Programi i Qeverisë së Fatos Nano (11 maj – 4 qershor 1991)
Fatos Nano – Të nderuar deputetë,
Seanca e sotme shënon një hap të ri të rëndësishëm në zhvillimin e këtij Kuvendi të parë pluralist. Përvoja e rifillimit të veprimtarisë mbi bazën e pushtetit ekzekutiv, nga qendra deri në bazë, është urgjente në kushtet e sotme të vështirësive të mëdha ekonomike, të paqëndrushmërisë së rendit publik e të lëkundjes së besimit të njerëzve për të ardhmen e vendit. Bashkëpunimi i të gjitha forcave politike, brenda dhe jashtë Kuvendit, për kapërcimin e kësaj situate të rëndë për stabilizimin e zhvillimeve demokratike dhe për intensifikimin e marrëdhënieve me botën është bërë imperativ i ditës. I ngarkuar nga Presidenti i Republikës për të formuar Qeverinë e Re, përpara se t’i paraqes këtij Kuvendi përbërjen dhe programin e saj, më lejoni t’ju raportoj për veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të Ministrave, i organizuar si një qeveri pune. Problemet kryesore, me të cilat jemi angazhuar me përgjegjësi të madhe gjatë kësaj periudhe, kanë qenë frenimi i gjendjes së mëtejshme ekonomike, ruajtja dhe stabiliteti i jetës ekonomike e sociale dhe intesifikimi i marrëdhënieve me shtete dhe organizma ndërkombëtarë. Qeveria ka punuar me preokupacion të veçantë për të plotësuar nevojat më të domosdoshme të popullit dhe të ekonomisë me prodhimet e vendit dhe të importit. Në kushtet e mungesës së rezervave materiale e të gjendjes negative të bilancit të pagesave është përdorur për këtë qëllim thuajse gjithë valuta, që është arkëtuar nga eksporti ynë, kreditë të akorduara nga shtete, firma dhe banka të huaja dhe importe të mjaft mallrave, sidomos ushqimore, me pagesa të vonuara. Është ndërprerë eksporti i produkteve ushqimore, me përjashtim të ndonjë artikulli, që lidhet me importimin e produkteve të tjera të domosdoshme për këtë qëllim. Për kapërcimin e gjendjes së vështirë ekonomike e financiare, Këshilli i Ministrave ka marrë masa për shkurtimin e investimeve e të shpenzimeve joprodhuese. Janë bërë shkurtime të ndjeshme në përfaqësitë tona diplomatike e tregtare deri në 50 % të personelit të tyre. Me shumë shqetësim Këshilli i Ministrave është angazhuar në ruajtjen e rendit e të qetësisë, duke bërë përpjekje maksimale për të mënjanuar konfliktet sociale dhe për të krijuar kushte të nevojshme për zhvillimin sa më normal të proceseve të demokratizimit dhe të fushatës së zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin Popullor. Megjithatë në këtë periudhë nuk kanë munguar ekseset, veprimet e pakontrolluara dhe ngjarjet e rënda, ndër të cilat më e dhimbshmja lidhet me ato të Shkodrës e të Lezhës. Qeveria është ndalur, posaçërisht, në analizën e këtyre ngjarjeve dhe u ka kërkuar organeve të drejtësisë të përcaktojnë përfundimisht fajtorët dhe përgjegjësitë ligjore të tyre. Njëkohësisht, ajo ka marrë masa të nevojshme për normalizimin sa më të shpejtë të jetës në këto qytete. Këshilli i Ministrave nuk e ka kufizuar veprimtarinë e vet vetëm në problemet e ditës. Ai ka marrë një varg masash, që kanë të bëjnë me zbatimin dhe thellimin e reformës ekonomike në vend, si dhe me zgjerimin e lidhjeve ekonomike dhe politike me shtete e organizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Përmes përgatitjes dhe nxjerrjes së një varg dispozitash ligjore, Qeveria u ka hapur rrugë proceseve të riorganizimit të ekonomisë nëpërmjet fillimit të proceseve të privatizimit dhe të kalimit të saj në ekonomi tregu, si dhe të zgjerimit të oborrit kooperativist, të kompetencave dhe të pavarësisë së ekonomive bujqësore. Hapa me rëndësi historike përbëjnë, pa dyshim, gjatë kësaj periudhe rivendosja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hyrja në një fazë të re e bashkëpunimit të ngushtë me shtete fqinje mike, si Italia e Turqia, si dhe nismat për vendosjen e kontakteve të reja cilësore me shtete e rajone të tjera të botës veçanërisht në Europë dhe në Lindjen e Mesme. Krahas këtyre janë vendosur e po zhvillohen lidhje zyrtare me Fondin Monetar Ndërkombëtar e Bankën Botërore e po punohet për të përfunduar marrëveshjet përkatëse që do të çojnë në pranimin e vendit tonë në këta organizma dhe në sigurimin e fondeve të nevojshme valutore për ristrukturimin e ekonomisë. Gjithashtu, është punuar për të arritur marrëveshje me shtete e firma të tjera, në kuadrin e bashkëpunimit teknik, ekonomik e financiar. Megjithatë, nga analizat me përgjegjësi që kemi bërë, gjendja ekonomike e financiare e vendit vazhdon të jetë e rëndë thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Popullit i mungojnë veç të tjerash, edhe produkte bujqësore, që prodhohen tradicionalisht në vend, si qumështi e nënproduktet e tij, perimet e stinës etj., prodhimi dhe shitja e të cilave janë përgjysmuar në krahasim me vitin e kaluar. Këshilli i Ministrave ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta për këtë gjendje, si dhe është përpjekur të vërë në lëvizje të gjitha dikasteret, komitetet ekzekutive dhe të këshillave popullore të rretheve dhe drejtuesit e ndërmarrjeve për vendosjen e rregullit dhe të disiplinës në punë. Megjithatë, gjatë periudhës që flasim, nuk është arritur të shmangen shthurjet dhe parregullsitë në sektorë të tërë të ekonomisë e të jetës së vendit, sidomos në marrëdhëniet e punës, në administrimin e prodhimit, në transport e në treg. Vështirësitë e kësaj periudhe tranzicioni kanë nxjerrë në pah veçanërisht burokratizimin e madh dhe paaftësinë e aparateve administrative, të rrogëtarëve në mjaft ndërmarrje, komitete ekzekutive e dikastere, që i kanë shtuar artificialisht konfuzionet dhe pengesat, duke mos u dhënë zgjidhje të mundshme problemeve dhe halleve të punonjësve.
Kjo zbuloi përfundimisht nevojën e rinovimit e të riorganizimit tërësor të tyre përballë rrezikut të paralizës së veprimtarisë ekzekutive shtetërore.
