. Nuk ka mbetur fushë e veprimtarisë shoqërore, ekonomike dhe politike për të cilën të mos jenë hartuar ligje të reja, por kjo punë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, gjithnjë me asistencë të huaj, duke u mbështetur në përvojën e përparuar Perëndimore, për të përvijuar plotësisht shtetin e së drejtës dhe ekonominë e tregut. Por mbetet shumë për të bërë në zbatimin e ligjeve dhe të akteve të tjera të shtetit, për mënjanimin e dobësive dhe të mangësive të vërejtura në këtë drejtim, çka duhet të jetë detyrë imperative për legjislaturën e re.
Pas vitit 1995 është një realitet mundësia për një zhvillim të një strukture sociale-ekonomike moderne dhe demokratike, ku dominimi i pronës private, liria qytetare, veprimtaria e biznesit dhe konkurrenca pa përjashtuar tiparet sociale janë të hapura.
Reformimi i ekonomisë shqiptare ka qenë dhe do të jetë synimi kryesor i Qeverisë Demokratike për këtë legjislaturë. Ai do të realizohet nëpërmjet një varg masash që kanë të bëjnë me thellimin dhe konsolidimin e reformës ekonomike nëpërmjet ristrukturimit të ekonomisë. Këto masa do të synojnë realizimin e procesit të privatizimit brenda fundit të këtij shekulli, zgjidhjen dhe garantimin real të së drejtës së pronësisë, për ta bërë pronën të shenjtë, përsosjen dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, për të pasqyruar dhe paraprirë zhvillimet social-ekonomike, krijimin e kushteve për funksionimin e tregut financiar dhe atij të punës, përmirësimin e drejtimit shtetëror në të gjitha nivelet, duke harmonizuar drejtimin qendror me atë lokal.
Duke u nisur nga rezultatet e arritura gjatë mandatit të parë, Qeveria do të zbatojë programin e saj afatmesëm, të miratuar në këtë Parlament, duke pasur për objektiv sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm. Për periudhën afatmesme programi do të ketë mbajtjen e ritmeve të larta të deritanishme të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto në përgjithësi, duke synuar edhe rritjen e strukturës së prodhimit nga degët e industrisë dhe të turizmit, rritjen e nivelit të punësimit nëpërmjet rritjes së prodhimit, nxitjes së nismës private, investimeve publike dhe politikave për stimulimin e punësimit. Duke ulur papunësinë, do të rrisim sigurinë me punë të forcave të reja dhe atyre nga zonat rurale që do të synojnë qendrat urbane, stabilitetin e çmimeve krahas stabilitetit të tyre dhe heqjes së subvencioneve, duke ruajtur një inflacion të kontrolluar dhe duke u mbështetur njëkohësisht politikën e kreditit me investime që do të jenë parësore, stabilitetin e borxhit të jashtëm nëpërmjet përmirësimit të bilancit tregtar dhe llogarisë korente.
Nëpërmjet një politike të dyanshme mbi të ardhurat dhe shpenzimet do të synohet ulja e deficitit buxhetor në raport me GDP-në dhe kështu, në vitin 2000, financimi i brendshëm i deficitit do të arrijë në nivele të krahasueshme me vende të zhvilluara, tërësisht i mundshëm për t’u përballuar me burime të brendshme, uljen e subvencioneve për sigurime shoqërore, për të siguruar kushte për subvencione, për të siguruar institucione private edhe në këtë fushë.
Investimet publike, sidomos në infrastrukturë, që të krijojmë kushte për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë, zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor, duke synuar arritjen e niveleve të larta cilësore për t’iu përgjigjur modernizimit të jetës shoqërore dhe ekonomike dhe lehtësuar punësimin e moshave të reja të popullsisë, vazhdimin e procesit për krijimin e një sistemi shëndetësor me cilësi dhe nivel shërbimi të pranueshëm dhe sa më afër niveleve evropiane, por njëkohësisht do të përmirësohet modeli ekonomik i sistemit shëndetësor, duke synuar vetëfinancim dhe uljen e kostos për buxhetin e shtetit.
Për një arritje të objektivave të programit, është e rëndësishme të realizohen harmonizimi i politikave fiskale me ato monetare dhe valutore dhe një politikë relativisht e moderuar fiskale, politika stimuluese mikroekonomike doganore, tatime për nxitjen e konkurrencës, kufizimin e pozitave monopol, diferencimin e çmimeve, rritjen e investimeve të huaja etj.
Ndër përparësitë e politikës ekonomike do të jenë: mbështetja dhe nxitja e zhvillimit të infrastrukturës, turizmit, bujqësisë dhe agroindustrisë, stimulimi i zhvillimit të blegtorisë në kuadrin e bujqësisë, nxitja e prodhimit të vogël dhe të mesëm, duke stimuluar në veçanti degët e industrisë së lehtë dhe ushqimore, ndërsa burimet ku do të mbështetet realizimi i objektivave do të jenë: rritja e mobilizimit të kursimeve private, përmirësimi i strukturës së shpenzimeve të buxhetit duke vënë theksin te investimet, tregu financiar dhe institucionet e reja, tërheqja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta private, sigurimi i mbështetjes së huaj financiare.
