Pensionet e pleqërisë 2013
Pensioni i pleqërisë në Republikën e Shqipërisë është një e ardhur e përfitueshme nga ata persona që kanë plotësuar periudhën e sigurimit dhe janë përkatësisht në moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Gjatë vitit 2013 kanë përfituar pensione pleqërie 160 980 meshkuj dhe 150 402 femra. Pra gjithsej 311 382 përfitues.
Në periudhën 1998-2013 numri i përfituesve të pensioneve të pleqërisë ka ardhur duke u rritur gradualisht, përveç viteve 2005-2006 ku ka pësuar një rënie prej 7 869 personash. Gjithsej në këto pesëmbëdhjetë vite numri i përfituesve të këtyre pensioneve është rritur me 21% ose thënë ndryshe me 53 607 persona.
Gjatë viteve 1998-2013 janë meshkujt ata që janë më të shumtë në numër sa i takon përfitimit të pensionit të pleqërisë. Megjithatë në vitet e fundit vërehet një zvogëlim i këtij hendeku, kjo ndoshta dhe për shkak të rritjes numrit të femrave në poste të rëndësishme pune. Hendeku më i madh meshkuj/femra përfituese paraqitet në vitin 2002 në të cilin numri i meshkujve është rritur ndjeshëm duke shënuar dhe numrin më të lartë të përfituesve meshkuj në gjithë harkun kohor në shqyrtim. E kundërta ka ndodhur me femrat, ato janë ulur ndjeshëm në numër. Kujtojmë që në këtë vit ka ndodhur një ulje graduale e moshës së daljes në pension.