Programi i Qeverisë së Stabilitetit të Ylli Bufit
Programi i Qeverisë së Stabilitetit
E mërkurë datë 12.6.1991
Në seancën e pasdites të Kuvendit Popullor Kryeministri Ylli Bufi paraqet programin e qeverisë për marrjen e votbesimit.
Fjala e Kryeministrit
Të nderuar deputetë,
Marrëveshja e re politike për krijimin e një qeverie koalicioni të stabilizimit të vendit është një zgjidhje e mençur e partive politike dhe e këtij Kuvendi për kapërcimin e situatës tepër kritike që po kalon vendi. Ajo përbën të vetmen alternativ për stabilizimin e gjëndjes ekonomike, politike e sociale të vendit dhe për konsolidimin e zhvillimin e mëtejshëm të proceseve të demokratizimit në Shqipëri. Kjo zgjidhje u arrit edhe në saj të angazhimit të Sindikatave të Pavarura dhe të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, për t’i ndërprerë grevat deri në zgjedhjet e reja që do të bëhen pas një viti. Vetëm kështu Qeverisë së re mund t’i krijohen kushte për stabilizimin e gjendjes sipas programit që po paraqesim, i cili është ndërtuar mbi bazën e konsultimeve të bëra me të gjitha forcat politike të vendit. Qeveria që do të dalë nga ky Kuvend, angazhohet se do të vazhdojë dialogun për të gjetur rrugëzgjidhjet më të përshtatshme të këtyre kërkesave që kanë parashtruar punonjësit, sepse në thelb ato përbëjnë problemet kryesore ekonomike e sociale të programit të punës së saj.
Të nderuar deputetë,
Për të gjithë ju është e qartë kriza e thellë e komplekse që po përjeton vendi ynë, e cila pas grevës së përgjithshme ka marrë përmasa katastrofike dhe e ka çuar vendin në pragun e një rrënimi të plotë. Janë paralizuar sektorët kyç të ekonomisë, si transporti hekurudhor, sektorë të rëndësishëm të transportit automobilistik, portet, industria e lehtë dhe ajo e mjeteve të ndërtimit, mjaft miniera, punimet në bujqësi, eksporti etj.
Duke pasur parasysh defiçitin buxhetor të trashëguar prej 3.2 miliardë lekësh, si dhe rreth 400 milionë dollarë deficiti në bilancin e pagesave, gjatë këtij muaji situata u rëndua edhe më shumë. Humbjet e drejtëpërdrejta nga greva e përgjithshme për 15-ditorin e dytë të muajit maj llogariten mbi 200 milionë lekë.
Situata edhe më e rëndë paraqitet në sektorin e bujqësisë. Fshati po kalon një tronditje të thellë ekonomike e sociale. Kjo ka krijuar një gjendje amullie e paqartësie për të ardhmen. Në këto kushte, prodhimi pothuajse është paralizuar, duke u cënuar rëndë furnizimi i popullit dhe, nëse nuk e ndalim këtë proces, perspektiva do të jetë me pasoja të pallogaritshme.
Si pasojë e ndërprerjes së shkarkimit dhe shpërndarjes së mallrave të ardhura nga importi, si dhe të atyre që ishin kontraktuar me firmat e vendeve të ndryshme, për shkak të grevës së përgjithshme, rezervat ushqimore për artikujt kryesorë llogariten në ditë. Ndërkaq qëndrojnë të bllokuar në porte e në kufi 1100 tonë sheqer, 1000 tonë vaj ushqimor, mbi 4000 tonë oriz, 1300 tonë miell, 1100 tonë sapun, 500 tonë patate dhe 250 mijë tonë margarine. Për mungesë sigurie nga firmat e huaja, po vonohet furnizimi i sasive të tjera të sheqerit, vajit, mishit, qumështit pluhur, gjalpit etj.
Nga mungesa e transportit dhe karburanteve, në shumë fabrika është ndërprerë prodhimi i makaronave, i produkteve të sheqerit, i birrës, i pijeve freskuese, cigareve etj.
E njëjta situate e rëndë është edhe për furnizimin e tregut me artikuj industrialë e në veçanti me artikuj të veshjes, të enëve të kuzhinës, materialeve të ndërtimit etj. Në këto kushte i është hapur rrugë në mënyrë të shfrenuar spekullimeve dhe tregut të zi.
