Programi i Qeverisë Fatos Nano 4 (2002 – 2005)
E hënë, datë 29.7.2002, ora 18.00.
(Drejton seancën Kryetari i Kuvendit, zoti Servet Pëllumbi)
Servet Pëllumbi – Zotërinj deputetë, hapim seancën,
Në seancën e sotme merr pjesë Presidenti i Republikës, zoti Alfred Moisiu, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Në emërin tuaj i falënderoj për prezencën e tyre.
Pika e parë e rendit të ditës për sot është paraqitja e programit të Qeverisë së re. Fjalën ia jap Kryeministrit Fatos Nano për të referuar programin.
Fatos Nano – I nderuar Kryetar i Kuvendit, i nderuar zoti Presdient i Republikës, të nderuar kolegë deputetë, shkëlqesi ambasadorë, miq dhe të ftuar,
Kam nderin dhe detyrën kushtetuese të paraqes sot përpara jush programin politik dhe përbërjen e Qeverisë së re të maxhorancës që do të kryesoj.
Para pesë vjetësh, kryefjala e angazhimit tonë qeverisës ishte nxjerrja e vendit nga kriza dhe kthimi i normalitetit në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Pas pesë vjet qeverisjeje të përgjegjshme, më lejoni të vlerësoj se sfidat që duhet të përballojmë bazohen në mobilizimin e potencialeve kombëtare për ritme më të larta zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, për standarde demokratike dhe institucione funksionuese që garantojnë parimet e shtetit të së drejtës dhe u shërbejnë më mirë shtetasve të vendit. Kam bindjen, dhe dua ta ndaj me ju, se tashmë janë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për përshpejtimin cilësor të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Maxhoranca qeverisëse që unë drejtoj është thellësisht e angazhuar që klimën e bashkëpunimit institucional me opozitën, që nisi të konkretizohet me zgjedhjen konsensuale të Kryetarit të ri të Shtetit, ta vendosë realisht në shërbim të plotësimit të interesave kombëtarë për zhvillim dhe integrim euroatlantik. Integrimi pra i interesave të opozitës në sistemin demokratik të vendit dhe përfshirja e saj në zbatimin e parimit “check & balance” të funksionimit të institucioneve të shtetit përbën për Qeverinë që unë do të drejtoj, dhe për maxhorancën, një angazhim real dhe atdhetar për të mobilizuar të gjitha resurset kombëtare për përmirësimin rrënjësor të strategjive të zhvillimit e të integrimit dhe për të rritur kapacitetet realizuese të tyre. Vendosja e normalitetit në marrëdhëniet maxhorancë-opozitë nuk përbën komoditet për Qeverinë e re, por shfaqet në Kuvend si anagazhim realist i saj për t’u shfrytëzuar me përgjegjësi në dobi të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga preferencat apo simpatitë politike, përkatësia fetare apo krahinore e shtetasve.
Konsolidimi i standardeve europiane në procesin dhe administrimin zgjedhor, reforma deri dhe kushtetuese për mirëfunksionimin e institucioneve qendrore dhe vendore të shtetit, vitalizimi i administratës publike, konsensusi për reformat strukturore të ekonomisë dhe prioritetet e integrimit euroatlantik të vendit janë për ne piketat, mbi të cilat do të funksionojë bashkëpunimi institucional maxhorancë-opozitë.
Qeveria nuk do të synojë ta shfrytëzojë këtë klimë për qëllime komerciale, por do të jetë tërësisht e gatshme dhe e angazhuar të zgjerojë bazën e dialogut dhe të konsensusit kombëtar me faktorët politikë progresistë, me komunitetin e sipërmarrësve, me partnerët socialë, me shoqërinë civile dhe me organizatat përfaqësuese të interesave publike.
Një rëndësi të veçantë Qeveria e re do të vazhdojë t’u japë marrëdhënieve me Kuvendin e Shqipërisë. Programi ynë ambicioz, transformues, që synon prosperitetin e vërtetë europian të vendit, ka nevojë për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin tuaj, të nderuar deputetë, si përfaqësuesit legjitimë të popullit, të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Maxhoranca është e bindur se procesi politik i bashkëpunimit me opozitën është i pakthyeshëm, se zhvillimi ekonomik dhe social i vendit është dinamik dhe i qëndrueshëm, se forcimi i institucioneve të sigurisë kombëtare lejon tashmë çrrënjosjen e trafiqeve dhe të krimit të organizuar, se administrata publike dhe shërbimi civil kanë fituar qëndrueshmëri dhe pavarësi nga politika e konfliktit, se infrastrukturat e lëvizjes së lirë po modernizohen dhe garantojnë progres të mëtejshëm, se sistemi arsimor dhe ai i kujdesit shëndetësor, kultura dhe trashëgimia kombëtare, si dhe shërbimet publike në tërësi, lejojnë dhe nxisin përshpejtimin e reformave dhe të ritmeve të integrimit euroatlantik të vendit, duke shfrytëzuar më mirë edhe bashkëpunimin rajonal në këtë funksion.
Mbi bazën e një analize të përgjegjshme të maxhorancës që drejtoj, në bashkëpunim dhe me protagonistët e tjerë të zhvillimit, Qeveria që do të kem nderin të drejtoj, angazhohet të mobilizojë të gjitha resurset dhe kapacitetet e krijuara për ta përfshirë vendin në një proces reformash thellësisht transformuese të realiteteve të sotme. Ajo do t’iu përgjigjet me vendosmëri dhe rezultate të prekshme kërkesave dhe aspiratave mbarëshqiptare për qeverisje të mirë, sipërmarrje të lirë dhe legjitime, që garanton mirëqenien e të gjithëve, për investime publike dhe private, vendëse dhe të huaja, që normalizojnë dhe zgjerojnë tregun e punës dhe nxisin formimin bashkëkohor, kulturor dhe profesional të brezave të rinj. Qeveria angazhohet të garantojë kushtet e sigurisë, rregullat e konkurrencës dhe dinjitetin e integrimit të vlerave dhe të aftësisë së shqiptarëve në ekonominë globale dhe në botën moderne.
Qeveria e re do të godasë pa mëshirë, me një vullnet të patundur institucional dhe politik, korrupsionin dhe abuzimin me funksionet publike, si dhe çdo lidhje favorizuese të përfaqësuesve të politikës të administratës, me botën e trafiqeve dhe të krimit të organizuar, që deformojnë parametrat e zhvillimit dhe të integrimit kombëtar.