Stabilizimi dhe më pas ulja e deficitit buxhetor do të mbetet ndër objektivat kryesorë për Qeverinë, por duke u nisur nga niveli i sotëm i jetesës dhe nevojat e mëdha për investime publike, politika buxhetore, si sintezë e politikës ekonomike të Partisë Demokratike detyrimisht do të ketë edhe një profil social. Këto objektiva do të realizohen nëpërmjet rritjes të të ardhurave tatimore dhe zvogëlimit të evazionit fiskal. Qeveria dhe të gjitha hallkat e saj do të punojnë për një rishikim të përgjithshëm të legjislacionit fiskal, duke e harmonizuar dhe përshtatur me atë evropian, duke e bërë të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave buxhetore, shmangien e evazionit fiskal dhe një garanci për investitorët e huaj, që janë në prag të investimeve të mëdha në vendin tonë.
Ne synojmë që politika tatimore të stimulojë punësimin nëpërmjet diferencimeve të theksuara për degë dhe veprimtari që kërkojnë shumë fuqi punëtore dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Një ndër objektivat kryesorë për vitet në vazhdim është modernizimi i sistemit të doganave.
Ndërtimi i komplekseve të reja doganore, duke i dhënë përparësi korridorit lindje-perëndim dhe veri-jug, do t’i japë një fizionomi të rregullt shërbimit doganor për vitin në vazhdim. Gjithashtu ne do t’i pajisim me infrastruktura të përshtatshme, që t’i shërbejnë zhvillimit perspektiv të vendit. Përsa më sipër dhe krahas masave përkatëse, gjatë viti 1996 dhe më tutje, në fushën e doganave synohet të sigurohet rritja e të ardhurave doganore duke ulur në maksimum evazionin fiskal dhe kontrabandën. Drejtim tjetër i rëndësishëm në lidhje me të ardhurat nga doganat, duke e parë edhe në kuadrin e asocimit në Bashkimin Evropian do të jetë rishikimi i tarifave doganore, mbi bazën e një studimi për përcaktimin e një raporti optimal ndërmjet shkallëve tarifore dhe të ardhurave doganore përkatëse. Vazhdimësia e reformës tatimore do të synojë në plotësimin e legjislacionit tatimor. Ai duhet më i thjeshtë për t’u kuptuar e zbatuar dhe të mbështetet në të njëjtat parime dhe në thelb duhet të jetë i ngjashëm me atë të vendeve të OECD-së, pavarësisht se në tatime të veçanta ose barra tatimore në përgjithësi do të jenë më të ulëta.
Legjislacioni tatimor, gjithashtu, do të bazohet në parimin e mosdiskriminimit, pra tatimpaguesit, që në thelb kanë veprimtari të njëjta ose të ngjashme, duhet të tatohen njëlloj, pavarësisht nëse janë persona fizikë, juridikë, vendas, apo të huaj.
Në vitin 1997 është programuar që të hyjë skema e plotë e buxhetit me 2 shkallë, buxhet qendror dhe buxhet lokal. Për këtë është e nevojshme ndërmarrja e hapave të rëndësishëm në radhë të parë legjislativë dhe administrativë.
Në fushën legjislative do të bëhet hartimi dhe miratimi i ligjit për financat lokale, si dhe një paketë fiskale për zgjerimin e bazës së të ardhurave të pushtetit lokal. Për rritjen e mëtejshme të procesit të administrimit dhe të kontrollit të buxhetit do të vazhdojë përsosja në strukturat administrative përkatëse. Me krijimin dhe përsosjen e tregut kapital dhe atij financiar në Shqipëri, objektivat kryesorë për sistemin e thesarit, për periudhën 1996-2000, do të jenë: politikat buxhetore do të synojnë të realizojnë përsosjen strukturore dhe efikasitetin e shpenzimeve publike, nëpërmjet uljes së shpenzimeve në formë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, duke përsosur skemën e mbrojtjes sociale dhe liberalizimin e çmimeve.
Në strukturën e shpenzimeve do të synohet të ulet pesha specifike e shpenzimeve për pagën, përmes përsosjes së administratës shtetërore dhe rritjes së efektivitetit të punës së saj.
Industria. Gjatë periudhës 1992-1995 u riaktivizuan shumë ndërmarrje të industrisë së lehtë dhe ushqimore, si dhe u krijuan ndërmarrje të reja nga copëzimi i ndërmarrjeve të mëdha të cilat e rifilluan veprimtarinë edhe në sajë të privatizimit të tyre. U krijuan një numër i konsiderueshëm ndërmarrjesh të përbashkëta, ndoshta jo të gjitha të suksesshme, por që stimuluan prodhimin në ato fusha ku rezultuan të suksesshme.
Për periudhën e ardhshme strategjia dhe politika industriale do të mbështeten në objektiva që do të kenë për qëllim zhvillimin e sektorëve të industrisë dhe rritjen e peshës së kontributit të tij në totalin e GDP-së, në bazën e një industrie konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Objektivi i politikës aktive të Qeverisë do të jetë dhe përgatitja e sektorit industrial të vendit për hapat e mëtejshëm të një politike të integrimit në Evropë. Fushat në të cilat do të shtrihet kjo politikë aktive do të jenë, fusha e legjislacionit, që do të synojë përfundimin e kuadrit të plotë ligjor i cili do t’i paraprijë integrimit në strukturat evropiane, përsosjen e legjislacionit në fushën e investimeve të huaja, përsosjen e regjimit të zonave të veçanta për zonat e lira industriale dhe skemave të tjera të nxitjes së investimeve të huaja.