Të nderuar deputetë, ekonomia jonë ndodhet në një krizë komplekse, që është pasojë e problemeve të grumbulluara prej vitesh. Rrënjët e kësaj krize janë vetë sistemi i drejtimit të centralizuar e të komanduar të ekonomisë me metoda administrative, të papërshtatshme sot për të përballuar problemet e zhvillimit intensiv e të rritjes së efektivitetit të ekonomisë, me fetishizimin e parimit të mbështetjes në forcat e veta e në të ashtuquajturën epërsi të pronës shoqërore, në mospranimin e ndihmave e të kredive, në gabimet në fushën e investimeve, të prioriteteve, në zhvillimin e degëve e të nëndegëve të ekonomisë. Kjo krizë shprehet në rënien e theksuar të ritmeve të rritjes së produktit shoqëror të të ardhurave kombëtare, të investimeve të eksport-importeve, si dhe në rënien e ndjeshme të rendimentit të punës. Në vitet ’80 produkti shoqëror dhe të ardhurat kombëtare u rritën me mesatare vjetore minimale prej 1,5 – 1,6 % ose rreth 3 herë e gjysmë më pak se gjatë viteve ‘70, në një kohë kur popullsia është e njohur se ka vazhduar të rritet me një ritëm mesatar vjetor prej 2% në vit. Keqësimi i vazhdueshëm i treguesve sintetikë të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit dy vitet e fundit në disa degë e sektorë është shoqëruar deri me ulje absolute të prodhimit. Kështu, në vitin ‘90 u realizua një produkt shoqëror prej 3,3 miliardë lekësh ose më shumë se 10% më pak se në vitin 1989. Të ardhurat kombëtare u pakësuan 1,3 miliardë lekë. Prodhimi industrial nga sektori shtetëror me 1,9 miliardë lekë dhe prodhimi bujqësor me rreth 800 milionë lekë. Deficitet janë thelluar në mënyrë të ndjeshme gjatë këtij viti. Në periudhën janar-mars, në krahasim me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar, ishte prodhuar më pak gaz natyror 22 milionë m 3, mineral kromi gjithsej 65 mijë tonë, plehra kimike 53 000 tonë, çimento 45 000 tonë, pëlhura e stofra 7 milionë e gjysmë metra linear, këpucë gjithsejt 186 000 palë etj. Në bujqësi janë dorëzuar më pak qumësht 18 000 tonë, mish 600 tonë, vezë 14 milion kokrra dhe perime 10 000 tonë. Vëllimi i qarkullimit të mallrave me para në dorë në këto kushte është ulur përreth 40 milionë lekë. Gjatë vitit ‘90 të ardhurat valutore u realizuan më pak se parashikimet rreth 31 milionë dollarë. Kjo çoi në thellimin e saldos negative të bilancit të pagesave, e cila nga 96 milionë dollarë, në fillim të vitit të kaluar, arriti në 254 milionë dollarë, në fund të tij. Mosplotësimi i eksporteve dhe importet e sforcuara me kredi gjatë 4 muajve të fundit bënë që deficiti i bilancit të pagesave rrjedhës në valutë të thellohet e të arrijë aktualisht, në rreth 350 milionë dollarë. Gjendja financiare e vendit paraqitet mjaft e rënduar. Nga viti i kaluar trashëguam probleme të mprehta financiare, një deficit buxhetor prej më shumë se 3,2 miliardë lekësh, që përfaqëson rreth 30% të buxhetit. Në këto kushte nga 26 milionë lekë që duhet të financojë çdo ditë buxheti i shtetit, sot mbulohen me të ardhura vetëm 21 milionë lekë. Me ritmet, që po ecet në realizimin e të ardhurave të buxhetit dhe të ardhurave financiare të ndërmarrjeve, aftësia e buxhetit do të bjerë në minimumin, duke rrezikuar monedhën dhe financimin e sektorëve të tillë, si spitalet, shkollat, çerdhet, mbrojtjen, ruajtjen e rendit dhe aparatin shtetëror. Si pasojë e shpërpjesëtimeve në ekonomi monedha në qarkullim dhe depozitat e kursimit janë rritur me ritme më të larta se produkti shoqëror, të ardhurat kombëtare dhe qarkullimi i mallrave për shërbimet me para në dorë, duke krijuar, pra, një gjendje të vështirë inflacioniste. Kjo ka çuar në atë që shkalla e garancisë së parasë, monedha në duar të popullatës, mallra valutë etj., në krahasim me vitin ’80, të ulet mbi 70% ose nga 5,5 në rreth 1,6 lekë mallra për 1 lek monedhë, që përfaqëson një nivel jashtëzakonisht kritik. Vetëm në vitin 1990 monedha në qarkullim është shtuar për 440 milionë lekë, baras kjo me shtesën për 9 vjet 1981-1989 të marrë së bashku. Kjo shtesë e lartë ndikoi në mënyrë të ndjeshme në pabesimin drastik të rezervave e të parave fizike në thesarin e Bankës së Shtetit, niveli i të cilave rrezikon të paralizojë çdo veprimtari, në rast se nuk riaktivizohet prodhimi dhe qarkullimi monetar me anën e reformave ekonomike. Për krizën e rëndë ku ndodhet ekonomia flet dhe mosshfrytëzimi i kapaciteteve ekzistuese që në degë të rëndësishme të saj, si në industrinë e materialeve të ndërtimit, në atë kimike dhe të përpunimit të naftës, arrin nga 20-50 %. Vendi ka sot mbi 50 000 punonjës të njohur, si krahë të pazënë me punë, pa përmendur punësimin fiktiv të mesatarisht 40 000 punëtorëve në ditë, që vazhdojnë të paguhen me 8 % të pagës. Vetëm si katërmujor është shpenzuar për këtë qëllim një fond page pa prodhim prej 73 milionë lekësh. Gjendja e mallrave në rezervën shtetërore është sot në pikën më kritike ose gjashtë herë më e vogël se duhet të jetë në kushtet normale. Këtë gjendje po e rëndojnë më tej grevat masive të punëtorëve, ndërprerjet në punë për arsye të tjera, kërkesat ultimative për rritje të pagave dhe përmirësime të kushteve të punës nga ndërmarrjet, degë të tëra të ekonomisë, pa mbajtur parasysh kushtet, mundësitë dhe pasojat që këto i sjellin ekonomisë. Pasoja të rënda në ekonominë e sotme e të ardhshme bujqësore dhe në furnizimin e tregut kanë sjellë ndërprerjet e punës në disa kooperativa bujqësore, me kërkesa për të rishikuar marrëdhëniet ekonomike e financiare të tyre me ndërmarrjet dhe buxhetin e shtetit, të realizuara për vite me radhë, duke këmbëngulur pa asnjë bazë ligjore që përmirësimeve eventuale t’u jepet fuqi vepruese për periudhat e kaluara, siç kanë dëmtuar shpenzimet pa kriter dhe grabitjet e bagëtive tufa e të përqendruara nga individë dhe nga grupe kooperativistësh e punonjësish në disa ndërmarrje bujqësore, therjet pa kriter e në mjaft raste shitja e tyre në mënyrë të paligjshme nga persona të veçantë jashtë kufijve të atdheut. Këto dukuri janë pasojë e konfuzionit dhe e pasigurisë, që kanë krijuar alternativat e shumta që kanë shtruar programet elektorale, si dhe e përpjekjeve të elementëve keqbërës, që duan të përfitojnë në kurriz të të tjerëve në këtë periudhë tranzicioni të zbatimit të reformave ekonomike dhe të forcimit të shtetit juridik. Kthimi i grabitjeve, korrupsionit dhe veprimeve të paligjshme në mënyrë jetese duhet të ndalet që të mos rëndohet më tej kriza ekonomike sociale e politike e vendit. Shqetësuese janë bërë dhe dukuri e veprime të kundërligjshme, që kanë cenuar rëndë qetësinë dhe sigurinë publike. Të tilla janë aktet e rrugaçërisë, spekulimet dhe matrapazllëqet, kalimet e paligjshme të kufijve nga persona të veçantë dhe grupe njerëzish pa përfillur as ligjet tona, as ligjet ndërkombëtare. Të palejueshme dhe në dëm të demokracisë së vërtetë janë dëmtimet, vjedhjet, grabitjet e pronës, kërcënimet, presionet e deri aktet e dhunës, të kryera ndaj shtetasve tanë deri dhe të huaj, të cilët kanë tronditur jetën dhe shëndetin, qetësinë dhe sigurinë e njerëzve. Këto veprime me rrezikshmëri shoqërore të theksuar ndikojnë negativisht në thellimin e proceseve demokratike dhe sigurimin e të drejtave të individit në Shqipëri, për të cilat jemi angazhuar të gjithë politikisht.
