Programi i Qeverisë Pandeli Majko (22.2.2002 – 25.7.2002)
Pandeli Majko:
I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar zonja e zotërinj,
Më lejoni të shpreh kënaqësinë e veçantë për të prezantuar përpara jush Qeverinë që unë drejtoj dhe një përmbledhje të programit të saj, i cili në formën e vet të plotë është në dispozicionin tuaj, të medias e të publikut e, në përgjithësi, për cilindo që është i interesuar për të.
Në radhë të parë, do të doja të theksoja se Qeveria që unë kryesoj erdhi si produkt logjik e legjitim i një procesi diskutimesh e analizash të thella demokratike dhe, për herë të parë në eksperiencën e partive politike shqiptare, plotësisht të hapura në sytë e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht momenteve tepër të vështria në të cilat ato kaluan, impenjimit dhe angazhimit serioz të strukturave të Partisë Socialiste për të analizuar dhe për të gjetur zgjidhje politike të përshtatshme dhe afatgjata.
Të nderuar deputetë,
Unë dëshiroj të shpreh bindjen time të plotë se Qeveria, e cila më është kërkuar të kryesoj, është plotësisht e mbështetur politikisht nga maxhoranca që, me përbërjen dhe programin e saj, shënon një moment cilësor të rritjes së pjekurisë së vet politike për të tejkaluar krizat dhe për të vazhduar detyrimet e saj kushtetuese dhe elektorale për qeverisjen.
Të nderuar deputetë,
Ka mbi dhjetë vjet që Shqipëria tenton të ndahet nga e shkuara dhe vonesat e saj historike. Shoqëria shqiptare i është nënshtruar një vargu transformimesh rrënjësore në sferën politike e institucionale, ekonomike, sociale e kulturore dhe ka demonstruar mirëkuptim e vullnet në përballimin e reformave komplekse të ndërmarra në këto vite, të cilat, konstatojmë se kanë dhënë efektet e tyre pozitive. Tashmë Shqipëria ka vite që ruan ritme të larta rritjeje në kushtet e një hapjeje të plotë dhe po krijon gradualisht profilin e saj ekonomik dhe klasën e re të sipërmarrësve.
Shoqëria shqiptare po urbanizohet, po modernizohet, po hapet, po zhdogmatizohet dhe po rieuropianizohet. Institucionet e shtetit po bëhen gjithnjë e më demokratike dhe ligji po bëhet gjithnjë e më shumë rregull i përbashkët për të gjithë. Vendi është bërë një partner serioz i proceseve bashkëpunuese e stabilizuese në rajon dhe njëkohësisht, do të nisë së shpejti negocimet për marrëveshjen për stabilizim-asocimin. Por, gjithashtu, do të doja të vëreja se këto kanë qenë vitet e një tranzicioni të dhimbshëm, të tejzgjatur e të përfshirë në disa kriza, më të shpeshtat të shkaktuara jo vetëm nga problematika ekonomike e sociale e trashëguar, por edhe nga mospërgatitja dhe konfliktualiteti i klasës politike shqiptare, kriza të cilat kanë ndërprerë më shumë se një herë rrjedhën e dëshiruar të zhvillimeve dhe i japin profilit të realitetit të sotëm shqiptar, ende një pamje kontradiktore e, në ndonjë rast, deri edhe paradoksale.
Si pasojë, me gjithë arritjet e mësipërme, ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se sistemi ynë demokratik është ende i brishtë, se rendi publik është ende i kërcënuar, veçanërisht nga veprimi i krimit të organizuar, se ekonomia jonë e tregut konkurohet nga ajo informale, se problemet sociale të varfërisë, të papunësisë, të krimit e të prostitucionit, janë ende të rënda, se shqiptarët e kanë ende të vështirë të lëvizin lirisht dhe, së shumti, i drejtohen emigracionit klandestin se institucionet tona janë ende të dobëta dhe joefektive, jotransparente dhe me një shtrirje ende të rrezikshme të korrupsionit në to. Për këtë arsye, progresi ynë është ende larg mundësive që ne kemi dhe, aq më shumë, në raport me nevojën që këto zhvillime të mund të kompensojnë prapambetjen tonë relative krahasuar me shumë nga vendet ish-komuniste.
Këto kontradikta të brendshme që njeh sot shoqëria shqiptare, së bashku me tërësinë e faktorëve e tendencave të zhvillimeve rajonale dhe më gjerë, kanë përcaktuar nevojën e rishikimit tërësor e kompleks të vizionit tonë qeverisës, të riformulimit të politikave të së nesërmes, për zbutjen e këtyre kontradiktave dhe futjen në rrugën e zhvillimit e të integrimit.
Më lejoni të ndaj me ju bindjen time në vitet që do të vijnë se Qeveria duhet të sfidojë, së pari, problemet e defektet e një tranzicioni të avancuar e të pambyllur dhe njëkohësisht, problemet e një niveli të ulët zhvillimi përkundrejt nevojës për të arritur ritme të larta e të qëndrueshme të tij.
Më lejoni, gjithashtu, të shpreh besimin tim dhe të Qeverisë, se është plotësisht e mundur të adaptohen e të zbatohen politika të drejta e të përshtatshme, të cilat adresojnë problemet e gjejnë zgjidhje të harmonizuara në këto dy dimensione. Këto politika, masat zbatuese si dhe objektivat, të bashkëshoqëruar me treguesit e matshmërisë së tyre, mbështetur në burimet e mjetet, janë të trajtuara në programin që Qeveria paraqet për votëbesim në Kuvendin e Shqipërisë dhe që unë do të prezantoj në çështjet e tij më kryesore.
Të nderuar deputetë,
Programi i Qeverisë, të cilin ju e keni në versionin e tij të plotë, është dokumenti politik që shpreh angazhimet programore të maxhorancës deri në zgjedhjet e ardhshme të radhës, në vitin 2005. Programi i Qeverisë trajton me përparësi çështjet emergjente e më të rëndësishme për qytetarët dhe për vendin në çdo fushë, por, në radhë të parë:
-Garantimin dhe forcimin e rendit publik, luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve të paligjshme e korrupsionit, me objektivin e qartë të arritjes së suksesit të dukshëm për çrrënjosjen e këtyre plagëve nga realiteti shqiptar;
-Tejkalimin tashmë të nisur të krizës energjetike, rritjen e furnizimit të familjeve e të bizneseve me energji dhe kalimin në procesin normal të zhvillimeve të balancuara e afatgjata në këtë sektor;
-Përgatitjen serioze për nisjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asocimit dhe vazhdimin e suksesshëm të tyre.
Ai është njëkohësisht një program afatmesëm zhvillimi që bazohet në politikat për një rritje ekonomike të lartë e njëkohësisht të qëndrueshme e të balancuar, një zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës, të zhvillimit të kapitalit njerëzor, në veçanti, të arsimit e të shëndetit publik, për një zhvillim të integruar rural e urban dhe mbrotje të mjedisit, duke krijuar kushtet për hyrjen në rrugën pa kthim të zhvillimit të qëndrueshëm, për mbrojtjen e përkrahjen sociale, por duke i shndërruar ato nga pasive dhe asistencialiste, në aktive dhe integruese e që do të kontribuojnë në reduktimin e problemeve e në shërimin e patologjive sociale, në zgjidhjen e konflikteve dhe forcimin e kohezionit social, duke lehtësuar kështu, rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm e duke e bërë atë të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Programi orientohet drejt zhvillimit e thellimit të reformave institucionale e ligjore për ta bërë qeverisjen më demokratike, më transparente, më të decentralizuar, më pranë qytetarit e më pak të korruptuar dhe, njëkohësisht, më efektive e më eficiente.
