Programi i Qeverisë Aleksandër Meksi (1992 – 1996)

 

       Aleksandër Meksi – Të nderuar deputetë,

       Zonja e zotërinj,

       Ky është një moment krenarie në historinë e vendit tonë. Komunizmi në Shqipëri mori fund. Ne vijmë sot përpara jush si qeveri e parë demokratike e Shqipërisë. Si një qeveri demokratike, ne do t’ju paraqesim problemet e vendit dhe si do të mbështesim progresin tonë kombëtar, që në thelb ndryshojnë rrënjësisht nga metodat komuniste të drejtimit. Nën regjimin e ri demokratik, ne do të udhëhiqemi nga këto parime bazë:

  1. Njeriu dhe jo shteti, qeveria apo partia politike, është subjekti suprem. Kjo do të thotë se të gjithë njerëzit gëzojnë lirinë që nuk e kishin më parë; liri që të mendojnë, liri që të shprehin idetë dhe opinionet e tyre, liri për të ndjekur ato zgjidhje ekonomike sociale etj që japin rezultat. Roli i qeverisë është tani t’i mbrojë këto liri e jo t’i kufizojë ato.
  2. Ne do të jetojmë nën rregullat e ligjit. Kjo vlen për të gjithë shtetasit dhe për qeverinë. Asnjë person, parti a institucion qeveritar nuk është i privilegjuar para ligjit.
  3. Në Shqipërinë demokratike njerëzit do të vlerësohen nga meritat që kanë. Pozita në shoqëri do të përcaktohet nga aftësitë dhe detyrat që kryen, e jo nga privilegjet partiake ose posti qeveritar.
  4. Roli i qeverisë është që të krijojë kuadrin në të cilin njerëzit tanë të provojnë mundësitë e aftësitë dhe t’i përdorin ato në maksimum për veten e tyre. Qeveria nuk ka as qëllimin e as kapacitetin që të operojë ekonominë dhe të shpërndajë burimet midis popullsisë. Prosperiteti ynë varet se sa e lejojmë ekonominë e tregut të lulëzojë. Regjimi komunist kudo në botë ka demonstruar pa asnjë mëdyshje se ekonomia e drejtuar dhe e komanduar nga shteti nuk punon dot. Ne në Shqipëri e dimë këtë më mirë se kushdo tjetër.
  5. Në këtë fazë transitore, për kalimin nga ekonomi socialiste në ekonomi tregu, ne jemi të ndërgjegjshëm se janë krijuar dhe do të krijohen vështirësi të mëdha në jetën e njerëzve. Një krizë e thellë dhe e përgjithshme ka përfshirë ekonominë shqiptare. Papunësia kronike, çmimet e larta, pagat e ulëta, mungesat në furnizimin me mallrat e përdorimit të gjerë, çrregullimet në furnizimin me ujë të pijshëm, ndriçimi e ngrohja, nuk mund të mënjanohen brenda disa ditëve. Këto plagë nuk mund të shërohen as me urdhër administrativ. Këtu ka vetëm një rrugë: zbatimi i reformave radikale në ekonomi, çka e tregon edhe përvoja e ish-vendeve të Lindjes. Misioni ynë si Qeveri është ta fillojmë me guxim këtë reformë, pa të cilën nuk mund të ketë ndihmë ekonomike nga jashtë dhe as mund të shfrytëzohen pasuritë e vendit tonë.

       Programi i reformave ekonomike.

       Sistemi ekonomik që garanton stabilitetin dhe mirëqenien e një kombi, është ekonomia e tregut me motor lëvizës pronën private të individëve të lirë. Ekonomia e tregut nuk është një ndryshim tabele i ekonomisë socialiste. Ajo kërkon vetëveprimin e mekanizmave ekonomikë, një sistem të rregullt ligjor, konkurrencë të lirë dhe zhdukjen e burokracisë shtetërore në ekonomi. Ajo kërkon, gjithashtu, integrimin e ekonomisë sonë në ekonominë botërore, për të lejuar investimet e huaja, modernizimin e teknologjisë dhe rritjen e aftësisë së njerëzve tanë. Po ndalemi në disa drejtime kryesore të reformës:

       Pronësia private dhe mundësitë që hapen.

       Në një ekonomi të tregut mjetet e prodhimit janë, në radhë të parë, në duart e privatëve. Kjo do të thotë se ndërmarrjet janë nën kontrollin e personave privatë, pra individët dhe jo qeveria janë përgjegjës për mbarëvajtjen e punës së tyre. Në të njëjtën kohë, individët janë të lejuar të përfitojnë të mirat që rrjedhin nga përpjekjet dhe iniciativa e tyre. Gradualisht shteti do ta dobësojë ”rolin komandues” të tij në ekonomi, sepse përvoja e 40 vjetëve të kaluar e dëshmoi qartë paaftësinë e tij për të siguruar një standard të lartë jetese për popullin. Nga ana tjetër, sistemet e bazuar në ekonominë e tregut kanë sjellë kudo në botë shoqëri dinamike, të begatshme e të lira. Për të realizuar pronësinë private dhe mundësitë që ajo ofron, qeveria do të ndjekë politikat e mëposhtme:

       Privatizimi i tokës bujqësore

       Qeveria do t’i propozojë Kuvendit Popullor për ta përmirësuar e plotësuar ligjin e tokës sipas kritereve juridike bashkëkohore dhe paraqitjen e tij në kohën optimale për probleme tashmë të njohura, sikurse është krijimi i tregut të tokës, qiradhënia etj. Në këtë kuadër do të zgjidhet edhe problemi i kompensimit të ish-pronarëve të tokës që janë shpronësuar pa shpërblim, në nivelin e fshatarit të mesëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo kërkon ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të studiojë me themel të gjitha çështjet që lidhen me të. Ne jemi të bindur se, ashtu sikurse fshatarësia me vullnetin e mirë e mbështeti privatizimin e tokës, po në këtë mënyrë do të kuptojë drejt edhe realizimin e reformës së plotë në bujqësi. Sot për sot ndarja e tokës ka arritur në rreth 68 për qind. Ndër faktorët që kanë penguar përfundimin e ndarjes së saj, kanë qenë puna e dobët e Ministrisë së Bujqësisë, e komisionit qendror të tokës dhe e rretheve, por edhe opinionet e forcave të ndryshme politike që kanë nxitur njëfarë pritmërie të bujqve, me shpresën se ligji mund të ndryshojë.

       Deklarojmë para gjithë opinionit se do të njohim dhe do të zbatojmë pa asnjë ngurrim ligjin ekzistues dhe tapitë që do të jepen sa më shpejt në bazë të tij. Ndarja e tokës nuk mund të realizohet me sentimentalizëm dhe subjektivizëm, ligji përbën një detyrim për t’u zbatuar pa asnjë lëkundje.

       Për këtë qëllim, mendojmë se duhet vendosur një afat për përfundimin e ndarjes së tokës, i cili duhet të jetë sa më i shpejtë.

 Privatizimi i ndërmarrjeve

 Problemi më parësor në reformën ekonomike është privatizimi i ndërmarrjeve, i cili ka një vit që ka nisur, por qeveria duhet ta çojë më përpara këtë privatizim me të gjitha rreziqet që rrjedhin nga gabimet, keqinterpretimet, ndërhyrjet e korrupsioni. Një gjë është thelbësore: privatizimi i ndërmarrjeve do të çohet më tej, madje me hap tepër të shpejtë në tregti, në shërbime, në transport, në peshkim etj.

       Hapi i dytë ka të bëjë me ndërmarrjet e industrisë së lehtë dhe ushqimore. Këtu ka më shumë vështirësi, që vijnë nga prirjet e gjigandomanisë së trashëguar nga sistemi socialist. Sa i lehtë paraqitet procesi i privatizimit të një dyqani, aq i vështirë e kompleks paraqitet privatizimi i kombinateve, si ai ushqimor, i fabrikave të tekstilit, i ndërmarrjeve të veshjeve, ku punojnë qindra e mijëra punëtorë. Shkalla e vështirësive shtohet, sepse gjatë vitit të kaluar e në vijim shumë ndërmarrje janë shkatërruar. Ekspertët këshillojnë më parë se të nisë privatizimi, duhet bërë copëzimi e ristrukturimi i këtyre ndërmarrjeve.

       Privatizimi i industrisë së rëndë është një sipërmarrje më komplekse dhe do të kërkojë më shumë kohë, të paktën 4-5 vjet.

       Si një nga rrugët e privatizimit të industrisë, në përgjithësi do të jetë shpërndarja falas popullsisë së rritur në moshë të letrave me vlerë, të cilat ata do të kenë të drejtë t’i këmbejnë lirisht dhe sipas dëshirës me aksione të ndërmarrjeve që do të privatizohen gjatë kësaj periudhe.