Përmirësimi cilësor i zhvillimit ekonomik të vendit do të jetë prioriteti themelor i Qeverisë së re. Ne vlerësojmë se liberalizimi i ekonomisë dhe ndryshimi i strukturës së pronësisë gjatë më shumë se një dekade tranzicioni, në favor të asaj private, e kanë konsumuar në përgjithësi efektin e vet në rritjen ekonomike. Tashmë, duhen realizuar reforma dhe duhen aktivizuar institucione të tregut, që mobilizojnë të gjithë kapitalin kombëtar dhe aftësitë krijuese e konkurruese të sipërmarrësve shqiptarë për të kënaqur dhe harmonizuar interesat e tyre me dinamikën e zhvillimit kombëtar në tregun e hapur dhe të integruar me realitetet globale, dhe jo më në një ekonomi hije të punës dhe të sipërmarrjes së pambrojtur. Qeveria e re angazhohet të ndërtojë një partneritet funksionues dhe aktiv me komunitetin afarist dhe bankar, vendës dhe të huaj, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare për të transformuar realitetin e sotëm të tregut informal kombëtar, ku dy të tretat e transaksioneve financiare kryhen jashtë kanaleve bankare.
Qeveria angazhohet që përmes një programi ambicioz reformash në fushën financiare të rrisë ndjeshëm të ardhurat publike përtej limiteve të sotme, duke mundësuar një dinamikë të re financimi të ndërtimit të infrastrukturave publike moderne, si dhe duke krijuar hapësira më të gjera për përfshirjen e biznesit privat, vendës dhe të huaj, në këtë aksion kombëtar përmes investimeve direkte. Partneriteti me komunitetitn sipërmarrës do të konsistojë në krijimin e hapësirave ligjore, që nxisin zgjerimin e sipërmarrjes dhe të pjesëmarrjes së kapitaleve të ligjshme që eleminojnë në substancë evazionin fiskal, tregun dhe kapitalet joformale.
Qeveria angazhohet që përmes nxitjes së sipërmarrjes vendëse dhe të investimeve të huaja direkte për prodhim dhe shërbime të reduktojë gjithashtu deficitin e bilancit të tregtisë së jashtme, që ka arritur përmasat e një të tretës së prodhimit të brendshëm bruto. Do të jetë pra anagazhim prioritar i Qeverisë në këto funksione reduktimi apo mënjanimi i barrierave burokratike dhe administrative, me të cilat vazhdojnë të ndeshen operatorët ekonomikë, vendës dhe të huaj, për të lehtësuar sipërmarrjen dhe për të ndalur eksportimin e kapitaleve kombëtare në vende të tjera.
Një nga prioritetet strategjike të Qeverisë së re mbetet integrimi i bujqësisë dhe i agrobiznesit me tregjet e prodhimit dhe të konsumit kombëtar dhe rajonal. Adaptimi i sistemeve moderne të prodhimit dhe të marketimit do të zbusë më tej efektet e numrit të madh të fermave familjare, duke mundësuar futjen e politikave dhe të teknologjive bashkëkohore në zonat rurale. Zgjidhja me precedencë e problemeve të trashëguara të pronësisë do të shoqërohet me reforma që krijojnë tregun real të transaksioneve të tokës, të mbështetura tek ekuilibri i detyrimeve dhe i përfitimeve nga shfrytëzimi i truallit dhe i tokës bujqësore.
Për suksesin e plotë të kësaj reforme, Qeveria do të angazhohet për të institucionalizuar një konsensus sa më të gjerë me forcat politike, me aktorët e sipërmarrjes vendëse dhe të huaj, me sindikatat dhe partnerët e tjerë socialë dhe me organizatat e mbrojtjes së konsumatorëve; krijimin e një partneriteti interaktiv me komunitetin e sipërmarrësve të të gjitha niveleve, në funksion të hartimit dhe të zbatimit të politikave të zhvillimit të shpejtë; të reduktimit të ekonomisë informale dhe të zhvillimit të transaksioneve bankare në dritën e diellit; të rritjes së shpejtësisë së qarkullimit të parasë dhe për mobilizimin e kapitaleve “të fjetura”, në dobi të rritjes së investimeve dhe të tregut të mbrojtur të punës, pra në funksion gjithashtu të luftës frontale për integrimin e zonave të varfra dhe të prapambetura në zhvillimin kombëtar.
Më në fund, ne do të synojmë ristrukturimin komercial dhe privatizimin pa humbur kohë të aseteve dhe të shërbimeve publike përmes një administrimi dhe menaxhimi transparent profesional e bashkëkohor.
Natyrshëm prioritet dhe bosht i reformës ekonomike të Qeverisë së re është sektori dhe tregu financiar. Reforma financiare do të përmbledhë në një paketë të integruar masa që synojnë formalizimin e kapitaleve dhe të ekonomisë shqiptare, aktivizimin e resurseve kombëtare për zhvillim dhe disiplinimin, sipas standardeve europiane, si modus operandi të administratës publike dhe të operatorëve ekonomikë. Ulja e studiuar e barrës fiskale, zgjerimi i bazës dhe i flukseve të kontribuesve fiskalë, thjeshtimi i procedurave burokratike të startimit dhe zhvillimit të një biznesi të ri, eleminimi i deformimeve mbi sistemin e vlerës së shtuar, do të ndërthuren me rritjen e ndjeshme të kapaciteteve zbatuese dhe funksionale të administratës fiskale dhe doganore. Kjo reformë e angazhon Qeverinë e re për përmirësimin dhe për zbatimin rigoroz të kërkesave të legjislacionit bashkëkohor fiskal, për adaptimin e incentivave për vetëshkëputje të sipërmarrjes nga ekonomia informale dhe për krijimin e oportuniteteve të prekshme që kapitalet e çliruara nga ekonomija e hijes të integrohen në programet prioritare të zhvillimit dhe të integrimit global të vendit.
Dua të siguroj, në emër të Qeverisë, se nuk do të tolerohet më përsëritja e fenomeneve negative që mbajnë peng ose deformojnë ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në tërësi, që nga shmangia arrogante apo klienteliste nga detyrimi publik, deri tek arbitrariteti tatimor i administratës fiskale. Në funksion të plotësimit të këtyre objektivave, do të krijohet një databejs i përdorshëm nga të gjitha nivelet e administratës dhe të publikut të interesuar, ku në mënyrë të saktë do të ofrohet i gjithë informacioni mbi përdorimin e fondeve publike dhe përgjegjësitë institucionale, administrative dhe kontraktore përballë ligjit të të gjitha hallkave të shtetit. Ministria e Financave do të luajë pra një rol të veçantë në procesin e listimit të kompanive publike dhe private sipas sektorëve në një regjistër kombëtar. Kjo është një masë tjetër që Qeveria e re do të marrë për minimizimin e evazionit fiskal, të ekonomisë informale dhe veçanërisht të abuzimeve me fondet publike.
Bujqësia, e ritheksoj, mbetet një prioritet i reformës sonë ekonomike për vetë peshën specifike ende të lartë që ajo zë në prodhimin e brendshëm bruto, si dhe për problematikën që vazhdon të përballojë popullsia në zonat rurale. Tërësia e reformave, që do të kryejë Qeveria dhe veçanërisht ato në fushën e bujqësisë, do të synojnë të ruajnë ritmin e lartë të rritjes së këtij prodhimi në raport me shtesën e popullsisë në funksion të kapërcimit gradual të karakterit autosuficient të fermave. Zgjidhja definitive e problemeve të pronësisë, zgjerimi i mëtejshëm i shoqatave që bashkojnë fermerët në treg, zhvillimi i një infrastrukture moderne, integrimi me tregun kombëtar dhe rajonal për thithjen e tepricës së produkteve, informimi i prodhuesve dhe kualifikimi i fuqisë punëtore me dinamikën e tregut do të realizohen duke forcuar partneritetin midis fermerëve, Qeverisë dhe sistemit bankar.
