Garancitë për sigurimin e kontrollit mbi administratën publike
Ligjshmëria është parim themelor i shtetit, që presupozon nga njëra anë ekzistencën e një legjislacioni sa më të plotë, nga ana tjetër, njohjen kuptimin e njëjtë, respektimin dhe zbatimin e përpiktë dhe të detyrueshëm të ligjeve në fuqi. Zbatimi i ligjshmërisë kërkon edhe njohjen e llojeve të ndryshme të garancive, të cilat ekzistojnë në vetë sistemin e administratës publike, por që edhe janë ndërtuar posaçërisht për sigurimin e zbatimit të ligjit.
Në një shtet demokratik garancitë për sigurimin e zbatimit të ligjshmërisë janë:
– Sistemi politik demokratik, i bazuar në pluralizmin, ekonominë e tregut dhe parimet e shtetit të së drejtës.
– Ndërtimi i shtetit mbi bazën e ndarjes së pushteteve legjislative, ekzekutive e gjyqësore si dhe funksionimi i tyre sipas parimit të kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre.
– Ngritja dhe funksionimi i një sërë organesh dhe i institucioneve të ndryshme shtetërore me detyrë që të ushtrojnë kontroll për zbatimin e ligjshmërisë.
– Zbatimi i parimit të transparencës në të gjithë veprimtarinë e administratës publike.
Organet që ushtrojnë kontroll për zbatimin e ligjshmërisë mund të klasifikohen sipas:
1. Sipas funksioneve që kryejnë:
a) Organe që krahas funksioneve të tjera, kryejnë edhe funksionin e kontrollit. Psh, kontrolli i kryeministrit ndaj ministrave.
b) Organe të posaçme, që merren kryesisht vetëm me këtë detyrë. Psh, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektoriatet e ndryshme.
2. Sipas gjërësisë së kompetencave të kontrollit:
a) Organe që kontrollojnë vetëm ligjshmërinë e akteve administrative. Psh, organet e gjykatës, Komisioni i Shërbimit civil
b) Organe që krahas ligjshmërisë, kontrollojnë edhe rregullsinë e të gjithë veprimtarisë administrative. Psh Kontrolli i ministrave ndaj drejtorive
3. Sipas ndërtimit të organeve të kontrollit:
a) Organe të kontrollit të brëndshëm. Psh, Drejtoria e auditit të brëndshëm në ministrinë e Financave
b) Organe të kontrollit të jashtëm. Psh, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Organet që kontrollojnë financat publike trajtohen më vehte në rastin e Financave Publike.