Fushat fiskale ku do të vazhdojnë politikat e lehtësive fiskale për vitet e para të veprimtarive prodhuese industriale, fusha e kredisë duke krijuar linja të veçanta me kushte favorizuese për të përkrahur rinovimin e teknologjisë në ndërmarrjet e privatizuara, zhvillimi dhe përsosja e mekanizmave që favorizojnë konkurrencën e ndershme nëpërmjet pjesëmarrësve, ndjekja e një politike të veçantë favorizuese për degët parësore të industrisë që ndikojnë më shpejt dhe më me efektshmëri në arritjen e rezultateve dhe të objektivave parësore si punësimi etj. Një politikë nxitëse për industritë me cikël të mbyllur prodhimi, duke synuar vendosjen e degëve të industrisë me tregues të lartë të vlerës së shtuar, një politikë rajonale dhe sektoriale që të mund të përfshijë sektorë të ndryshëm të fusha më të gjera të industrisë në përgjigje të objektivave afatshkurtër.
Politika për nxitjen e rritjes së eksporteve në përgjithësi. Në fushën e shfrytëzimit të burimeve natyrore, politika e Qeverisë do të fokusohet më tepër në menaxhimin e tyre se sa në investimin e drejtpërdrejtë në nxjerrje e përpunim që do të thotë një menaxhim më i mirë i pasurive natyrore që janë në administrim të shoqërive publike, me synim final privatizimin e tyre.
Për menaxhimin do të merren si model struktura të ngjashme me ato të vendeve Perëndimore dhe do të synohet që ky përmirësim të bëhet sa më shpejt, për t’i bërë korporatat jo një barrë për buxhetin e shtetit, por një burim të ardhurash, por t’u përdorur në fusha të tjera të cilat janë të etura për investime.
Zgjedhja e investitorëve strategjikë për privatizimin e tyre do të jetë e dëshirueshme, për të arritur qëllimin e vazhdimësisë së prodhimit dhe të vënies së shpejtë të shfrytëzimit të burimeve natyrore të vendit. Në këto fusha do të ndiqet edhe rruga e tërheqjes së investimeve të huaja në forma nga më të ndryshmet, si ajo e dhënies në koncesion dhe e skemave të tjera të financimit. Këto na lejojnë të ecim me hapa të shpejtë në shfrytëzimin e burimeve natyrore, duke dhënë një efekt të dyfishtë, shtimin e prodhimit të brendshëm bruto dhe për pasojë të bazës së tatueshme të ekonomisë dhe rritjen e punësimit në zonat e pasura me burime natyrore që në rastin e vendit tonë përkojnë me zonat që i kanë më të mprehta problemet e punësimit e të largimit të popullsisë nga vendbanimet e tyre të origjinës për në qendrat e mëdha të ultësirës perëndimore. Edhe në këtë fushë do t’u jepet përparësi investimeve që synojnë një përpunim me cikël të mbyllur dhe me përdorim të teknologjisë së përparuar.
Nxitja e investimeve të huaja edhe gjatë periudhës së katër vjetëve të ardhshëm do të jetë një nga përparësitë e Qeverisë. Në këtë mënyrë, me tërheqjen e investimeve të huaja do t’i jepet një kontribut shtesë zhvillimit ekonomik të vendit, nëpërmjet futjes së kapitalit në forma investimi të drejtpërdrejtë, si dhe futjes së elementeve ende tepër të nevojshëm për zhvillimin e ekonomisë së tregut, si njohuritë e reja, teknologjitë për marketingun e produkteve apo mundësitë e reja për menaxhimin etj.
Në radhë të parë, do të punohet për krijimin e një ambienti të favorshëm për thithje të investimeve të huaja, pra për një situatë makroekonomike të stabilizuar, një qëndrim përfundimtar ndaj problemit të pronës dhe të një politike fiskale dhe tarifore të qëndrueshme, e cila do të jetë në vazhdën e arritjeve të katër vjetëve të mëparshëm dhe që përbën bazën e politikës ekonomike të Qeverisë.
Në radhë të dytë, do të punohet për përmirësimin e aspekteve praktike të problemit të investimeve të huaja, si legjislacionit dhe të procedurave administrative që duhen thjeshtuar më tej.
Për nxitjen e investimeve të huaja do të përdoren edhe instrumente të veçanta të cilët janë treguar efektive në vende të ngjashme me Shqipërinë, në aspekte të veçanta si në ato të parqeve, zonave industriale apo të kredive favorizuese, ne jemi tashmë në një fazë të avancuar.
Nëse këto shembuj, krahas zonave të lira tradicionale, do të rezultojnë të suksesshëm, do të përsëriten edhe në vende të tjera duke i dhënë përparësi atyre në të cilat problemi i punësimit është më akut dhe mbulimi me infrastrukturë është më pak i kushtueshëm.
Qeveria do të marrë parasysh gjithashtu që me planet e saj për zhvillimin e infrastrukturës në rajone të ndryshme t’i paraprijë mundësisë të investimeve të huaja direkte.
