Avokati i Popullit: Të zbatohen urdhrat e gjykatave për mbrojtje për gratë e dhunuara
Botuar në Bota Sot, 27.10.2012
Avokati i Popullit me shqetësim po përcjell një situatë mjaft të rëndë të dhunës në familje, me viktima gratë dhe ngre shqetësimin se ngjarje të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për realitetin shqiptar.
`Nëpërmjet një deklaratë për mediat, Avokati i Popullit mbështet dhe përkrah të gjitha nismat e ndërmarra nga qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera shtetërore. Gjithashtu është në krah të përpjekjeve të mëdha të shoqërisë civile për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare dhe institucioneve shtetërore për situatën e dhunës ndaj grave.
`Avokati i Popullit mendon se është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë inisiativat e duhura kundër këtij fenomeni në mënyrë që të respektojë dhe plotësojë të drejtat themelore të grave dhe fëmijëve, si pjesë e të drejtave të njeriut.
`Avokati i Popullit konstaton se gjatë kësaj kohe ka patur një zgjerim të numrit të gjykatave që kanë lëshuar urdhra mbrojtjeje dhe urdhëra të menjëhershëm mbrojtje, për viktimat e dhunës në familje. Por për zbatimin e këtyre vendimeve të gjykatave nevojitet që strukturat e përmbarimit të marrin masa në mënyrë të menjëhershme.
`Avokati i Popullit vë re me shqetësim se procesi i dëmshpërblimit të gruas që ka pësuar torturë ose dhunë, ose forma të tjera të keqtrajtimit, në praktikë është i vakët. Padia civile në procesin penal përdoret shumë rrallë. Institucioni i Avokatit të Popullit konstaton se ende nuk janë ngritur në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore (qarqe dhe bashki), sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, mekanizmat e referimit të rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare.
`”Ne vlerësojmë se mungesa e tyre ndikon drejtpërdrejt në referimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje në organet e drejtësisë, apo edhe në autoritetet shtetërorë përgjegjëse, duke shmangur në këtë mënyrë edhe pasoja të cilat mund t’i kushtojnë jetën grave apo vajzave të një familje, ndaj Avokati i Popullit kërkon zbatimin e ligjit për ngritjen dhe funksionimin e këtyre mekanizmave”, thuhet në deklaratën për shtyp.