Ai është një program me objektiva të qartë për çdo fushë, objektiva këta, plotësisht të matshëm e të vlerësueshëm nga kushdo, bashkëshoqërues me tregues sasiorë për efektet e politikave, si dhe për inputet e tyre, veçanërisht në terma financiarë. Ai është një program realist i bazuar në vlerësimin e potencialeve burimore të vendit, ato financiare, njerëzore dhe materiale, si dhe në mbështetjen në rritje të partnerëve tanë ndërkombëtarë, njëkohësisht, duke programuar një përdorim optimal të këtyre burimeve. Ai është një program që shtrihet në të njëjtën bazë dhe vazhdon natyrshëm mbi programin e Qeverisë paraardhëse, si dhe në arritjet e qeverisjes së maxhorancës politike në këta pesë vjetët e fundit, duke reflektuar mësimet e nxjerra nga mosarritjet. Ai, gjithashtu, është bazuar në disa dokumente strategjike tashmë të adoptuara, si: strategjia për zhvillimin ekonomik e social, programi i saj afatmesëm për rritjen ekonomike dhe reduktimin e varfërisë, disa strategji dhe programe pune sektorale, në programin buxhetor afatmesëm 2002-2004 etj. Si i tillë, programi i Qeverisë trupëzon natyrshëm vizionet e përbashkëta me aktorët e interesit, me komunitetin e biznesit, shoqërinë civile, komunitetet e qeverisjen vendore etj., vizion ky i përbashkët i arritur nëpërmjet proceseve të hapura e pjesëmarrëse mbi bazën e të cilave janë përgatitur dokumentet e mësipërme.
Ai është një program që harmonizohet me objektivin tonë afatgjatë të zhvillimit modern dhe të integrimit europian e euroatlantik, dhe në këtë kuadër, edhe me angazhimet tona në nismat rajonale dhe në paktin e stabilitetit, programi përcakton njëkohësisht masat dhe angazhimet konkrete të Qeverisë sonë në sigurimin e progresit të procesit integrues gjatë mandatit të saj trevjeçar.
Ne jemi të ndërgjegjshëm për problematikat e ndërlikuara dhe sfidat që kjo Qeveri, ashtu si e gjithë shoqëria shqiptare, do të duhet të përballojë. Nëpërmjet këtij programi ne jemi përpjekur maksimalisht për t’iu përgjigjur në mënyrë më të përshtatshme kërkesës, gjithmonë në rritje, për garantimin e një progresi të shpejtë e të pakthyeshëm.
Ne kemi bindjen e thellë se te Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojmë të identifikojmë partnerin e domosdoshëm në rrugën e përballimit të këtyre sfidave si shprehje e vullnetit të publikut shqiptar dhe njëkohësisht, institucionin monitorues të veprimtarisë sonë të përditshme qeverisëse dhe të arritjes së objektivave të këtij programi.
Të nderuar deputetë,
Qeveria Shqiptare mendon se ruajtja me ritme të larta e të qëndrueshme e rritjes ekonomike, është faktori kryesor i realizimit të objektivave afatmesme e afatgjata për zhvillimin dhe integrimin. Angazhimi i Qeverisë është që në periudhën 2002-2005 të ruhet një rritje e prodhimit të brendshëm bruto vjetor në nivelin 7-8%, duke synuar njëkohësisht një rritje ekonomike më të balancuar dhe një strukturë ekonomike më të diversifikuar në të cilën bujqësia do të vazhdojë të japë rreth gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto, duke ruajtur një ritëm rritjeje 3-4% në vit.
Ndërtimi, shërbimet dhe transporti do të vazhdojnë të ruajnë ritme mjaft të larta të rritjes të verifikuara këto vite. Industria, veçanërisht ajo agropërpunuese, si edhe ajo e lehtë, do të pësojnë një rritje të ndjeshme, ndërsa turizmi do të fillojë të ketë një peshë, jo më të papërfillshme, në totalin e prodhimit të brendshëm bruto, duke shënuar fillimin e një rëndësie reale dhe jo më potenciale të këtij sektori.
Qeveria do të orientohet veçanërisht në politikat ekonomike që synojnë nxitjen e ofertës agregate, Qeveria do të ketë si prioritete të saj thellimin e institucionalizimit të tregut dhe nxitjen e zhvillimit të sektorit privat, forcimin e sektorit financiar për të mbështetur rritjen e nivelit të kreditimit të ekonomisë dhe ruajtjen e investimeve, përmirësimet e kuadrit institucional për krijimin e një mjedisi nxitës për investimet e huaja direkte, nxitjen e eksporteve. Si rezultat i këtyre politikave parashikohet që investimet private në vitin 2005 të arrijnë në rreth 15% të prodhimit të brendshëm bruto, nga 12.1% në vitin 2000, ndërsa investimet publike në vitin 2005 të arrijnë në rreth 8.5-8.6% të prodhimit të brendshëm bruto nga 6.5% që ato ishin në vitin 2000.
Rritja ekonomike, krahas zhvillimeve sektorale të drejtpërdrejta do të mbështetet dhe nga politika fiskale. Parashikohet që shpenzimet totale të buxhetit të rriten nga 31.4% e prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2000, në 32.5% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2005.
Ruajtja dhe thellimi i stabilitetit makroekonomik përbën gjithashtu, një kusht themelor për sigurimin e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike. Këtij synimi do t’i shërbejnë vazhdimi i politikës së konsolidimit fiskal, i cili do të synojë uljen e deficitit buxhetor nga 9.2% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2001, në 6.5% në vitin 2004.
Për realizimin e këtij objektivi Qeveria do të ndërmarrë masa për përmirësimin e administrimit fiskal, si me të ardhurat, ashtu dhe me shpenzimet e buxhetit. Objektivi kryesor në fushën e të ardhurave do të jetë rritja më tej e nivelit të të ardhurave në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Të ardhurat buxhetore synohet që nga 22.7% e prodhimit të brendshëm bruto që u realizua në vitin 2001, të arrijnë nivelin 25.8% për vitin 2004.
Të ardhurat tatimore dhe doganore do të kenë një ritëm mesatar rritjeje prej rreth 15% në vit dhe kjo do të realizohet kryesisht nëpërmjet rritjes së shkallës së administrimit të të ardhurave pa rritur nivelin e tatimeve dhe duke vazhduar kështu politikën e uljes së tarifave doganore. Gjithashtu, do të rritet pesha e tatimeve direkte përkundrejt atyre indirekte.
Shpenzimet e buxhetit në vitet e ardhshme, parashikohet të rriten me të njëjtat ritme si dhe ritmet e rritjes së prodhimit të brendshëm bruto, me një ritëm mesatar vjetor prej 7.8%, duke arritur në nivelet 32.5-32.7% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2005.
Për periudhën 2002-2005 Qeveria do të synojë reduktimin gradual të deficitit të llogarisë korente. Kjo do të arrihet kryesisht nëpërmjet përmirësimit të pozicionit të bilancit tregtar, duke mbështetur prirjen pozitive të zëvendësimit të një pjese të produkteve të importit nga prodhimi vendas, si dhe duke krijuar kushtet për nxitjen e eksporteve. Synohet që deficiti i bilancit tregtar të ulet nga 21.7% e prodhimit të brendshëm bruto të vitit 2000, në 19.4% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2005.
Të nderuar deputetë,
Politikat e adoptuara gjatë dhjetëvjeçarit të parë të tranzicionit janë dominuar nga përpjekjet për frenimin e efekteve të krizave, stabilizimin makroekonomik, reformat strukturore dhe bazë për krijimin e tregut e të mekanizmave kryesore të tij, për të mundësuar hyrjen në rrugën pa kthim të zhvillimit të qëndrueshëm. Qeveria duhet të adoptojë një bashkësi masash në drejtim të infrastrukturës, të zhvillimit njerëzor, të zhvillimit të integruar rural e urban, të mbrojtjes së mjedisit e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve.
Politikat dhe masat me karakter zhvillues në këto fusha përbëhen nga komponenti investues dhe komponenti i forcimit institucional e ligjor që do të garantojnë rritjen e aksesit të aktorëve në mundësitë e procesit të zhvillimit. Zhvillimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i shërbimeve jetësore që lidhen me të, duke konsideruar efektet e drejtpërdrejta e të shumëfishuara të saj në zhvillimin ekonomik e social, konsiderohen nga Qeveria si fushë prioritare e programit të saj. Politikat e Qeverisë në këtë fushë, përmbajnë dy komponente kryesore: realizimi i investimeve nga Buxheti i Shtetit dhe fondet nga partnerët ndërkombëtarë në të gjitha nivelet e rrjetave infrastrukturore. Nga ana tjetër, Qeveria është e ndërgjegjshme që këto investime do të duhet të mbështeten me instrumente e politika të rritjes së efektivitetit dhe eficiencës.