Të nderuar deputetë, është fakt se procesi i vrullshëm i shndërrimeve të gjëra demokratike, i cili solli pluralizmin partiak, përcaktimin e një platforme të re të reformave ekonomike në Shqipëri, zgjerimin e të drejtave dhe lirive të njeriut drejt standardeve europiane, është zhvilluar në kushtet e këtyre vështirësive të mëdha ekonomike e sociale. Konceptet e reja dhe programet, me të cilat janë paraqitur forcat politike e sociale të vendit, me gjithë larminë e tyre, në thellësi konvergojnë në disa pika themelore, siç janë pluralizmi pronësor, ekonomia e tregut, shteti juridik, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, integrimi në tregun europian me tipin e një ekonomie të hapur për veprimtari të përbashkëta me partnerë të huaj, bashkëpunimi politik me të gjitha vendet që respektojnë miqësinë e interesat e ndërsjellë etj. Mbi këtë bazë mbështesim besimin për të gjetur mirëkuptimin dhe angazhimin e të gjithë punonjësve të vendit, të të gjitha forcave politike, brenda dhe jashtë Kuvendit, të sindikatave e organizatave të tjera, që bashkojnë njerëzit e Republikës së Shqipërisë në këto momente të vështira, për të bërë të mundur që programi i daljes nga kriza dhe i reformave, që po i paraqes në mënyrë të sintetizuar Kuvendit, në emër të Qeverisë së Re, të gjejë mbështetje, të zbatohet e të thellohet në përpjekje të përbashkëta për të siguruar të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë në Shqipëri dhe integrimin e saj të plotë në botën e qytetëruar. Duke vlerësuar programet e të gjitha partive politike dhe në konsultim me to, Qeveria paraqet si alternativën më realiste e më të besueshme për daljen nga kriza dhe stabilizimin e ekonomisë kalimin në ekonominë e tregut. Realizimi gradual i kësaj ndërmarrjeje të madhe e komplekse kërkon sigurisht një periudhë të caktuar tranzicioni. Për këtë qëllim Qeveria do të paraqesë, në një nga sesionet më të afërta të Kuvendit Popullor, një projekt të plotë, të detajuar, me detyra e afate konkrete, pasi të ketë tërhequr mendimin e gjithë punonjësve të vendit, të jetë konsultuar gjerësisht me gjithë partitë politike, me sindikatat, si dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me ekspertë të tjerë të huaj, që po bashkëpunojnë pa rezerva në këtë fushë. Programi i Qeverisë mbështetet në dy objektiva kryesorë, realizimi i të cilëve do të synohet të arrihet me masa të gërshetuara. Së pari, të ndërpritet rënia e ekonomisë dhe të futet ajo në rrjedhën e stabilizimit. Kjo do të synohet të arrihet përmes masash të tilla, si nxitja e interesimit material të punonjësve dhe me anë të rritjes së pagave e të pjesëmarrjes në fitime, mbi bazën e shtimit të prodhimit, sigurimit të fondit të nevojshëm të mallrave të konsumit e të lëndëve të para dhe shfrytëzimit më intensiv të pasurive natyrore njerëzore që ka vendi. Për këtë qëllim do të përshpejtohet procesi i tërheqjes së kapitaleve dhe i investimeve të huaja në veprimtaritë e ndërmarrjeve të përbashkëta, do të zgjerohen lidhjet e bashkëpunimit ekonomik, prodhues, financiar e tregtar me jashtë, në mënyrë të veçantë duke marrë ndihma e kredi nga shtete dhe institucione financiare ndërkombëtare, institucione e firma të tjera, si dhe nga bashkëatdhetarët tanë e shoqata të ndryshme. Kjo mbështetet në klimën e re të mirëbesimit të ndërsjellë, që kanë krijuar reformat politike legjislative dhe ekonomike në Shqipëri, në angazhimin tonë për ruajtjen e stabilitetit e të pakthyeshmërisë së këtyre proceseve demokrative dhe në masat të tjera nxitëse për kapitalin e huaj që do të miratojë ky Kuvend pluralist.
Së dyti, kalimi gradual dhe i plotë në ekonominë e tregut, ku të bashkëjetojnë e të konkurrojnë të gjitha format e pronës, duke u harmonizuar në rolin rregullues e kontrollues të shtetit. Thelbi i masave të reformës është privatizimi i ekonomisë dhe garantimi ligjor e praktik i iniciativës sipërmarrëse të të gjitha subjekteve. Në këtë fushë janë bërë disa hapa në aspektin ligjor si fazë e parë. Privatizimi i vogël po shtrihet e do të zgjerohet në krejt sektorët e tregut me pakicë, të shërbimit komunal e artizanal, të transportit automobilistik, përfshirë edhe shitjen e apartamenteve të banimit. Kjo do të fillojë të realizohet në shkallë të gjerë qysh në muajin qershor të këtij viti, përmes shitjes në ankand e forma të tjera, që mënjanojnë korrupsionin dhe u japin përparësi punonjësve të talentuar dhe atyre që paguhen menjëherë për t’u krijuar kushte të njëjta gjithë sipërmarrësve, që dëshirojnë të blejnë me burimet e veta, me kredi dhe me qira. Shteti do të mbrojë sektorin privat e do të ndihmojë që ai të konsolidohet sa më parë, mbështetur dhe në kontrata me investues të huaj privatë.
Faza e dytë do të përfshijë privatizimin e ndërmarrjeve të mesme e të mëdha në sektorin prodhues të mallrave të konsumit në ndërtim, në shërbim etj., në masën e shpërbërjen e tyre në njësi të manovrueshme e konkuruese. Është domosdoshmëri që prona shtetërore të ruhet në degët, që kanë rëndësi vendimtare në zhvillimin e ekonomisë, por ndërmarrjet shtetërore do të riorganizohen administrohen e konceptohen në formë të re. Ato do të jenë të pavarura nga shteti në marrjen e vendimeve për orientimin e prodhimit e të shitjeve, për formimin e çmimeve e të pagave etj., duke iu përgjigjur detyrimisht detyrimeve kontratore e fiskale. Kjo formë do të fillojë që këtë vit, me qëllim që të përmirësohet rrënjësisht administrimi i tyre, të aftësohen ato në kushtet e ekonomisë konkurrenciale e t’u përshtaten me efektivitet formave të ndryshme të bashkëpunimit e të integrimit me firmat e huaja. Shteti do të vazhdojë të limitojë pavarësinë e atyre ndërmarrjeve, që ende kanë pozitë monopoli në treg, siç janë: uzinat e prodhimit të plehrave kimike, hidrocentralet dhe termocentralet për prodhimin e energjisë elektrike, të naftës etj., për të kontrolluar e mënjanuar çdo udhëzim spekulativ në kurriz të konsumatorëve të vendit. Krahas këtyre do të ekzistojnë prona kolektive në formën e organizatave ekonomike të kooperuara në bujqësi, në industri, në transport, në shërbime tregtare e komunale, prona private në forma individuale, me ortakëri e me shoqëri dhe forma të bashkëpronësisë ndërmjet subjekteve publike private, vendas ose të huaj. Të gjitha format e pronës do të gëzojnë statusin ligjor të barabartë që u garanton ligji për dispozitat kryesore kushtetuese.
Marrëdhëniet e punësimit në gjithë sektorët e ekonomisë do të bazohen në kontratat e punës individuale e kolektive, mbështetur në kodet e reja juridike, që do të përpunohen e miratohen nga ky Kuvend. Toka mbetet pronë shtetërore, ashtu siç mbeten të tilla dhe pasuritë tona natyrore. Ajo nuk mund të shitet e blihet, por do t’u jepet me qira me afat të caktuar përdoruesve vendas e të huaj, për të bërë ndërtime industriale, rrugë automobilistike e hekurudhore, për ndërtim banesash etj. Vlerësimi i tokës si objekt përdorimi do të bëhet mbi bazën e vendndodhjes, të pjellorisë dhe të prioriteteve ekonomike që burojnë nga qëllimet e përdorimit të saj. Shteti do të përkrahë të gjitha masat, që çojnë në pavarësinë reale ekonomike prodhuese të kooperativave bujqësore, përmes zbatimit të formave të reja të kooperimit e të organizimit të tyre, sipas kushteve të zonave të vendit. Reforma e çmimeve zë një vend me rëndësi në tërë procesin e kalimit drejt ekonomisë së tregut.