Janë rritur tensionet sociale, është tronditur siguria dhe qetësia e njerëzve, është cënuar rëndë rendi publik. Kohët e fundit në disa rrethe, si në Lezhë, Krujë, Shkodër, Elbasan etj. janë kryer veprime të dhunshme kundër pronës së popullit, të shoqëruara me djegie e shkatërrime deri edhe në përdorimin e armëve të zjarrit kundër punonjësve e Forcave të Rendit. Janë shtuar aktet e dhunës kundër qytetarëve, duke filluar nga presionet, kanosjet e deri në krime kundër jetës, pa folur këtu për aktet e rrugaçërisë e të vagabondazhit, të cilat janë bërë masive. Gjithashtu, vazhdojnë kalimet e paligjshme të kufirit tonë shtetëror nga persona të veçantë e grupe njerëzish.
Në këto kushte, objektivat kryesore të programit të punës të kësaj Qeverie janë: sigurimi i mallrave më të domosdoshme të konsumit të gjërë për furnizimin e popullit, stabilizimi i gjendjes në fshat dhe zhbllokimi i industrisë e i degëve të tjera të ekonomisë nga mungesa e lendëve të para, ndërprerja e thellimit të defiçitit buxhetor brenda vendit e të bilancit të pagesave sociale, përgatitja e legjislacionit të nevojshëm për t’i hapur rrugë ekonomisë së tregut e privatizimit të vogël, si dhe kërkesave aktuale të zhvillimit tonë shoqëror demokratik, intensifikimi i marrëdhënieve me jashtë, sidomos në fushën e sigurimit të ndihmave e të përkrahjes financiare nga shtetet e ndryshme dhe organizma financiare ndërkombëtare.
Drejtimi i parë i punës së kësaj Qeverie do të jetë mobilizimi i të gjitha potencialeve të vendit, të bujqësisë, industrisë e të sektorëve të tjerë për zhvillimin e ekonomisë. Aktualisht po futemi në fushatën korrje-shirjeve e të grumbullimit të grurit. Na del detyra të marrim të gjitha masat e nevojshme që ekonomitë bujqësore të ruajnë e të grumbullojnë prodhimin e grurit, për të plotësuar në radhë të parë nevojat e tyre, të fshatit e të kooperativës. Po kështu, masa duhet të merren dhe për grumbullimin e tepricave të ekonomisë bujqësore e të oborrit vetjak, duke përdorur në mënyrë aktive levat ekonomike e duke ndërtuar një politikë çmimesh e forma grumbullimi sa më të përshtatshme e stimuluese. Me gjithë këto masa, përsëri do të jemi të detyruar të importojmë sasi të konsiderueshme artikujsh ushqimorë, duke filluar nga drithërat e bukës, yndyrnat, sheqeri, orizi, mishi e deri te qumështi pluhur. Deri tani janë siguruar dhe priten të vijnë brënda tremujorit të tretë vetëm 10 milionë dollarë mallra ushqimore, nga 100 milionë dollarë që llogariten nevojat deri në fund të vitit. Në këto kushte duhet që Qeveria të marrë masa të menjëherëshme për të plotësuar bilancet ushqimore nëpërmjet ndihmave e kredive nga vende të ndryshme.
Detyrë mjaft urgjente për Qeverinë është zhbllokimi i industrisë dhe i degëve të tjera të ekonomisë nga mungesa e lëndëve të para nga vendi dhe nga importi, një problem ky me karakter të mprehtë ekonomik dhe shoqëror. Gjatë pesëmujorit, rreth 60 mijë punëtorë janë paguar me 80 për qind të pagës për mungesë të lëndëve të para.
Burimet valutore tepër të kufizuara që do të krijohen, do të përdoren me dorë të shtrënguar, me përparësi në ata sektorë që lidhen me shtimin e të ardhurave valutore në eksport dhe në ndërmarrjet me grupime të mëdha punonjësish, si ato të industrisë tekstile etj.
Qeveria do të veprojë me shpejtësi për decentralizimin e furnizimit materialo-teknik, duke e shoqëruar këtë me kuadrin e nevojshëm ligjor, siç janë ligjet për kontratat dhe ligji për ndërmarrjet, i cili do t’i vërë para përgjegjësisë në rrugë ekonomike ndërmarrjet për realizimin e detyrimeve kontraktore. Për këtë qëllim, Qeveria do të legalizojë në një kohë sa më të shpejtë tregun privat të valutave, dhe do të caktojë një kurs të brendshëm sa më real të këmbimit të lekut me valutat e huaja. Me këtë do të hidhen hapat e parë të liberalizimit të veprimtarive të eksport-importit, ku çdo ndërmarrje do të fitojë të drejtën për të hyrë si subjekt i pavarur në marrëdhëniet me firmat e huaja për sigurimin e lendës së parë e të bazës tjetër të nevojshme materiale.
