Ç’është financa?
Financa është shkenca e menaxhimit të flukseve të parasë, është arti i drejtimit dhe administrimit të tyre. Ajo përfshin tërë procesin që lidhet me krijimin, përdorimin, administrimin dhe transferimin e parave midis individësh, bizneseve, institucioneve financiare, institucioneve bankare, tregjeve dhe qeverive, të marra çdonjëra veç e veç, apo në marrëdhënie midis tyre më njëra tjetrën. Pra, financa është disiplina që studjon proceset përmes të cilëve individët, bizneset, entet, organizatat dhe shtetet menaxhojnë flukset monetare (mbledhja, alokimi dhe përdorimi) në kohë. Duke qënë se ekonomia pëcaktohet si “shkenca që studjon mënyrat e alokimit të burimeve të kufizuara në përdorime alternative për të maksimizuar synimin e saj”, në mënyrë analoge, financa mund të vet-përkufizohet si “shkenca që studjon mënyrën e alokimit të parasë në përdorime alternative me qëllim maksimizimin e synimit të saj”. Sistemi financiar është, pra, pjesë e sistemit ekonomik.
Financa është shkencë e mirëfilltë. Përveç krijimit, përdorimit dhe administrimit të parasë, financa është njëkohësiht shkenca e krijimit, përdorimit dhe administrimit të forndeve. Ajo është shkenca që synon realizimin e postulatit: të prodhosh sa më shumë duke shpenzuar sa më pak; të maksimalizosh flukset hyrëse duke minimizuar flukset dalëse, të maksimizosh flukset hyrëse duke minimizuar flukset dalëse, të maksimizosh të ardhurat duke synuar minimizimin e shpenzimeve.
Financat dallohen në financa personale, financa të ndërmarjes (të biznesit), financa publike, financa ndërkombëtare, financa të tregjeve.
Ndodh gjithmonë që ndërsa një pjesë e subjekteve ekonomike kanë tepricë në flukset hyrëse, një pjesë e tyre ka me tepricë flukse dalëse. Të parët kanë problem si të përdorin tepricat e flukseve hyrëse, të dytët kanë problem ku të gjejnë teprica të tjera, që të balancojnë tepricat e flukseve dalëse. Që të shpenzosh duhet të kesh. Për të rregulluar këtë ekuilibër midis tepricave të grupit të parë dhe mungesave të grupit të dytë, vendosen disa institucione të specializuara për procesin e ndërmjetësimit financiar, që quhen ndërmjetës financiarë. Këtu përfshihen bankat, që grumbullojnë tepricat e disave, qofshin këto edhe të përkohshme, dhe u ofrojnë kredi atyre që kanë nevojë. Të njëjtën natyrë kanë edhe shoqëritë e sigurimeve, bankat e investimeve, bursat dhe tregjet financiare, etj. Financa studion gjithë institucionet e ndërmjetësimit financiar.
Gjithashtu financa është shkenca e lidhur ngushtë me qeverisjen. Qeveritë, shteti dhe financat kanë lindur historikisht njëlloj. Asnjë shtet, asnjë qeveri nuk mund të bëjnë asnjë moment pa financa. Shtetet krijojnë një kompleks të tërë rregullash, kërkesash, ligjesh dhe normash, që i detyrojnë qytetarët të paguajnë tatime dhe taksa. Financa studion gjithashtu gjithë mekanizmat dhe marrëdhëniet financiare që krijohen nga shtetet dhe në shërbim të qeverive, që përbëjnë atë që quhet sfera e financave publike.