Ardian Civici: Çfarë është amnistia fiskale
Intervistë Prof. Ardian Civici dhënë Briselda Hoxha, gazeta Shekulli, 3 mars 2020
Z.Civici, qeveria ka deklaruar planin për amnistinë fiskale me në fokus emigrantët, çfarë është kjo amnisti dhe cili është qëllimi i saj?
Me një kuptim më të përgjithshëm e më të plotë amnistia fiskale është një vendim legjislativ i një qeverie ose një parlamenti për të falur ose për të anuluar të gjithë detyrimet e prapambetura, kryesisht me natyrë fiskale që individët apo institucione të ndryshme kanë në raport me pagesat që nuk kanë kryer dhe mos të jenë inkorrekt me sistemin fiskal të vendit. Në natyrën e tyre amnistitë janë të pjesshme ose të plota. Të pjesshme janë kur nënkuptojnë disa sektor ose disa kategori biznesesh ose individësh dhe janë të plota kur aplikohen në shkallë të gjerë pa bërë dallim politik, social apo ekonomik. Ka një veçori specifike kur themi një amnisti fiskale nga falja fiskale, që është një vendim që merret thjesht në një kohë të shkurtër dhe për një kategori shumë të ngushtë subjektesh që i nënshtrohet dhe është një fenomen që në shumë vende të botës edhe në vendet më të zhvilluara, edhe institucionet ndërkombëtare e trajtojnë vazhdimisht si një nga politikat e mundshme të qeverive për të luftuar informalitetin dhe për të prerë rrugën në të ardhmen për të gjitha llojet e fshehjeve ose veprimeve që i shmangen sistemit fiskal dhe detyrimeve ligjore.
Sa e nevojshme është kjo amnisti për Shqipërinë?
Edhe nga shpjegimet e dhëna deri tani, edhe duke iu referuar asaj që është shprehur kryeministri në kuvend, bëhet fjalë për një amnisti fiskale dhe penale. Kjo do të thotë që kjo amnisti do të shihet në kuadrin e dy elementeve kryesor, së pari në luftën kundër informalitetit dhe së dyti dhe si pjesë e paketës së reformave në drejtësi që ne po aplikojmë. Faktikisht, tani që kanë dalë disa nga elementet e para sepse akoma ngelet për t’u parë në detajet kur të marrë formën e një projektligji, bëhet fjalë për një amnisti në shkallë të gjerë, të plotë, pa limit kohor në të kaluarën, e cila nënkupton se me disa përjashtime, të cilat u përmendën dhe bëhet fjalë kryesisht për politikanët, për ambientet kriminale apo për një kategori që kanë patur detyrë në kuadër të postit të tyre të deklarojnë rregullisht pasurinë e tyre, pjesa tjetër çdo lloj detyrimi i prapambetur, sasi parash të pa deklaruara të përdorura brenda dhe jashtë vendit, duhet të deklarohen për t’u krijuar një regjistër i plotë informacioni mbi të ardhurat dhe gjithë pjesën e pasurive që kanë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, deri tani të pa deklaruara.
Siç e përmendëm edhe më lart, qeveria ka deklaruar që ka përjashtuar nga lista e përfitimit disa kategori, për shembull personat me të kaluar kriminale, sipas mendimit tuaj, a do të përfitojnë nga kjo amnisti këto persona dhe a ekziston mundësia për abuzime?
Kjo gjë mbetet për t’u parë në detajet që do të dalin në projektligj, por të paktën, duke iu referuar edhe deklaratave të kryeministrit por edhe deklaratave të tjera të kësaj natyre, kjo pjesë duket e përjashtuar nga amnistia fiskale, ashtu siç u deklarua që do të përjashtohen edhe politikanët edhe një kategori e caktuar që lidhen me reformën në drejtësi, prokurorë apo gjyqtarë që janë në procese të ndryshme verifikimi apo zbardhje të pasurive të tyre.
Si do të ndikojë kjo nismë në ekonominë e vendit?
Sipas jush, amnistia fiskale ka si synim formalizimin e ekonomisë apo është më shumë në interes të buxhetit të shtetit?