Nxitja e investimeve të huaja kërkon dhe një punë intensive për të krijuar një imazh sa më pozitiv për Shqipërinë në opinionin ndërkombëtar, për të dhënë qartë mundësitë që ajo u ofron investitorëve të huaj. Pas zgjidhjes së problemit të borxhit të jashtëm dhe duke pasur parasysh situatën e stabilizuar makroekonomike e perspektivat e një rritjeje të shpejtë, do të kërkohet nga agjencitë shtetërore të mbrojtjes së investimeve apo strukturave të ngjashme me to që ekzistojnë në vendet e zhvilluara të Evropës, të tregohen më aktive përsa u përket investimeve në Shqipëri.
Një politikë tregtare e nxitjes së eksporteve, integrimi në ekonominë botërore do të jetë një sinjal pozitiv që duam t’u lëshojmë investitorëve të huaj që në fillimin e mandatit tonë. Më konkretisht anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë, integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian dhe një politikë e jashtme që synon krijimin e lidhjeve ekonomike të ngushta me të gjitha vendet e sistemit, ekonomisë së tregut do të krijojnë një mjedis tërheqës për investimet e huaja. Në fushën e energjisë ky katërvjeçar do të jetë mjaft intensiv si për rritjet që priten në sektor, ashtu edhe për shndërrimet strukturore të tij. Sektori energjetik do të vazhdojë të mbetet një sektor kyç për ekonominë e vendit dhe parësor në mbështetjen me investime, në kuadër të programit të investimeve publike. Në të do të gjejnë zbatim projektet në vazhdim, do të mbështeten projekte të reja në përputhje me planin strategjik të zhvillimit perspektiv të këtij sektori. Është fakt se për të përballuar ritmet e shpejta të rritjes së ekonomisë së vendit, do të nevojiten investime të mëdha që do të duhet të përfshijnë sektorët e prodhimit, transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë. Për mbështetjen e investimeve të nevojshme në këtë sektor, do të tërhiqen edhe sektori privat me anë të formave të njohura të përdorura edhe në fusha të tjera. Do të shtrihet më tej privatizimi i këtij sektori duke e parë edhe si një mjet për të përmirësuar menaxhimin më efikas të një sektori kaq vital me potenciale të mëdha në kuadrin e ekonomisë shqiptare, por edhe si një mjet për tërheqjen e investitorëve strategjikë në këtë industri. Në sektorin e gazit do të synohen ndryshime të mëdha për sa i përket përdorimit të tij në industri dhe në konsumatorët e tjerë, duke ndihmuar në këtë mënyrë në diversifikimin e burimeve që përbëjnë balancën tonë të energjisë. Për këtë qëllim do të avancohet në projektet e ndërlidhjes së Shqipërisë me rrjetet evropiane të gazit, për të arritur lidhjen brenda fundshekullit.
Investimet publike. Duke u nisur nga gjendja e trashëguar dhe nga objektivat madhorë të shtruar në programin e saj, investimet publike zunë një vend të rëndësishëm në punën e Qeverisë gjatë vitit të kaluar. Kjo politikë u karakterizua në disa veçori.
Së pari, ishte e çliruar nga politika e mbështetjes në forcat e veta, duke u mbështetur fuqimisht në programin e investimeve publike, në financimet e institucioneve financiare ndërkombëtare.
Së dyti, përcaktonte përparësi sektoriale në përputhje me një rol të ri të shtetit në ekonomi, por duke hapur në këtë mënyrë mundësi të mëdha për investime private p.sh. në sektorët e naftës dhe të ndërtimit.
Së treti, parashikonte që zbatimin e këtij programi të investimeve ta merrte gradualisht përsipër sektori privat.
Investimet publike parashikohet të zënë një pjesë të rëndësishme të programit të zhvillimit ekonomik të Qeverisë për 4 vjetët e ardhshëm. Programet sektoriale që përgatiten me asistencën edhe të institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore, Bashkimi Evropian etj., përbëjnë një bazë të mirë për t’i orientuar me efektivitet burimet financiare drejt zgjidhjes së përparësive të programit të investimeve publike.
Objektivat kryesorë të programit të investimeve publike deri në vitin 2000, parashikohet të jenë: ngritja dhe përmirësimi i infrastrukturës së domosdoshme si rrugët, energjia, furnizimi me ujë, telekomunikacioni etj., zbatimi i programeve të rëndësishme të infrastrukturës sociale si në arsim dhe në shëndetësi, mbështetja me investime në sektorin e bujqësisë si në ujitje, pyje etj.
Qeveria do të vazhdojë të mbështetet në programet ciklike të investimeve publike, objektivat kryesorë të të cilave synojnë zgjidhjen e problemeve kryesore të infrastrukturës, në vazhdim të punës së filluar kryesisht në vitet 1994-1995, nëpërmjet zbatimit të projekteve të filluara në këto fusha dhe të tjerave që sot janë përgatitur.