Duke bërë një politikë më aktive për përmirësimin e bilancit valutor, Qeveria do të heqë dorë nga praktika e caktimeve apriori nga sipër, në rrugë administrative të disa kuotave. Ajo do të veprojë, që nëpërmjet licencave e fiskalitetit të bëjë të interesuar të gjithë subjektet ekonomike, duke filluar nga dikasteret e strukturat e tjera qëndrore.
Në kuadrin e masave për zhbllokimin e ekonomisë, objekt i rëndësishëm i Qeverisë do të jetë konkretizimi i marrëveshjes së arritur në parim me Qeverinë italiane, e cila u jep zgjidhje nevojave më të ngutshme të ekonomisë sonë për lëndët e para. Po kështu, do të bëhen përpjekje për t’u siguruar kredi për lendë të para e investime nga shtete të tjera, firma e banka të ndryshme brënda e jashtë kontinentit tonë. Në këtë drejtim një rol të veçantë do të luajnë masat për heqjen e kufizimeve e të pengesave burokratike për tërheqjen e kapitaleve, të mallrave e financimeve të diasporas shqiptare, e cila sot, më shumë se kurrë, duhet t’i ndodhet pranë atdheut të vet. Qeveria angazhohet se brenda muajit korrik do t’i paraqesë Kuvendit modalitetet e nevojshme për shpalljen e një amnistie të përgjithshme për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Drejtim i rëndësishëm i punës së Qeverisë do të jetë stabilizimi i gjendjes në fshat nëpërmjet riorganizimit të kooperativave bujqësore ekzistuese, zbatimit të formave të tjera të larmishme të kooperimit në fushën tregtare, të kreditit, të investimeve etj, veçanërisht në zonat kodrinore e malore dhe nxitjes e mbrojtjes së interesave të prodhuesve me një politikë favorizuese e stimuluese të çmimeve të grumbullimit.
Për të rregulluar të gjitha problemet që kanë lindur aktualisht për tokën midis familjeve e kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore, së shpejti, Qeveria do t’i paraqesë për miratim këtij Kuvendi një projektligj për tokën, në të cilën do të konfirmohet e drejta që u lind subjekteve për përdorimin e saj, marrëdhëniet midis shtetit dhe përdoruesve, si dhe sanksionet e duhura që garantojnë mbrojtjen dhe përdorimin racional të saj. Për të zgjidhur problemet e mprehta të rishikimit të kufijve të pronësisë etj. që po krijojnë tensione sociale në fshat, qeveria do të krijojë komisione të posaçme shtetërore në qendër dhe në rrethe si dhe do të marrë masa për të riorganizuar e fuqizuar kadastrën.
Qeveria do t’u japë ndihmesën e nevojshme organizatave kooperativiste me investime. Shteti do të ndihmojë me kredi edhe familjet fshatare për fuqizimin e oborrit personal. Për këtë qëllim, pranë kooperativave gradualisht do të fillojë të organizohen e të funksionojnë filialet e Bankës Bujqësore.
Për të nxitur prodhimin e për t’u ardhur në ndihmë kooperativave dhe familjeve fshatare, shteti do të mbështesë edhe riorganizimin e ndërmarrjeve të sistemit të gurmbullimit, të tregtisë, të përpunimit e të shërbimit që lidhen me bujqësinë, duke i futur ato me hapa të shpejtë drejt privatizimit dhe sipërmarrjeve të nevojshme.
Çmimjet e disa produkteve bujqësore e blegtorale, kooperativat apo fshatari do t’i vendosë në treg sipas kërkesës e ofertës, ndërsa shteti do të kontrollojë çmimet e grumbullimit të drithërave, të bimëve industriale (të duhanit, të orizit, të pambukut e të panxharit, të qumështit, mishit e të ullirit), të cilat do të jenë më stimuluese se deri më sot, ato do të synojnë të afrohen me vlerën e tyre, si dhe me çmimet ndërkombëtare.
Në vendimet që do të marrë Qeveria do të mbajë më mirë parasysh interesat e prodhuesve në zonat kodrinore-malore. Veçanërisht në zonën verilindore përmes politikave subvencionuese për të stimuluar prodhimin e rritur të ardhurat. Masat favorizuese për rritjen e pensioneve në qytet do të shtrihen në të njëjtën masë edhe për pensionet e kooperativistëve për pjesën që mbulon shteti.
Shteti do të kujdeset për sistemimin në punë të të gjitha kuadrove të bujqësisë që kanë dalë tepër gjatë masave që po merren gjatë këtij viti për riorganizimin e bujqësisë.