Qeveria, në bashkëpunim me institucionet e qeverisjes vendore, në kuadër dhe të strategjive rajonale të zhvillimit, do të rishikojë politikat për investime publike në zonat rurale, me qëllim rritjen e efektivitetit të shfrytëzimit të tyre nga fermerët në dobi të përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve të jetesës e të sipërmarrjes së tyre, duke synuar edhe disiplinimin e motivuar të lëvizjes së sotme migratore të popullsisë nga fshati në qytet. Ne angazhohemi të përfundojmë regjistrimin e tokës si pasuri e paluajtshme, duke krijuar në këtë drejtim tregun legal dhe funksional të transaksioneve edhe në fshat.
Energjia do të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë që do të kem nderin të drejtoj. Për shkak të ndryshimit të strukturës së ekonomisë dhe të futjes masive të teknikës bashkëkohore dhe në familjet tona, konsumi i energjisë është rritur ndjeshëm. Edhe në kushtet e ndonjë moti të favorshëm për të shfrytëzuar në maksimum burimet energjetike hidrike, vendit vazhdon t’i duhet të importojë rreth 2 miliardë kilovat/orë energji në vit. Sistemi i transmetimit dhe i shpërndarjes, për shkak të amortizimit dhe të investimeve të pamjaftueshme, vazhdon të transformojë në humbje teknike afro 30% të energjisë së prodhuar. Më në fund, mungesa e matjes së saktë të energjisë së konsumuar, në nivel të sistemit kombëtar të përdoruesve individualë, krijon probleme serioze edhe për abuzime dhe për diskriminim të konsumatorëve.
Qeveria brenda 30 ditëve do të paraqesë një plan të detajuar masash afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për shmangien e përsëritjes së krizave në sistemin energjetik, nëpërmjet ndërhyrjeve emergjente në të, që do të balancojnë në mënyrë të qëndrueshme prodhimin me konsumin e energjisë. Në këtë plan do t’i kushtohet vëmendje e veçantë krijimit të hapësirave për investimin e kapitalit privat dhe të huaj në energji. Brenda një periudhe shumë të shkurtër do të plotësohet gjithashtu kuadri ligjor që garanton investitorët në fushën e energjisë për blerjen e prodhimit të tyre nga Korporata Energjetike. Nga ana e vet kjo korporatë do të ristrukturohet, duke ndarë si njësi ekonomike më vete prodhim-transmetimin nga shpërndarja, e cila do të bëhet gati për privatizim.
Gjithashtu Qeveria do të studiojë mundësinë që brenda 90 ditëve të vihen në përdorim termocentrale të lëvizshme të prodhimit të energjisë për t’iu ardhur në ndihmë sipërmarrjeve të rëndësishme, vendëse dhe të huaja, duke lehtësuar kështu sistemin kombëtar energjetik dhe furnizimin normal të një numri të madh përdoruesish të vegjël. Në terma afatmesëm, Qeveria do të nxisë me një kuadër ligjor bashkëkohor vënien në eficiencë të burimeve alternative të energjisë, përfshi edhe atë diellore dhe të erës. Vënia në shfrytëzim e këtyre burimeve të pastra ekologjikisht mund t’i shtojë sistemit tonë energjetik rreth 2 miliardë kilovat/orë në vit. Qeveria do të ndjekë me precedencë edhe shtimin e burimeve termike të energjisë, duke krijuar në një periudhë afatgjatë garancitë e nevojshme për normalitetin e bilancit energjetik të vendit.
Në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike do të mbeten në vëmendjen e posaçme të Qeverisë, që ju paraqes sot për votëbesim, masat prioritare. Vendi ka ende nevoja të mëdha për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturave të lëvizjes në nivel kombëtar dhe lokal. Lehtësimi i lëvizjes së lirë të mallrave, të kapitaleve, të njerëzve do të nxisë zhvillimin më harmonik të zonave të ndryshme të vendit, do të ulë nevojën për migrim dhe emigrim spontan dhe do të përshpejtojë integrimin e ekonomisë sonë në tregjet rajonale dhe globale. Prandaj përfundimi i akseve Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug do të jetë synimi kryesor i Qeverisë në fushën e infrastrukturës. Këto boshte do të krijojnë interkoneksionin e nevojshëm për një zhvillim dhe integrim ekonomik të të gjithë territorit, dhe mbi të gjitha, do të lehtësojnë eksportin e produkteve tona tradicionale dhe do të nxisin më tej thithjen e investimeve dhe kapitaleve të huaja direkte. Qeveria angazhohet të përfundojë sa më parë studimin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës për të mundësuar kështu mobilizimin e të gjitha kapitaleve publike dhe private, vendëse dhe të huaja, në ndërtimin e saj.
Në drejtim të infrastrukturave rajonale, Qeveria do të kryejë një reformë të thellë në përcaktimin e nevojave, miratimin e prioriteteve, zbatimin e projekteve dhe supervizimin e tyre të shpejtë. Vetëm kështu mund të garantohet transparencë dhe efektivitet në përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë dhe të fondeve kontribuente donatore.
Në fushën e telekomunikacioneve, Qeveria do të vazhdojë të nxisë zhvillimin dhe modernizimin e telefonisë fikse për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të tregut vendës dhe lidhjes së tij me tregun global. Ristrukturimi i Kompanisë së Flamurit në telefoni, duke respektuar rregullat e ekonomisë së tregut dhe të konkurrencës së ndershme me operatorët privatë të shërbimit mobil, do të synojë afrimin e një shërbimi të lirë, cilësor dhe me gamë të gjerë. Investimet e shumta në këta sektorë do të vihen më mirë në eficiencë, duke krijuar lehtësira për sipërmarrje private në shërbimet me vlerë të shtuar dhe në veçanti në teknologjinë e informacionit. Niveli i penetrimit të teknologjisë së informacionit do të vazhdojë të jetë i lidhur ngushtë me telefoninë fikse, prandaj përshpejtimi i reformës në këtë sektor do të orientohet ngushtësisht nga përmbushja e objektivave të procesit të integrimit, pra të stabilizim-asocimit të vendit në Europë. Qeveria do të përmirësojë gjithashtu rregullat që monitorojnë tregun e telefonisë dhe të teknologjisë së informacionit për të garantuar një konkurrencë të ndershme dhe një mbrojtje efektive të përdoruesve.