Në programin e investimeve publike në nivelet relative të shpërndarjes së burimeve për grup-sektorët, duke u bazuar në strategjinë e investimeve publike dhe në analizat e përparësive sektoriale do të jenë: infrastruktura dhe utilitetet publike 60% të burimeve. Projektet më të mëdha do të ndërmerren në sektorët e rrugëve, transportit, energjisë, furnizimit me ujë dhe kanalizimeve që të ngrihet një infrastrukturë moderne dhe efektive për të lehtësuar veprimtarinë ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Menaxhimi i burimeve natyrore 16%, ku fushat parësore janë rehabilitimi i infrastrukturës së ujitjes, sigurimi i linjave të kreditit për përballimin e nevojave për investime dhe kapital pune në bujqësi dhe forcimi i menaxhimit të tokës, pyjeve, peshkimit, burimeve minerale dhe ujore.
Zhvillimi i ndërmarrjeve private 8% ku do të mbështetet zhvillimi i kapaciteteve institucionale dhe shërbimeve këshillimore, për të lehtësuar zhvillimin e biznesit e të tregtisë. Me pjesën më të madhe të burimit do të financohen linjat e kreditit për zhvillimin dhe ristrukturimin e ndërmarrjeve. Burimet njerëzore 3 %, shërbimet e sektorëve qeveritarë dhe financiarë 3%, ku do të vazhdohet t’i jepet mbështetje reformës së administratës publike, ristrukturimi i sektorëve të shërbimeve bankare dhe financiare. Në shpërndarjen e burimeve në sektorë të ndryshëm është marrë parasysh edhe mbështetja e politikave kombëtare dhe rajonale të zhvillimit ekonomik.
Gjatë vitit të ardhshëm do të ketë ndryshime të mëdha në strukturën e financimit të programit të investimeve publike. Së pari, financimi i huaj do të rritet ndjeshëm, sepse shpejtësia e zbatimit po rritet në mjaft projekte të mëdha të infrastrukturës për të cilët financimi i huaj ka qenë i siguruar dhe se Qeveria ka siguruar mbështetjen financiare të programeve të saj ekonomike. Krahas financimit do të përfitohet edhe asistencë e gjithanshme për hartimin dhe zbatimin e politikave sektoriale dhe përcaktimin, përgatitjen dhe zbatimin e projekteve prioritarë në shkallë ekonomie. Së dyti, është parashikuar që vetëm gjatë vitit 1996 do të nënshkruhen marrëveshjet për financimin e huaj për rreth 450 milionë dollarë. Së treti financimet jokoncensionale nga institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Evropiane, Banka Botërore dhe Banka Evropiane e Investimeve që gjithashtu do të vijnë në rritje. Së katërti prioritet që të ketë më shumë përfshirje të sektorit privat në formën e financimit të një numri projektesh të infrastrukturës me skemat e njohura ose të tjera të përdorura edhe në vendet me zhvillim të shpejtë për të plotësuar financimet e pamjaftueshme publike me ato private.
Qeveria do të punojë për sigurimin e financimeve grand për kërkesat e asistencës teknike dhe të huave me terma të buta për financimin e programeve kritike ekonomike, të infrastrukturës sociale dhe për financimin e infrastrukturës dhe të utiliteteve publike. Huatë e huaja jokoncesionale do të kufizohen në financimin e investimeve efektive nga ana komerciale në utilitetet publike dhe për financimin e infrastrukturës ekonomike, si pjesë e paketave më të gjera të financimit që përfshijnë në mënyrë të ndjeshme edhe elementët e financimit grand. Që në fillimet e reformës është përcaktuar se shteti duhet të ndërhyjë kryesisht në përgatitjen e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sektorëve privatë, si sektor tërheqës i ekonomisë. Për pasojë, edhe financimet e huaja do të përdoren për arritjen e këtyre objektivave.
- Ngritja dhe përmirësimi i infrastrukturës së bazës si rrugët, infrastruktura e furnizimit me energji elektrike, furnizimi me ujë, infrastruktura e ujitjes dhe e kullimit, telekomunikacioni etj. Ndërhyrja në to do të synojë një zhvillim normal të ekonomisë së tregut sot dhe për t’i hapur vendit një perspektivë disadhjetëravjeçare zhvillimi me ritme të shpejta.
- Plotësimi dhe përsosja e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe ngritja e konsolidimi i institucioneve të reja të shtetit demokratik.
- Nxitja dhe forcimi i bazës produktive të vendit nëpërmjet: a) nxitjes për krijimin e institucioneve bashkëkohore financiare të cilat do të mobilizojnë burimet e brendshme dhe do të bëjnë të mundur përdorimin me efektivitet të tyre; b) mbështetjes për zhvillimin e biznesit të vogël; c) përfundimit të privatizimit masiv dhe mbështetjen e ndërmarrjeve pas privatizimit.
- Është zbatimi i programit për mbështetjen sociale.
- Zbatimi i politikave sektoriale rajonale.
Në rritjen e efektivitetit të përdorimit të financimeve të huaja dhe shkurtimit të ciklit të financimit të projekteve do të kihet parasysh rritja e nivelit të disbursimeve aktuale në nivelin e parashikuar dhe një parapërgatitje dhe parashikim më i mirë për marrëveshjet e reja vazhdimi i bashkëpunimit me organizmat financiarë ndërkombëtarë për mobilizimin e burimeve të tjera, vazhdimi, përsosja dhe bashkëpunimi me shtete si Gjermania e Italia në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar ndërqeveritar dhe shtete si Zvicra dhe Japonia etj., si bashkëfinancuese të projekteve të mëdha të infrastrukturës. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo donatori, do t‘u propozohen atyre projekte ku përvoja është më e mirë dhe ku kanë avantazhe relative ndaj donatorëve të tjerë.