 Krahas kësaj rruge do të përdoret edhe një shumëllojshmëri formash të tjera, duke përfshirë këtu shitjet private, ankandin, ndërmarrjet e përbashkëta ose edhe kontrata administrimi me partnerë të huaj.

       Reforma e ndërmarrjeve.

       Që privatizimi të bëhet i mundshëm, ne duhet të krijojmë një mjedis të përshtatshëm për ecurinë e ndërmarrjeve shtetërore.

Për këtë, së shpejti do të paraqesim ligjin e ndërmarrjeve të rishikuar, që do t’i japë ndërmarrjeve shtetërore shumicën e lirive që tashmë gëzojnë veprimtaritë private, të cilat po rriten në numër. Ndërmarrjet shtetërore do të kenë të drejtën t’ua shesin prodhimet e tyre blerësve, që ato i zgjedhin vetë dhe shtetit, do të lidhin kontrata blerje mallrash njëlloj si konsumatorët ë tjerë.

       Ndërmarrjet shtetërore dhe private do të jenë të lira të blejnë lëndë të para dhe materiale të ndryshme nga çdo shitës dhe të vendosin lirisht për çmime më të favorshme. Këto masa do t’i japin ndërmarrjeve shtetërore aftësinë dhe nxitjet për të kërkuar tregje të reja për prodhimin e tyre.

       Përmirësimet në ligjin për ndërmarrjet do të përqendrohen në rregullimin më të drejtë të marrëdhënieve të punësimit, të shpërblimit dhe të administrimit të ndërmarrjeve pronë e shtetit, duke prekur normat që kanë të bëjnë me zgjedhjen e këshillave administrativë dhe emërimin e drejtuesve të tyre.

       Ndërmarrjet bujqësore përbëjnë një nga problemet më të mprehta dhe kyçe të bujqësisë. Zgjidhja optimale e këtij problemi sipas koncepteve moderne ekonomike do të jetë detyrë urgjente e qeverisë. Ne mendojmë se qenia e ndërmarrjeve bujqësore si njësitë e prodhimit të përqendruar bujqësor siguron të gjitha avantazhet teknologjike dhe ekonomike për t’u mbajtur dhe për të konkurruar me produktet e tyre, si dhe për të thithur investime nga investitorë të huaj e të vendit. Ato, nëpërmjet riorganizimit në shoqëri aksionare e private, shkëputen plotësisht nga buxheti i shtetit.

Shteti do të mbajë me këto ndërmarrje të njëjtat marrëdhënie që do të mbajë ndaj të gjitha subjekteve ekonomike private. Shteti do të gjejë format që t’i ndihmojë ato, veçanërisht në fazat e para për t’i orientuar drejt një cikli të mbyllur prodhimi. Por mund të organizohet edhe referendum për të ardhmen dhe formën e organizimit të ndërmarrjes në raste specifike.

 Shndërrime ekonomike të kësaj natyre do të zbatohen edhe në ndërmarrjet e tjera të sistemit të bujqësisë. Mund të privatizohen ndërmarrjet e peshkimit, në mënyrë të pjesshme ato të ujërave etj, kurse ndërmarrjet e mekanizimit të bujqësisë do të vazhdojnë të mbeten pronë shtetërore, derisa bujqit të kenë krijuar pavarësinë ndaj tyre.

Nxitja e sektorit privat.

Privatizimi është vetëm një nga aspektet e ndryshme të programit tonë për të krijuar një sektor privat aktiv dhe fronte pune të reja. Ne, gjithashtu, do të ndërmarrim hapa për të inkurajuar krijimin e firmave të reja private. Ne shohim me kënaqësi se shumë veprimtari të reja private, veçanërisht në tregtinë me pakicë, janë krijuar në Shqipëri gjatë gjashtë muajve të fundit. Do të përshtatim masa që do të nxitin biznesin privat kudo në ekonomi. Masa më imediate do të jetë mënjanimi i pozitës monopol të shumë veprimtarive shtetërore. Gjithashtu, do të inkurajojmë investimet e huaja përmes përmirësimeve ligjore për investitorë të huaj dhe duke nxitur “joint ventures” midis të huajve dhe shqiptarëve. Rishikimi në ligjin mbi tokën do ta shpejtojë biznesin edhe në sektorin e bujqësisë.

       Privatizimi i banesave.

       Ne jemi duke zhvilluar një skemë të transferimit të banesave nga pronësia shtetërore në pronësi private. Sipas planit tonë, familjeve do t’u jepen letra me vlerë që do të mundësojë për të blerë shtëpitë, apartamentet ose shtëpi të tjera sipas zgjedhjes së tyre. Si pronarë të shtëpive të tyre, familjet nuk do të varen më nga qeveria për të kryer riparime dhe mirëmbajtje. Për më tepër familjet do të kenë një nxitje për të investuar, që të ruhet e rritet vlera e banesave të tyre. Njerëzit do të lejohen të japin me qira ose t’i shesin shtëpitë e tyre pa kufizime, duke krijuar në këtë mënyrë tregun e banesave.

       Qeveria do të shqyrtojë sa më parë çështjen e banesave, dyqaneve e trojeve të shtetëzuara për kthimin apo kompensimin e tyre pronarëve të mëparshëm në masën që do të caktohet me ligj të veçantë.

       Liberalizimi i çmimeve.

       Procesi i liberalizimit të çmimeve është vital për zhvillimin e një ekonomie tregu, për të pakësuar deficitin ekzistues të buxhetit, si dhe për të nxitur efektivitetin ekonomik në përgjithësi.

       Ne të gjithë e pranojmë me dhembje se ka ndodhur një rritje e shpejtë e çmimeve, e shkaktuar kryesisht nga rënia e ndjeshme e prodhimit dhe krijimi i zhbalancimeve në ekonominë tonë.

       Megjithatë, liberalizimi i çmimeve ka qenë dhe vazhdon të mbetet i nevojshëm për të Vazhduar hapat e reformës. Qeveria jonë do ta përfundojë procesin e liberalizimit të çmimeve.

       Çmimet me pakicë.

       Hapi i parë do të jetë vendosja e një legjislacioni, i cili të mënjanojë format e kontrollit që kanë mbetur mbi çmimet me pakicë, por me pak përjashtime. Çmimet e artikujve ushqimorë do të liberalizohen, duke pasqyruar zhvillimet që tashmë kanë ndodhur në treg. Nuk është një diçka e rastit që për artikujt, çmimet e të cilëve janë nën kontroll, ndihen mungesa të vazhdueshme në treg dhe bëhen spekulime. Do të vazhdojnë të mbeten të kontrolluara çmimet për disa mallra dhe shërbime të nevojës së parë dhe të atyre prodhimeve për të cilat nuk ka konkurrencë, si energjia elektrike, produktet e naftës, postë-telekomunikacioni etj.

       Çmimet me shumicë

       Kontrolli mbi çmimet me shumicë, gjithashtu, duhet të mënjanohet. Kjo do t’i lejojë ndërmarrjet të realizojnë maksimumin e të ardhurave, do të nxitet iniciativa për të prodhuar, do të evidencohen ndërmarrjet që do të mbijetojnë dhe ato që detyrimisht do të mbyllen. Duke qenë se shumë prodhues janë në pozita monopoliste, një element shoqërues thelbësor për çmimet me shumicë është liberalizimi i tregtisë së jashtme.

       Liberalizimi i tregtisë

       Liberalizimi i çmimeve merr kuptim të plotë, kur shoqërohet edhe me liberalizimin e tregtisë. Kështu, firmat do të lejohen t’i vendosin vetë çmimet e tyre, duke i diskutuar me klientët, dhe shitja reale e mallrave do t’u bëhet klientëve që ofrojnë çmimin më të mirë.

       Tregtia e brendshme

       Qeveria do të heqë të gjitha kufizimet që kanë mbetur në këtë fushë, duke përfshirë edhe marrëveshjet e blerjeve të detyruara nga ana e Qeverisë. Cilido person a firmë do të lejohen t’i blejnë mallrat ose shërbimet nga të tjerët, duke përfshirë këtu edhe produktet e ndërmarrjeve dhe të fermave shtetërore.

Tregtia e jashtme

       Qeveria synon liberalizimin tërësor të tregtisë së jashtme. Licencat për eksport dhe kuotat e eksportit do të mënjanohen në masën më të madhe. Vendi ynë ka nevojë tepër të ngutshme për valutë të fortë, për të përballuar importet e domosdoshme. Gjithashtu, ne synojmë të liberalizojmë edhe regjimin tonë tregtar të importit. Importuesit do të jenë të lirë të importojnë atë që dëshirojnë duke blerë valutën e nevojshme me kursin e tregut.