Vendi është në një krizë të rëndë financiare. Defiçitit të lartë buxhetor të trashëguar nga viti i kaluar po i shtohen mosrealizime të tjera në treguesit ekonomik e financiar, për shkak të paralizimit të jetës ekonomike të vendit gjatë 5-mujorit të këtij viti. Të ardhurat e buxhetit të shtetit për këtë periudhë u realizuan vetëm 81 për qind ose mbi 620 milionë lekë më pak, kurse një pjesë e madhe e ndërmarrjeve, sidomos në industrinë e nxjerrjes dhe të përpunimit, në ndërtim, në transport e gjetkë, si efekt i ndërprerjeve në prodhim e shpërndarje nuk realizuan fitimin e parashikuar dhe kanë dalë me humbje mbi plan.
Në këto kushte, gjetja e rrugëve për të ndërprerë thellimin e defiçitit buxhetor të trashëguar, si dhe për ta ulur atë, përbëjnë një nga angazhimet më serioze të Qeverisë. Masa e parë për arritjen e kësaj do të ishte sigurimi i të ardhurave financiare dhe buxhetore në nivelet e parashikuara për 6-mujorin e dytë të këtij viti. Ky objektiv kushtëzohet nga riaktivizimi sa më i shpejtë i ekonomisë, nga rritja e interesit të punonjësve për të mobilizuar të gjitha burimet ekzistuese financiare e materiale, si dhe kreditin bankar.
Kjo krizë financiare, e cila vështirësohet gjithnjë e më shumë edhe si rrjedhojë e kërkesave të sindikatave për rritjen e pagave, shtron si domosdoshmëri nevojën e zbatimit të një politike shtrënguese për kryerjen e çdo shpenzimi. Për këtë, Qeveria do të marrë masa për uljen e shpenzimeve buxhetore nëpërmjet shkurtimit të ndjeshëm të shpenzimeve administrative, ato të mbrojtjes së vendit, të financimit të organizatave politike e shoqërore, të institucioneve artistike e sportive etj. Madje do të preken edhe një pjesë e shpenzimeve të domosdoshme, siç janë ato të investimeve të sferës prodhuese dhe ato me karakter jetësor. Qeveria do të përpiqet që të përdorë me efektivitet sa më të lartë edhe politikën fiskale dhe instrumentet e saj për sigurimin e burimeve të të ardhurave të buxhetit, ashtu dhe të përdorimit të tij, si edhe uljen në minimum të subvencionit për humbjet, duke ndërprerë dhe disa aktivitete me humbje. Për vënien në jetë të këtyre masave, Qeveria do të hartojë një program të veçantë, me detyra konkrete për çdo degë e sektor të ekonomisë e të jetës së vendit.
Zbatimii programit për stabilizimin e ekonomisë kushtëzohet drejtëpërsëdrejti nga masa që do të marrë Qeveria për zgjidhjen e problemit të deficitit të lartë të bilancit valutor të vendit.
Interesi ynë imediat dhe mundësia e vetme është financimi me burime të huaja ose moratoriumi i detyrimeve që burojnë nga defiçiti i bilancit valutor dhe pagesave. Është imperative që kjo Qeveri të angazhohet në kontakte më intensive me shtete e institucione ndërkombëtare si Banka Botërore, me TPE-në, me PNUD-in etj. për sigurimin e kredive të nevojshme. Përpjekje do të bëjmë edhe për shfrytëzimin e mekanizmave të njohur të tregut financiar ndërkombëtar si riciklimi ose si blerja nga të tretë, të borxhit valutor korrent që ka vendi, duke e orientuar shlyerjen e tij në përputhje me riaktivizimin e potencialeve ekonomike të vendit në bashkëpunim me kapitalin e huaj.
Gjatë kësaj periudhe, Qeveria do të punojë për rë realizuar kalimin gradual në ekonominë e tregut. Në këtë fushë Qeveria do të plotësojë kuadrin e nevojshëm ligjor dhe do të hedhë hapa konkretë. Objektiv kryesor do të jetë privatizimi, për të cilin Qeveria do të hartojë një program të vacantë dhe do të përgatisë kuadrin e duhur institucional të realizimit të tij. Fillimisht ky proces do të shtrihet në sektorët e tregtisë me pakicë, të shërbimit komunal e artizanal, të prodhimit të vogël, të transportit automobilistik, duke përfshirë edhe shitjen e apartamenteve të banimit etj.
Qeveria do të angazhohet për të mënjanuar çdo lloj korrupsioni që bie ndesh me interesat e punonjëpve. Përmes një politike stimuluese të kreditit në favor të punonjësve ajo do të nxisë edhe kryerjen e privatizimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme në sektorin prodhues të mallrave të konsumit, në ndërtim etj.