Investimet publike janë projektuar të rriten nga 6.5% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2000, në 8.3% në vitin 2004. Investimet në energji, transport dhe në infrastrukturën lokale, veçanërisht në ujësjellës, do të zënë rreth 2/3 e të gjitha investimeve publike. Qeveria do të marrë masa që të përshpejtojë ritmet e disbursimit të fondeve ende të pashfrytëzuara të donatorëve për projektet në vazhdim, të cilat kapin një vlerë prej 670 milionë dollarësh.
Gjatë viteve 2002-2004 pritet që të kemi një angazhim shtesë mbi ato të ndërmarra tashmë, të partnerëve ndërkombëtarë për financimin e investimeve publike në nivelin e rreth 250 milionë dollarëve në vit.
Energjia elektrike: gjatë gjithë viteve të tranzicionit, krahas problemeve të tjera, shqiptarët jo pa të drejtë, janë përballur edhe me mungesën e energjisë, mungesë e cila aktualisht ka marrë trajtat e një krize, kapërcimi i së cilës kërkon angazhim tepër serioz. Pikërisht për këtë arsye sektori i energjisë do të jetë një nga prioritetet më madhore të Qeverisë. Bazuar në rezultatet e dukshme të kohëve të fundit në drejtim të rritjes së shkallës së furnizimit, rritjes së arkëtimeve, nisjes së disa programeve investuese e rehabilituese me një mbështetje të gjerë të partnerëve ndërkombëtarë dhe në hapat e parë të hedhur në reformën e çmimin e energjisë elektrike, Qeveria do ta ndjekë në vazhdimësi dhe nga afër ecurinë në sektorin e energjisë elektrike për të rritur shkallën e mbulimit të kërkesave të konsumatorëve me energji, për të shfrytëzuar në mënyrë racionale burimet e kufizuara të brendshme, duke garantuar importin e energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, Qeveria do të ndjekë në dinamikë arkëtimet në KESH, si dhe eliminimin e mëtejshëm të ndërhyrjeve abuzive në rrjet, duke i siguruar atij mbështetjen e të gjitha institucioneve qeveritare. Qeveria do të ndjekë e mbështesë realizimin sipas afateve të parashikuara të projekteve të iniciuara me partnerët ndëkombëtarë.
Në periudhën afatmesme Qeveria do të përcaktojë masat e saj në drejtimet e rritjes së shkallës së mbulimit të kërkesës për energji elektrike nëpërmjet përmirësimit të rritjes së prodhimit e përdorimit më me efektivitet të rezervave. Rritja e prodhimit do të bazohet në menaxhimin më efektiv të burimeve energjetike ekzistuese, duke përfshirë burimet vendase hidroenergjetike, si dhe eksportet e importet e energjisë elektrike.
Përshpjetimi i privatizimit të hirdocentraleve të vegjël, planifikimi i shtesave të prodhimit, duke marrë në konsideratë parimet e planifikimit me koston më të ulët dhe domosdoshmërinë e diversitetit të burimeve energjetike, rehabilitimet e burimeve ekzistuese si ai TEC-it të Fierit, si dhe disa projekte të tjera të lidhura me burimet e djegshme dhe hidrike, do t’i mundësojë KESH-it krijimin e burimeve financiare për të importuar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, si dhe të rrisë mundësinë e tij që, kur është e nevojshme, të ruajë kapacitetet stokuese hidroenergjetike, fuqizimin e kapaciteteve transmetuese dhe shpërndarëse të rrjetit, duke përfshirë sistemet e ndërlidhjes ndërkombëtare. Nga ana tjetër, vend të rëndësishëm do të zërë dhe mirëmenaxhimi i kërkesës për energji elektrike, i cili do të bazohet nga një anë, në rritjen e disiplinës së shitjeve dhe pagesës nga KESH-i nga të gjithë konsumatorët nëpërmjet vendosjes së matësve, mbledhjes, të paktën të një të tretës së borxhit të vjetër ndaj KESH-it, informatizimit të sistemit të faturimit e të financave të KESH-it, forcimin e kontrollit e kështu me radhë, (objektivi i Qeverisë është të rritë arkëtimin në nivelin 90% brenda vitit 2002), nga ana tjetër, në politikën e çmimit, i cili gradualisht, me hapa të matur e të guximshëm do të tentojë në periudhë afatgjatë për afrimin me çmimet botërore të energjisë elektrike, duke ruajtur çmimin me dy nivele për konsumatorët familjarë dhe duke marrë në konsideratë liberalizimin e çmimit për sektorin ekonomik përkundrejt garantimit të furnizimit.
Reforma strukturore e KESH-it nëpërmjet ndarjes së tij në tri njësi dhe përmirësimi i administrimit e forcimi i luftës kundër korrupsionit në këto struktura, fuqizimi i kapaciteteve rregullatore të entit rregullator të energjisë, përdorimi i formave të ndryshme koncesionare për tërheqjen e kapitaleve private në këtë fushë, për periudhën 2002-2005, investimet e përgjithshme në këtë sektor nga Buxheti i Shtetit dhe nga vetë KESH-i, si dhe në veçanti nga fondet e donatorëve, do të arrijnë në nivelin e rreth 28 miliardë lekëve.
Për ujin e pijshëm, Qeveria është e ndërgjegjshme për problemet ende të mprehta me të cilat përballet popullsia në sektorin e furnizimit me ujë, të evadimit të ujërave të zeza. Është bindja jonë se nuk ka standard të vërtetë jetese për qytetarët, pa siguruar rrjedhjen e pandërprerë të ujit dhe pa çliruar në mënyrë të qëndrueshme qytetet e qendrat urbane nga ujërat e zeza. Qeveria e shikon kapërcimin e kësaj situate si një element thelbësor të punës gjatë mandatit të saj. Ajo është e vetëdijshme se zgjidhja e problemeve nuk mund të bëhet përmes subvencioneve të rritura ndjeshëm gjatë dy vjetëve të fundit por, në radhë të parë, nëpërmjet mekanizmave ekonomike institucionale, si dhe zbatimit të masave të rrepta në raport me përdoruesit abuzivë.
Grupmasat kryesore që do të zbatohen janë:
-Rivendosja e disiplinës financiare-administrative në ndërmarrjet e ujësjellësve.
-Mbulimi i kostove përmes përmirësimit të menaxhimit, rregullimit të tarifave, lehtësimit të procedurave të pagesës, masave, matjes së drejtë të sasisë së ujit të konsumuar, eliminimi i lidhjeve të paligjshme.
-Decentralizimi i investimeve, i procesit të vendimmarrjes dhe i kontrollit në organet e pushtetit vendor, si dhe kalimi i pronësisë mbi infrastrukturën e këtyre sistemeve te këto organe të pushtetit lokal.
-Përdorimi i formave alternative të menaxhimit nëpërmjet shtrirjes e koncesionit, të kontratave të menaxhimit e deri te privatizimi, përmirësimi e plotësimi i mëtejshëm i legjislacionit, i skemës institucionale e rregullatore për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, kryerja e investimeve për zgjerimin dhe modernizimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe përmirësimi i cilësisë së ujit, rehabilitimi gradual i rrjetit të kanaleve të ujërave të zeza.
Të gjitha këto masa që ju rendita më sipër, do të realizohen nëpërmjet alokimit të fondeve të konsiderueshme për investimin nga burimet e brendshme, nga fondet e partnerëve ndërkombëtarë dhe gradualisht, edhe nga tërheqja e kapitaleve private, por edhe ato të kontributeve të njësive të qeverisjes vendore e të komuniteteve.
Fondet e donatorëve për investime në këtë sektor për vitet 2002-2004, do të jenë në nivelin 12.6 miliardë lekë, ndërsa financimet nga burimet e brendshme, për të njëjtën periudhë, do të jenë në nivelin e 6.6 miliardë lekëve.
