Kontrolli i Lartë i Shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSh) është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqiperisë, i cili në ushtrimin e kompetencave të tij i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Institucioni përkufizohet si një organ i depolitizuar dhe i departizuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përputhje me legjislacionin dhe standardet ndërkombëtare të kontrollit të përpunuar nga INTOSAI, kontrollon administrimin e pronës shtetërore dhe zbatimin e buxhetit të shtetit nga subjektet e përcaktuara me ligj. Kontrolli mbulon çështjet e rregullshmërisë, të administrimit financiar dhe vlerësues.
KLSh ka për objektiv kontrollin e përdorimit efektiv dhe të dobishëm të fondeve publike, miradministrimin financiar dhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë në fushën ekonomike e financiare. Objektivat e KLSh po ashtu përfshijnë dhe komunikimin dhe dhënien e informacionit autoriteteve publike dhe publikut në përgjithësi, nëpërmjet publikimit të raporteve të paanshme.
KLSH ka për detyrë të kontrollojë :
– veprimtarinë ekonomiko-financiare të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
– përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe vendor;
– veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve apo të aksioneve ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti;
– përdorimin e fondeve që iu janë dhënë nga buxheti i shtetit partive politike dhe shoqatave;
– mbikqyrjen e veprimtarisë së institucioneve të kontroll-revizionit të brendshëm shtetëror, përfshirë auditin e brendshëm;
– veprimtarine e subjekteve të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta.
Kontrolli Lartë i Shtetit raporton në Kuvend, ku paraqet raportin për zbatimin e buxhetit faktik duke përfshire konkluzionet e kontrollit dhe opinionin e vet, jep mendime për Raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar përpara se të miratohet në Kuvend, paraqet informacione për rezultatet e kontrollit të institucioneve publike, sa herë që kërkohet nga Kuvendi si dhe paraqet Raportin Vjetor të Veprimtarisë së tij.
Kontrolli i Lartë i Shtetit drejtohet nga Kryetari, i cili zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.