Në degët me rëndësi të veçantë për zhvillimin e ekonomisë do të vazhdojë të ruhet prona shtetërore, por ndërmarrjet shtetërore do të riorganizohen e administrohen në një formë të re. Ato do të jenë më të pavarura nga shteti në marrjen e vendimeve për orientimin e prodhimit e të shitjeve, për formimin e çmimeve e të pagave etj., duke iu përgjigjur detyrimeve kontraktore e fiskale. Të gjitha format e pronës do të gëzojnë statusin ligjor të barabartë që u garanton ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese”. Marrëdhëniet e punësimit në të gjithë sektorët e ekonomisë do të bazohen në kontratat e punës individuale e kolektive, mbështetur në kodet e reja juridike që do të përpunohen e miratohen nga ky Kuvend.
Në procesin e kalimit drejt ekonomisë së tregut do të merren masa për reformën e çmimeve.
Liberalizimi i tyre do të bëhet shkallë-shkallë, në varësi nga ecuria e privatizimit, nga masa për liberalizimin e këmbimeve me jashtë, nga faza e zhvillimit të proçesit të këmbyeshmërisë së monedhës, nga rritja e ofertës së mallrave dhe sigurimi i rezervave valutore, duke ruajtur një shportë mallrash kryesore ushqimore e indsutriale, çmimet e të cilave do të jenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave.
Masa konkrete do të merren edhe për liberalizimin dhe rritjen e pagave, duke zëvendësuar sistemin ekzistues tarifor të centralizuar me forma të atilla që lidhin direkt interesat e punonjësve dhe të ndërmarrjes me rritjen e prodhimit. Ky do të jetë dhe problemi kryesor, për të cilin Këshilli i Ministrave do të diskutojë së bashku me sindikatat ditën e hënë date 17.6.1991 dhe do të marrë vendimet përkatëse.
Qeveria do të angazhohet për punësimin efektiv të të pazënëve në punë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Ndërkaq ajo do të intensifikojë punën për punësimin në mënyrë të organizuar e të përkohëshme të shtetasve tanë në vende të tjera.
Punonjësve që do të shkurtohen nga ristrukturimi i ekonomisë për shkak të privatizimit të sektorit shtetëror, rinovimit teknik e teknologjik etj, do t’u jepet asistencë sociale sipas ligjeve që do të hartohen e miratohen për këtë qëllim.
Qeveria në bashkëpunim me sindikatat, brenda këtij viti, mbi bazën e studimeve të kryera, do të hartojnë e paraqesin në Parlament legjislacionin përkatës për lehtësimin e punës së punëtorëve, sidomos të gruas, për shkurtimin e kohëzgjatjes së punës, për rishikimin e moshës së daljes në pension për disa profesione, për pagesën e punës në ditët e festive e të pushimit etj.
Deri sa të hartohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Kodi i Punës, marrëdhëniet e sindikatave me organet shtetërore e me ato të ekonomisë do të rregullohen me një paketë ligjesh, siç janë ato që do t’i paraqiten së shpejti Kuvendit për miratim. Të tilla do të jenë ligji për statusin e sindikatave, për kontratat kolektive dhe individuale të punës, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në punë në sektorin shtetëror, kooperativist e privat etj.
Ristrukturime të rëndësishme do të bëhen në aparatin shtetëror nga qendra e deri në bazë, për ta çliruar atë nga burokracia, për ta bërë më efikas e rentabël.
Një ndër drejtimet kryesore të veprimtarisë së Këshillit të Ministrave do të jetë angazhimi për krijimin e një shteti juridik, modern e demokratik. Për këtë qëllim do të punohet për përgatitjen e projektligjeve dhe akteve nënligjore për rregullimin e marrëdhënieve të reja shoqërore që janë krijuar e po krijohen në vendin tone në kushtet e demokracisë pluraliste e të kalimit drejt ekonomisë së tregut.
Ndryshime thelbësore do të bëhen edhe në aktet ligjore në fushën e drejtësisë, si në ato që kanë të bëjnë me pozitën juridike të organeve, sidomos të ruajtjes së rendit e të sigurimit kombëtar, ashtu dhe në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale, duke rishikuar rrënjësisht dënimet penale, në përputhje me proceset e demokratizimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Qeveria brenda një kohe të shkurtër do të paraqesë për miratim në Kuvendin Popullor një akt normative, me anën e të cilit të realizohet rikthimi i të drejtave politike, juridike, të strehimit, të punësimit etj. të njohjes së kohës së vuajtjes së dënimit si kohë e vlefshme për efekte pensioni, si dhe probleme të tjera që lidhen me sigurimet shoqërore, të profesionit të të dënuarve politikë të ndërgjegjes, si dhe për ata të dënuar që deklarohen të pafajshëm.