Politika e çmimeve ka nisur të liberalizohet. Objektivat e këtij procesi janë afrimi i çmimeve me vlerën, si fazë e parë, si dhe me çmimet botërore, si fazë e dytë. Që këtë vit do të liberalizohen çmimet e blerjes e të shitjes së fruta perimeve, të disa lloj shërbimesh komunale të artizanatit e të ushqimit social. Një liberalizim i menjëhershëm i çmimeve në tërësi do të na krijonte menjëherë një situatë të padëshiruar nga pikëpamja ekonomike e sociale, sepse do të prekte rëndë nivelin e pagës dhe të të ardhurave të popullsisë. Prandaj ai do të synohet të bëhet shkallë-shkallë, në varësi me ecurinë e privatizimit, me masat për liberalizimin e këmbimeve me jashtë, me masat e zhvillimit të procesit të këmbyeshmërisë së monedhës, me rritjen e ofertës së mallrave, me sigurimin e rezervave valutore në bashkëpunim me kapitalin dhe asistencën e huaj teknike. Liberalizimi i çmimeve do të çojë fillimisht në ngritjen e tyre. Qeveria angazhohet të marrë masat e nevojshme për ta përballuar këtë proces me sa më pak dhimbje ekonomike e sociale për popullsinë. Për këtë qëllim, do të bëhet kompensimi në pagat e punonjësve, të pensioneve të punonjësve për masën e rritjes se çmimeve të produkteve ushqimore e joushqimore e të shërbimeve më të domosdoshme për jetesën. Në marrëveshje me sindikatat, do të përdoret periodikisht mekanizmi i indeksimit të çmimeve me pagat e punonjësve. Në bazë të studimit, që do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave, brenda 15 majit, do të përcaktohen masat konkrete për liberalizimin dhe rritjen e pagave në tërësi, duke filluar nga gjashtëmujori i dytë. Në kushtet e krizës ekonomike që po kalojmë është e domosdoshme që këto masa dhe përpjekje, për të bërë të mundur zbatimin e shpejtë të reformës së pagave, të përcaktohen nga Qeveria në marrëveshje konkrete me federatat sindikale të lira e të pavarura, në mënyrë që ato të pasqyrohen në detyrime të qarta kontraktore ndërmjet punëdhënësve dhe punonjësve. Sipas studimit, reforma e pagave parashikon që shteti të kontrollojë vetëm në tërësi fondin e pagave dhe të përcaktojë pagën minimale për çdo degë të ekonomisë që parashikohet të rritet. Nivelet minimale të pagave do të jenë të detyrueshme për çdo subjekt ekonomik publik ose privat. Ndërmarrja, në marrëveshje me sindikatat, do të përcaktojë numrin e fuqisë punëtore dhe pagën për çdo punonjës pa asnjë kufizim. Duke filluar nga 1 korriku ndërmarrja do të ketë kompetencë të plotë për masën e përdorimit të fitimit, të realizuar nga shitjet për shpërblimin e punonjësve, duke hequr kufizimin e sotëm prej deri tri paga mujore dhe duke respektuar detyrimet fiskale ndaj shtetit. Këshilli i Ministrave do të marrë masa të nevojshme për shëndoshjen e gjendjes financiare të vendit. Për këtë qëllim do të synohet të frenohet rritja e mëtejshme e deficitit buxhetor. Absorbimi gradual i tij do të ketë objektiv përfundimtar sigurimin e ekuilibrave të qëndrueshëm buxhetorë financiarë. Gjithashtu, gjatë vitit 1991, do të merren masa për pakësimin e humbjeve, duke kufizuar e ndërprerë financimin e veprimtarive, që zhvillohen me subvencione e dotacione, si dhe duke vënë kontroll të rreptë për uljen e shpenzimeve, për investime të sferës prodhuese dhe joprodhuese, përfshirë dhe ato të mbrojtjes në një masë prej rreth 20%. Qeveria angazhohet të vendosë në raport të drejtpërdrejtë ritmet e rritjes së shpenzimeve dhe të të ardhurave buxhetore për t’i vënë rigorozisht shpenzimet në varësi me to si për gjithë administratën dhe institucionet shtetërore, ashtu dhe për këshillat popullore të rretheve, në mënyrë që të arrihet pakësimi gradual i deficitit buxhetor. Ajo do të përpiqet të përdorë me efektivitet sa më të lartë politikën fiskale dhe të gjitha instrumentet e saj, në mënyrë që të kufizohen elementët e drejtimit e të komandimit të centralizuar në ekonomi e të zëvëndësohen ato me ndërhyrjen e tërthortë të shtetit në drejtim të saj. Sistemi fiskal përdoret si për sigurimin e burimeve të të ardhurave të buxhetit, ashtu dhe për përdorimin racional të tyre, duke synuar edhe disiplinimin e tregut dhe të ngritjes së çmimeve. Politika fiskale do të ketë si objektiv që do të favorizojë privatizimin dhe investimet e kapitalit të huaj në vendin tonë. Në të njëjtën kohë do të mënjanohet financimi automatik i humbjeve të ndërmarrjeve të ndryshme dhe do të përdoret me kujdes politika e taksave doganore, me synim mbrojtjen e disa ndërmarrjeve e të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë nga konkurrenca e huaj që në fazën e tranzicionit do të ndodhen në vështirësi. Do të reformohet buxheti i shtetit në strukturë e në përmbajtje, si në të ardhurat, ashtu dhe në shpenzime. Do të kemi buxhet nacional dhe lokal, riorientim të shpenzimeve, pasqyrim të saktë në buxhet të bilancit të veprimeve të eksport-importit dhe të atyre jo tregtare. Buxhetet e rretheve do të riorganizohen mbi bazën e bilancimit të shpenzimeve me të ardhurat, duke tërhequr ato tatime e taksa që kanë karakter lokal, çka do të bëjë që të rritet më tej përgjegjësia dhe pavarësia e tyre.
Qeveria do të marrë masa për formimin e sistemit bankar, duke bërë kalimin e shpejtë në sistemin bankar me dy nivele, në krye të të cilit do të qëndrojë Banka e Shtetit Shqiptar si bankë qendrore, kurse në nivel të dytë të gjitha bankat e tjera tregtare, qofshin këto të specializuara, qofshin thjesht tregtare, aksionere e të përbashkëta me kapital të huaj. Do të synohet që brenda një kohe të shkurtër të shkëputet veprimtaria e kreditimit të drejtpërdrejtë të ekonomisë nga Banka Qendrore e Shtetit, duke krijuar fillimisht disa banka të specializuara si banka e kursimeve, banka bujqësore, banka e tregtisë dhe banka të tjera private ose të përbashkëta. Kjo do të fillojë duke liberalizuar veprimtarinë dhe duke shtuar numrin dhe agjencitë e tyre në të gjithë vendin. Bankës së Shtetit Shqiptar do t’i jepen atributet e një banke qendrore me detyrë parësore emetimin e monedhës dhe ruajtjen e fuqisë blerëse të saj. Asaj do t’i ngarkohet detyra e zbatimit të një politike shtrënguese monetare e të kreditit, me synim që, duke mbajtur parasysh edhe masën e parasë së tepërt në qarkullim, të zbutet shkalla e sotme e inflacionit prej mbi 30 % dhe të ndalet rënia e mëtejshme e fuqisë blerëse të parasë. Bankat e tjera do të zbatojnë një politikë elastike në fushën e përqindjes së interesave, duke synuar përshpejtimin e tërheqjes së masës së parave, të kapitaleve, dhe për përdorimin me efektivitet të tyre. Këtu masa në qarkullim e parave dhe e interesave do të jetë në funksion të madhësisë të depozitës, të afateve të tyre dhe të përqindjes së inflacionit. Njëkohësisht do të përdoret kredia tregtare, e cila do t’i shërbejë edhe popullsisë për të blerë disa lloje mallrash si lavatriçe, frigoriferë, televizorë, autovetura etj. Do të reformohet kredia bankare, sidomos ajo afatgjatë, mbi bazën e leverdisë së ndërsjellë të subjekteve ekonomike, me synim që të mbështetet zhvillimi i ekonomisë private dhe aksionere. Politika monetare e shtetit shqiptar do të jetë pra antiinflacioniste. Ajo do të angazhohet në zgjidhjen e problemit të konvertueshmërisë së monedhës sonë kombëtare hap pas hapi, duke bërë të gjitha përpjekjet që me sigurimin e rezervave valutore për këtë qëllim, kjo çështje të arrihet pa dhimbje. Një rol të madh në përdorimin me efektivitet të burimeve materiale e monetare do të luajë legalizimi i tregut të këmbimit valutor, jo zyrtar, ku do të shiten e blihen valuta të huaja etj., duke përcaktuar një kurs unik tregtar fiks dhe një kurs të ndryshueshëm, sipas kërkesës e ofertës për veprime të tjera. Shteti do të përdorë edhe emërtimin e obligacioneve me përqindje interesi konkurrues, në raport me depozitat për të mbuluar deficitin buxhetor dhe për të financuar politikën e mbrojtjes sociale. Liberalizimi i këmbimeve me jashtë për mallra konsumi e produkte industriale, të punuara e të papërpunuara, do të fillojë këtë vit. Prodhuesit e tregtarët privatë do të lejohen të shesin për eksport e të blejnë nga importi sipas nevojave, pasi të marrin licensat e nevojshme për veprimtaritë e tyre.