Transporti: Qeveria do të vazhdojë të konsiderojë zgjerimin e përmirësimin e rrjetit të transportit rrugor, detar dhe ajror si një drejtim prioritar për vetë efektet që ai ka në procesin e zhvillimit. Gjatë viteve 2002-2005 do të vazhdojë tendenca e rritjes së investimeve në transport, gjithashtu, vetëm nga investimet, nga burimet e brendshme në vitin 2004, niveli i investimeve parashikohet të jetë 174% më i lartë se në vitin 2001. Shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve do të jenë me rreth 140% më tepër në periudhën trevjeçare. Investimet do të vijnë në rritje dhe nëpërmjet financimeve nga partnerët ndërkombëtarë. Akset rrugore Lindje-Perëndim, Veri-Jug, Durrës-Morinë si artere jetike kombëtare në lidhjet e Shqipërisë me Kosovën, rrugët e tjera kombëtare e rajonale, një tërësi rrugësh rurale dhe ato urbane, porti i Durrësit, po edhe ato të Vlorës e të Shëngjinit, aeroporti i Rinasit, si dhe disa prej segmenteve hekurudhore, do të jenë objekt ku do të alokohet pjesa më e madhe e fondeve.
Investimet në transport do të bashkëshoqërohen edhe me përmirësimin e punimeve mirëmbajtëse me komercializimin dhe privatizimin e shërbimeve të transportit, si dhe përmirësimin e kuadrit rregullator e institucional.
Telekomunikacioni: bazuar në rritjen e dukshme të sektorit gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, si rezultat i politikave të drejta të ndjekura, Qeveria synon një rritje edhe më të shpejtë të tij, rritjen e cilësisë së shërbimit, uljen e tarifave dhe zgjerimin e tij në zonat rurale të vendit. Vetëm në vitin 2002 pritet që numri i abonentëve të telefonisë fikse të rritet në 245 mijë dhe ai celular në mbi 600 mijë, me një penetrim rreth 15-20%, ndërsa investimet në këtë sektor, për të njëjtën periudhë, do të arrijnë në nivelin e rreth 75 milionë dollarëve amerikanë.
Ndër masat që do të merren nga Qeveria për arritjen e këtyre objektivave, mund të përmenden: privatizimi i kompanisë Albtelekom, krijimi i kushteve për thellimin e konkurrencës për telefoninë celulare, forcimi i i institucioneve rregullatore.
Zhvillimi i burimeve njerëzore: Qeveria vlerëson se në fazën e parë dhjetëvjeçare të tranzicionit kërkohej një vëmendje më e madhe në drejtim të reformave ekonomike e institucionale, si dhe në fushën e infrastrukturës e të shërbimeve publike. Për këtë qëllim dhe alokimi i burimeve financiare është dominuar nga një nevojë e tillë objektive. Nga ana tjetër, me gjithë arritjet, fushat e lidhura me krijimin e përmirësimin e faktorit njerëzor, shfaqen të mbetura relativisht prapa. Në veçanti, sektorët e arsimit e të shëndetit publik, nuk arrijnë të ofrojnë sot një nivel shërbimi që t’i përgjigjet nevojës së zhvillimit për një kapital njerëzor cilësor. Për këtë qëllim, Qeveria do të ndërmarrë një bashkësi politikash e masash në përputhje me programin trevjeçar të rritjes ekonomike e të reduktimit të varfërisë, si dhe të strategjive e të programeve sektorale përkatëse që synojnë një përmirësim gradual të burimit njerëzor, duke alokuar njëkohësisht më shumë fonde dhe mjete për këtë qëllim.
Ndër fushat prioritare do të jenë arsimi dhe shëndetësia, por edhe kultura e sporti.
Arsimi: synimet afatgjata për sistemin arsimor janë të lidhura me rritjen e efektivitetit e të cilësisë së sistemit për të mundësuar përgatitjen e nxënësve me njohuritë e shprehitë e nevojshme për t’u orientuar në një sistem demokratik dhe në një botë të hapur në integrim e globalizim. Nga ana tjetër, sistemi arsimor shqiptar do të duhet t’i përgjigjet nevojës së ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave kombëtare. Për këtë qëllim, Qeveria do të angazhohet në një proces të gjerë, të thellë, të hapur e pjesëmarrës për përgatitjen e vizionit afatgjatë të reformimit të sistemit arsimor. Duke e vlerësuar nevojën e një vizioni të tillë, gjithsesi, Qeveria është e mendimit se në sistemin arsimor janë të nevojshme ndërhyrjet afatmesme dhe në disa raste, afatshkurtër.
Objektivat e Qeverisë në arsimimin parauniversitar janë:
-Rritja e shkallës së regjistrimit në arsimin tetëvjeçar nga 90% në vitin 2000, në 94% në vitin 2004.
-Rritja e mesatares së viteve të shkollimit nga afro 9.5 vjet në vitin 1998, në afro 10 vjet në vitin 2004.
-Rritja e shkallës së regjistrimit në arsimin e mesëm nga rreth 40% në vitin 2000, në rreth 50% në vitin 2004.
Objektivat e mësipërm do të arrihen nëpërmjet kompletimit të aksionit tashmë të avancuar për rehabilitimin e rrjetit të shkollave, adoptimit të formave të reja të tërheqjes së fëmijëve e të familjeve të varfëra e të atyre rurale e tejurbane në arsim, rivitalizimit të arsimit të mesëm profesional, rritjes së cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet motivimit më të mirë të mësuesve dhe përmirësimit të bazës didaktike etj.
Në fushën e arsimimit një rëndësi parësore marrin dhe reformat administrative e strukturore që synojnë përmirësimin e administrimit nëpërmjet racionalizimit të strukturave e centralizimit, forcimit të autonomisë shkollore dhe rolit të komuniteteve, nxitjes së iniciativës private etj.
Qeveria do të synojë, gjithashtu, edhe përmirësimin e mëtejshëm të shkollimit universitar e pasuniversitar, duke e zgjeruar e forcuar autonominë universitare, duke mbështetur programet e shkëmbimeve universitare, duke vënë fonde në dispozicion, si dhe duke mbështetur iniciativat private serioze në këtë fushë. Shpenzimet korente për arsimin, nga 2.7% e prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2001, do të rriten në 3.1% në vitin 2004, ndërsa shpenzimet për investime, do të jenë në nivelin 0.8% të prodhimit të brendshëm bruto çdo vit. Ndërsa fondi i pagave do të rritet me rreth 12% në vit, shpenzimet korente, pa pagat, do të rriten me 20% në vit. Nga ana tjetër, Qeveria do të rrisë efektivitetin e përdorimit të ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë dhe orientimin e saj në këtë sektor.
Shëndetësia: Qeveria do të sigurojë ritmet më të larta të kryerjes së reformës në shëndetësi, për sigurimin e një mbrojtjeje komplekse të shëndetit të popullatës. Shpenzimet publike për sektorin e shëndetësisë nga 3% në vitin 2001, do të rriten në 3.3% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2004. Shpenzimet për pagat do të rriten me rreth 12% çdo vit, ndërsa shpenzimet korente pa pagat, do të rriten me 15% çdo vit.
Qeveria është e ndërgjegjshme se problemet në sektorin e shëndetësisë, nuk mund të zgjidhen vetëm me rritjen e shpenzimeve për investimin dhe shpenzimet e tjera operative, sektori, në fakt, ka nevojë për një reformim të thellë strukturor. Për këtë qëllim, krahas vazhdimit të rehabilitimit dhe ngritjes së qendrave shëndetësore në zonat rurale e ato urbane, krahas përmirësimit me pajisje e furnizimit me medikamente të qendrave të shëndetit parësor dhe atyre spitalore, Qeveria do të synojë dhe reformimin e sistemit rregullator kontrollues, të sistemit të financimit të shpërndarjes së burimeve, reformimin në fushën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore etj. Treguesit kryesorë të efekteve që do të demonstrojnë rritjen e objektivave nga zbatimi i masave të programit të Qeverisë do të jenë: ulja e vdekshmërisë foshnjore nga 21 për mijë lindje të gjalla në vitin 2000, në 17 për mijë lindje të gjalla në vitin 2004. Ulja e vdekshmërisë amtare nga 20 në 100 mijë lindje të gjalla në vitin 2000, në 15 për 100 mijë lindje të gjalla në vitin 2004. Ulja e incidencës në rastet e sëmundjes diarreike 1200 për 100 mijë banorë në vitin 2000, në 600 për 100 mijë banorë në vitin 2004.