Shqipëria i ka tashmë të gjitha resurset natyrore dhe potencialet humane e financiare për të krijuar industrinë e turizmit. Është një degë me peshë reale në produktin e brendshëm bruto dhe stimuluese polivalente për rritjen e ekonomisë në tërësi. Qeveria angazhohet në hartimin e një strategjie afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë për industrinë e turizmit, duke integruar në të mbështetjen me investime publike e private në infrastrukturën e nevojshme. Rishikimi i kuadrit ligjor për investime në këtë fushë me objektiv ruajtjen dhe integrimin ekologjik të pjesës së padëmtuar të potencialeve natyrore turistike, korrigjimin në maksimum të atyre aseteve që janë dëmtuar për shkak të kaosit, vetëgjyqësisë dhe ineficiencës në zbatimin e ligjeve, do të përbëjnë një prioritet të veçantë të Qeverisë së re. Qeveria angazhohet që, përmes zhvillimit sasior dhe cilësor të turizmit kombëtar, të krijojë një identitet të ri të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi.
Zhvillimi i turizmit dhe i degëve të reja të ekonomisë do të vazhdojë të harmonizohet me urbanizimin e programuar dhe të kontrolluar të zonave potenciale dhe preferenciale. Brenda dy vjetësh, Qeveria do të paraqesë për miratim në Kuvend strategjinë kombëtare të urbanizimit të Shqipërisë në një plan kombëtar të rregullimit të territorit dhe të administrimit të tij. Ky program do të synojë integrimin e resurseve potenciale që ka vendi për investime atraktive dhe hapje masive të vendeve të punës. Ne do t’i motivojmë shtetasit të afrohen atje ku shanset për ushtrim të sipërmarrjes apo të së drejtës për punë dhe për jetë prodhojnë më shumë fitime të ligjshme, më shumë sipërmarrje, kushte për arsim dhe kujdes shëndetësor më të mirë, shfrytëzim efektiv të infrastrukturave dhe të shërbimeve publike moderne. Kjo strategji nuk do të synojë braktisjen e dirigjuar të zonave të varfra të vendit, por përdorimin sa më efektiv të potencialeve natyrore që janë shpërndarë në të gjithë territorin, duke rivendosur edhe ekuilibret e dëmtuara ekologjike.
Ky program kombëtar i zhvillimit dhe i integrimit do të harmonizohet mirë me strategjitë rajonale dhe globale të integrimit të vendit me rajonin dhe botën. Zbatimi i tij do të nisë në zona pilot, që garantojnë sukses në integrimin e faktorëve natyrorë, ekonomikë, socialë, infrastrukturorë, arsimorë dhe kulturorë. Në mënyrë solemne ftoj dhe opozitën që së bashku me përfaqësuesit dhe ekspertët e saj të bëhet pjesë e hartimit të strategjisë kombëtare të urbanizimit, e cila kërkon më shumë se një mandat qeverisës për t’u realizuar me sukses.
Shqipëria po vazhdon të integrohet në realitetet globale të Neë Economy. Teknologjitë e reja të prodhimit e të informacionit kërkojnë nga Qeveria një ridimensionim të politikave të zhvillimit të burimeve njerëzore. Synimi ynë është që sistemi arsimor të rrisë efektivitetin dhe cilësinë e përgatitjes së nxënësve me njohuritë dhe shprehitë e nevojshme për të përballuar këto sfida të integrimit global të shoqërisë sonë. Sistemi arsimor shqiptar do t’i përgjigjet më mirë edhe nevojës së ruajtjes së zhvillimit të vlerave tona kombëtare, duke luftuar seriozisht fenomenet e rishfaqura të largimit të rinisë nga nevoja për arsim bashkëkohor, sidomos në zonat rurale dhe më të varfra të vendit. Qeveria do të nxisë pra hartimin dhe zbatimin e projekteve, që thithin më mirë dhe me efektivitet për sistemin arsimor financimet publike, ndihmën dhe asistencën e huaj.
Në fushën e shkencës do të synohet përgatitja e një pakete komplekse ligjore për të bërë ndërhyrje thelbësore në sistemin e sotëm të kërkimit shkencor, me qëllim realizimin e integrimit më të plotë të kërkimit me mësimdhënien në shkollat e larta, por sidomos për përballimin e nevojave të mëdha për zhvillimin e reformave ekonomike dhe sociale, për rritjen cilësore të efektivitetit të administratës shtetërore dhe për realizimin në këta sektorë të standardeve të integrimit europian.
Shqipëria ka tashmë një strategji dhjetëvjeçare të zhvillimit të shëndetit publik, e cila duhet miratuar dhe, duke u zbatuar me rigorozitet, do të prodhojë rezultate të prekshme për të gjithë. Vazhdimi i plotësimit nga ana e Qeverisë i nevojave me infrastrukturë, teknologji dhe me personel të specializuar shëndetësor për të gjithë territorin e vendit do të duhet të kombinohet me krijimin e hapësirave dhe të lehtësive për përfshirjen reale dhe të gjerë të sektorit privat edhe në këtë fushë. Qeveria do të trajtojë me përparësi të gjithë ata tregues të shëndetit publik, që ende paraqiten nën nivelin standard europian, si dhe do të riorganizojë Shërbimin Parësor Publik, duke adaptuar një skemë bashkëkohore decentralizimi të autoritetit dhe të përgjegjësisë në njësitë e pushtetit vendor. Vetëm kështu ne mendojmë të sigurojmë një akses dhe barazinë për fitimin e shërbimit shëndetësor për të gjithë territorin me të njëjtën cilësi. Qeveria angazhohet të shtojë financimet publike për shëndetësinë deri në 3.3% të prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2004.
Zgjerimi i rrjetit të shërbimit në të gjithë territorin, sigurimi i teknologjive bashkëkohore, motivimi i personelit të aftë, thithja e kapitalit privat si dhe ulja e kostos së shërbimit kërkojnë një reformë radikale edhe në fushën e sigurimeve shëndetësore. Qeveria ka prioritet rishikimin e skemës së kontributeve dhe të përfitimeve nga sistemi i sigurimeve shëndetësore, duke nxitur sipërmarrjen private edhe në këtë fushë dhe duke zgjeruar kështu alternativat e zgjedhjes për shtetasit sipas standardeve bashkëkohore europiane.
Për të realizuar këtë program koherent reformash ambicioze dhe transformuese nevojitet një administratë publike edhe më profesionale, më funksionuese dhe më e motivuar. Gjatë pesë vjetëve të fundit është arritur të shndërrohet administrata e politizuar shtetërore në administratë publike, e mbrojtur nga ligji bashkëkohor i Shërbimit Civil. Ritmet e zhvillimit të vendit dhe proceset integruese na nxisin të vazhdojmë reformën në këtë fushë për të krijuar edhe në Shqipëri, sipas modelit europian, shtresën e administratorëve dhe të nëpunësve publikë, që zbatojnë me integritet profesional programet e zhvillimit dhe ligjet. Në të kundërt, procesi i vënies së shtetit në shërbim të shtetasve do të vazhdojë të vonohet apo të bëhet efemer.
Procesi i nisur për formimin dhe reformimin e administratës publike do të shtrihet në të tri vitet e ardhshme në të gjitha nivelet e qeverisjes kudo ku administrohen prona, fonde apo interesa publike e private. Paralelisht me këtë proces do të vazhdojë konsolidimi i kësaj administrate për të rritur efektivitetin në punë, nivelin e përgjegjësisë, garantimin e zbatimit të kritereve ligjore dhe standarde në rekrutim, në karrierë dhe në kontroll të rezultatit. Vullneti i kësaj maxhorance për të ndërtuar një administratë realisht publike i ka shfaqur tashmë rezultatet e pakundërshtueshme në rritjen e qëndrueshmërisë së saj ndaj zhvillimeve politike në vend. Jemi aktualisht në një fazë shumë të rëndësishme të reformës së administratës publike, e cila do të duhet të garantojë rekrutim më të stimuluar të profesionistëve dhe të menaxherëve, pavarësisht bindjve të tyre politike, përkatësive fetare ose krahinore në administrimin prioritar të objektivave të zhvillimit kombëtar. Kjo fazë kërkon natyrshëm edhe kontributin e opozitës për t’iu dhënë të gjithë shtetasve një administratë të aftë profesionalisht, të përgjegjshme ndaj detyrës, të gatshme të implementojë strategjitë kombëtare të zhvillimit dhe të integrimit me integritet moral dhe veprimtari transparente përballë shtetasve.
Në vijim të reformës Qeveria do të angazhojë të gjitha potencialet e saj të specializuara për të hartuar dhe miratuar një sistem ligjor të ndarjes së përgjegjësive dhe të të drejtave, sipas funksionimit vertikal dhe horizontal të pushteteve. Përballë të drejtave të mbrojtura me ligj për nëpunësin civil do të sanksionohen gjithashtu më mirë përgjegjësitë juridike, përgjegjësia civile, penale dhe administrative e funksionarëve.
Më lejoni të nënvizoj se garancitë ligjore për mbrojtjen e administratës publike nuk janë qypi ku mund të vazhdojnë të fshihen të paaftët, mediokrit, abuzuesit ose klientët politikë. Në bashkëpunim me institucionet e pavarura të administratës publike do të forcohet kontrolli i ushtrimit të detyrës, duke nisur menjëherë procesin e pajisjes së çdo posti me përshkrimin e punës që duhet të kryejë nëpunësi, mënyrën ligjore të kontrollit dhe rezultatet e regjistruara. Vetëm duke çuar deri në fund këtë reformë do të krijojmë mundësi reale për të menaxhuar më mirë burimet njerëzore që nuk na mungojnë dhe nuk i përkasin vetëm maxhorancës.
Decentralizimi i pushtetit drejt qeverisjes vendore, si një proces i pakthyeshëm dhe modernizues, do të vazhdojë të synojë shtimin e aktorëve qeverisës për të afruar vendimmarrjen dhe kontrollin e administrimit publik më pranë komuniteteve, ku njerëzit jetojnë dhe zhvillojnë sipërmarrje, duke hequr dorë nga koncepti tradicional se “qeveria i di dhe i bën të gjitha”. Decentralizimi i autoritetit, i vendimmarrjes dhe i administrimit publik do të krijojë premisa reale e ligjore që të hartohen strategji rajonale zhvillimi në koherencë të plotë me strategjinë kombëtare të integrimit. Ky proces decentralizimi i pushtetit do të mbështetet nga Qeveria me një kuadër të plotë dhe të shpejtë aktesh ligjore dhe nënligjore, që do të ndajnë dhe të koordinojnë qartësisht përgjegjësitë dhe kompetencat midis pushtetit qendror dhe të atij vendor. Në këtë kontekst pronësimi i njësive të pushtetit vendor, si dhe decentralizimi fiskal, do të bëhen elementë shumë të qeniësishëm për rritjen e standardit dhe të qeverisjes vendore në parametrat europianë. Ky proces do të shoqërohet me një investim të posaçëm të Qeverisë për të ndërgjegjësuar komunitetet, si dhe për të pranuar sa më mirë administratën vendore për të përballuar këto benefice dhe sfida, duke marrë në konsideratë veçanërisht ndryshimet dhe tendencat demografike, që imponojnë mënyra dhe shpejtësi të ndryshme, për sa u takon reformave të përgjithshme kombëtare.
E, megjithatë, ky proces nuk e largon shtetin nga përgjegjësia për zhvillimin e zonave të ndryshme të vendit, por i krijon hapësira Qeverisë dhe institucioneve të tjera që fondet publike t’i përqendrojnë në përballimin e sfidave me karakter kombëtar, një prej të cilave është zhvillimi harmonik i territorit, i të gjithë rajoneve të vendit, duke çuar drejt zhdukjes kontradiktën midis decentralizimit të pushtetit dhe urbanizimit të vendit.
Gjatë këtyre viteve të tranzicionit është e njohur puna e bërë dhe e konsiderueshme në drejtim të krijimit dhe të miratimit të një legjislacioni standard europian pothuajse të plotë. Por të gjithë e ndiejmë shqetësimin se kapacitetet zbatuese të ligjeve dhe autoriteti i ligjit janë ende të dobëta dhe në nivele të pakënaqshme. Shpërpjesëtimi midis legjislacionit dhe zbatimit të tij kanë nxjerrë në evidencë parësore nevojën e thellimit dhe të përshpejtimit të reformës në fushën e drejtësisë krahas asaj të administratës publike. Çdo investim politik, qeverisës, sipërmarrës ose social lind edhe sot i sëmurë me virusin skeptikus, pasi ende kapacitetet zbatuese të akteve ligjore dhe nënligjore, që garantojnë barazinë e shanseve, konkurrencën e ndershme etj., lënë për të dëshiruar.
Ne si Qeveri e re jemi të vendosur të amortizojmë kostot politike dhe ekzekutive, që burojnë nga konfuzioni i sistemit të drejtësisë, duke nxitur forcimin e pavarësisë dhe rritjen e profesionalizmit të tij në zbatimin e ligjit.
Në mënyrë të veçantë organi i akuzës do të vazhdojë t’i nënshtrohet një analize ligjore dhe profesionale të përbashkët me Kuvendin dhe me institucionet e tjera për të kryer të gjitha përmirësimet e nevojshme, që detyrojnë çdo individ keqbërës të përballet me togat e zeza të gjykimit me drejtësi. Policitë gjyqësore pranë Prokurorisë, që janë direkt përgjegjësi e ekzekutivit, do t’i nënshtrohen një reforme të thellë që do të nisë brenda muajve të mbetur të vitit. Kjo reformë do të garantojë plotësimin e tyre me personel profesionist me integritet të lartë moral dhe publik. Nuk do të lejohet më që Policia e Shtetit, Policia Gjyqësore dhe Prokuroria të denoncojnë pas çdo dështimi të radhës njëra-tjetrën, në vend që të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë për të çuar së bashku krimin përpara gjykimit pa shpëtim. Përpara se të kastigojmë gjykatat, të cilat natyrisht nuk mbeten të imunizuara nga problemet që shkaktojnë dobësinë e sistemit tonë të drejtësisë, Qeveria do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që Prokuroria dhe institucionet mbështetëse të akuzës të bëjnë pa asnjë tolerancë detyrën sipas ligjit.
Lidhur me Prokurorinë, Qeveria edhe në emër të maxhorancës që përfaqëson, fton në bashkëpunim institucional përfaqësuesit dhe ekspertët ligjorë të opozitës për të krijuar një institucion efektiv, të aftë profesionalisht, të pandikuar politikisht. Ne jemi të gatshëm ta amendojmë edhe Kushtetutën, nëse do të gjykohet e nevojshme, për t’i dhënë fund apatisë së këtij organi me rëndësi të veçantë, jo thjesht për drejtësinë shqiptare, por për të gjithë procesin europian të zhvillimit dhe të modernizimit të vendit.
Maxhoranca jonë progresiste i ka dhënë gjithashtu sistemit gjyqësor pavarësinë kushtetuese, por ende ky sistem nuk po shfaq rezultatet e pritura nga shtetasit në dhënien e drejtësisë. Krijimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda është një prioritet i Qeverisë që paraqes sot para Kuvendit për votëbesim, duke i dhënë fund retorikave dhe praktikave rutinore, që e kanë zvarritur këtë proces. Së bashku me Gjykatën e Llogarive, për të cilën gjithashtu do të nisë procesi i konstituimit, do të krijojmë një gjykim më profesional për figura të tilla krimi, që shqetësojnë në mënyrë të veçantë shoqërinë dhe deformojnë zhvillimin kombëtar. Në dymbëdhjetë vjet tranzicion u vërtetua se nga trafiqet, droga, prostitucioni dhe nga rrugët e lehta të pasurimit, Shqipëria veçse ka humbur. Është momenti që këtyre fenomeneve dhe bartësve përkatës t’u jepet një përgjigje ligjore ekstreme për të shpëtuar brezat e sotëm dhe ata të rinj nga rreziqet e së ardhmes. Plotësimi i kuadrit ligjor të drejtësisë, përmes miratimit të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, do ta bëjë edhe më efektive luftën kundër këtyre fenomeneve të rëndësishme.
Reforma në drejtësi do të përfshijë gjithashtu hartimin dhe miratimin e një sistemi preciz rekrutimi, karriere, shpërblimi dhe mbrojtjeje, që do të thotë se jo çdokush do të mund të vazhdojë të punojë në organet e hetimit dhe të dhënies së drejtësisë. Kjo do të thotë se puna e çdo prokurori, hetuesi ose gjykatësi do të standartizohet dhe monitorohet sipas ligjit. Kjo do të thotë se karriera e cilitdo do të duhet të ndërpritet, kur idealet dhe ligjet e lirisë dhe të drejtësisë, i vendosen në një peshore me paratë e krimit, abuzimit, të drogës, prostitucionit, të trafiqeve apo korrupsionit.
E gjithë reforma e derisotme në drejtësi pikën e saj më të dobët ka pasur institucionin e Përmbarimit, zyrat e të cilit kanë shtuar artificialisht dobësitë e sistemit të drejtësisë. Megjithë përmirësimet e këtyre viteve të fundit, Përmbarimi në Shqipëri shpesh herë vazhdon të funksionojë si postgjykatë apo si gjykatë fundore. Dhe kjo situatë do të marrë fund. Reforma në këtë sektor synon që brenda vitit 2005 të arrihet niveli 100% i ekzekutimit të vendimeve të gjykatave.
Një drejtim tjetër po kaq i rëndësishëm sa Prokurioria është edhe funksionimi real i avokaturës së shtetit, e cila vazhdon të ketë si mision mbrojtjen e shtetit në gjykimet civile, ku ai është palë. Qeveria në mënyrë urgjente do të ndërmarrë të gjitha masat organizative për të vënë në funksionim këtë institucion, duke rritur në mënyrë të ndjeshme kontrollin dhe profesionalizmin në mbrojtjen e interesave të shtetit. Ne vlerësojmë se është detyra jonë përmirësimi i shërbimeve ligjore ndaj shtetasve, prandaj Qeveria e re mendon të marrë reforma të thella në këto aspekte:
- Në ndihmën ligjore falas për shtetasit me paaftësi paguese.
- Në mirëfunksionimin e dhomave të avokatisë
- Në forcimin e mëtejshëm të shërbimeve të noterisë.
- Në përmirësimin e shërbimit në zyrat e regjistrimit të pasurisë.
Natyrisht, niveli i sotëm i sigurisë publike nuk ka më asnjë krahasim
me vitin 1997, kur 85% e komisariateve, e reparteve ushtarake dhe e zyrave të Shërbimit Inteligjent Kombëtar ishin shkatërruar dhe plaçkitur. Pavarësisht arritjeve, maxhoranca mbetet e ndërgjegjshme se ka ende për të bërë, si në drejtim të sigurisë së brendshme, dhe të asaj rajonale, pra të kufijve. Qeveria do të realizojë zbatimin rigoroz të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, i cili plotëson parametrat europianë në funksionimin e këtij institucioni. Qeveria që do të drejtoj ka vullnetin për të ndaluar çdo abuzim apo anashkalim në zbatimin e këtij ligji modern dhe për të larguar nga radhët e Policisë së Shtetit të gjitha ato uniforma ose grada që paaftësinë profesionale dhe abuzimin me funksionin e ruajtjes së rendit publik e konvertojnë në gjoba dhe taksa të paligjshme mbi liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Zbatimi rigoroz i ligjit “Për Policinë e Shtetit” do të garantojë patjetër karrierë dhe shpërblim të merituar për të gjithë ata punonjës policie dhe oficerë, që në punën e tyre udhëhiqen nga ligji dhe rezultati që buron prej tij. Të gjitha forcat e Policisë së Shtetit do t’i nënshtrohen një analize të gjerë dhe të thellë për të kryer gjithashtu të gjitha përmirësimet e nevojshme që çdo shtetas të ndihet realisht i sigurt në të gjithë territorin e vendit. Toleranca ligjore zero do të jetë deviza e Policisë së Shtetit ndaj krimit dhe keqbërësve. Qeveria i njeh mirë detyrimet ndaj Policisë së Shtetit, si për mjete logjistike, për shpërblime dhe incentiva që lehtësojnë koston e jetës së policëve, dhe shumë shpejt do të hartohet një program i veçantë për t’i plotësuar ato në maksimumin e mundshëm. Gjithashtu do të kryhen reformat e duhura në sistemin e drejtësisë që puna e policisë të vlerësohet ligjërisht.
Ushtria dhe mbrojtja shqiptare janë në transformim të plotë dhe gjithnjë e më tepër Forcat e Armatosura të vendit po vihen në shërbim të zhvillimit dhe të integrimit të tij në botën euroatlantike. Qeveria i njeh mirë kufizimet e natyrës logjistike që kushtëzojnë ende procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Por ne jemi të vendosur për përfundimin e reformës strukturore, si dhe për rritjen efikase të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për arritjen e parametrave të anëtarësimit sa më parë. Një rol dhe më të rëndësishëm do të marrë Ushtria Shqiptare për përballimin e sfidave të sigurisë kombëtare në luftë kundër trafiqeve, që përshkojnë vendin dhe rajonin, duke vepruar si një forcë e armatosur nën kontrollin transparent, civil dhe sipas ligjit. Ky ridimensionim i misionit të ushtrisë dhe integrimi i saj në prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe në NATO, do të motivojë më mirë oficerët dhe ushtarët kombëtarë për t’i shërbyer atdheut tonë të përbashkët.
Shërbimet inteligjente do të vihen thellësisht më mirë në eficiencë për të përballuar luftën e shtetit ndaj të gjitha fenomeneve që rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe lirinë e shtetasve. Rritja e profesionalizmit do të sjellë saktësinë dhe funksionalitetin e informacionit në dispozicion të institucioneve të tjera të shtetit, duke shtuar realisht dhe në mënyrë ligjore presionin mbi trafiqet dhe krimin e organizuar. Ne e mirëpresim pra kontributin e opozitës në përshpejtimin e të gjitha reformave standarde të institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë së vendit, sepse vetëm kështu do të garantojmë eleminimin e ndikimit politik mbi këto institucione, duke rritur shanset dhe përgjegjësitë e përbashkëta kushtetuese në forcimin e autoritetit të ligjit.
Në fushën e politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare
të Shqipërisë gjatë mandatit tonë qeverisës ka arritje, të cilat përbëjnë një bazë solide për afirmimin e mëtejshëm të dinjitetit dhe të rolit ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë. Këtu do të mbështeten objektivat dhe angazhimet kryesore të politikës së jashtme të Qeverisë së re. Programi ynë do të synojë një progres cilësor në arritjen e standardeve për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO, në forcimin efikas të bashkëpunimit rajonal në marrëdhënie me vendet fqinjë dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha fushat, në kontributin e pakursyer për ndërtimin e një Kosove demokratike, europiane me institucione vetëqeverisëse, në thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve, në mënyrë të veçantë me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Europian janë në prag të njohjes së një rritjeje cilësore dhe të një statusi të ri kontraktor, duke kaluar nga emergjenca e paskrizës së 1997-ës, në strukturimin e veprimtarive konkrete, me synim zgjerimin dhe forcimin e tyre, bazuar tashmë në një plan veprimi të përbashkët me komisionin europian.
Në përfundim të një procesi të gjatë pune intensive të Qeverisë dhe të administratës shqiptare, në bashkëpunim me strukturat e BE-së, në Samitin e Gotenborgut gjatë Presidencës Suedeze, u vlerësuan arritjet e Qeverisë Shqiptare si dhe u rekomandua hapja e bisedimeve për Marrëveshejn e Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë. Për këtë, Komisioni Europian është angazhuar tashmë të përgatisë dhe të paraqesë gjithashtu për miratim para fundit të vitit 2002, në vjeshtë, draftmandatin për fillimin e bisedimeve për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë.
Shqipëria ka pra objektiva të qarta për të ecur me vendosmëri në rrugën e anëtarësimit edhe në BE dhe në NATO. Ne tashmë renditemi ndër vendet që janë kualifikuar nga Aleanca si kandidate të mundshme për anëtarësim në NATO. Puna e Qeverisë së re në këtë drejtim do të konsistojë në realizimin e të gjitha kërkesave të planit të veprimeve për anëtarësim në tërësinë e elementeve të tij. Gjithashtu, bashkëpunimi me NATO-n do të vazhdojë të ecë në traditën e krijuar gjatë konfliktit dhe zgjidhjes së tij për Kosovën, dhe që vazhdoi edhe gjatë konfliktit në Maqedoni, për të qenë sa më intensiv dhe i gjithanshëm dhe për të zgjeruar dimensionet e sigurisë dhe të paqes që Shqipëria gjeneron në rajon.
Natyrshëm pra, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e rajonit përbëjnë një përparësi të politikës së jashtme edhe të Qeverisë. Koncepti i saj është se integrimi europian për Shqipërinë fillon te fqinjësia e mirë, tek integrimi dhe bashkëpunimi rajonal si komponent themelor i politikës sonë edhe në Ballkan. Konkretizimi i këtyre marrëdhënieve do të shënojë në radhë të parë thellimin e iniciativave politike dhe të marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik, ku prioritet do të ketë energjia, lehtësirat në lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitaleve, ulja e mëtejshme e barrierave doganore, krijimi i zonave të tregtisë së lirë, lehtësirat në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe më gjerë, deri te regjimi i vizave.
Një përparësi në bashkëpunimin rajonal do të përbëjë bashkërendimi i përpjekjeve midis vendeve të rajonit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Ndryshimet e rëndësishme që kanë nisur në rajonin tonë me përmbysjen e regjimit të Millosheviçit dhe ekstradimin e tij në Hagë, do të bëjnë që marrëdhëniet, edhe në Veri, me Republikën Jugosllave, me Serbinë dhe me Malin e Zi, të ngrihen në një nivel dhe të kënaqin më mirë interesat reciproke të dy vendeve fqinjë për shkëmbime dhe bashkëpunim me interesa komplementare.
Fakti pra që në të gjithë rajonin tonë ka qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike, dhe qëllimi i tyre i përbashkët për integrim euroatlantik, na shtojnë besimin se vendin e armiqësive folklorike midis ballkanasve po e zënë gjithnjë e më tepër vlerat e reja të besimit dhe të respektit të ndërsjelltë për bashkëpunim dhe integrim, të orientuar nga bota euroatlantike. Ne kemi bindjen dhe do të punojmë që rajoni i Europës Juglindore të hyjë përfundimisht në rrugën e stabilitetit, të demokratizimit dhe të integrimit me botën moderne.
Kosova do të vazhdojë të jetë në vëmendjen parësore të politikës së jashtme të Qeverisë së Shqipërisë. Marrëdhëniet tona me Kosovën nuk do të ndërtohen nga një këndvështrim i ngushtë shqiptar, por në kuadrin e gjerë të bashkëpunimit rajonal dhe euroatlantik midis popullsive, vendeve dhe njësive vetëqeverisëse të Ballkanit. Veprimtaria e politikës së Qeverisë në këtë çështje do të drejtohet:
Së pari, në zgjerimin, thellimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit dhe institucionalizimin e tij në fushat e ekonomisë, të tregtisë, turizmit, arsimit, kulturës dhe shkencës.