Reforma sipas sektorëve

       Në sektorin financiar

       Në një ekonomi tregu rëndësi Vendimtare ka përdorimi i akumulimeve në investimet produktive. Ekonomia jonë ka vuajtur nga praktika e dhënies së financimeve e të kredive bankare pa argumente ekonomike dhe kjo praktikë duhet të marrë fund. Qeveria ka paraqitur në parlament për miratim ligjin “Për Bankën Qendrore” dhe “Për sistemin bankar”. Këto ligje do të realizojnë ndarjen e bankës së shtetit shqiptar, e cila do të emërtohet “Banka e Shqipërisë”, nga veprimtaritë e tjera bankare. Banka e Shqipërisë do të ketë përgjegjësinë e vendosjes dhe të ruajtjes së stabilitetit monetar të vendit dhe të kontrollit mbi gjithë sistemin bankar. Ajo nuk do t’u japë kredi ndërmarrjeve a individëve. Këto do të jenë funksione të bankave tregtare. Bankat tregtare do t’u japin kredi vetëm njësive ekonomike që kanë mundësi të kthejnë kreditë dhe interesat që rrjedhin prej tyre. Shteti nuk mund dhe nuk është në gjendje të pranojë më ekzistencën e borxheve dhe paaftësinë për të paguar të ndërmarrjeve shtetërore.

       Mbi të gjitha, bankat do të zbatojnë përqindjet e interesave të tregut për të mbuluar interesat që u paguajnë depozituesve të tyre. Për të kufizuar rritjen shpërthyese inflacioniste të kredive në ekonominë shqiptare, Banka Qendrore do të zbatojë, si masë të përkohshme, kufizimin e madhësisë së përgjithshme të kredisë për sektorët ekonomikë. Megjithatë, kriteri bazë për dhënien e kredisë do të jetë kredibiliteti i çdo huamarrësi.

Në bujqësi

       Qeveria do të angazhohet për të ndryshuar tërësisht gjendjen e bujqësisë dhe për këtë ka objektiva afatgjatë dhe afatshkurtër. Ky shndërrim rrënjësor luan rol të shumëfishtë në planin politik, social dhe ekonomik. Ai do të kryhet, së pari, duke strukturuar bazën ekonomike, fuqizimin dhe konsolidimin e ekonomive bujqësore familjare. Këto shndërrime do të krijojnë ekonomi shumëformëshe, ku në masën më të madhe të mbizotërojë pronësia private, kurse prona shtetërore mbetet vetëm në sektorë të veçantë, me të cilët shteti do të zbatojë politikën e tij sociale e të ruajtjes së mjedisit.

       Në gjendjen e sotme të bujqve shqiptarë qeveria do të ndërtojë një politikë fiskale dhe krediti të posaçme, për t’i favorizuar ata. Pronarët e tokave, praktikisht të gjithë bujqit e sotëm privatë, do të orientohen e do të inkurajohen për të krijuar forma të lira bashkëpunimi, gjë që ka filluar me krijimin e disa shoqatave. Fshatarësia shqiptare që jeton në Evropë nuk e meriton të jetojë e punojë me mjetet e mënyrat e organizimit që Evropa i ka ezauruar para qindra vjetësh e, për këtë arsye, qeveria do të përkrahë, brenda vullnetit të lirë të tyre, që t’ia bëjë të mundur fshatarësisë të organizohet mbi bazën e pronës private në forma moderne të prodhimit bujqësor, të cilat janë të njohura dhe zbatohen sot për sot në vendet më të përparuara.

       Një element shoqërues i nevojshëm, krahas liberalizimit të çmimeve, është edhe liberalizimi i tregtisë së artikujve bujqësorë. Bujqit do të jenë të lirë t’ua shesin prodhimet e tyre si tregtarëve të vendit, ashtu edhe në tregun e jashtëm. Me qëllim që t’u jepet mundësia bujqve të diskutojë çmimet më të mira të mundshme për prodhimet e tyre, është e nevojshme të inkurajohet zhvillimi i biznesit privat, i cili do të konkurrojë me ndërmarrjet shtetërore në tregtinë e artikujve bujqësorë. Prandaj ndërmarrjet shtetërore nuk duhet që të kenë avantazhe të veçanta, të tilla si subvencionet ose dhënia e të drejtave të veçanta që gëzojnë ato sot. Bujqit privatë nuk do të jenë në gjendje të arrijnë potencialin e tyre në një ekonomi tregu, pa pasur mundësi të marrin kredi.

       Industria, minierat dhe infrastruktura

       Reforma më e rëndësishme nga qeveria do të ndërmerret në industri, miniera dhe infrastrukturë, duke përcaktuar e vendosur një rol të ri të shtetit. Për 46 vjet shteti ka ndërhyrë në çdo aspekt të zhvillimit të industrisë, minierave, transportit, komunikacionit, energjisë, duke bërë planifikimin, financimin, prodhimin, mirëmbajtjen dhe shitjen e prodhimeve të tyre. Në të vërtetë shteti ka mbajtur monopolin mbi gjithçka. Me këtë qeveri, roli i shtetit do të ndryshojë. Sikurse është thënë edhe më parë, monopolet do të hiqen, firmat private do të nxiten që të konkurrojnë dhe lloje të tilla shërbimesh, si komunikacioni dhe transporti, do të pësojnë rregullime të tjera. Roli i ministrive do të ndryshojë, nga zotërimi dha kontrolli i sektorëve prodhues në zhvillimin dhe zbatimin e politikave ekonomike rregulluese, si dhe në rregullimin e veprimtarisë së ndërmarrjeve private, vetëm kur kjo të jetë e nevojshme. Derisa të jenë privatizuar dhe shitur, ndërmarrjet shtetërore nuk do të përfitojnë subvencione në masën siç i kanë përfituar gjer më tani, subvencione të cilat e kanë dekurajuar konkurrencën dhe e kanë sjellë në këtë gjendje Buxhetin e Shtetit. Disa ndërmarrje shtetërore do të vazhdojnë të mbeten në pronësi shtetërore, sepse kjo kushtëzohet nga qenia e “monopoleve natyrore”.

       Por edhe këto ndërmarrje do t’i nënshtrohen një disipline të rreptë buxhetore për të garantuar rikthimin e investimeve të financuara nga shteti.

       Sistemi ligjor

       Sistemi ligjor Shqiptar duhet të jetë mbështetës i ekonomisë së tregut. Qeveria jonë do të ndërmarrë masa reformuese radikale në këtë fushë.

Së pari, do të hartojmë një Kushtetutë kombëtare që do të përfshijë parimet e pronës private dhe të iniciativës ekonomike private.

Së dyti, do të rishikojmë Kodin Civil, duke përfshirë në të ligje që përcaktojnë të drejtat e pronës private, si dhe rregullojnë marrëdhëniet që lidhen me pronën private.

Së treti, do të vendoset një Kod i ri Tregtar, i cili do të rregullojë format e reja e të ndryshme që paraqesin njësitë ekonomike, si shoqëritë aksionare, korporatat dhe ortakëria.

Së katërti, rishikime janë të nevojshme të bëhen edhe në Kodin e Punës, për të rregulluar marrëdhëniet e punës dhe të drejtimit në kontekstin kur njësitë ekonomike private janë punëdhënës të punës me mëditje.

Ligjet dhe rregullimet do të përfshijnë edhe Kodin e Sistemit të ri Bankar, i cili është i nevojshëm për të ndihmuar zhvillimin e shërbimeve financiare në Shqipëri.

Së fundi, Kodi Doganor do të përcaktojë detyrimet fiskale të ndërmarrjeve (private ose publike) për shtetin në formën e pagesës së taksave dhe të tagrave doganorë.

       Administrata lokale dhe shtetërore

       Programi i reformës së Qeverisë varet në mënyrë të ndjeshme se si ai do të zbatohet nga administrata shtetërore. Politikat tona ekonomike reformiste kërkojnë që administrata shtetërore t’i përshtatet një roli të ri e krejt të ndryshëm, duke i detyruar njerëzit që punojnë në aparatin shtetëror, të pranojnë një orientim të ri në kryerjen e punës së tyre. Ata që mund të kuptojnë dhe t’i përshtaten koncepteve të reja të drejtimit, do të inkurajohen e nxiten. Por nuk ka më vend për ata që u përmbahen me vendosmëri mënyrave të vjetra të bërjes së punëve. Qeveria do të krijojë një administratë shtetërore civile me aftësi të larta profesionale dhe legjislacioni do të jetë i tillë që të vendosë standardet e duhura për kompetencat, integritetin dhe kushtet e punësimit të nëpunësve shtetërorë.