Zhvillimi urban. Zonat urbane në vendin tonë në vitet e fundit karakterizohen nga shtimi i shpejtë i popullsisë për shkak të lëvizjes nga zonat rurale në ato urbane. Kjo rritje e shpejtë e popullsisë nuk është shoqëruar me zgjerimin e infrastrukturës për të përmbushur nevojat e popullsisë, prandaj për këtë arsye objekt i Qeverisë në këtë sektor do të jetë zhvillimi i studiuar urban, si nevojë e domosdoshme për t’iu përgjigjur koncepteve të reja të zhvillimit.
Sot vendi kërkon zhvillime të reja urbane, të konceptuara në një këndvështrim të ri, më të lirë, mbështetur në nismat private të panumërta. Kështu, kërkohet që ndërtimi i objekteve dhe komplekset e objekteve të studiohen në tërësinë e marrëdhënieve me qytetin dhe në këtë kontekst Qeveria do të hartojë strategji të reja për parandalimin e ndërtimeve të pastudiuara, të cilat cenojnë urbanistikën e qyteteve.
Studimet rajonale, ndërrajonale dhe ato të masterplaneve të zonave bregdetare e turistike do të jenë objekt i studimeve urbane për perspektivën e afërme, për faktin se këto hapësira janë krijuar dhe vazhdojnë të krijojnë veprimtari ekonomike e sociale të panjohura më parë. Një drejtim i rëndësishëm i zhvillimit urban do të jetë trajtimi i zonave urbane dhe suburbane që nuk ka të bëjë vetëm me sistemimin e banorëve në këto zona, por edhe me gjetjen e mundësive për zgjidhjen e problemeve që krijohen, duke i paraprirë me studime prognoze. Mundësitë e zgjidhjes së burimeve për financim do të jenë ato të rikuperimeve të shpenzimeve dhe pjesëmarrjes së investitorëve privatë.
Turizmi mbetet një ndër degët bazë të ekonomisë për Shqipërinë, falë kushteve të përshtatshme natyrore, ekonomike dhe sociale. Kjo është edhe arsyeja që veprimi i shtetit në këtë fushë do të jetë vendimtar për të siguruar kushte sa më të dobishme për zhvillimin e tij. Për këtë qëllim do të vazhdojë puna për të thelluar përgatitjen e studimeve rajonale në formën e planifikimit territorial, ku do të trajtohen më mirë probleme të urbanistikës, arkitekturës, të raporteve midis zhvillimit industrial, turistik etj.
Drejtimet kryesore të ndërhyrjes së shtetit do të jenë: përpunimi i një kuadri më të plotë ligjor, duke përmirësuar legjislacionin ekzistues dhe duke pasqyruar në të ndryshimet që ndër kohë kanë ndodhur. Do të punohet për përgatitjen e ligjeve që administrojnë veprimtaritë e marinave dhe jahteve, si dhe të klasifikimit të strukturave turistike, ndërtimi i infrastrukturës kryesore në shkallë kombëtare që do të përbëjë bazën për një zhvillim të drejtuar dhe të qëndrueshëm të industrisë turistike në zonën bregdetare. Kështu do të trajtohet me përparësi, duke kërkuar një mbështetje nga organizmat ndërkombëtarë për ristrukturimin e rrjetit kombëtar rrugor pranë zonave turistike në aksin veri-jug, ndërtimin e rrjeteve kryesore të ujësjellësve, kanalizimeve, linjave të tensionit të lartë dhe të postë-telekomunikacioneve pranë zonave bregdetare, riaftësimin e disa aeroporteve për fluturime të brendshme në Shkodër, Kukës, Korçë dhe Vlorë dhe ndërtimi i një aeroporti të përmasave ndërkombëtare në Sarandë, si dhe përgatitjen e studimeve urbanistike të zonave bregdetare dhe të brendshme. Gjithashtu, do të stimulohet ndërtimi i një rrjeti portesh turistike të përqendruar në Shëngjin, Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Problemet e mbrojtjes së mjedisit kanë nisur të trajtohen në përputhje me kriteret bashkëkohore të organizimit, planifikimit dhe të drejtimit vetëm gjatë 4 vjetëve të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe në zbatim të programit të saj. Ne do të vazhdojmë të punojmë sipas strategjisë dhe planit kombëtar të mbrojtjes së mjedisit, që përfshin masat organizative dhe teknike, zbatimi rigoroz i të cilave orienton progresin ekonomik dhe social sipas parimit të zhvillimit të qëndrueshëm.
Do të punohet për kompletimin e strukturave dhe të akteve ligjore e nënligjore, do të këmbëngulet që komponenti mjedisor të gjejë më tepër hapësirë në politikat sektoriale të zhvillimit dhe të shoqërohet me investime në rritje për infrastrukturën urbane, në pakësimin e ndotjeve industriale dhe bujqësore dhe në konservimin e natyrës.