Një rol të madh në riorganizimin e ekonomisë dhe në krijimin e një strukture efikase të saj do të luajë investimi i kapitaleve të huaja, si dhe ai shqiptarëve jashtë atdheut. Politika e Qeverisë do të jetë ajo e krijimit të kushteve favorizuese për kushtet e këtij kapitali dhe për krijimin e veprimtarive të përbashkëta, do të krijohen dhe organizma përkatës të nevojshëm për të disiplinuar në rrugë ekonomike përputhjen e këtyre veprimtarive me përparësitë e zhvillimit të vendit. Deri tani janë hedhur hapa shumë premtues për bashkëpunimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar me Bankën Botërore, me Tregun e Përbashkët Europian, me PNUD-in e banka të vendeve të veçanta. Interesi ynë imediat dhe mundësia e vetme është financimi me burime të huaja ose moratoriumi i detyrimeve që burojnë nga deficiti i bilancit valutor dhe i pagesave për të mbajtur industrinë në funksionim për stabilizimin e tregut të mallrave të konsumit për financimin e programeve të degëve kyçe të ekonomisë. Me mirëkuptim, me disa banka kryesore europiane, ky moratorium është arritur deri tani për rreth 3/4 e detyrimeve valutore. Gjendja e ekonomisë, siç e thamë dhe më lart, është e atillë që kjo ndërhyrje është bërë tash imperativi i kohës e Qeveria menjëherë do të angazhohet në kontakte më intensive me institucionet e mësipërme, për sigurimin e kredive të nevojshme, realizimi i të cilave kërkon dhe një kohë të caktuar. Kështu për shembull anëtarësia jonë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, sipas procedurave të kësaj organizate, nuk mund të realizohet para muajit shtator të këtij viti. Pa pritur këtë anëtarësi, Qeveria do të përpiqet për kalimin sa më të shpejtë të kredive të shtetit italian, si dhe të bankave e firmave të institucioneve dhe bankave të tjera në dobi të financimit të ekonomisë. Janë mundësitë që të shfrytëzohen edhe mekanizma të njohur të tregut financiar ndërkombëtar për riciklimin ose blerjen nga të tre të borxhit valutor që ka vendi, duke e orientuar shlyerjen e tij në përputhje me riaktivizimin e potencialeve ekonomike të vendit në bashkëpunim me kapitalin e huaj. Për arritjen e objektivave të programit të Qeverisë kërkohet zhvillimi parësor i degëve dhe faktorëve me perspektivë më të qartë për zhvillimin e interesave të zhvillimit të vendit. Qeveria gjykon se degë të tilla janë bujqësia, industria ushqimore, dhe ajo e lehtë, transporti, turizmi dhe shërbimet jetësore për popullin. Në të njëjtën kohë ajo do të bëjë përpjekje për rinovim teknik e teknologjik të industrisë së rëndë në rrugën e bashkëpunimit me vende e firma të huaja, sidomos në degë të këtilla me efektivitet, si hidroenergjitika, nafta, kromi etj. Qeveria do të kujdeset për sistemimin në punë të njerëzve që, për arsye të reformimit e të strukturimit të ekonomisë, do të dalin të tepërt në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Për ata që nuk do të sistemohen menjëherë, për një kohë, do të aplikohen fonde nga buxheti dhe nga punëdhënësi.
Qeveria do të punojë që brenda një perspektive të afërt të normalizohet, sa të jetë e mundur, strehimi i popullsisë, sidomos në qytet, pa e ndarë këtë çështje nga problemet e urbanizimit të fshatit. Ajo do të stimulojë ndërtimin e banesave nga vetë qytetarët, si dhe do të kalojë për shitje apartamentet e banimit, që janë pronë e shtetit, me çmime favorizuese për blerje të menjëhershme ose me këste.
Kujdes do të tregohet duke lehtësuar gruan, duke e larguar atë nga ndërresat e treta. Në përputhje me mundësitë ekonomike që do të krijohen do të ecet drejt shkurtimit të orëve javore të punës për të gjithë punonjësit, duke synuar që 1-2 të shtuna në muaj të jenë ditë pushimi të paguara. Duke bërë dhe riorganizimet e nevojshme shteti do të angazhohet për plotësimin më të shpejtë të kërkesave dhe të interesave të drejta të rinisë për kualifikim, punësim, çlodhje dhe argëtim. Për këtë qëllim do të krijohet dhe një dikaster i veçantë në përbërjen e Qeverisë së Re.
Me përparësi të veçantë do të trajtohen problemet e arsimit si pararendëse të zhvillimeve tona ekonomiko-shoqërore. Detyrë themelore gjatë kësaj periudhe do të jenë normalizimi i gjendjes në Universitet dhe përfundimi me sukses i këtij viti shkollor. Realizimi i reformës së re arsimore, rritja e cilësisë dhe modernizimi i shkollës në tërësi, puna e filluar për depolitizimin dhe realizimin e programeve, do të thellohet më tej mbi bazën e konceptimeve të reja, të planeve mësimore, veçanërisht të përmbajtjeve të tyre, në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit dhe të integrimit të tij në proceset europiane. Ndryshime thelbësore në shtrirje, në organizim e në përmbajtje do të ketë arsimi i mesëm, përveç shkollave profesionale për punëtorë, në përshtatje me nevojat e reja të zhvillimit të ekonomisë e të kërkesave të tregut botëror të punës, do të organizohet përgatitja e teknikëve të mesëm; konceptimi dhe ndërtimi i shkollës së mesme në fshat do të jetë krejtësisht i ri, qysh në vitin e ardhshëm shkollor. Në vend të shkollës bujqësore do të ngrihet shkolla e mesme e arsimit të përgjithshëm, e cila pa lënë mënjanë përgatitjen për punë në bujqësi do të japë për më tej kulturën e nevojshme të përgjithshme ose për t’u aftësuar në profesione të tjera. Detyrë e veçantë do të jetë sidomos ristrukturimi i disa shkollave të mesme të profilit tregtaro-ekonomik, si ato të turizmit, të hotelerisë, konfeksioneve etj. Kujdes i posaçëm do t’i kushtohet arsimit të lartë, modernizimit të përmbajtjes së tij dhe sidomos ristrukturimit të disa degëve e fakulteteve, sidomos atyre të ekonomisë, të shkencave sociogjike, juridike etj. Në shkollën e lartë do të synohet që gjatë kësaj periudhe të hidhen hapa të rëndësishëm cilësorë, formues që të sigurojnë si objektiv ekuivalentin e diplomës së saj me atë të vendeve europiane. Për të përsosur më tej drejtimin në shkollën e lartë, me qëllim që ajo të merret vetëm me problemet e përmbajtjes e të cilësisë së procesit mësimor, krahas riorganizimit të Universitetit, do të shkëputet prej tij drejtimi administrativo-ekonomik i problemeve, që kanë të bëjnë me kushtet e jetesës së studentëve, që ato të përmirësohen e të plotësohen në kohën e duhur.
Në përputhje me zhvillimet e reja do të punohet dhe për zgjidhjen e problemeve të kualifikimit e të rikualifikimit të punonjësve në të gjitha nivelet, deri në ato pasuniversitare, brenda dhe jashtë vendit, duke siguruar asistencën shkencore e profesionale të huaj, përftimin e nevojave europiane dhe zgjerimin e kontakteve dhe institucioneve homologe. Këshilli i Ministrave është i mendimit se realizimi i programit të përgatitjes me nivel bashkëkohor të kuadrit të lartë dhe i zhvillimit të kërkimit shkencor shtron nevojën e një konceptimi të ri organizativ të shkollave të larta dhe të instituteve shkencore. Synimi i këtij organizimi është integrimi më funksional i këtyre hallkave, në mënyrë që të harmonizohen dhe të funksionojnë sa më mirë financimi, përcaktimi dhe finalizimi i projekteve në fushën e kërkimit shkencor dhe i kërkimit të specialistëve të rinj. Për këtë qëllim Komiteti i Shkencës e i Teknikës dhe Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me shkollat e larta, brenda vitit 1991 do t’i paraqesë Qeverisë studimin për krijimin e një organike të re dikasteriale, e cila do të përfshinte në gjirin e tij strukturat e integruara në shkallë kombëtare të shkollave të larta dhe të disa institucioneve të tjera shkencore. Me krijimin e këtij organizimi të ri shtetëror, i cili do të zëvendësonte Komitetin e sotëm të Shkencës dhe të Teknikës, shkolla e lartë dhe veprimtaria e këtij komiteti do të integroheshin, duke i lënë Ministrisë së Arsimit gjithë veprimtarinë tjetër shkollore e parashkollore.
Në fushën e kulturës e të arteve synohet rritja e cilësisë së tyre në nivelet bashkëkohore. Duke qenë krejt e hapur ndaj kulturave të popujve të tjerë, të cilat do të zgjerohen edhe më tej në të ardhmen, kultura jonë do të shtojë përpjekjet e saj për të forcuar fizionominë kombëtare, me qëllim që ajo të bëhet shprehëse e jetës dhe e aspiratave të të gjitha shtresave të popullsisë sonë me zhvillimet që jetojmë. Në kuadrin e kalimit në ekonominë e tregut do të bëhen dhe privatizime në një pjesë të institucioneve dhe veprimtarive kulturore artistike, si dhe do të merren masa për rritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve nga institucione të tjera, që mbeten shtetërore e buxhetore. Edhe në të ardhmen shteti do të kujdeset për zhvillimin e kulturës e të sporteve. Krahas mbështetjes, nga ana e tij, do të punohet për shkëputjen, mundësisht të plotë, të veprimtarive të klubeve sportive nga buxhetimet shtetërore.
Përparësi do të marrë ruajtja, forcimi i shëndetit të popullit, rritja e jetëgjatësisë dhe ulja e mëtejshme e vdekshmërisë foshnjore përmes ndihmave dhe bashkëpunimit me organizata e shoqata humanitare. Do të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme furnizimi me barna dhe pajisje e institucioneve shëndetësore me bazë materiale, me aparatura të nevojshme. Shërbimi shëndetësor do të ristrukturohet në përshtatje me kërkesat e ekonomisë së tregut, duke nxitur edhe privatizimin në këtë fushë. Vëmendje të veçantë do t’u kushtohet ruajtjes e mbrojtjes së mjedisit nga ndotja, vënies nën kontroll të mbetjeve të rrezikshme etj.