Detyrë me rëndësi për Qeverinë gjatë kësaj periudhe do të jetë normalizimi i gjendjes në universitete e në shkollat e tjera të larta. Puna e filluar për depolitizimin e demokratizimin e shkollës do të thellohet më tej mbi bazën e ristrukturimit të disa fakulteteve, profileve e degëve, si dhe të konceptimeve të reja të planeve, programeve e veçanërisht të përmbajtjes së mësimit në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit dhe të integrimit të tij në proceset europiane.
Do të hidhen bazat për ngritjen e një sistemi më adeguat për kualifikimin e riformimin e punonjësve të niveleve të ndryshme, deri në atë pasuniversitar, brenda dhe jashtë vendit, në mënyrë që ai t’i shërbejë drejtëpërsëdrejti proceseve të reja të zhvillimit tonë ekonomik e shoqëror. Për këtë qëllim do të shfrytëzohen jo vetëm forcat më të kualifikuara të vendit, por do të sigurohet dhe asistencë shkencore e profesionale e huaj, e sidomos e shkencëtarëve e afaristëve shqiptarë me banim jashtë shtetit. Kjo asistencë do të shtrihet në Këshillin e Ministrave, dikasteret dhe institucionet qëndrore, sepse sistemi i sotëm i kualifikimit nuk i përgjigjet dhe nuk i përballon nevojat e këtyre transformimeve të thella që duam të bëjmë.
Kultura jonë do të shtojë përpjekjet e saj, për të rritur cilësinë dhe forcuar fizionominë kombëtare, me qëllim që ajo të bëhet shprehëse e jetës dhe e aspiratave të të gjitha shtresave të popullit tonë. Ajo do të jetë e hapur ndaj kontakteve me kulturat e popujve të tjerë, të cilët do të zgjerohen edhe më tej në të ardhmen. Në kuadrin e kalimit në ekonominë e tregut do të bëhet privatizimi edhe i një pjese të institucioneve të veprimtarive kulturore e artistike.
Edhe në të ardhmen shteti do të kujdeset për zhvillimin e fizkulturës e të sporteve, duke punuar për shkëputjen graduale e të plotë të veprimtarive të klubeve sportive nga financimi buxhetor. Ruajtja dhe forcimi i shëndetit të popullit do të përbëjë një detyrë të përherëshme të Qeverisë. Përmes ndihmave dhe bashkëpunimit me organizata e shoqata ndërkombëtare humanitare, do të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme furnizimi me barna dhe paisje e institucioneve shëndetësore me bazë materiale e aparatura të nevojshme. Shërbimi shëndetësor do të ristrukturohet në përshtatje me kërkesat e ekonomisë së tregut, duke nxitur edhe privatizimin në këtë fushë. Vëmendje të veçantë do t’u kushtohet ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit nga ndotja e vënia nën kontroll e mbetjeve të rrezikshme.
Qeveria do të marrë masat e nevojshme që të garantojë mbrojtjen e lirisë e të pavarësi së atdheut. Ajo do të mbështesë realizimin e një reforme të thellë edhe në fushën ushtarake, që do të çojë në depolitizimin e saj, duke filluar me rinovimin e mendimit ushtarak, përmirësimin e organizimit të strukturave të Forcave të Armatosura dhe përgatitjen cilësore të tyre, forcimin e rregullit e të disiplines ushtarake, rivendosjen e gradave etj.
Në qendër të vëmendjes së Qeverisë do të jetë forcimi i rendit publik. Qeveria do të marrë masa të plota e të gjithanshme që popullit t’i kthehet siguria e qetësia, që forcën shtrënguese të ligjit ta ndjejë kushdo që vepron në kundërshtim me të. Do të synohet që veprimtaria e organeve të ruajtjes së rendit të ngrihet cilësisht e të mbështetet më miré me mjetet bashkëkohore, e deri tek pagat, me qëllim që t’u përgjigjet me kompetencë veprimeve të jashtëligjshme, duke i dhënë një drejtim më të fuqishëm parandalues e zbulues, fymë të re bashkëpunimi me të gjitha organet e tjera shtetërore e me organizma ndërkombëtarë të sigurimit.