Zhvillimi i integruar rural, urban dhe mbrojtja e mjedisit: politikat e zhillimit të qëndrueshëm të zbatohen në kohë dhe në hapësirë. Qeveria propozon një bashkësi masash të bazuara në një vizion të përbashkët, jo më thjesht sektoral dhe të fragmentarizuar, por një vizion integral të shërbimit urban e rural, duke realizuar ndërhyrje të kombinuara, për të realizuar një proces frontal e të shumanshëm në këto hapërsira, duke respektuar tendencat e natyrshme demografike dhe ekonomike e duke zbutur efektet zhbalancuese rajonale të kombinuara me thellimin e reformës së decentralizimit.
Zhvillimi rural: zonat rurale trashëguan dhe prapambetjen më të thellë nga e kaluara. Privatizimi i tokës bujqësore i çeli rrugë rimëkëmbjes relativisht të shpejtë të bujqësisë, po mbi baza gjerësisht ekstensive në ferma të vogla dhe bazuar në një infrastrukturë ende të dobët bujqësore dhe rurale. Shkalla e mobilizimit të burimeve të tjera ekonomike, përveç tokës dhe blegtorisë, është gjithashtu e ulët, ndërsa varfëria në Shqipëri është kryesisht, siç e thashë, rurale.
Për të ndjekur këtë gjendje problematike të zonave rurale, Qeveria është e mendimit se nevojitet një ndërhyrje në shkallë të gjerë e të kombinuar në disa drejtime. Një qasje e tillë e integruar do të mundësonte një sinergji faktorësh, duke shumëfishuar efektet e veçanta të secilit drejtim të ndërhyrjes.
Objektivat strategjikë që synohet të arrihen janë:
-Sigurimi i rritjes së qëndrueshme të prodhimit të të ardhurave nga bujqësia, blegtoria dhe agropërpunimi, nëpërmjet përmirësimit të ujitjes, kullimit e investimeve të tjera në infrastrukturën dhe teknologjinë bujqësore, përmirësimi i shërbimeve ekstensive, përfundimi i regjistrimit të pasurisë dhe konsolidimi i tregut të tokës, rritja e aksesit të shërbimeve financiare dhe në kreditim, nxitja e rritjes së shkallës së përpunimit të prodhimeve, përmirësimi i kushteve dhe i nivelit të komercializimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale.
Ruajtja dhe përmirësimi i përdorimit të burimeve natyrore në zonat rurale, përfshihet në vazhdimin e transferimit të të drejtave të pronësisë mbi disa nga këto burime te komunat e komunitetet. Rritja e aksesit ndërkaq dhe e cilësisë së shërbimeve rurale: arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, e ujit të pijshëm dhe e kanalizimeve, si dhe e infrastrukturës së transportit rural.
Dhe e fundit, diversifikimi i ekonomisë rurale dhe rritja e punësimit dhe e të ardhurave në aktivitetet jobujqësore në zonat rurale.
Zhvillimi urban: krahas problemeve të shkaktuara nga zhvillimet ekonomike të tranzicionit, qendrat urbane përballohen sot, nga një anë, me gjendjen e varfër të infrastrukturës urbane të trashëguar të shërbimeve publike dhe, nga ana tjetër, me shkallën e lartë të urbanizimit, veçanërisht në disa prej qyteteve të vendit. Nga problemet serioze vuajnë shërbimi shëndetësor dhe ai arsimor, ndërsa disa probleme e patologji sociale po bëhen gjithnjë e më shumë problematike.
Zhvillimi i qëndrueshëm urban është një objektiv themelor afatgjatë i Qeverisë. Ai do të arrihet nëpërmjet programeve integrale e strategjike që do të harmonizojnë elementet bazë të hapësirës urbane, tokën, teknologjinë e shërbimet dhe bashkëjetesën e kulturën qytetare. Duke konsideruar efektet e tranzicionit, Qeveria synon që në periudhën afatmesme, të frenojë procesin e degradimit urban, të ulë varfërinë tashmë të shfaqur urbane, si dhe të krijojë premisat e nevojshme për zhvillimin afatgjatë urban.
Masat kryesore në këtë drejtim do të jenë:
-Rritja e aksesit të drejtë me infrastrukturën e shërbimet publike dhe përmirësimi i cilësisë së tyre nëpërmjet zbatimit të investimeve nga Qeveria dhe me mbështetjen e bashkive në këto fusha, duke përfshirë përmirësimin administrativ dhe tërheqjen e kapitaleve private komunitare në këto investime.
-Rritja e efektivitetit të përdorimit të tokës urbane nëpërmjet qartësimit dhe garantimit të të drejtave të pronësisë, si dhe të përmirësimit institucional e ligjor të planifikimit urban.
-Zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të strehimit nëpërmjet mekanizmave financiarë e rregullatorë.
-Forcimi i mëtejshëm dhe garantimi i rendit dhe i sigurisë në të gjithë territorin urban.
-Përmirësimi i mjedisit urban, veçanërisht, rehabilitimi dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra, ulja e ndotjes në ajër, rehabilitimi dhe mbrojtja e vlerave arkitektonike urbane.
-Zhvillimi i sjelljes dhe i kulturës urbane, trajtimi në veçanti i tyre, i problemeve sociale urbane të të varfërve, të papunëve, të pastrehëve, si dhe shërimi i patologjive urbane nëpërmjet skemave integruese të mbrojtjes e të përkrahjes sociale.
Mos u shqetësoni, unë këto i përsëris sepse në fund fare do të përplasem me veten time nëse i kam realizuar apo jo.
Kështu pra, vetëm për strehimin, për të pastrehët, Qeveria do të investojë nga buxheti çdo vit 0.5-1 miliard lekë, do të punojë për fuqizimin e menaxhimin urban nëpërmjet thellimit të decentralizimit, të rritjes së pjesëmarrjes së komuniteteve, përmirësimit të kuadrit ligjor etj
Mbrojtja e mjedisit: rritja ekonomike që do të realizojmë do të arrihet, duke minimizuar dëmet dhe mjedisin, duke shfrytëzuar në mënyrë optimale burimet natyrore si e vetmja rrugë e një zhvillimi të drejtë e të qëndrueshëm në raport me çdo qasje tjetër zhvilluese.
Ndryshimi i prekshëm i sjelljes dhe rritja e ndjeshmërisë së shoqërisë për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të vlerave mjedisore janë një tregues që e bëjnë këtë qasje gjithnjë e më të mundshme.
Në periudhën afatmesme synohet frenimi i procesit të degradimit mjedisor, krijimi i kushteve për rehabilitimin e zonave të ndotura brenda standardeve minimale të sigurisë, rritja e qëndrueshmërisë së përdorimit të burimeve mjedisore, ndërhyrjet në mjedis, përfshirë fondet publike, do të përqendrohen me përparësi në ato zona në të cilat janë verifikuar nivele të larta të ekspozimit të njerëzve ndaj riskut mjedisor, rrezikohen asete të konsiderueshme mjedisore dhe burimore apo dëmtimi ndikon më shumë mbi të varfërit.
Masat prioritare në këtë fushë do të jenë: fuqizimi institucional në nivelin qendror e vendor, rritja e rolit të shoqërisë civile dhe e komuniteteve, adoptimi i politikave dhe i instrumenteve mjedisoore krahas kontrollit dhe zbatimit të penaliteteve për dëmtuesit e mjedisit, reduktimi i ndotjes nga burimet ekzistuese me prioritet në zonat e nxehta pranë ish-komplekseve të mëdha industriale.
Masat për zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve të pyjeve, të tokës, ujërave nëpërmjet rritjes së numrit të sipërfaqes së zonave të mbrojtura, investimet publike dhe shpërndarjen më të qartë të të drejtave të pronësisë te komunitetet.