Duke u nisur nga fakti se ekuilibret në Europë e në botë ende nuk janë përcaktuar e stabilizuar përfundimisht dhe se vendi ynë ndodhet në një rajon me trazira, Qeveria do të marrë tërë masat e nevojshme që të garantojnë mbrojtjen e lirisë e të pavarësisë së atdheut. Ajo do të mbështesë realizimin e një reforme të thellë edhe në fushën ushtarake, do të çojë në depolitizimin e saj, duke filluar me rinovimin e mentaliteteve të mendimit ushtarak, përmirësimin e organizimit të strukturave të forcave të armatosura dhe përgatitjen me cilësore të tyre, forcimin e rregullit dhe të disiplinës ushtarake përmes edhe rivendosjes së gradave. Në përshtatje me kushtet, do të shikohet çështja e shërbimit ushtarak të shtetasve, duke intensifikuar përgatitjet cilësore të kontigjenteve përmes reformimit të programeve, kualifikimit të kuadrove, kompaktësimit e lehtësimit të strukturave e organikave për t’i bërë ato me të manovrueshme. Kujdes i posaçëm do të tregohet për rritjen e mëtejshme të figurës së ushtarakut dhe të punonjësve të ruajtjes së rendit publik, për përmirësimin e kushteve ekonomike të jetesës së tyre e të familjeve dhe për forcimin e marrëdhënieve të tyre me njerëzit.
Një ndër drejtimet themelore të veprimtarisë së Këshillit të Ministrave do të jetë angazhimi për krijimin e një shteti juridik modern e demokratik, i cili përbën kërkesën kryesore në programin e të gjitha partive politike. Për këtë qëllim, do të punohet në disa drejtime kryesore, si përgatitja e projektligjeve dhe nxjerrja e akteve nënligjore për rregullimin e marrëdhënieve të reja shoqërore, që janë krijuar e po krijohen në vendin tonë në kushtet e demokracisë pluraliste e të kalimit drejt ekonomisë së tregut. Nga gjerësia dhe thellësia ndryshimet në legjislacion do të përbëjnë një platformë të vërtetë juridike, krahas asaj ekonomike. Ristrukturime të rëndësishme do të bëhen në aparatin shtetëror, në pajtim me normat juridike kushtetuese për ta çliruar atë nga burokratizimi e për ta bërë më rentabël. Veç kësaj, do të merren masa efektive për të siguruar zbatimin me rreptësi të rendit juridik dhe të ligjshmërisë, si një kusht i domosdoshëm për të garantuar qetësinë, stabilitetin, të drejtat dhe liritë demokratike të shtetasve. Reforma ligjore do të ndjekë dy rrugë kryesore, atë të hartimit e të miratimit të akteve të reja ligjore e nënligjore, duke u dhënë përparësi në kohë atyre që lidhen me reformën ekonomike, e që kanë të bëjnë me privatizimin e iniciativën e lirë në ekonomi dhe rrugën e rishikimit të legjislacionit në fuqi, duke i propozuar Kuvendit ndryshimet përkatëse në të gjitha pjesët përbërëse të tij. Në fushën ekonomike objekt i reformës legjislative do të jetë mbrojtja dhe garantimi me mjete të barabarta ligjore i të gjitha formave të pronës, rregullimi i plotë dhe i përshtatshëm i mënyrave dhe i formave të kalimit nga një lloj pronësie në tjetrën dhe i marrëdhënieve me pronarë të huaj.
Ndryshime thelbësore do të bëhen edhe në të drejtën e trashëgimisë. Në procesin e kalimit në ekonominë e tregut subjektet ekonomike do të jenë të shumëllojshëm. Për këtë do të bëhet rregullimi i plotë juridik i të drejtave dhe detyrave të garancive ligjore të tyre. Aktet e miratuara deri më sot për veprimtarinë private dhe për investimet e huaja, me gjithë rëndësinë e tyre të veçantë, nuk e plotësojnë kuadrin e nevojshëm juridik. Për këtë arsye do të bëhen ndryshime të menjëhershme në Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurës Civile, si dhe do të përgatitet legjislacioni bazë më i gjerë e i përmirësuar për ndërmarrjet, shoqëritë, për investimet e huaja, për kontratat, për pronësinë, për taksat dhe tatimet, për falimentimet dhe për tregun e letrave me vlerë.
Për të rregulluar marrëdhëniet juridike civile me të huajt do të hartohen kodet për tregtinë ndërkombëtare dhe të drejtën detare, për transportin ndërkombëtar. Do të shqyrtohen të gjitha konventat që lidhen me të drejtën ndërkombëtare civile, duke aderuar në ato që paraqesin interes për vendin tonë, si dhe do të hartohen ligje të veçanta për licensat, të drejtën e anëtarit, të shpikjes, për regjistrimin e patentave etj. Edhe në sferën e marrëdhënieve të punës, në kuadrin e reformës ekonomike, shtrohet detyra e rishikimit tërësor të kodit të punës, duke gjetur rregullin juridik për marrëdhëniet që do të lindin ndërmjet punëtorit dhe punëdhënësit privat vendas apo të huaj, por dhe punëdhënësve shtetërorë, për marrëdhëniet ndërmjet sindikatave e punëdhënësve qofshin këta publike ose privatë. Lidhur ngushtë me këto, do të bëhet rregullimi me ligj i sigurimit të mjeteve të domosdoshme për jetesë për të papunët ose për personat me të ardhura të pakta, duke i mbrojtur këta nga rritja eventuale e kostos së jetesës.
Në fushën e financave do të hartohet ligji për sistemimin fiskal dhe kodin e doganave si dhe akte të tjera të reja, që do të sigurojnë integrimin ekonomik të vendit tonë me botën e jashtme.
Ndryshime thelbësore do të bëhen edhe në aktet ligjore në fushën e drejtësisë, si në ato që kanë të bëjnë me pozitën juridike të organeve, sidomos të ruajtjes së rendit dhe të sigurimit kombëtar, ashtu dhe në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale, duke rishikuar denjësisht dënimet penale, në përputhje me proceset e demokratizimit, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Reforma e legjislacionit do të përfshijë edhe riorganizimin e organeve të administratës shtetërore, në qendër dhe në bazë, duke filluar nga Këshilli i Ministrave, deri në hallkat më të ulëta të pushtetit ekzekutiv. Me ligj do të rregullohet veprimtaria e Këshillit të Ministrave dhe e disa ministrive, si ajo e Punëve të Jashtme, e Rendit Publik, e Komitetit të Sigurimit Kombëtar që do të propozohet e krijohet në këtë Kuvend dhe Ministria e Mbrojtjes për të cilat, gjer më sot, nuk kanë ekzistuar norma të plota ligjore.
Problem kryesor do të jetë rishikimi rrënjësor i kompetencave të organeve të administratës shtetërore, në qendër e në bazë, me prirje të përgjithshme që të zgjerohen kompetencat e organeve lokale të pushtetit e të administratës. Gjatë kalimit në ekonominë e tregut organet qendrore e lokale të pushtetit do të merren gjithnjë e me pak me drejtim operativ të ekonomisë për t’u përqëndruar kryesisht në drejtimin e sektorëve publikë, në zhvillimin e jetës urbane në qytete, në qendra të tjera të banuara e sidomos në fshat, duke bërë të domosdoshme ristrukturimin e tyre, në përputhje me detyrat e reja dhe duke ruajtur lidhjet e pushtetit qendror me organet lokale të administrimit shtetëror. Në qendër të vëmendjes së Qeverisë do të jetë formimi i rendit juridik, i cili kohët e fundit ka pësuar tronditje serioze, si pasojë e vështirësive të mëdha ekonomike dhe tensioneve sociale politike, që shoqëruan këtë periudhë shndërrimesh të rëndësishme, si dhe për shkak të dobësive të organeve të ruajtjes së rendit e të drejtësisë. Për të rivendosur autoritetin e ligjit, që është kushti i domosdoshem për një shoqëri demokratike të qytetëruar, krahas masave social-ekonomike për stabilizimin e gjendjes, Qeveria do të marrë masa më të plota e të gjithanshme që popullit t’i kthehet siguria dhe qetësia, që forcën shtrënguese të ligjit ta ndiejë kushdo që vepron në kundërshtim me të. Për këtë qëllim do të ngulmohet për forcimin dhe demokratizimin e veprimtarisë shtetërore në të gjitha nivelet për të krijuar kudo autoritetin e padiskutueshëm të zbatimit të ligjit nga cilido në çdo fushë. Me preokupim të veçantë do të ndiqen këto nga organe shtetërore, që janë të ngarkuara për ruajtjen e rendit dhe për sigurimin kombëtar. Do të synohet që veprimtaria e tyre të zhdërvjelltësohet e t’i përgjigjet me kompetencë veprimtarive të jashtëligjshme, duke i dhënë një drejtim me të fuqishëm parandalues e zbulues, frymë të re bashkëveprimi me të gjitha organet e tjera shtetërore, edhe me organizma ndërkombëtare të sigurimit e të luftës kundër krimit, korrupsionit dhe terrorizmit.
Veprimtarisë së organeve të ruajtjes së rendit do t’i krijohet një bazë e plotë ligjore, e saktë dhe e kuptueshme për efektivat dhe për njerëzit dhe kjo do të shoqërohet e mbështetet me publikimin e propagandimin e tyre të gjithanshëm për çdo shtetas. Ato do të përgjigjen para popullit për mbrojtjen e rendit e të qetësisë publike, të demokracisë pluraliste, për zbatimin e saktë të ligjeve me përpikëri të të drejtave dhe lirive të njeriut. Këto organe do të depolitizohen dhe në veprimtarinë e tyre do të udhëhiqen nga konceptet e reja, që kërkon pluralizmi politik, duke funksionuar dhe vepruar vetëm në bazë të ligjit. Për të përballuar detyrat, që u dalin organeve të tilla, do të duhet të perfeksionojnë më tej veprimtarinë e tyre. Do të bëhet riorganizimi i strukturave dhe i kuadrit përkatës. Në të njëjtën kohë do të merren përvoja dhe praktika të përparuara europiane, duke rritur bashkëpunimin dhe kontaktet edhe në këtë fushë. Reforma e legjislacionit do të mbështetet në radhë të parë në realitetin tonë dhe në përvojën bashkëkohore. Ajo do të realizohet në mbështetje me potencialet intelektuale të punonjësve tanë, por edhe me organizmat e specializuar ndërkombëtarë, me të cilët kemi hyrë në lidhje, të cilët do të shumëfishohen në kuadrin e veprimtarisë legjislative parlamentare.
Të nderuar deputetë, situata në botë ka ndryshuar. Nga një gjendje kur paqja dhe sigurimi ndërkombëtar vlerësoheshin kryesisht në aspektin ushtarak, në ekuilibrin e forcës, tani janë krijuar situata të reja, kur vlera të tilla siç janë demokracia, pluralizmi dhe humanizmi po orientojnë aksione politike dhe po formojnë një koncept të ri, sipas të cilit paqa dhe sigurimi i vërtetë në radhë të parë duhen parë si arritje e ekuilibrit të interesave të të gjithëve, ku zhvillimi ekonomik dhe realizimi i të drejtave të njeriut luajnë rol të dorës së parë; nga ky vizion është nisur dhe Qeveria për konceptimin e realizimin e hapave të mëtejshëm politikë në fushën e jashtme, duke i lidhur gjithnjë këto me zhvillimet e brendshme dhe me interesat kombëtarë. Bashkimi dhe rrjedhat pozitive europiane janë dhe do të mbeten një përparësi e rëndësishme strategjike e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Në Europën e sotme procesi i Helsinkit është bërë një tipar themelor dallues. Me mbledhjen e nivelit të lartë të KSBE-së të vitit të kaluar dhe me Kartën e Parisit për një Europë të re, ai u ngrit në stadin e ri të një procesi, që ripohon barazinë e popujve dhe të drejtën e tyre për të caktuar fatin e vet, në përputhje me interesat themelorë ndërkombëtarë dhe në harmoninë me interesat e përbashkët. Në tërësi po bëhet dominuese fryma e bashkëpunimit në vend të konfrontimit. Po zgjerohet dimensioni njerëzor në planin e bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut e të lirive themelore qytetare. Vendi ynë, nga një vëzhgues në këtë proces, ka synuar dhe shpreson të arrijë së shpejti statusin e pjesëmarrësit të plotë të Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Europian, sepse tani jo vetëm ka bërë një sërë ndryshimesh legjislative kushtetuese, në përshtatje dhe në përputhje me dokumentet themelore të këtij procesi, por ka manifestuar aspiratën demokratike, zhvillimin mbi bazat e ekonomisë së tregut, pluralizmin politik, tërësinë juridiko-sociale të të drejtave dhe lirive të shtetasve. Zgjedhjet e para parlamentare pluraliste si dhe pjesëmarrja e gjerë e vëzhguesve të huaj në to ishin një provë konkrete e angazhimit serioz të Qeverisë në këtë drejtim që t’i çojë më tej punimet e frytshme të Kuvendit tonë për institucionalizmin e demokracisë pluraliste në vend. Europa nuk karakterizohet vetëm nga proceset e KSBE-së. Në të janë krijuar struktura tanimë të konsoliduara integruese, që kanë marrë zhvillim në pjesën perëndimore të saj, sikurse është Komuniteti Europian, por dhe bashkëpunime të tjera rajonale. Qeveria jonë është në prag të vendosjes të marrëdhënieve zyrtare me Komunitetin Europian, me të cilin jemi të bindur se do të realizojmë një bashkëpunim të frytshëm, por ne po marrim gjithashtu pjesë aktive në punimet rajonale si ai i Ballkanit etj. Qeveria do t’i kushtojë rëndësi edhe bashkëpunimit me rajone të tjera të Europës dhe të vendeve të veçanta, përfshirë këtu Europën Qendrore, ku po përvijohen firma të reja integrimi, si ai i Pentagonales, nisma e Adriatikut etj. Në këtë drejtim, me vlerë të veçantë është aktivizimi i marrëdhënieve me Italinë si vend fqinj me lidhje tradicionale dhe anëtare e Komunitetit Europian, i cili është angazhuar të ndihmojë për forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik me Europën dhe për kapërcimin e vështirësive tona ekonomike. Qëndrimi konstruktiv dhe human i Italisë në trajtimin e refugjatëve shqiptarë është shprehje e mirëkuptimit dhe një politike realiste e fqinjësisë së mirë. Hapja me botën mbi bazën e parimeve të njohura, që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve, si dhe bashkëpunimi ekonomik, teknik e shkencor human, do të zgjerohen edhe më tej në të ardhmen. Bashkëpunimi me OKB-në, si forum i pazëvendësueshëm uiversal i harmonizimit të dëshirave të përbashkëta të popullit e të botës për liri e pavarësi, për emancipim kombëtar e përparim shoqëror, për ruajtjen e paqes e të sigurimit ndërkombëtar, do të jetë edhe në të ardhmen në qendër të politikës sonë të jashtme. Ne vlerësojmë objektivisht rolin e saj të posaçëm, të fuqishëm dhe të madh në zhvillimet botërore për fatet e së ardhmes. Prandaj rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç ishte disa kohë më parë dhe ajo me Bashkimin Sovjetik, është provë e kuptimit të drejtë të raporteve të sotme dhe të nevojës për marrëdhënie miqësore bashkëpunimi, pavarësisht nga madhësia e vendeve, nga largësia dhe pozicioni gjeografik i tyre. Nisur nga kriteret e çideologjizimit të marrëdhënieve shtetërore, nga dobia dypalëshe e bashkëpunimit dhe ndikimit pozitiv për paqen dhe sigurinë në botë, Qeveria ka punuar e do të punojë për të realizuar normalizimin e shpejtë të marrëdhënieve me Anglinë, me të cilën gjykojmë se, falë përpjekjeve të përbashkëta, kemi arritur në një afrim qëndrimesh që e bën të mundur një gjë të tillë. Në kuadrin e kontakteve, e lidhjeve sa më të gjera me botën, ne e shohim jo vetëm të mundshme, por dhe të afërt ditën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin, Izraelin, Arabinë Saudite e me ndonjë vend tjetër. Edhe në të ardhmen Qeveria do të ndjekë me konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë. Do të mbështesë me të gjitha mënyrat procesin e mirëkuptimit e të bashkëpunimit ballkanik, i cili me mbledhjen e dytë të ministrave të jashtëm të mbajtur në Tiranë, në tetor të vitit të kaluar, ka hyrë në një fazë të re cilësore. Ne përshëndesim mirëkuptimin dhe qëndrimin e drejtë të qeverive të vendeve ballkanike ndaj proceseve demokratizuese të zhvilluara në vendin tonë në periudhën e fundit, e demonstruar kjo veçanërisht në frymën miqësore dhe në solidaritetin human, sidomos nga ana e Qeverisë Turke. Ne kemi qenë dhe jemi për atë që bashkëpunimi ballkanik të zhvillohet si pjesë integrale e proceseve europiane; të lidhet organikisht me to, t’u shërbejë atyre dhe të bashkëveprojë për të ngushtuar periudhën e kapërcimit të prapambetjes