Politika e jashtme e Shqipërisë do ti shërbejë stabilizimit të situatës në vend, integrimit të plotë të Shqipërisë në Europë, duke i bërë kështu një shërbim të madh çështjes kombëtare të shqiptarëve në momentet aktuale.
Duke vlerësuar integrimin në Europë si një objektiv parësor, Qeveria do të punojë për pranimin me të drejta të plota të Shqipërisë në KSBE, çka përbën një mbështetje të gjithanshme ndaj proceseve demokratike në vendin tone. Ajo nuk do t’i kursejë përpjekjet për përfshirjen e Shqipërisë në Këshillin e Europës, por edhe në bashkëpunime të tjera rajonale, veç bashkëpunimit ballkanik, si Nisma e Adriatikut, Pentagonalja etj. Zhvillimi i marrëdhënieve me vendet fqinje e ato të rajonit përbën një drejtim themelor e të pandryshueshëm të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Thellimi i marrëdhënieve të gjithanshme miqësore me Turqinë, zhvillimi i vazhdueshëm i bashkëpunimit miqësor me Greqinë, Bullgarinë e Rumaninë janë e do të mbeten parametra të qëndrueshëm të kësaj politike. Marrëdhënie të tilla ne dëshirojmë dhe do të punojmë të kemi edhe me Jugosllavinë dhe popujt e saj.
Forcimi i mëtejshëm i miqësisë dhe bashkëpunimit të frytshëm e të gjithanshëm të vendit tone me vendet e tjera europiane do të jetë për Qeverinë e re një detyrë prioritare. Një vend të dukshëm do të zërë zgjerimi i bashkëpunimit politik, ekonomik e kulturor me Italinë fqinje. Në të njëjtat drejtime do të punohet për forcimin e miqësisë e të bashkëpunimit të frytshëm me RF të Gjermanisë, Francën dhe shtete të tjera europiane.
Një rëndësi të vacantë Qeveria do t’u kushtojë marrëdhënieve me SHBA-në, Bashkimin Sovjetik dhe Anglinë. Normalizimi i marrëdhënieve me këto vende e ka bërë Shqipërinë një subjekt me peshën që i takon në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare. Ai hap perspektivën e bashkëpunimit të frytshëm në fushat politike – ekonomike, kulturore e veçanërisht për investimet amerikane në Shqipëri. Në këtë drejtim një ndihmesë direkte do të ishte bashkëpunimi me vëllezërit tanë në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Qeveria do të përpiqet t’u jape një impuls të ri marrëdhënieve tradicionale me vendet arabe, duke u përqëndruar sidomos në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar në fushën e punësimit etj.
Vëmendje do t’i kushtohet bashkëpunimit të mëtejshëm ekonomik me RP të Kinës, Japoninë e vendet e tjera të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine.
Ajo do të angazhohet pa paragjykime për vendosjen e mnarrëdhënieve diplomatike me Vatikanin, Arabinë Saudite, Izraelin, Korenë e Jugut etj.
Në fushën e marrëdhënieve (ekonomiko-financiare) ndërkombëtare do të punohet për vendosjen sa më shpejtë të marrëdhënieve diplomatike me Komunitetin Europian. Do të vazhdojnë përpjekjet për shpejtimin e pranimit të Shqipërisë në organizmat e mëdhenj ndërkombëtarë financiar, e konkretisht në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore, në Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim, në GATT etj., me qëllim që aderimi në to t’i shërbejë kapërcimit të krizës së rëndë që po kalojmë e përgjithësisht zbatimit të reformës ekonomike.
Qeveria e re do të angazhohet edhe për intensifikimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare, ku një vend qëndror do të zërë OKB-ja dhe organizmat e specializuara të saj, si dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, jo vetëm si tribunë për të shprehur mendimin tone në trajtimin e problemeve që preokupojnë komunitetin ndërkombëtar, por edhe për të bërë të mundur tërheqjen e ndihmës ekonomike, si dhe të asaj tekniko-profesionale që i nevoitet aq shumë vendit tone.
Qeveria do të punojë për heqjen e pengesave në qarkullimin e njerëzve tanë në vende të tjera nëpërmjet realizimit të marrëveshjeve konsullorre e atyre të vizave, si dhe për punësimin e përkohshëm të njerëzve tanë jashtë atdheut. Ajo do të vazhdojë të tregojë kujdes për stabilizimin dhe punësimin e shtetasve shqiptarë që janë larguar për në Greqi, Itali, Gjermani, Francë etj.