Të nderuar deputetë,
Qeveria do të vazhdojë politikat e mbrojtjes e të përkrahjes sociale, por duke i shndërruar ato nga pasive e asistencialiste, në aktive e integruese.
Qeveria do të vazhdojë politikat e punësimit e të reduktimit të papunësisë në drejtim të thellimit të institucionalizimit dhe formalizimit të tregut të punës, nxitjes e intensifikimit të formimit profesional dhe zhvillimit të fuqisë punëtore në përgjithësi, nxitjes së punësimit nëpërmjet financimit të kontribuesve të fuqisë punëtore në sigurimet shoqërore, krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimit të kuadrit ligjor e institucional. Qeveria synon të ulë papunësinë nga 14% që është në vitin 2001, në 12% në vitin 2004. Këto nuk janë ëndrra dhe, ndërkohë, do të mundësojë krijimin e rreth 65 mijë vendeve të reja të punës, nga programet e saj të punësimit, gjatë vitit 2002-2004, duke përdorur për këtë qëllim një miliard lekë çdo vit.
Qeveria do të rishikojë programet e mbrojtjes sociale në përshtatje me kushtet ekonomike e shoqërore të vendit. Duke e marrë në konsideratë shumëdimensionalitetin e varfërisë në Shqipëri, gjatë vitit 2001-2004 ndihma ekonomike do të shpërndahet me forma të reja, të cilat do t’i shërbejnë nxitjes së familjes për të dalë nga situata e varfërisë, duke e integruar atë në mjedisin shoqëror, nëpërmjet harmonizimit të tij me programet e tjera të mbrojtjes e të zhvillimit social.
Në programet e mbrojtjes sociale, sipas programit buxhetor afatmesëm 2002-2004, Qeveria parashikon të shpenzojë çdo vit 9-12 miliardë lekë.
Politika e shërbimeve sociale do të synojë të shndërrohet nga një politikë pasive, pra politikë e zbutjes së pasojave të tranzicionit, në një politikë aktive, politikë e zhvillimit të kapitalit social. Ky objektiv do të realizohet nëpërmjet përdorimit të formave të reja të politikës sociale, të cilat do të ofrojnë riintegrimin real social të kategorive të margjinalizuara nëpërmjet shërbimeve të reja komunitare, krahas atyre rezidenciale, pjesëmarrjes në forma të ndryshme të biznesit social etj.
Programi i sigurimeve shoqërore synon që gjatë tre vjetëve të ardhshëm të rrisë shkallën e përfshirjes në skemën e detyrueshme, duke përmirësuar në këtë mënyrë raportin kontribues përfitues, të zvogëlojë subvencionin e Buxhetit të Shtetit në skemën e pensioneve dhe të rrisë qëdrueshmërinë financiare afatgjatë të saj, rritjen periodike në pensionet etj.
Si rezultat i këtyre politikave, gjatë mandatit të saj, Qeveria do të rrisë herë pas here pensionet, duke synuar një rritje mbi indeksin e rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit, si dhe duke mundësuar që në fund të vitit 2005 pensioni mesatar të arrijë në nivelin 10 mijë lekë të reja, deri më 11 mijë lekë në muaj. Nuk janë çudira, por megjithatë, ne do t’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin.
Qeveria vlerëson se kthimi e kompensimi i pronave duhet të zgjidhet një herë e mirë si një kusht i domosdoshëm për respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e të drejtave të pronësisë, shmangien e konflikteve sociale. Duke u nisur nga projektligji i kërkuar në Kuvend, ne do të angazhohemi për mundësimin e adoptimit të një zgjidhjeje të plotë të mundshme e të bazuar në një konsensus racional politik, si dhe në një dialog konstruktiv me palët e interesuara.
Parimet bazë të zgjidhjes së këtij problemi nga Qeveria do të jenë: papërfitueshmëria e të drejtave pronësore përveçse në rastet e interesit publik përkundrejt shpërblimit të drejtë, kthimi maksimal i mundshëm në natyrë, duke shmangur konfliktet që kanë ardhur si pasojë e tjetërsimeve të ligjshme nëpërmjet adoptimit të formave alternative të ndërmjetësimit e të kompensimit mes palëve, kompensimi maksimal i mundshëm dhe i drejtë i pronës në natyrë dhe kompensimi financiar i pjesës tjetër, minimizimi i kostos publike të sotme e të ardhme i kthimit dhe i kompensimit.
Të nderuar deputetë,
Qeveria konsideron se progresi i reformimit institucional është bazë për arritjen e objektivave të rritjes ekonomike, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian të vendit. Reforma institucionale dhe e qeverisjes do të figurojë për të gjitha grupet e interesit dhe publiku do të ketë shanse e përfitime më të gjera e të barabarta nga oportunitetet zhvilluese që ofron ky program, si: zgjerim të të drejtave e mundësi të barabarta përfaqësimi e pjesëmarrjeje në vendimmarrjen publike të të gjitha niveleve, shpërndarje të drejtë të riskut të zhvillimit në garantimin e nivelit minimal të përshtatshëm të të mirave e shërbimeve publike.
Qeveria do të vazhdojë përpjekjet e saj në drejtim të forcimit të rendit publik dhe luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve ilegale. Masat prioritare në këtë fushë janë:
-Forcimi institucional dhe ai i kapaciteteve të organeve të rendit publik;
-Forcimi i bashkërendimit dhe i bashkëveprimit me institucionet ndërkombëtare të luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve;
-Harmonizimi i masave goditëse me ato parandaluese.
Qeveria do të thellojë luftën kundër korrupsionit, duke e konsideruar atë si një nga dukuritë më negative dhe me kosto të lartë publike që shoqërojnë tranzicionin, mbështetur në planin e masave të luftës kundër korrupsionit dhe në një angazhim të përditshëm kundër tij, duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e specializuara të shtetit.
Drejtimet kryesore të luftës kundër korrupsionit përfshijnë rritjen e transparencës, forcimin e përgjegjshmërisë ligjore e publike, adoptimin e masave parandaluese e dekurajuese për korrupsionin e zërit e të pjesëmarrjes së publikut, grupeve të interesit, komunitetit të biznesit e komuniteteve vendore.
Reforma gjyqësore që përbën një nga drejtimet më të rëndësishme të reformave institucionale, synon të bëjë të mundur që ligji të zbatohet me drejtësi, i rreptë e i barabartë për të gjithë. Reforma do të zhvillohet sipas planit të veprimit për një funksion efektiv të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Masat kryesore publike përfshijnë: forcimin e përmirësimin institucional të sistemit të drejtësisë, të sistemit të gjyqësorit e të institucioneve të lidhura me të, përfshirë autonominë e tij, përmirësimin e sistemit normativ, vlerësimin e efekteve të ligjeve dhe përmirësimin e publikimit të tyre, rritjen e nivelit profesional të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, administratorëve të gjykatave, si dhe përmirësimin e mekanizmave të motivimit të tyre, rritjen e aksesit të grupeve sociale të rrezikuara në konsulencën për mbrojtjen gjyqësore.
Thellimi i reformimit të administratës publike do të jetë një nga angazhimet më të rëndësishme të Qeverisë, duke synuar në rritjen e përmirësimin e aftësive programuese e zbatuese, si dhe të eficiencës së administratës publike, rritjen e qëndrueshmërisë së administratës publike, rritjen e transparencës e forcimin e përgjegjshmërisë së saj. Masat publike prioritare përfshijnë: përsosjen e strukturës institucionale, forcimin e kontrollit të brendshëm, zbatimin e plotë të statusit të nëpunësit civil dhe riformulimin e statusit të nëpunësit civil, përmirësimin e informimit të publikut dhe forcimin e përgjegjshmërisë ndaj tij.
Përmirësimi i administrimit fiskal konsiderohet si një drejtim me rëndësi të veçantë. Do të thellohen më tej reformat në organet tatimore e doganore, gjithashtu, reformimi do të shtrihet edhe në organet e buxhetit e të thesarit. Në entet prokuruese e në të gjitha hallkat e zinxhirit institucional që administrojnë burimet financiare e materiale, reformat do të synojnë në forcimin e aftësive programuese, zbatuese e monitoruese, në rritjen e eficiencës e të transparencës së sistemit.