në rajon. Ndërkaq jemi edhe për atë që, për hir të fqinjësisë së mirë, në këtë rajon të ndjeshëm të shikojmë përpara për t’i zgjidhur problemet aktuale jo me mendësitë e së kaluarës, e aq më tepër me metoda dhe rrugë që vetë historia i ka dënuar. Megjithatë nuk mund të kalojmë në heshtje faktin se sot në Ballkan është krijuar një situatë me rreziqe reale, veçanërisht në Jugosllavi, ku ringjallja e nacionalizmit po prek rëndë jo vetëm stabilitetin kombëtar, por dhe atë rajonal dhe europian. Mbërthimi mbas koncepteve nacionaliste, aq më tepër kërkimi i zgjidhjeve në kurriz të të tjerëve, e në këtë rast të shqiptarëve, nuk mund të jetë i efektshëm për të ardhmen e proceseve të sigurimit e të bashkëpunimit në rajon. Paqe dhe qetësi të vërtetë në Ballkan nuk mund të ketë në kurriz të fatit të shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi. Në këtë çështje Qeveria do të mbajë parasysh e do të zbatojë rezolutën e Kuvendit Popullor, kështu si do të mbajë parasysh e do të vlerësojë me realizëm edhe interesat e popullsisë çame. Republika e Shqipërisë është për bashkëpunimin e barabartë dhe miqësinë e vërtetë ndërmjet vendeve, për përkrahjen pa rezerva të të gjitha proceseve pozitive në botë, për demokracinë dhe përparimin në shkallë ndërkombëtare. Politika e jashtme e saj nuk do të jetë politikë monopartiake, por një konvergim qëndrimesh, pikëpamjesh dhe objektivash, në përputhje me interesat e zhvillimit kombëtar të përparimit. Një Shqipëri me stabilitet ekonomik e politik përbën një faktor të rëndësishëm për stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë. Ajo e ka treguar veten historikisht se mund dhe do të jetë gjithmonë e tillë. Qeveria do të ndjekë edhe në të ardhmen politikën e saj të njohur për minoritetet si ura lidhjesh paqeje e bashkëpunimi të vendeve fqinje. Shqipëria është për transparencë ndaj botës. Ajo do të zgjerojë komunikimin dhe informacionin për të, ashtu sikurse do të vazhdojë të punojë që bota ta njohë më mirë dhe më plotësisht vendin tonë me të gjitha vlerat historike dhe ato aktuale. Krijimi i lidhjeve të forta me shqiptarët jashtë atdheut, qofshin këta të emigruar prej kohësh, a të ikur kohët e fundit, ose që të dalin në të ardhmen në mënyrë të organizuar nga shteti, siç po punohet tani, për të cilët Qeveria do të interesohet e angazhohet vazhdimisht, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare, është jo vetëm një detyrë humane, por dhe një rrugë e afrimit me botën.
Të nderuar deputetë, situata tepër e rëndë ekonomike që kalojmë, treguesi më sintetik i së cilës, krahas ekuilibreve të tjera të brishta ose inekzistuese, është deri dhe mungesa e kartmonedhës fizike për nevoja të domosdoshme me afat të shkurtër, shtron si imperativ të ditës që nga ky Kuvend, që po përgatit të ardhmen e vendit, t’u drejtohemi me një apel të qartë, patriotik gjithë punonjësve të vendit, të gjitha forcave politike, sindikale e shoqërore që të angazhohen, të bashkëpunojnë realisht për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për të çelur rrugë të reja zhvillimi. Pjesë organike e këtij apeli dhe kusht i domosdoshëm për realizimin e çdo programi, që i shërben këtyre qëllimeve, është angazhimi dhe konsensusi që, të paktën deri në fund të vitit 1991, të pezullohen grevat dhe veprime të tjera me efekte shkatërruese për ekonominë. Është e domosdoshme që mbase punëtorët e fshatarët, minatorët e naftëtarët, prodhuesit e bukës e të qumështit, intektualët, rinia, veteranët dhe gjithë popullsia e vendit të orientohen qartë që të vlerësojnë situatën që po kalojmë në vend e në rajon dhe rrugëdaljet prej saj t’i gjejmë në frymën e unitetit kombëtar. Pikërisht në këtë frymë, pa asnjë rezervë dhe paragjykim partiak, zhvillova këto ditë konsultimet e nevojshme me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të vendit, duke theksuar nevojën që kemi si vend për një Qeveri të Unitetit Kombëtar dhe duke i ftuar të marrim pjesë në të. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike theksuan se partia e tyre do të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në gjithë jetën parlamentare dhe në komisionet që do të krijohen prej Parlamentit. Pa shprehur dyshime ftesa që unë i bëra Partisë Demokratike për të marrë pjesë në koalicion qeveritar është pa paragjykime. Ata theksuan se edhe mospranimi i kësaj oferte nga ana e tyre është pa paragjykime dhe se të qenit opozitë, jashtë Qeverisë, është domosdoshmëri historike. Përfaqësuesit e Partisë Republikane nënvizuan nevojën e bashkëpunimit të ekspertëve të të gjithë partive dhe të atyre pa parti me Qeverinë, por u shprehën kundër idesë së një koalicioni në Qeveri, duke e përligjur këtë qëndrim me faktin që partia e tyre ende s’ka asnjë vend në Kuvend. Përfaqësues të partive të tjera e mbështeten idenë dhe nevojën e një koalicioni qeveritar, por theksuan se ende nuk është përgatitur një situatë e përshtatshme për të marrë pjesë në të. Në këto kushte i propozova Presidentit të Republikës formimin e një kabineti ekspertësh, që do të punojnë për realizimin e platformës së programit që u paraqit. Mbi bazën e pëlqimit të Presidentit ju paraqes përbërjen e Qeverisë së re, e cila përfshin dhe disa dikastere të reja, që lidhen me nevojat e riorganizimit që burojnë nga reformat juridike dhe ekonomike që kemi ndërmarrë. Me dekretin nr.l të nxjerrë nga Presidenti, në mbështetje të paragrafit 3 të nenit 33 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” që miratoi ky Kuvend, me propozimin tim, Presidenti i Republikës vendosi emërimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë me këtë përbërje:
Kryetar i Këshillit të Ministrave, Fatos Nano.
Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, Shkëlqim Cani.
Ministër, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Zyhdi Pepa.
Ministër i Punëve të Jashtme, Muhamet Kapllani.
Ministër i Mbrojtjes, Ndriçim Karakashi.
Ministër i Rendit Publik, Hajredin Shyti.
Ministër i Drejtësisë, Fatmir Zaloshnja.
Ministër i Ekonomisë, Leontiev Çuçi.
Ministër i Financave, Anastas Angjeli.
Ministër i Burimeve Minerare dhe Energjetike, Drini Mezini.
Ministër i Industrisë, Vilson Ahmeti.
Ministër i Ushqimit, Ylli Bufi.
Ministër i Bujqësisë, Nexhmedin Dumani.
Ministër i Lidhjeve Ekonomike me Jashtë, Shane Korbeci.
Ministër i Tregtisë së Brendshme dhe i Turizmit, Gavrosh Pogaçe.
Ministër i Ndërtimeve, Leonard Nano.
Ministër i Transporteve, Kostandin Hoxha.
Ministër i Arsimit, Maqo Lakrori.
Ministër i Rinisë, Kulturës e Sporteve, Moikom Zeqo.
Ministër i Shëndetësisë, Sabit Brokaj.
Ministër i Punës dhe i Mbrojtjes Sociale, Theodhori Bej.
Ministër i Ekonomisë Komunale dhe i Mbrojtjes së Mjedisit, Flamur Hoxha.
Kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, Bujar Kolaneci.
Kryetar i Komitetit të Sigurimit Kombëtar, Gramoz Ruçi.
Kryetar i Komitetit të Shkencës dhe të Teknikës, Petrit Skëndi.
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Të nderuar deputetë, shpreh bindjen se programi i paraqitur do të përmirësohet më tej me vërejtjet e sugjerimet tuaja konstruktive dhe se do të gjejë zbatim me angazhim e përpjekje të të gjitha forcave politike dhe punonjësve të të gjithë vendit. Mbi këtë bazë, në emër të Qeverisë së re, kërkoj votëbesimin tuaj.
Falemnderit!