       Reformat administrative dhe përmirësimet cilësore duhet, gjithashtu, të kryhen edhe në nivelin lokal, në mënyrë që politika ekonomike e Qeverisë qendrore të zbatohet në tërë vendin. Ne do të marrim masa që të zhvillohen zgjedhjet lokale brenda pak muajsh. Njëherazi do t’i propozojmë parlamentit të marrë në konsideratë kërkesën për të ripërcaktuar rolin dhe përgjegjësitë e organeve lokale, duke përfshirë edhe çështjet fiskale, si dhe marrëdhëniet administrative e juridike të tyre me qeverinë qendrore. Pa kryer reformën administrative dhe demokratike në nivel lokal, revolucioni ynë politik dhe ekonomik nuk do të jetë i plotë.

       Aspekte të tjera të politikës së qeverisë

       Në politikën e jashtme qeveria do të ketë në qendër të vëmendjes nxitjen e përkrahjes ndërkombëtare në fushat politike e ekonomike për kalimin e vendit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Gjithashtu, do të punohet për ndërkombëtarizimin e çështjes mbarëshqiptare, duke respektuar në të njëjtën kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga dokumentet ndërkombëtare. Për të realizuar këto synime konsiderojmë parësore marrëdhëniet me demokracitë e konsoliduara, SHBA-në dhe Evropën perëndimore, si mbështetje të sigurta për demokracinë e re shqiptare. Duke vlerësuar dhe përkrahur realisht proceset integruese evropiane, si bazë për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për integrimin e Shqipërisë në institucionet dhe strukturat politike e ekonomike evropiane. Në këtë kontekst ne do të mbështetemi në partnerët historikë dhe tradicionalë, si Gjermania e Italia. Në të njëjtën kohë, ne jemi për forcimin e lidhjeve të gjithanshme me Francën, Anglinë, Austrinë, Hungarinë, vendet skandinave e vendet e tjera demokratike evropiane.

       Qeveria shqiptare vlerëson rolin e NATO-s për sigurimin dhe stabilitetin në Evropë, prandaj do të punojë për një bashkëpunim të frytshëm e konkret me të në të gjitha aspektet e mundshme, si dhe integrimin në strukturat e saj.

       Politika e fqinjësisë së mirë përbën një dimension të një rëndësie të veçantë dhe për këtë do t’i kushtohet vëmendja zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë. Qeveria shqiptare do të vazhdojë të respektojë të gjitha të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zgjidhjen e problemit të popullsisë çame në përputhje me dokumentet ndërkombëtare.

       Duke u mbështetur në lidhjet e vjetra miqësore, ne do të çojmë më tej marrëdhëniet shqiptaro-turke, në interes të të dy vendeve dhe të stabilitetit në Ballkan. Qeveria shqiptare është edhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me ish-vendet e Evropës Lindore, si dhe për të ndërtuar e zhvilluar marrëdhënie të frytshme me Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

       Qeveria shqiptare, në statusin e vëzhguesit në konferencën Panislamike, synon zhvillimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve me ato vende arabe që angazhohen në zhvillimin e demokracisë.

       Për sa i përket Serbisë dhe Malit të Zi vullneti ynë i mirë dhe dëshira për marrëdhënie normale mund të realizohen kur këto të pushojnë represionin dhe dhunën ndaj popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta në ish-jugosllavi, nën juridiksionin e tyre, dhe do të njohin të drejtën e shprehjes legjitime të vullnetit politik të kësaj pjese të kombit shqiptar.

       Me Republikën e Maqedonisë jemi për marrëdhënie të mira, por këto kushtëzohen nga respektimi i të drejtave dhe i vullnetit të kombit shqiptar në këtë republikë.

       Qeveria shqiptare do të ketë në qendër të vëmendjes veprimtarinë për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve që banojnë në trojet e tyre në ish-Jugosllavi, duke u mbështetur në shembujt e krijuar deri tani nga qytetërimi evropian. Duke njohur Republikën e Kosovës dhe qeverinë e saj të ligjshme, ne do të angazhohemi për zgjidhjen e kësaj çështjeje në rrugën e dialogut dhe të mjeteve paqësore në përputhje me parimin e vetëvendosjes.

       Qeveria është e vetëdijshme se pa ndryshime të ndjeshme në fushat e arsimit, të kulturës, të arteve dhe të kërkimeve shkencore, nuk mund të kemi një kthesë reale në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Kjo si në planet afatshkurtër e të mesëm, ashtu dhe në planet e zhvillimit perspektiv të vendit.

       Qeveria do të sigurojë realizimin brenda një kohe sa më të shkurtër të reformës arsimore, si dhe depolitizimin e demokratizimin e gjithanshëm të shkollës në të gjitha nivelet. Një gjë e tillë do të kërkojë pa tjetër rikonceptimin e planeve, të programeve dhe të teksteve mësimore. Gjithashtu, do të punohet për një legjislacion të ri për shkollën, mbi bazën e strukturave të reja të saj, si dhe për riaftësimin dhe rikualifikimin e punonjësve të tjerë. Për të realizuar këto synime do të rriten kompetencat e shkollave për pranimet në to mbi bazën e aftësisë, duke iu dhënë shanse të njëjta të gjithë të rinjve.

       Qeveria do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë përmirësimit të kushteve të jetesës së studentëve, si dhe do të luftojë për të siguruar mundësi më të mëdha për studimin e tyre jashtë shtetit.

       Krahas shkollave të sistemit shtetëror, do të përkrahim edhe iniciativën private në financimin e shkollave.

       Detyrë urgjente e parësore do të jetë, gjithashtu, botimi i teksteve të reja, nëpërmjet kombinimit të shtypjes së tyre në vend dhe të diferencës jashtë vendit, në kuadrin e ndihmave e të asistencës.

       Në programin e vet, për të mbështetur kërkimin e zhvillimin, Qeveria është për një konceptim të ri të vendit dhe të rolit të shkencës në përparimin e shoqërisë shqiptare. Është e domosdoshme që sa më shpejt qëllimet, strukturat dhe organizimi i kërkimeve shkencore t’i përshtaten proceseve sociale e ekonomike të tregut. Do të hartohet ligji për shkencën dhe statusin e studiuesit, si dhe do të bëhen subvencione në varësi nga të ardhurat kombëtare.

Do të nxiten individualitetet, do të stimulohen me përparësi talentet dhe do të luftohet për afirmimin e personaliteteve të shkencëtarëve si brenda vendit, ashtu edhe në kuadër ndërkombëtar, nëpërmjet shkëmbimeve dhe kontakteve të lira e pa asnjë kufizim.

       Veprimtaria kërkimore-shkencore do të konsiderohet e pandarë nga procesi i mësimdhënies në shkollat e larta. Me pjesëmarrjen aktive të institucioneve kërkimore e të universiteteve në projektet e përbashkëta evropiane e amerikane, duhet të arrijmë në afirmimin dhe ekuivalentimin e specialistëve tanë me ata të huaj.

       Kultura dhe artet nuk do të jenë më ndihmës të partisë në edukimin komunist të njerëzve. Qeveria do të punojë që ato të marrin sa më tepër karakter human e kombëtar, duke ruajtur vlerat e trashëguara e duke stimuluar e subvencionuar krijimtarinë e re. Një kuadër i plotë e modern ligjor do të mbështesë krijimtarinë e të gjitha fushave.

       Rinia e talentuar do të trajtohet me përparësi. Qeveria do të përpiqet që jeta kulturore, artistike e sportive të rigjallërohet e të zërë vendin e duhur në botën shpirtërore të njerëzve, duke i hapur asaj edhe hapësira evropiane nëpërmjet shtimit të kontakteve.

       Të gjithë jemi të njohur me gjendjen jashtëzakonisht të vështirë e dramatike të shërbimit shëndetësor, me mungesat e mëdha në medikamente e aparatura dhe dëmtimet e tyre. Kohët e fundit, këto, me vështirësi e në mënyrë të parregullt, janë plotësuar nëpërmjet ndihmave për disa sektorë, ndërkohë që disa të tjerë janë paralizuar plotësisht.

       Qeveria do të punojë për ngushtimin e dallimeve ndërmjet zonave të ndryshme të vendit, ndërmjet fshatit e qytetit, për rritjen e nivelit të shërbimit mjekësor etj. Për këtë do të përgatitet një legjislacion që të sigurojë një decentralizim të bazuar në sigurimet shëndetësore dhe të mundësojë iniciativën private. Një masë tjetër e rëndësishme do të jetë ristrukturimi i strukturave shëndetësore, duke i rajonalizuar ato. Për të realizuar këto, po bashkëpunohet me OBSH, Bankën Botërore etj, si dhe po bëhen negociata për sigurimin e mbështetjes financiare për këtë reformë shumë komplekse e të nevojshme. Qeveria do të punojë për krijimin e legjislacionit të plotë për punën dhe përkrahjen sociale me dimensione humane në përputhje me marrëdhëniet e reja ekonomike e sociale. Do të mbahet në qendër të vëmendjes organizimi i emigracionit ekonomik, duke ndërhyrë menjëherë në organizmat e specializuar dhe vendet mike.