Së dyti, për të ndihmuar në drejtim të konsolidimit dhe të shkëmbimit të përvojës me institucionet e reja demokratike dhe qeverisëse në Kosovë, në zbatim të Rezolutës nr.1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të akteve të tjera ndërkombëtare, që në përputhje me iniciativat ndërkombëtare për Ballkanin, nxisin hapjen dhe krijimin e një tregu global dhe të lëvizjes së lirë edhe në rajon.
Së treti, me krijimin e një klime të favorshme rajonale dhe ndërkombëtare që të vazhdojnë të përparojnë proceset demokratike, që konsolidojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe që garantojë perspektivën e saj të sigurt europiane. Ne do të vazhdojmë të mbështesim prosperitetin dhe paqen, civilizimin dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, në marrëdhënie të ngushta me autoritetet e këtij vendi, duke dënuar dhe kontribuar që të largohen hijet e militarizimit të tyre. Çdo përpjekje për të kundërtën vetëm se do të rikthente konfliktin me pasoja të rënda për bashkëjetesën me pasoja etnike për proceset integruese në rajon dhe më gjerë, pjesë e të cilave është dhe synon të bëhet edhe më mirë dhe Republika e Maqedonisë.
Për politikën e jashtme të Shqipërisë marrëdhëniet me Italinë dhe me Greqinë mbeten dhe do të zhvillohen si marrëdhënie me karakter strategjik për peshën që kanë këto vende fqinjë, anëtare të Bashkimit Europian dhe të NATO-s, por dhe për kontributin e madh që kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin në mbështetje të reformave të gjithanshme të progresit europian dhe të integrimit euroatlantik të vendit tonë. Këto marrëdhënie janë historike dhe tradicionale dhe do të vazhdojnë të modernizohen dhe të azhurnohen në rritje dhe bashkëpunim të mëtejshëm për të strukturuar interesa komplementare, që zgjidhin më mirë standardet europiane në të dyja brigjet e Adriatikut dhe në të dyja anët e kufijve. Interesat ndërmjet vendeve tona pra, janë afatgjata dhe të qëndrueshme.
Natyrisht, ne do të vazhdojmë të kultivojmë marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë edhe sot midis Shqipërisë dhe Turqisë në të gjitha fushat për të rritur dhe konsoliduar lidhjet vëllazërore dhe shkëmbimin e vlerave. Qeveria e re do të shohë me interes progresin e mëtejshëm në marrëdhëniet dypalëshe me Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë, Slloveninë, Bosnjë-Hercegovinën etj., duke punuar për t’u dhënë këtyre marrëdhënieve dimension të ri dhe përmbajtje më frytdhënëse. Në këtë mënyrë pra, forcimi i bashkëpunimit rajonal do të realizohet edhe në planin dypalësh, edhe në planin shumëpalësh. Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol aktiv dhe të japë kontributet e veta të dimensionuara, në kuadër të nismave të ndryshme rajonale, ku vend të veçantë zënë procesi i bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, Pakti i Stabilitetit etj.
Diplomacia shqiptare do të punojë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumëpalëshe dhe të rolit e zërit të Shqipërisë në to, në kuadër të OKB-së dhe strukturave e agjencive të saj, të OSBE-së, të Këshillit të Europës dhe të organizatave të tjera, që interesohen për rajonin apo janë të pranishme në rajon. Pra, Qeveria do të synojë gjatë kësaj periudhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në strukturat e OKB-së, si në Këshillin e Sigurimit, në Këshillin Ekonomikosocial, duke u orientuar edhe nga rritja e mëtejshme dhe e frytshme e bashkëpunimit me agjencitë e specializuara ndërkombëtare. Marrëdhëniet dypalëshe midis vendit tonë dhe institucioneve përfaqësuese të Bashkimit Europian do të mbeten një nga prioritetet themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit. Politika e jashtme dhe diplomacia jonë do të synojnë një shtrirje dhe thellim të marrëdhënieve të institucionalizuara me vendet e Bashkimit Europian, duke i çuar miqësinë tradicionale, marrëdhëniet politike në procese bashkëpunimi më konkrete dhe me dimensione ndërvartësie në fusha me interes të ndërsjelltë. Marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë, të konsoliduara tashmë, me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Austrinë dhe me vende të tjera të Bashkimit Europian si me Spanjën, Suedinë, Danimarkën, Belgjikën, Holandën, Portugalinë, Irlandën, Luksemburgun dhe Finlandën do të vazhdojnë të ndiqen me interes politik dhe pragmatist nga Qeveria e re dhe diplomacia që do të zhvillojë ajo.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri ynë më i rëndësishëm strategjik. Ato kanë ndihmuar dhe e mbështesin Shqipërinë në procesin e reformave të saj të brendshme dhe në përpjekjet integruese në strukturat euroatlantike globale. Angazhimi i Qeverisë dhe i politikës amerikane për paqen dhe sigurinë në rajon është i një rëndësie prioritare dhe të jashtëzakonshme edhe për Qeverinë e Shqipërisë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë dhe do të mbahen në nivelet më të larta, jo vetëm në fushën e komunikimit politik, por dhe në atë të shkëmbimeve ekonomike, të forcimit të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, si dhe të zbatimit të programeve gjithnjë e më efikase në luftën kundër krimit të organizuar, të trafiqeve ilegale, për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe për një rol më të madh të organizatave të shoqërisë civile në zhvillimin kombëtar dhe hapjen ndaj botës moderne. Pra, objektivi ynë për të ardhmen është konsolidimi i këtij niveli të lartë marrëdhëniesh dhe thellimi i mëtejshëm i tij.
Më lejoni, pra, të nderuar kolegë deputetë, që në mbyllje të paraqitjes së këtij programi të Qeverisë së re, t’ju njoh dhe të kërkoj votëbesimin tuaj, krahas programit, dhe për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, tashmë të dekretuar nga Presidenti i Republikës, zoti Moisiu.
Qeveria që do të drejtojë Kryeministri Fatos Nano përbëhet nga:
Ilir Meta, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm.
Luan Rama, Ministër i Rendit Publik.
Pandeli Majko, Ministër i Mbrojtjes.
Kastriot Islami, Ministër i Financave.
Spiro Peçi, Ministër i Drejtësisë.
Arben Malaj, Ministër i Ekonomisë.
Spartak Poçi, Ministër i Transporteve dhe i Telekomunikacionit.
Viktor Doda, Ministër i Industrisë dhe i Energjetikës.
Besnik Dervishi, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe i Turizmit.
Agron Duka, Ministër i Bujqësisë dhe i Ushqimit.
Luna Memushi, Ministër i Arsimit dhe i Shkencës.
Mustafa Xhani, Ministër i Shëndetësisë.
Valentina Leskaj, Ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale.
Ben Blushi, Ministër i Pushtetit Vendor dhe i Decentralizimit.
Arta Dade, Ministër i Kulturës, i Rinisë dhe i Sporteve.
Lufter Xhuveli, Ministër i Mjedisit.
Blendi Klosi, Ministër Shtetit pranë Kryeministrit.
Sokol Nako, Ministër Shteti për Integrimin.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju uroj bashkëpunim të frytshëm.