Masat kryesore publike përfshijnë: përmirësimet strukturore, normative, metodologjike dhe informatizimin e sistemit të financave publike, rritjen e profesionalizmit, forcimin e kontrollit të brendshëm financiar, përmirësimin e informimit të publikut mbi planifikimin e përdorimin e burimeve financiare e materiale, deri në nivelin… Institucioni i programit, thellimi i reformës së decentralizimit dhe fuqizimi i qeverisjes vendore do të kryhet në përputhje me strategjinë e decentralizimit e të autonomisë vendore dhe ligji tashmë në fuqi për qeverisjen vendore, për reformat decentralizuese do të zbatohet si deri më tani nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit me qeverisjen vendore të institucionalizuar në strukturat përfaqësuese.
Drejtimet kryesore të vazhdimit të reformës së decentralizimit përfshijnë përcaktimin e funksioneve e të përgjegjësive publike vendore dhe transferimin efektiv të tyre, zgjerimin e balancuar të autonomisë fiskale, duke përfshirë tatimet e taksat vendore, transfertat nga Buxheti i Shtetit dhe përfundimin e transferimit të të drejtave pasurore, forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore, rritjen e transparencës e të shkallës së përfshirjes së komuniteteve në qeverisje.
Të nderuar deputetë,
Shoqëria shqiptare, e gjithë klasa e saj politike, e madje, gjithë faktori shqiptar në rajon, është shprehur në mënyrë të qartë e të plotë për një konsensus të përgjithshëm për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe euroatlantike. Në këto kushte, barra e përgjegjësia e Qeverisë Shqiptare si interprete e këtij konsensusi, bëhet edhe më e madhe. Qeveria Shqiptare përcakton si objektiv strategjik përshpejtimin e procesit të integrimit europian dhe euroatlantik të vendit, duke ndjekur me vendosmëri e seriozitet realizimin e detyrimeve të natyrshme në këtë proces, të cilat shkojnë në të njëjtin kah me zhvillimin e vendit.
Tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndësishme të rrugës drejt integrimit europian. Qeveria Shqiptare angazhohet që, për zgjidhjen e këtij problemi madhor politik, strategjik e kombëtar, do të bëjë përpjekjet maksimale për të siguruar një konsensus sa më të gjerë rreth politikave dhe rrugëve që duhen ndjekur në procesin e afrimit të mëtejshëm me Bashkimin Europian. Dua të theksoj se për Qeverinë Shqiptare hapja e bisedimeve për marrëveshjen e stabilizim-asocimit midis Republikës së Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së, plotësimi i të gjitha angazhimeve të marra nga Qeveria Shqiptare në planin e veprimit për periudhën e negocimit të marrëveshjes së stabilizim-asocimit, si dhe përfundimi i tyre me nënshkrimin përfundimtar të saj si një hap i parë drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përbën një prioritet strategjik për Qeverinë.
Objektivat tanë konkretë në këtë drejtim janë si më poshtë: brenda qershorit të vitit 2002, të miratohet draftmandati nga vendet anëtare të BE-së, si dhe të fillojnë negociatat për marrëveshjen. Brenda vitit 2003 të përfundojnë negociatat e të nënshkruhet marrëveshja. Për të realizuar këta objektiva, puna jonë intensive do të përqendrohet në forcimin e mëtejshëm të mbikëqyrjes dhe në drejtimet sa më eficiente të procesit të integrimit europian nga nivelet më të larta të Qeverisë së kryesuar nga Komuniteti Ndërministror i Integrimit Europian, në përmirësimin e vazhdueshëm të strukturave përgjegjëse për ndjekjen e koordinimin e monitorimin e procesit të integrimit të procesit europian, në strukturimin dhe institucionalizimin e niveleve teknike që do të përfaqësojnë Qeverinë Shqiptare në negociatat në kuadër të marrëveshjes së stabilizim-asocimit.
Negocimi, nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjes është një proces që do të kërkojë plotësimin e të gjitha angazhimeve për vazhdimin e konsolidimin e reformave brenda vendit, për të bërë të mundur plotësimin e kritereve të nevojshme politike dhe ekonomike për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Të nderuar deputetë,
Integrimi rajonal, bashkëpunimi dhe fqinjësia e mirë mbeten sërish një objektiv konstant i Qeverisë shqiptare. Ne konsiderojmë se Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore mbetet proces parësor dhe afatgjatë me synimin për kapërcimin e trashëgimisë konfliktuale në rajon dhe promovimin e paqes, të demokracisë, të prosperitetit ekonomik e social të rajonit.
Qeveria Shqiptare e konsideron Paktin e Stabilitetit si pararendës e bashkëshoqërues të integrimit europian. Objektivat tanë strategjikë, në kuadër të Paktit të Stabilitetit konvergojnë me vullnetin tonë për rindërtimin e rajonit ku sanksionohen e zbatohen të drejtat e liritë universale të njeriut, lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave, e kapitaleve, kulturave e parametrave të Bashkimit Europian.
Qeveria Shqiptare do të synojë e do të ngulmojë në rritjen e projekteve ku përfshihet Shqipëria në kuadër të Paktit të Stabilitetit dhe në rritjen progresive të përmirësimit të procesit të menaxhimit e implementimit të tyre.
Qeveria Shqiptare do të drejtojë e mbështesë reformën në fushën e mbrojtjes; transformimin e forcave të armatosura në strukturë, koncept dhe strategji në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare dhe integrimin përfundimtar e sa më të shpejtë në strukturat e NATO-s.
Angazhimi i Shqipërisë në inciativën e Samitit të Uashingtonit dhe përvoja e grumbulluar gjatë kësaj periudhe do të shërbejnë për afrimin sa më të shpejtë të vendit drejt Aleancës. Shqipëria renditet ndër nëntë vendet që aspirojnë integrim si kandidat për përfshirjen në strukturat e mbrojtjes kolektive.
Konfliktet e dhjetëvjeçarit të fundit në rajon dhe sidomos kriza e Kosovës dhe në FYROM, kanë dëshmuar se Shqipëria ka treguar e demonstruar një bashkëpunim të ngushtë e partneritet të thellë e faktik me NATO-n. Integrimin në strukturat e saj Qeveria Shqiptare e konsideron jo vetëm si një çështje që i përket forcave të saj të armatosura, por si një përgjegjësi dhe detyrë për garantimin e sigurisë sonë kombëtare.
Arritjet në fushën e politikës së jashtme e të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë janë një bazë solide për afirmimin e mëtejshëm ndërkombëtar të vendit. Programi i Qeverisë Shqiptare synon një progres të ndjeshëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal, në kontributin për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe europiane dhe thellimin progresiv të marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-në.
Marrëdhëniet me vendet e rajonit përbëjnë një përparësi të politikës së jashtme shqiptare. Ne pranojmë konceptin strategjik se integrimi europian i Shqipërisë fillon tek integrimi i bashkëpunimit rajonal dhe se konkretizimi i këtyre marrëdhënieve do të synojë, në radhë të parë, thellimin e marrëdhënieve ekonomike. Përparësi në natyrën e këtyre marrëdhënieve do të jenë krijimi i lehtësive për lëvizjen e lirë të mallrave, për lëvizjen e lirë të njerëzve, bashkërendimi i përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve të ligjshme. Por, në këtë kontekst, ndryshe dhe nga shumë parardhës të mi, unë kam nderin të them se, për herë të parë në programin e një qeverie, Qeveria Shqiptare i konsideron marrëdhëniet me Kosovën, strategjike.
Kosova do të vazhdojë të ketë vëmendjen parësore të politikës së jashtme, tanimë, të shoqërisë shqiptare që, në veçanti, do të adresohet në zgjerimin, thellimin, konkretizimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit të ngushtë në fushën ekonomike, në tregti, arsim, kulturë dhe në shkëmbimet e tjera njerëzore. Qeveria Shqiptare synon të japë ndihmesën e saj në rritjen e konsolidimin e institucioneve demokratike qeverisëse në Kosovë dhe do të nxisë e inkurajojë bashkëjetesën atje, do të inkurajojë krijimin e klimës së favorshme, rajonale dhe ndërkombëtare, për përparimin e proceseve demokratike dhe të paqes e stabilitetit në Kosovë, me qëllim: garantimin e perspektivës së pakthyeshme europiane të Kosovës.