       Qeveria, duke vlerësuar si një problem parësor çështjen e të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë, do të krijojë strukturë të veçantë dhe plane të veçanta ndërhyrjeje për të përmbushur kërkesat legjitime të tyre, strehim, punësim, zhdëmtim, pensione e shkollim të fëmijëve.

       Një detyrë e rëndësishme e shtetit demokratik është krijimi i mekanizmave efikase për kontrollin e të ardhurave dhe të shpenzimeve në fushën e administratës shtetërore. Në këtë kuadër, konceptimi i ri i komisionit të kontrollit të Shtetit, i objektit të veprimtarisë së tij dhe i varësisë e i funksioneve do të jetë një objektiv i afërt i punës së qeverisë. Veprimtaria e tij do të mbështesë reformën ekonomike në ato aspekte ku kërkohet më shumë kontrolli e ndërhyrja e shtetit. Objekt i veprimtarisë së tij do të jetë, gjithashtu, kontrolli i zbatimit të dispozitave ligjore, që kanë të bëjnë me politikën fiskale e atë doganore nga organizmat përkatës.

       Qeveria i kushton vëmendje të madhe mbrojtjes së vendit dhe do të punojë që Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë të ngrihen në nivelin e ushtrive evropiane nëpërmjet një reformimi tërësor, që do të ketë si synim përputhjen e plotë të strategjisë dhe organizimit të tyre me ndryshimet politike, ekonomike e sociale të vendit. Reforma do të parashohë ndryshimin e drejtimit në të gjitha strukturat, ushtria do të përqendrohet, do të bëhen të përballueshme shpenzimet, do të ristrukturohet sistemi i edukimit dhe do të përsoset ai, duke u vënë në baza të reja ligjore ruajtja e kufijve të Republikës së Shqipërisë.

       Qeveria, si të gjithë forcat politike të vendit dhe populli ynë gjykon se vendosja e rendit publik është vendimtare për vendosjen e demokracisë dhe fillimin e reformave.

       Por ne jemi të bindur se vendosja e rendit publik i shërben edhe reformimit të sistemit të drejtësisë. Në këtë fushë do të bëhet ristrukturimi i plotë i organeve të drejtësisë dhe konceptimi i tyre sipas standardeve më të përparuara botërore. Pjesë përbërëse e këtij ristrukturimi do të jetë edhe spastrimi i këtyre organeve nga punonjësit e paaftë, të pandërgjegjshëm e të papërshtatshëm, freskimi i kuadrit me juristë të rinj, me koncepte e mendësi të reja, me formim të shëndoshë bashkëkohor, shkencor, me kulturë, edukatë dhe disiplinë të re demokratike.

       Gjendja aktuale e vendit dhe e ekonomisë

       Periudha prej një viti e gjysmë ka qenë jo vetëm periudha e ndryshimeve më të rëndësishme politike në historinë e Shqipërisë të këtij shekulli, por fatkeqësisht edhe periudhë e një shkatërrimi tragjik të ekonomisë e pasurisë së këtij vendi të varfëruar, periudhë e shoqëruar me çorganizime shqetësuese të shoqërisë e të shtetit.

       Komunizmi shqiptar, më fanatiku dhe i pa reformuari i të gjitha vendeve të Evropës Lindore, mbeti i tillë edhe pas ndryshimeve rrënjësore demokratike që ndodhën vitet e fundit në këtë pjesë të botës. Mund të themi pa ngurrim se ai mbeti po aq antihuman e antikombëtar edhe pas fillimit të proceseve demokratike të nisura në dhjetor të vitit 1990. Kokëfortësia absurde e përfaqësuesve të vjetër e të rinj të këtij regjimi, për të mbajtur me çdo çmim pushtetin politik, kundërshtimi agresiv kundër forcave opozitare demokratike i çoi ata deri në aktin më antisocial sabotimin e hapur a të fshehur të shtetit, shkatërrimin e paralizimin e plotë të tij, ngjalljen e anarkisë, të kaosit e të dëshpërimit te njerëzit. Ky ishte haraçi i fundit që shqiptarët i paguan sistemit komunist enverian, por jo më pak i dhimbshëm e tragjik. Synimi i këtyre strategëve të së keqes ishte i qartë, demokracia të paraqitej si kaos, liria e individit si anarki, ekonomia e individëve të lirë si varfërim total i shumicës dhe pasurim pa kufi i disave, zhdukja e shtetit komunist si mohim i shtetit në vetvete

       Pasojat e kësaj strategjie sot janë të dukshme e tepër të ndjeshme. Shteti shqiptar është tepër i dobët, ose më saktë, ai është thuajse i paralizuar në të gjitha funksionet e tij. Shkatërrime kolosale i janë bërë pasurisë kombëtare, janë dëmtuar e shkatërruar shkolla, çerdhe fëmijësh, spitale, rrjeti telefonik e energjetik, ujësjellës, kanale, depo, stalla, zyra e fabrika, janë vjedhur e grabitur magazina me sasi të pallogaritshme mallrash, pajisje e makineri, bagëti etj. Nga një llogari e përafërt shuma e humbjeve dhe e dëmtimeve të drejtpërdrejta të kryera mbi pasurinë tonë kombëtare arrin në disa miliarda lekë, shifër kjo që nuk është larg dëmeve kombëtare të pësuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

       Elementi i parë e më aktiv i kryerjes së këtyre akteve qenë shërbyesit më fanatikë të regjimit komunist, të cilët nxitën, organizuan a provokuan këtë valë shkatërrimesh. Këtij detashmenti të fshehur iu bashkëngjit dhe tërë elementi asocial i kriminelëve, hajdutëve e shkelësve të ligjit, të krijuara gjatë viteve të errëta të regjimit. Por, fatkeqësisht, duhet pranuar se me forcën shkatërruese u bashkuan me mijëra njerëz, të cilët pasiguria e dëshpërimi i shtynë të marrin pjesë në këto akte shkatërruese.

       Rendi publik dhe siguria e qytetarëve është cenuar rëndë. Askush nga ne nuk do të dëshironte që ardhja e demokracisë aq të shumëpritur të shoqërohej me rritjen e menjëhershme të kriminalitetit, të vagabondazhit e të banditizmit. Por, gjithkush duhet ta kuptojë drejt se këto dukuri të hidhura më tepër se produkte të demokracisë që po lind, janë rezultate të drejtpërdrejta të komunizmit që po vdes.

       Një indisiplinim social vihet re kudo, si në mosrespektimin e ligjit, të organeve e nëpunësve që e ekzekutojnë atë, në kundërshtimin e çdo autoriteti të ligjshëm dhe në moskryerjen e punës e të detyrave të shtetit. Në vendet publike rrugë, lokale, autobusë etj veprojnë haptazi vagabondë që kërcënojnë edhe me armë jetën e qytetarëve. Grabitjet me armë në dorë të pronës private e shtetërore vazhdojnë të jenë një dukuri shqetësuese. Jo të pakta janë rastet e vrasjeve për hakmarrje e grindje. Kontrabanda në kufi po fillon të bëhet problem. Ndërtimet pa leje dhe zënia forcërisht e lokaleve janë shndërruar tashmë në një dukuri masive.

       Një plagë jo më pak e dhimbshme është edhe korrupsioni e spekulimi zyrtar a privat. Mungesa e veprimit të organeve shtetërore përkatëse dhe e ligjeve të përshtatshme antikorrupsion krijuan terrenin e pasurimit të paligjshëm të matrapazëve, kontrabandistëve, të mjaft nëpunësve e zyrtarëve që spekuluan me kompetencat shtetërore, si dhe të disa drejtuesve ndërmarrjesh e institucionesh të tjera.

       Firma private e persona të huaj të një natyre të dyshimtë po ndeshen gjithnjë e më shpesh në mjediset tona. Këta “pionierë” të spekulimit e kriminalitetit ndërkombëtar kanë infiltruar deri në Veprimtari e afarizma të dyshimta, të pandershme e, pse jo, të rrezikshme.

       Mungesa e ligjit dhe moszbatimi korrekt e me drejtësi i tij, mosveprimi e paraliza e organizmave të shtetit nuk mund të tolerohet më tej. Anarkia dhe të gjitha dukuritë asociale që e shoqërojnë atë, janë madje edhe më të dhimbshme sesa vetë varfëria ekonomike që po përjetojmë.