Të dyja interesat besoj se janë paralel, gjithashtu i shtojmë edhe një interes të tretë që ka të bëj edhe me luftën kundër informalitetit, por për dy të parat mendoj që të dyja janë në interes, edhe në interes të buxhetit të shtetit sepse natyrisht një pjesë e tyre, duke u bërë asete të rregullta do të paguajnë të gjitha taksat dhe detyrimet nga ky moment e në vazhdim dhe natyrisht kjo është një shtesë në të ardhurat e buxhetit. Por, duke e parë edhe në një këndvështrim më të gjerë, nëse në ekonominë e një vendi, një sasi kaq e madhe kapitalesh formalizohen, normalisht që ata janë një burim shumë i madh investimesh që ndikojnë në ekonomi. Ne në këtë aspekt kemi edhe disa element të tjerë që duhet t’i kemi parasysh, ndoshta jo tamam objekt i kësaj amnistie fiskale por gjithsesi pjesë e saj në një farë mënyre, ne kemi shumë kapitale dhe asete të fjetura të palegalizuara të cilat nuk mund të përdoren në zhvillimin ekonomik. Për shembull, para disa vitesh erdhi në Shqipëri një nga ekonomistët më të shquar, Hernanodo de Soto, i cili llogariti se në vendin tonë ka një kapital të fjetur, kryesisht ndërtime dhe banesa, apo element të kësaj natyre, mbi 2 miliardë dollarë që nuk përdorej dot në aktivitetin ekonomik. Nëse kjo amnisti do të falë edhe këto lloj asetesh, që janë infomalitet, ato automatikisht një pjesë vlejnë për kredi bankare, futen në treg dhe natyrisht i japin një impuls më të madh ekonomisë. Besoj që duke e parë në këtë këndvështrim, efektet e pritshme të amnistisë fiskale në ekonomi dhe në buxhet do të jenë pozitive.
A mendoni që maxhoranca mund ta hedh këtë hap e vetme, pa pasur nevojën e opozitës?
U deklarua që do të kërkohen 84 vota në parlament dhe duhet të kemi parasysh që qeveria ka 71 vota të pastra të veta dhe të kërkosh 84 vota, duhet të kërkosh një amnisti me mbështetje më të gjerë politike sesa forca që është në pushtet. Natyrisht që kjo lloj amnistie kërkon edhe konsensus të lartë politik, për 2 arsye, e para për të mos u futur në vorbullën e diskutimeve që u bë për interesa politike apo interesa të momentit, por për t’i dhënë amnistisë përmasat e nevojshme dhe të plota, dhe nga ana tjetër duke pasur parasysh që rotacionet politike ndryshojnë, këto amnisti kërkojnë këtë konsensus politik që mos të ketë kthim prapa, anulime apo ndryshime të pjesshme gjatë rrugës në vitet në vazhdim. Kështu që besoj se edhe në këtë rast do të kërkohet edhe një konsensus sa më i gjerë dhe një ligj që miratohet me 84 vota nënkupton se ka kaluar përtej një force politike.
Kjo është hera e parë që Shqipëria synon të zbatojë një amnisti të plotë fiskale, cili është komenti juaj?
Ky është një ndër debatat kryesore dhe sfidat që ka çdo amnisti fiskale, ajo që quhet “Dita e nesërme”. Në sensin që ti mund të marrësh një amnisti sot, por në momentin që ti e realizon plotësisht amnistinë, duhet të ketë shumë ndryshime edhe nga pikëpamja institucionale dhe ligjore, edhe forma e kontrollit, që mos të ndodhi i njëjti proces informalizimi që mund të kërkojë në vitet e ardhshme një nevojë tjetër për amnisti. Nëse ti nuk e realizon dot këtë, kjo krijon disa efekte negative pasi disa njerëz që janë të rregullt dhe mendojnë që nëse herë pas here ne bëjmë një amnisti fiskale, atëherë edhe unë do të kaloj në informalitet për të shmangur taksat dhe të fitoj vetë sa më shumë. Pra mendoj që kjo paketë e amnistisë duhet të shoqërohet me një sërë masash kontrolluese dhe frenuese që të tilla fenomene të prodhohen sa më pak dhe të akumulohen sa më pak në të ardhmen. Nëse do të bëhet kështu, atëherë efektet e saj janë vërtetë pozitive.