Në politikën e jashtme shqiptare marrëdhëniet me Italinë dhe Greqinë konsiderohen marrëdhënie me karakter strategjik pë vetë peshën dhe rolin që kanë këto vende si anëtare të BE-së dhe NATO-s, por dhe për kontributin që ato kanë ofruar në mbështetje të reformave të gjithanshme që po realizon vendi.
Marrëdhëniet e shkëlqyera me Turqinë, me Sofjen, Zagrebin, Bukureshtin, Lubjanën, Sarajevën, Shkupin dhe Beogradin e Podgoricën, do të zgjerohen më tej.
Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, do të synohet të shtrihen e thellohen edhe më tej, duke siguruar në dimensione të reja bashkëpunimin me interes reciprok. Po kështu, do të punohet për zgjerimin e forcimin e marrëdhënieve me vendet e Europës Qendrore e Lindore.
Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të rëndësisë strategjike për Shqipërinë. Ne njohim kontributin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në procesin e reformave tona të brendshme, në përpjekjet tona për ndërtimin e demokracisë dhe përpjekjet e saj integruese në strukturat euroatlantike dhe në garantimin e paqes në rajon. Marrëdhëniet tona dypalëshe Shqipëri-SHBA janë në nivelet më të larta dhe përfshijnë jo vetëm fushën politike, por edhe atë ekonomike, të mbrojtjes, sigurimit, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kundër terrorizmit.
Ne e konsiderojmë pozitive ecurinë e marrëdhënieve me Kanadanë, po ashtu dhe me Republikën Ruse, Kinën, vendet e Azisë, të Amerikës Latine e vendet arabe. Diplomacia shqiptare e konsideron zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumëpalëshe në kuadër të OKB-së e të strukturave të saj, të OSBE-së, të Këshillit të Europës, të organizatave të tjera rajonale etj., si element të rëndësishëm të politikës sonë të jashtme.
Të nderuar deputetë,
Qeveria Shqiptare është e ndërgjegjshme për problematikat e trashëguara në procesin e zgjedhjeve. Vullneti i votuesit shqiptar është kontestuar pothuajse gjithmonë nga palët në zgjedhje, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Me gjithë përparimet serioze, në leximin korrekt të rezultatit të zgjedhjeve, Qeveria Shqiptare mendon se përmirësimet në ligjin zgjedhor janë të domosdoshme të iniciohen në një kohë sa më të shpejtë me qëllim krijimin e një infrastrukture të përshtatshme dhe të pakontestueshme. Ne jemi të bindjes se ky është një proces që duhet të fillojë shumë më parë se vendi t’u drejtohet sërish kutive të votimit.
Të nderuar deputetë,
Programi i Qeverisë që po i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë është një angazhim politik e publik i maxhorancës qeverisëse për të vazhduar më tej në rrugën drejt stabilitetit, rritjes, e zhvillimit të politikave integruese. Ne e konsiderojmë atë si një platformë që mirëpret debatin konstruktiv me opozitën, nga e cila presim pasurimin e përmirësimin e mëtejshëm të tij. Në zbatimin e këtij programi Qeveria është e hapur për konsultime me Kuvendin, me komisionet parlamentare, me grupet parlamentare, si dhe do të mirëpresë monitorimin e pandrëprerë të aplikimit të saj.
Qeveria mendon se realizimi i këtij programi synon të bashkëmbledhë ambicjen tonë të përbashkët për zhvillim, kërkon një bashkëveprim institucional të bazuar në autonominë dhe ndarjen e kontrollin e pushteteve.
Qeveria mirëpret, gjithashtu, dhe paravlerëson si të dobishme të gjitha ndihmesat e angazhimet bashkëpunuese që mund të ofrohen nga pozicione të pavarura të shoqërisë civile, të komuniteteve e të publikut në përgjithësi dhe shpreh hapin e saj ndaj publikut e medias që të informohet e të monitorohet prej tyre. Bashkëpunimi me opozitën konsiderohet i hapur për çdo çështje të rëndësishme me interes të përbashkët, por në veçanti, në lidhje me procesin e integrimit europian të vendit, të luftës kundër krimit, kundër trafiqeve të paligjshme, korrupsionit dhe ndëshkimit ligjor të tyre, si çështje që kanë të njëjtën ndjeshmëri për të gjithë ne, pavarësisht pozicioneve tona politike.
Qeveria vlerëson se realizimi i këtij programi do të gjejë mbështetjen në rritje të partnerëve ndërkombëtarë dhe, në të njëjtën kohë, angazhohet për plotësimin e detyrimeve të saj në rolin e partneritetit të tij. Ne besojmë se së bashku do të mund të përballojmë me sukses sfidat që na presin. Qeveria shpall solemnisht angazhimin e saj për të punuar me përkushtim për realizimin e këtij programi, angazhohet që në përputhje me statusin kushtetues të japë mbështetjen e saj të plotë në proceset e zgjidhjes së disa prej çështjeve më të rëndësishme të lidhura me forcimin e demokracisë parlamentare, të përmirësimit të kuadrit ligjor dhe institucional të procesit zgjedhor në përputhje me Kushtetutën, me standardet më të spikatura demokratike e rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Ne jemi të vetëdijshëm se realizimi i këtyre synimeve e objektivave do të kërkojë bashkëpunim, e theksoj, bashkëpunim, negocim, mbështetje, mirëkuptim të gjerë, duke e konsideruar si të tillë çdo pozicionim racional e progresiv, qoftë dhe alternativ apo opozitar.
Të nderuar deputetë,
Kërkoj nga ju të votëbesoni këtë qeveri, i bindur se një gjë e tillë është edhe kërkesë e kohës. Dhe për të mos vuajtur sërish vonesat tona historike, kjo është një qeveri e dalë nga maxhoranca dhe aleatët e saj, por që synon të marrë nëpërmjet votave tuaja një konsensus sa më të gjerë popullor.
Më lejoni që të kërkoj përpara jush edhe besimin e publikut shqiptar se kjo qeveri do të meritojë të drejtën e shenjtë për t’i shërbyer atij me transparencë e profesionalizëm
Dëshiroj të ftoj në votën pro edhe opozitën shqiptare, jo thjesht në procesin e votëbesimit të qeverisë, dhe pranimin nga ana e saj, të sfidave të qeverisjes e të bashkëndarjes së disa prej përgjegjësive institucionale për realizimin e tyre. Në fund të fundit, të gjithë kemi një emër, dhe jemi pjesë e një kombi.
Në fund, më lejoni të paraqes përpara jush listën e plotë të Qeverisë:
Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve dhe i Çështjeve Sociale, Skënder Gjinushi nga Partia Socialdemokrate.
Ministër i Rendit, Stefan Çipa.
Ministër i Mbrojtjes, Luan Rama.
Ministre e Punëve të Jashtme Arta Dade.
Ministër i Drejtësisë, Spiro Peçi nga Partia e të Drejtave të Njeriut.
Ministër i Financave, Kastriot Islami.
Ministër i Pushtetit Vendor dhe i Decentralizimit, Ethem Ruka.
Ministre e Ekonomisë, Ermelinda Meksi.
Ministër i Industrisë dhe i Energjetikës, Viktor Doda.
Ministër i Bujqësisë dhe i Ushqimit, Agron Duka.
Ministër i Rregullimit të Territorit dhe i Turizmit, Fatmir Xhafa.
Ministër i Transporteve e Telekomunikacionit, Maqo Lakrori.
Ministër i Arsimit, Luan Memushi.
Ministër i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Agron Tato.
Ministër i Shëndetësisë, Mustafa Xhani.
Ministër i Mjedisit, Lufter Xhuveli nga Partia Agrare.
Ministër Shteti për Integrimin, Marko Bello.
Ministër Shteti pranë Kryeministrit, Ndre Legisi.
Ju falemnderit!