       Ekonomia shqiptare tani është në kushtet më të rënda që është ndodhur ndonjëherë që nga periudha e pasluftës. Gjatë vitit 1991 ekonomia punoi afërsisht në gjysmën e kapacitetit të saj dhe prodhimi e shërbimet ranë kudo në nivelin deri 50 për qind të asaj që u prodhua në vitin 1990. Në rreth 300 kombinate e ndërmarrje që ka sektori i industrisë, janë aktivizuar me prodhim të plotë e të pjesshëm vetëm gjysma e tyre, por edhe në to nivelet e prodhimit janë tepër të ulëta. Në këto dy vjetët e fundit prodhimi i naftës dhe i gazit është pakësuar rreth 45 për qind, i mineralit të kromit rreth 60 për qind, i bakrit 70 për qind, i qymyrgurit 50 për qind, industria e lehtë rreth 60 për qind etj. Rënia e prodhimit bujqësor për vitin 1991 vlerësohet rreth 1.8 miliardë lekë. Rëniet në vëllimin e transporteve janë edhe më të thella. Hekurudha është thuajse e paralizuar. Transporti i udhëtarëve me hekurudhë funksionon vetëm me kapacitet 30 për qind. Investimet ranë në nivelin e para 15 vjetëve. Me eksportin e realizuar në vitin 1991, i cili ishte në kuotën më të ulët dekadën e fundit, u mbulua vetëm 47 për qind e importeve, kurse pjesa tjetër u mbulua me kredi afatshkurtër nga jashtë. Si pasojë e rënies drastike të prodhimit, të papunët e regjistruar arritën në afro 9 për qind të punonjësve të sektorit shtetëror të ekonomisë, kurse të papunët që u paguan me 30 për qind të pagës së tyre, arritën në 114 mijë veta. Inflacioni në këto kushte thelloi ngjitjen e vet, e cila po vazhdon edhe sot. Në vitin 1991 rritja e çmimeve ndaj vitit 1990 është regjistruar mesatarisht 104 për qind. Në tremujorin e parë të këtij viti niveli mesatar i çmimeve vazhdoi të rritet afro 15 për qind në muaj. Rritja e pagave 50-70 për qind dhe akordimi i kredive në mënyrë të pakontrolluar, ndërkohë që vëllimi i prodhimit e i shërbimeve ka rënë së tepërmi, e rriti në përmasa të papara masën e monedhës në qarkullim. Gjatë periudhës 7-mujore (shtator 1991 – mars 1992) Banka e Shtetit Shqiptar ka qenë e detyruar të hedhë në treg dy herë më shumë para. Si pasojë leku ynë po zhvleftësohet me shpejtësi të madhe. Aktualisht po përjetojmë antipodin e ligjeve ekonomike, mungesë prodhimi dhe rritje pagash, që rrit më shumë çmimet e për pasojë niveli i jetesës po ulet shumë. Luhatjet e shpeshta e të forta të inflacionit bëjnë që investitorët e brendshëm e të huaj të ngurrojnë dhe kështu investitorët do të vonohen.

Financat e shtetit po kalojnë periudhën më të rëndë. Borxhi i jashtëm afatshkurtër arriti në 500 milionë dollarë. Detyrimet e pakthyeshme nga ndërmarrjet shtetërore ndaj Bankës së Shtetit gjatë vitit 1991 vlerësohen mbi 3 miliardë lekë. Deficitet e rezultuara në Buxhetin e Shtetit gjatë vitit 1991 llogariten rreth 5,5 miliardë lekë, kurse në fund të tremujorit të parë të vitit 1992 u shtuan edhe rreth 4 miliardë lekë të tjera.

       Mbledhja e të ardhurave të buxhetit, sidomos nga ndërmarrjet shtetërore, po bëhet dramatike. Në tremujorin e parë të këtij viti u arrit të grumbullohen vetëm 37 për qind e nivelit të planifikuar të të ardhurave të buxhetit. E thënë ndryshe kjo shumë nuk do të mjaftonte as për të mbuluar qoftë edhe pagat e punonjësve të shëndetësisë, të kulturës e të arsimit, e jo më shpenzimet e tjera të nevojshme të shtetit.

       Zonja e zotërinj,

       Tabloja e paraqitur nuk ka nevojë për komente. Ajo është tepër e rëndë e tragjike. Pak kombe në botë ndodhen, në fund të këtij shekulli të progresit e të civilizimit, në një situatë kaq të vështirë sa vendi ynë. Na duhet të përballojmë e të mundim krizën e varfërinë e thellë dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Por ky kapërcim bëhet edhe më i Vështirë, kur kujtojmë se për të realizuar atë do të na duhet që në të njëjtën kohë të ndërtojmë e të riformojmë thuajse gjithçka: ekonominë në gjithë strukturat komplekse të saj, shtetin dhe mekanizmat e domosdoshëm të tij, sistemin e arsimit e të edukimit, botën tonë shpirtërore e kulturore e, pse jo, edhe mendësinë e psikologjinë sociale.

       Kjo është një ndërmarrje vigane, që kërkon energji, forcë e durim. Në këtë përpjekje duhet të derdhet kontributi e sakrifica e çdo individi, që nga qytetari i thjeshtë e deri te politikanët e qeveritarët tanë.

       Masat urgjente për stabilizimin social e ekonomik të vendit.

       Masat për vendosjen e rendit publik.

       Dy janë sot armiqtë më të rrezikshëm të demokracisë sonë të re: kriza ekonomike dhe prishja e rëndë e rendit publik. Njerëzit kanë humbur qetësinë, sepse krimi e shkelja e ligjit janë bërë dukuri të hapura e të shpeshta.

       Pjesa e shëndoshë e forcave të rendit ka bërë përpjekje të mëdha për përmirësimin e gjendjes, me gjithë kushtet e papërshtatshme materiale, teknike e të jetesës që lënë për të dëshiruar. Ka raste shembullore të përpjekjeve të tyre, deri në flijim të jetës.

Megjithatë janë të pamohueshme edhe rastet e veprimeve të mefshta e të paafta në zbatimin e ligjit për mbrojtjen e jetës e të pasurisë së qytetarëve. Edhe ato pak raste, kur janë zbuluar autorët e krimit, mungesa e një bashkëveprimi në veprimet ndërmjet policisë, hetuesisë dhe gjykatës ka. bërë që ligji të mos zbatohet deri në fund.

       Qeveria jonë, në emër të demokracisë dhe të popullit, nuk do ta lejojë më këtë gjendje të padëshiruar në rendin publik. Për kriminelin, hajdutin, kontrabandistin e spekulantin masat do të jenë të rrepta dhe ligjet të ashpra. Përndryshe krimi do të bëhet varrmihësi i demokracisë. Disa nga masat që mendojmë të ndërmarrim për përmirësimin e shpejtë të gjendjes, janë:

  1. Rritja e efikasitetit të punës së forcave të rendit e të hetuesisë, nëpërmjet sigurimit të një mbështetjeje të gjerë morale nga popullsia e shteti dhe, nga ana tjetër, rritja e kontrollit të zbatimit të detyrave, si në linjë shtetërore, ashtu edhe nga populli. Do të vendosen numrat e identifikimit të policisë, do të ngrihen komisionet ndërdikasteriale të kontrollit shqyrtimit, do të stimulohen njerëzit që punojnë dhe do të dënohen ata që nuk veprojnë ose pengojnë.
  2. Rikonstruktimi i organizmave të Ministrisë së Rendit Publik, që të shfrytëzohen sa më me efikasitet forcat njerëzore dhe teknike. Ky rikonstruksion do të bëhet në dikaster dhe në bazë, i shoqëruar me detyra të përcaktuara për çdo hallkë. Do të plotësohet e përmirësohet kuadri ligjor në mbështetje të vendosjes së rendit.
  3. Bashkërendimi i punës mes policisë, hetuesisë, gjykatës e prokurorisë, që goditja ligjore ndaj keqbërësve të finalizohet. Periodikisht do të bëhen takime për bashkërendimin e punëve mes drejtuesve të dikastereve në qendër dhe atyre përkatës në bazë.
  4. Përshtatja e procedurave moderne në Veprimet e policisë, hetimit e gjykimit, mbi bazën e përvojës së vendeve të përparuara evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
  5. Decentralizimi i forcave të vendosjes së rendit, duke kaluar një pjesë të detyrave e të të drejtave nga dikasteri në bazë.
  6. Lidhja e ngushtë me policinë e vendeve fqinje dhe të përparuara për të koordinuar bashkërisht Luftën kundër kriminalitetit, si dhe për t’u ndihmuar nga ana materiale e shkencore.

       Qeveria ka besim se, me zbatimin e këtyre masave, brenda disa javëve do të ndihen efektet dhe, brenda disa muajve, do të arrihet në reduktimin drastik të dukurive të sotme shqetësuese.