Në momentet aktuale që po kalon vendi ynë, forcimi i stabilitetit brenda vendit është një faktor i rëndësishëm për përkrahjen e çështjes sonë kombëtare. Qeveria do të kërkojë njohjen dhe respektimin e të gjitha të drejtave të vëllezërve tanë shqiptarë me banim në trojet e tyre në Jugosllavi, të çështjes së Çamërisë, në përputhje me standartet ndërkombëtare, sikurse janë dokumentat e KSBE-së e Karta e OKB-së, në frymën e një përputhje me rezolutën, që ky Kuvend Populloir pluralist aprovoi me unanimitet të plotë për Kosovën.
Shqipëria edhe në të ardhmen do të mbetet e angazhuar për një bashkëpunim sa më konstruktiv e të ngushtë me botën. Ajo favorizon një politikë të jashtme të hapur e të ç’ideologjizuar, duke zhvilluar bashkëpunimin me këdo që ia do të mirën popullit shqiptar dhe sheh interes në bashkëpunim me vendin tone. Shqipëria është për transparencë ndaj botës. Ajo do të zgjerojë komunikimin e informacionin për të, ashtu si do të punojë që bota të njoh më mirë Shqipërinë, vlerat e shoqërisë së sotme shqiptare, ashtu si dhe historinë e traditat e saj të pasura.
Të nderuar deputetë,
Situata tepër e rëndë që po kalon vendi kërkon një angazhim total të të gjithë forcave politike, të të gjithë njerëzve të ndershëm e patriot që e duan dhe u dhimbset Shqipëria, atdheu ynë i dashur. Konsensusi politik që arritëm nuk do të ishte real dhe efektiv pa u konkretizuar në të mbështetja dhe angazhimi mbarëkombëtar, për t’iu përveshur punës për stabilizimin e gjendjes rekonomike, për forcimin e vendit e të qetësisë sociale, aq të kërkuara nga i gjithë populli. Aktualisht për çdo shqiptar të ndershëm nuk ka interesa më të larta se ato të popullit e të atdheut, prandaj atyre t’u përkushtohemi të gjithë, me tërë forcat e energjitë tona. Pa këtë angazhim të të gjithëve nuk mund të realizohen detyrat që i’u ngarkuan kësaj Qeverie për stabilizimin kombëtar. Unë dua të siguroj Kuvendin Popullor se edhe nga ana e Qeverisë një angazhim i tillë nuk do të mungojë. Por do të ishte një iluzion të besonim se kriza dhe anarkia do të zgjidheshin me një ndryshim të përbërjes së kabinetit apo vetëm duke u distancuar nga gabimet e qeverive të mëparëshme, pa ndryshuar modelin e organizimit të ekonomisë dhe të shoqërisë sonë. Një transformim i tillë ekonomiko-shoqëror nuk bëhet menjëherë, as brenda mandatit të kësaj Qeverie; ai kërkon një periudhë të caktuar kohe. Qeveria është e bindur se ndryshimet dhe masat që ajo ka programuar përfaqësojnë një nevojë që buron nga gjendja e sotme dhe nga zhvillimi objektiv i shoqërisë sonë. Pengesat që mund të vendosen, vetëm mund të zgjasin ekzistencën e modelit të vjetër burokratik, por nuk kanë forcë të pengojnë ecjen e vendit drejt një të ardhmeje më të mirë, drejt demokracisë së vërtetë.
Qeveria e re, si qeveri e stabilitetit të vendit, do të veprojë jashtë dallimeve politike e ideologjike, por njëkohësisht ajo do të mbështetet në aleancën midis forcave politilke e shoqërore. Ajo do të mbajë kontakte dhe do të mbështetet në aleancën midis forcave politike e shoqërore. Ajo do të mbajë kontakte dhe do të mbështetet në partite politike, sindikatat dhe organizatat shoqërore, pavarësisht se janë në mazhorancë apo në minorancë në Parlament apo jashtë Parlamentit.
Qeveria e re e porsakrijuar, të cilën unë kam nderin ta kryesoj në përbërjen e saj ka anëtarë nga PP, PD, PR, PSD e PA. Edhe partite e tjera, si Partia Ekologjike, ajo e Unitetit Kombëtar, si dhe OMONIA u angazhuan në formimin dhe mbështetjen e kësaj Qeverie dhe pjesmarrja e tyre në qeverisjen e vendit do të realizohet nëpërmjet portofoleve të zëvendësministrave.
Me këtë rast, unë dua të falenderoj drejtuesit e të gjitha partive politike për ndihmën që më dhanë në formimin e kësaj Qeverie, duke shprehur njëkohësisht edhe dëshirën e besimin që ky angazhim i tyre nuk do të mungojë edhe në mbështetjen e veprimtarisë së Qreverisë.