Një hap i rëndësishëm do të jetë krijimi i fondit kombëtar të mjedisit, që do të përbëjë burimin kryesor për financime dhe drejtim të rehabilitimit të dëmtimeve të shkaktuara nga ndotje historike dhe shmangies së dëmtimeve negative në mjedis nga veprimtaritë e reja industriale, bujqësore, të turizmit etj.
Ky ligj do të vërë në eficencë parimin “ndotësi dhe përdoruesi paguan”, që përbëjnë një hap vendimtar në zbatimin e instrumenteve financiare për mbrojtjen e mjedisit. Në këtë përvojë do të vlerësohet edhe mundësia për krijimin e fondeve të mjedisit në nivel rrethi, bashkie apo komune. Gjithashtu do të përgatitet ligji për konservimin e tokës, me të cilën do të krijohet kuadri ligjor i mbrojtjes së tokës nga ndotja, përdorimi, erozioni etj., si dhe do të plotësohet kuadri ligjor për ujin dhe ajrin, parqet dhe zonat e mbrojtura për administrimin e zonës bregdetare, për biodiversitetin, për administrimin e mbetjeve të rrezikshme urbane dhe trajtimin e ujërave të zeza etj.
Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të forcohen institucionet për mbrojtjen e mjedisit në të dy nivelet, qendror dhe lokal, dhe të krijohen në çdo ministri njësitë përkatëse të cilat do të jenë përgjegjëse për administrimin e mjedisit dhe të burimeve natyrore, punën kërkimore, koordinimin dhe zhvillimin e politikës sektoriale.
Për të vënë në jetë një politikë të mjedisit që merr në konsideratë forcimin dhe rehabilitimin e dëmtimeve nga erozioni, çka kërkon përdorimin racional të kimikateve në bujqësi, që përmirëson, shton dhe mban fondin pyjor, bregdetin, gjelbërimin dhe zonat e mbrojtura. Në qendër të vëmendjes do të jetë hartimi i një strategjie kombëtare për shfrytëzimin e ujërave, si dhe hartimi i planeve për përmirësimin e sistemit të grumbullimit, transporteve të mbeturinave urbane dhe industriale, duke përfshirë edhe ujërat e përdorura.
Angazhimi, kontrolli dhe pjesëmarrja e publikut janë vendimtare, sipas mendimit tonë në kuadrin e një politike mjedisore. Sektori i shërbimeve publike të infrastrukturës që do të jetë në qendër të vëmendjes së programit qeveritar dhe përfshin infrastrukturën e furnizimeve me ujë, kanalizimet, strehimin dhe rregullimin e territorit në zonat urbane dhe rurale do të jetë në një vëmendje të veçantë, sidomos për qendrat e krijuara rishtas nga lëvizjet e popullsisë.
Megjithëse Shqipëria është e pasur me burime ujore, furnizimi me ujë në zonat urbane dhe rurale paraqitet ende kritik si pasojë e rrjeteve të ujësjellësve si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm tejet të amortizuar, nga mungesa e investimeve në zgjerim, mirëmbajtja e sistemit të ujësjellësve, si dhe nga përcaktimi jo i drejtë i çmimit të ujit dhe përdorimi pa kriter i tij. Në këtë sektor ne synojmë sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm dhe cilësor me ujë në qendrat kryesore urbane, ndërtimin e ujësjellësve në zonat ku nuk ekziston furnizimi me ujë dhe i pijshëm, rritjen e efektivitetit të kryer si shërbimet në sektorin e ujësjellësve, nëpërmjet mirëmbajtjes më të mirë, hartimin e një legjislacioni që do të mundësojë funksionimin e sektorit si një njësi vetëfinancuese ashtu si në mjaft vende të Evropës dhe të botës, fillimin e një procesi të privatizimit të shërbimeve të furnizimeve me ujë, duke krijuar kushte për mbulimin e plotë të kostos, duke reduktuar kërkesën për fonde buxhetore dhe për investime në formën e subvencioneve.
Sigurisht, për një shërbim me standarde evropiane për konsumatorët dhe vepra jetëgjatë, kostot janë tepër të larta, kurse financimet e buxhetit të shtetit nuk do të mjaftonin. Për këtë arsye në projektet e furnizimit me ujë të popullsisë është mobilizuar një pjesë e mirë e financimeve të huaja. Tani për tani është në vazhdim një program i rëndësishëm për rehabilitimin e ujësjellësve në një numër qytetesh: ujësjellësat në Tiranë, në Durrës, në Kukës, në Krumë, në Korçë, në Krujë, në Kavajë dhe janë duke u rehabilituar me asistencën e Italisë, Gjermanisë dhe Bankës Botërore. Rehabilitimi përfshin punët për zëvendësimin dhe riparimin e tubacioneve në rrjetet e transmetimit dhe të shpërndarjes, konstruksionin e stacioneve të pompimeve, instalimin e montatorëve, si dhe ndërtimin e rezervuarit të ri në Bovillë. Puna për rehabilitimin e ujësjellësve në zonat e tjera në disa raste ka filluar dhe do të vazhdojë për periudhën 1996-2000.
Kanalizimet. Sistemi i sotëm i trajtimit të ujërave të zeza paraqitet në gjendje të rëndë. Rrjeti i kanalizimeve nuk është i plotë. Ka defekte dhe mangësi që në konceptimin e projekteve teknike. Nuk është për t’u habitur që ndodhemi përpara këtyre mangësive, pasi ka qenë një politikë konstante e vënë re edhe në raste të tjera për neglizhimin e problemeve të lidhura me ruajtjen e mjedisit, në rastet kur për të mënjanuar këto kërkoheshin investime shtesë. Kjo është arsyeja që Shqipëria nuk ka asnjë impiant pastrimi të ujërave të zeza. Situata më e rëndë paraqitet në qytetet e mëdha ku numri i banorëve është rritur në mënyrë mekanike dhe rrjeti i kanalizimeve nuk i mbulon të gjitha zonat e urbanizuara rishtas.
Objektivat e Qeverisë në këtë nënsektor do të jenë: reduktimi i ndotjeve të mjedisit dhe rreziqeve për shëndetin e njerëzve, duke bërë investime imediate për rehabilitimin e rrjeteve ekzistuese të ujërave të zeza. Do të vazhdojnë programet e nisura për përgatitjen e projekteve madhore të investimeve në këtë fushë, përmirësimi i menaxhimit të shërbimeve të trajtimit të ujërave të zeza, përgatitja për aplikimin e një sistemi tarifor, që synon kthimin e shërbimit të trajtimit të ujërave të zeza në një veprimtari të vetëfinancueshme.
Për arritjen e këtij objektivi, Qeveria ka hartuar strategjinë e ndërhyrjes, duke u nisur nga urgjenca që paraqesin rastet e veçanta. Kushtet e këqija të trajtimit të ujërave të zeza dhe të shërbimeve të kanalizimeve kanë kërkuar një program për rehabilitimin dhe në disa zona për ndërtimin e impianteve për trajtimin e tyre.
Qeveria është duke ndërmarrë një program për qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, Pogradeci, Saranda, Kavaja, Kruja, Kukësi etj., me financime nga buxheti i shtetit dhe nga mjaft organizata dhe shtete donatore si Bashkimi Evropian, Gjermania, Japonia dhe Austria. Gjatë periudhës 1996-2000 do të bëhen përmirësime edhe në zona të tjera, duke përfshirë veç këtyre Shkodrën, Beratin, Lezhën. Përparësi u është dhënë zonave ku gjendja është më e rëndë nga pikëpamja e ndotjes ambientale dhe higjienës dhe zonave me perspektivë për zhvillimin turistik.
Sistemi i trashëguar i pastrimit të territoreve urbane ishte praktikisht i pazbatueshëm në formën e ekonomisë së tregut, e cila kërkon që organizimi i kësaj veprimtarie të jetë ekonomikisht i qëndrueshëm, pra të jetë i vetëfinancueshëm. Futja e një menaxhimi të tillë kërkon edhe përgatitjen e një kuadri ligjor si për kryerjen e shërbimit, ashtu dhe për skemën e sigurimit të financimit, të bazuar në sistemin e taksave lokale. Në këtë mënyrë sigurohet futja e kapitalit privat në pajisjen e parkut të makinerive, të teknologjisë së re në bërjen e shërbimit, të metodave më efikase në menaxhimin e ndërmarrjeve dhe, më kryesorja, një cilësi më e mirë e shërbimit të kryer.
Me miratimin e ligjit “Për taksat lokale, për financimin e veprimtarive të pastrimit urban”, mund të quhet e përfunduar në vija të përgjithshme skema e organizimit të mëtejshëm të sektorit publik, kështu që strategjia e zhvillimit të mëtejshëm të tij do të parashikojë vazhdimin e liberalizimit të shërbimit të pastrimit, organizimin e tij në shoqëri private, të prokuruara me garë të hapur, përmirësimin e kuadrit ligjor për të siguruar një funksionim të rregullt dhe efikas të këtyre shërbimeve, por edhe mbrojtjen e teknologjive të përdorura nga kontraktorët, përmirësimin e kuadrit administrativ të pushtetit lokal që do të menaxhojë këtë veprimtari të caktuar, si dhe procedurën që duhet ndjekur për një përcaktim të saktë të kostos së kryerjes së shërbimit dhe një monitorim të cilësisë së shërbimit të kryer, mbulimi nga ana e pushtetit qendror e boshllëkut që mund të krijohet në fazën fillestare të zbatimit të ligjit mbi taksat lokale për veprimtarinë e pastrimit urban midis taksës së mbledhur për këtë qëllim dhe kostos reale të kryerjes së shërbimit, zgjidhja e problemit të depozitimit dhe eliminimit të mbeturinave urbane në zonat që nuk përbëjnë rrezik. Në këtë kuadër të studiohen mundësitë e krijimit të një djegësi, për t’i shërbyer rajonit të Tiranës, Durrësit dhe Kavajës.
Strehimi. Qeveria angazhohet për një shtim të konsiderueshëm të fondeve në vitet e ardhshme nga investimet publike që do të përdoren për të pastrehët. Me përparësi do të trajtohen të pastrehët ish- të përndjekur politikë, qiramarrësit në banesa ish-pronë private ose të emigrantëve ose ato që banojnë në kushte jo të përshtatshme higjienike ose tepër ngushtë. Me legjislacionin e hartuar për të pastrehët, një pjesë e kostos së banesës do të përballohet nga shteti, kurse pjesa tjetër me kredi bankare, me kushte favorizuese.