 Me përfshirjen e vendit në rrugën e ekonomisë së tregut vërehet një shtim i korrupsionit nga organet e administratës ekonomike e shtetërore, çka vë përpara qeverisë detyrën e evidentimit të rasteve të shkeljes së ligjeve e të normave shtetërore dhe të vënies përpara përgjegjësisë të fajtorëve. Qeveria do të marrë masa për shpërqendrimin, pra ndarjen më mirë në strukturat e veta të veprimtarive që lidhen me investimet, kontratat, marrëveshjet, si dhe do të vendosë rregulla kundër monopolizimit të veprimtarisë ekonomike e të përfitimeve të padrejta që nxirren prej tyre.

       Qeveria do të luftojë korrupsionin në të gjitha nivelet. Ne gjithashtu, do të hetojmë dhe do të bëjmë një rivlerësim konform ligjeve të të ardhurave e pasurive të pushtetmbajtësve të djeshëm dhe të funksionarëve të periudhës së tranzicionit nëse, ato janë siguruar në mënyrë të ligjshme apo jo, duke shfrytëzuar postin zyrtar.

       Përpjekjet tona për të vendosur ekonominë e tregut në Shqipëri do të dështonin, nëse nuk do të marrim masa të rrepta dhe imediate për të vendosur nën kontroll situatën fiskale e monetare.

  1. Politika fiskale

       Nga pikëpamja fiskale do të ndërmerren masat që vijojnë, për të ulur shpenzimet e buxhetit. Së pari, shumica e subvencioneve të çmimeve do të mënjanohen dhe ato që do të mbeten do të jenë subjekt i një kufiri të përcaktuar buxhetor. Së dyti, subvencionet shtetërore për ndërmarrjet, gjithashtu, do të jenë subjekt i një kufiri buxhetor absolut dhe subvencionet do t’u kalohen degëve me përparësi më të lartë, veçanërisht në krijimin e infrastrukturës themelore të nevojshme për prodhimin, si transporti, telekomunikacioni, ujitja etj. Shpenzimet jothemelore për mbrojtjen, sigurimin e brendshëm, punët e jashtme dhe administratën shtetërore do të pakësohen dukshëm sikurse edhe shpenzimet për investime, të cilat do të drejtohen në degët me përparësi të lartë dhe në industrinë çelës, si kromi e nafta. Riorganizimi i gjithë aparatit shtetëror administrativ, nga ai qendror e deri tek ai në rrethe, do të shoqërohet me një shkurtim të ndjeshëm të organikave.

       Qeveria do të përpunojë me shpejtësi skemën praktike të heqjes së pagesës me 80%, e cila ishte katastrofë e vërtetë për vendin tonë. Asnjë logjikë ekonomike ose sociale nuk do të dëshmonte në favor të këtij 80% shkatërrues, që çuditi botën për ”origjinalitetin” e vet. Duke hequr këtë mënyrë pagese, ne synojmë të sigurojmë alternativa të ndryshme, duke u udhëhequr nga koncepti që punëtorëve t’u jepet mundësia për t’u futur në punë produktivë.

       Shumë ndërmarrje shtetërore do të jenë të detyruara të largojnë fuqinë punëtore të tepërt për të mbijetuar. Qeveria pranon nevojën e një sistemi të asistencës sociale për të papunët, për ata që ndeshen me vështirësi të jashtëzakonshme gjatë periudhës së tranzicionit ekonomik. Por kostoja totale e sistemit të ri të asistencës sociale do të kufizohet në mundësitë që kemi sot. Punëtorët që janë me të vërtetë të papunësuar, do të transferohen në sistemin e ri të asistencës sociale. Kështu ndërmarrjet që kanë punuar dikur, do të mund të ristrukturohen, të shiten ose të mbyllen. Kjo, pa dyshim, do të rezultonte me mbylljen e përhershme të shumë ndërmarrjeve që nuk mund të mbijetojnë dhe, si pasojë, shumë punëtorë do të humbasin punën. Megjithatë, nuk ka asnjë kuptim ekonomik ose financiar që të zgjatet jeta e ndërmarrjeve që nuk kanë të ardhme në ekonominë e tregut. Në qoftë se ne do të provojmë qenien e mëtejshme të këtyre dinozaurëve të mbetur nga epoka komuniste, atëherë ekonomia e tregut do t’i tregojë me vonesë frytet e saj.

       Qeveria do të punojë për të formuar sa më shpejt administratën tatimore, me qëllim që të ardhurat të vilen në kohën e duhur dhe në masën që do të krijohen. Pa paguar rregullisht tatimet, pa rritur të ardhurat nga to, qeveria nuk do të ketë mundësi ta zbusë deficitin buxhetor dhe as të bëjë shpenzimet e nevojshme në dobi të popullit. Tatimet janë çmimi i qytetarisë për një shoqëri bashkëkohore. Në analizë të fundit qeveria mund të shpenzojë vetë aq sa mund të mbledhë si të ardhura, ose mund të financojë me anë të huamarrjes. Dhe pikërisht tani, marrja e kredisë shtetërore sa vjen e vështirësohet më shumë, për shkak të bazës së vogël dhe të paqëndrueshme të të ardhurave të buxhetit.

  1. Politika Monetare

       Praktika e financimit të deritanishëm të deficitit buxhetor nga Banka e Shtetit pa asnjë kufizim ka shtuar së tepërmi mjetet likuide në sistemin monetar dhe është bërë, për pasojë, një nga faktorët përgjegjës për rritjen e inflacionit. Prandaj, shteti nuk mund të vazhdojë të marrë kredi pa limit nga banka. Kufizimi i kreditit do të çojë në pakësimin e ndjeshëm të këtij burimi financimi, çka do të ndikojë në uljen e deficitit fiskal. Gjithashtu, ndërmarrjet shtetërore do ta financojnë vetë veprimtarinë e tyre ekonomike si nëpërmjet të ardhurave që sigurojnë, ashtu edhe nëpërmjet kredive që mund të marrin nga bankat tregtare.

       Qeveria jonë nuk do të vazhdojë më tej t’u bëjë presion bankave për financimin e deficiteve të ndërmarrjeve të falimentuara, ose të japë kredi jo mbi baza ekonomike. Në këtë mënyrë Banka e Shtetit Shqiptar do të jetë zyrtarisht e ndarë në sistemin bankar dyshkallësh edhe nëpërmjet vendosjes, siç u tha më sipër, të legjislacionit të ri.

  1. Politika e pagave dhe e çmimeve

Politika e liberalizimit të çmimeve, si një masë antiinflacioniste që do të ndërmarrë qeveria, u trajtua me paraqitjen e programit të reformës. Por, për të mbështetur luftën tonë kundër inflacionit, ne duhet, gjithashtu, të zbatojmë një politikë strikte pagash. Çmimet në Shqipëri tani janë më të larta, se sa kanë qenë më parë, por ne nuk mund të vazhdojmë më tej të qëndrojmë në situatën kur pagat janë rritur më shpejt se prodhimi i ekonomisë sonë. Pa i rregulluar pagat me prodhimin real të ekonomisë sonë, inflacioni do të vazhdojë të jetë i pamatshëm. Qeveria u kërkon sindikatave dhe gjithë punëtorëve ta pranojnë këtë fakt ekonomik të jetës. Politika jonë e pagave do të ketë dy pjesë kryesore, të cilat do të prekin gjithë punonjësit e sektorit shtetëror.

E para, qeveria jonë është e ndërgjegjshme se ajo do të ndeshet shpejt me kërkesën për një rritje në masë të pagave. Për çdonjërin nga ne që jeton në këtë nivel të veçantë varfërie, kërkesa për rritje pagash është njerëzore e jetike. Askush nuk e dëshiron të vazhdojë më gjatë varfëria e djeshme dhe e sotme. Rritja e mirëqenies sot nuk mund të arrihet nëpërmjet rritjes fiktive të pagave, por vetëm nëpërmjet rritjes së prodhimit e të efektivitetit. Duhet të bëhet e qartë se çdo rritje nominale e pagave, për sa kohë që prodhimi kombëtar është në rënie, sjell drejtpërsëdrejti vetëm një rritje më të shpejtë e më të madhe në nivelin e çmimeve. Sa më shumë ta tolerojmë këtë dukuri, aq më gjatë do të vazhdojë rritja e inflacionit dhe aq më tepër do të rëndohet gjendja e popullsisë. Qeveria angazhohet të ndërhyjë në rregullimin e strukturës së pagave në sektorët buxhetorë, në atë masë që do ta lejojnë burimet e saj buxhetore.

E dyta, ndaj ndërmarrjeve shtetërore shteti si pronar ka të drejtë të ndërhyjë, por brenda rregullave të lojës që lejon ekonomia e tregut. Nga ana tjetër, ndërmarrjeve shtetërore do t’u lejohet ta përcaktojnë vetë pagën e punëtorëve individualë, sikurse edhe nivelin e punësimit, por kjo në varësi nga të ardhurat e ndërmarrjes, pa burime shtesë nga buxheti i shtetit ose nga kreditë.

  1. Politika valutore

Qeveria do të nxisë konvertibilitetin e monedhës. Me përgatitjen e ligjit të valutës, i cili do të paraqitet së shpejti në Parlament, të gjitha bankat dhe subjektet e autorizuara do të lejohen të blejnë e të shesin valuta të huaja me kurset e këmbimit që do të përcaktohen në tregun e valutës. Kjo do të çojë në aktivizimin e mekanizmave që sistemi i tanishëm i këmbimit nuk i ka përdorur. Duke vendosur një kurs këmbimi që rregullohet lirisht nëpërmjet tregut, do të arrihet në unifikimin e tregjeve të këmbimit të monedhës, ku si pasojë nuk do të ketë kurs ”zyrtar” ose kurs të “lirë”. Banka Qendrore do të blejë valutë në këtë treg për të plotësuar nevojat qeveritare. Konvertimi vullnetar i valutës në lekë do të inkurajohet nëpërmjet politikave ekonomike të interesit të ndjekura nga bankat. Ndërkohë, do të jetë e kontrolluar dalja e valutës së huaj jashtë vendit.

  1. Mbështetja e huaj

       Programi i stabilizimit financiar përmban masa të ashpra e të rrepta dhe kërkon besim e mbështetje nga e gjithë popullsia.

Si Kryeministër i Qeverisë së Re Demokratike, do të doja të thosha se suksesi i këtij programi është në duart tona. Është detyra ime si Kryeministër t’ju them se Qeveria do të jetë transparente në veprimet e saj. Transparenca e Qeverisë dhe mbështetja e popullsisë janë kushte kryesore të suksesit tonë. Stabilizimi dhe zhvillimi i ekonomisë janë të sigurta, por rruga do të jetë më e vështirë, nëse nuk do të zbatohen dy kushtet e mësipërme.

       Këtë muaj ne do të kemi diskutime me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar për programin e stabilizimit dhe ristrukturimit të ekonomisë që ne po hartojmë. Ky program do të përfshijë masa të forta, të cilat i përmenda më sipër, sikurse edhe një plan për të përmbledhur ripagimin e të gjitha borxheve tona ndaj kreditorëve të huaj. Suksesi i këtij programi do të ndihmojë në rivendosjen e kredibilitetit të Shqipërisë në sytë e komunitetit financiar ndërkombëtar dhe mund të hapë dyert për kredi të reja nga jashtë, për të cilat në kemi aq shumë nevojë. Së shpejti do të përfundojmë bisedimet e Bankës Botërore për një kredi për importet kritike në lëndë të para, materiale ndihmese e të tjera, për nevojat më urgjente të disa sektorëve të ekonomisë sonë, si bujqësia, energjetika e transporti. Kjo kredi është ofruar në kushte shumë lehtësuese.

Do të synojmë që projektet e filluara me Bankën Evropiane për rindërtim dhe zhvillim të përfundojnë sa më shpejt. Pas hartimit të projekteve të zhvillimit në fushat tepër të rëndësishme, si turizmi, telekomunikacioni, sektori i minierave, sektori bankar etj, do të punohet që të fillojë sa më shpejt financimi, ku Banka Evropiane do të marrë pjesë si palë. Qeveria do t’i kushtojë vëmendje të veçantë marrëveshjeve dypalëshe me shtete të ndryshme. Shumë prej tyre, të filluara e të lëna në mes të rrugës, do të përpiqemi t’i realizojmë sa më shpejt, duke u mbështetur edhe në dëshirën e mirë që vëmë re te partnerët tanë. Marrëveshjet e diskutuara me Italinë dhe Gjermaninë jemi optimistë se do të gjejnë konkretizim së shpejti. Veçanërisht e ndjeshme ka qenë ndihma e Italisë, Komunitetit Evropian, SHBA-së, Turqisë etj. Qenia jonë në Evropë bën që interesat tona të jenë të lidhura me ato të Komunitetit Evropian, prandaj Qeveria e mbështet fuqimisht programin e saj në përkrahjen dhe bashkëpunimin me Evropën.

Më lejoni t’ju them se miqtë tanë në botë i dinë vështirësitë e pazakonta, me të cilat po ndeshemi dhe kanë qenë bujarë me ndihmën e tyre. Ne i falënderojmë ata për këtë dhe iu kërkojmë që të vazhdojnë të na mbështesin dhe, nëse do të jetë e mundur, edhe ta rritin ndihmën e tyre financiare, për ta lehtësuar ekonominë tonë në këtë periudhë tranzicioni. Shqipëria dëshiron të bëhet një partnere aktive tregtare në komunitetin ndërkombëtar, prandaj ne i ftojmë investitorët e huaj të shqyrtojmë mundësitë për investime në vendin tonë. Në kemi pasuri të shumta natyrore, një fuqi punëtore relativisht të përgatitur profesionalisht dhe me kosto të ulët, kemi potenciale shumë të mëdha për turizëm dhe një vendndodhje strategjike shumë pranë tregjeve ndërkombëtare. Është veçanërisht e domosdoshme, në këtë periudhë të vështirësive të mëdha ekonomike, të kuptojmë se të tjerët do të na ndihmojnë seriozisht dhe efektivisht vetëm kur të shohin se ne i jemi kthyer sërish punës dhe po i rivëmë në funksionim kapacitetet tona. Lufta politike kundër komunizmit mbaroi. Tani fillon përpjekja e madhe për ringjalljen e ekonomisë. Sindikatave dhe gjithë punonjësve qeveria u kërkon që bashkëpunimin e fuqishëm moral e politik që u krijua gjatë luftës për rrëzimin e komunizmit, ta vazhdojmë edhe në këtë fazë të re historike, po kaq të rëndësishme për fatet e Shqipërisë. Me këtë Qeveria e Re Demokratike nuk u kërkon sindikatave të heqin dorë nga lufta e tyre ekonomike për të mbrojtur interesat e punonjësve, por t’i bëjnë një opozitë konstruktive kësaj qeverie, e cila në kushtet që po e merr ekonominë e vendit ka nevojë për paqe sociale dhe partnerë të arsyeshëm. Administratës shtetërore qeveria i kërkon përpjekje të disiplinuara për të zbatuar politikën e Qeverisë me rigorozitet dhe në mënyrë krijuese. Popullit shqiptar qeveria i kërkon të ketë durim, pasi do të duhet disa kohë që të mënjanohen dëmet e shkaktuara nga sundimi 46-vjeçar komunist. Ajo që duhet bërë në Shqipëri është krijimi i një ekonomie tregu, për realizimin e të cilit qeveria që unë do të kryesoj, kërkon mbështetjen tuaj. Unë i propozova Presidentit të Republikës përbërjen e qeverisë, të cilën ai e miratoi me dekretin nr. 166, datë 13.04.1992. Në bazë të këtij dekreti, emërohet qeveria me përbërjen e mëposhtme:

  1. Nënkryetar i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit Rexhep Uka.
  2. Nënkryetar i Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Rendit Publik Bashkim Kopliku.
  3. Sekretar i Përgjithshëm Vullnet Ademi.
  4. Ministër i Financave dhe Ekonomisë Genc Ruli.
  5. Ministër i Punëve të Jashtme Alfred Serreqi.
  6. Ministër i Drejtësisë Kudret Çela.
  7. Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës Abdyl Xhaja.
  8. Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë Artan Hoxha.
  9. Ministër i Mbrojtjes Safet Zhulali.
  10. Ministër i Transporteve dhe Komunikacioneve Fatos Bitincka.
  11. Ministër i Ndërtimit, Strehimit dhe Rregullimit të Territorit Ilir Manushi.
  12. Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Ambientit Tritan Shehu.
  13. Ministër i Arsimit Ylli Vejsiu.
  14. Ministër i Kulturës,Rinise dhe Sporteve Dhimitër Anagnosti
  15. Ministër i Turizmit Osman Shehu.
  16. Ministër i Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe të Përndjekurve Politikë Dashamir Shehi.
  17. Kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë Maksim Konomi.
  18. Kryetari Komisionit të Kontrollit Blerim Çela.

Në emër të Qeverisë që ju paraqita, kërkoj votëbesimin tuaj.

Falemnderit!

Pjetër Arbnori – Pyetjet të paraqiten me shkrim.

Seanca tjetër do të fillojë në orën 15.

Seanca rifillon në orën 15:00.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi