Ç’është prokurimi publik?
“Procedurat përzgjedhëse të prokurimit” janë procedurat e ndërmarra nga Autoritetet Kontraktore për përzgjedhjen e fituesve për kontratat publike – të financuara nga buxheti i shtetit – për mallra, punë dhe shërbime.
“Fondet publike” janë çdo vlerë monetare e Buxhetit të Shtetit, e buxhetit vendor, fonde ndihmë ose kredi të dhëna nga donatorë të huaj sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare të cilat kërkojnë zbatimin e procedurave ligjore të vendit. Hyjnë në fondet publike dhe të ardhura nga shteti, nga ndërmarrjet lokale, shoqëritë tregtare dhe entet e tjera, ku shteti zotëron shumicën e aksioneve ose të kapitalit, të cilat janë përcaktuar për përdorim në prokurimet publike.
“Kontratat publike” janë kontratat ligjore të lidhura zakonisht nëpërmjet shkëmbimit të komunikimit me shkrim, ndërmjet një apo më shumë operatorëve ekonomikë dhe një ose më shumë autoriteteve kontraktore shtetërore, që kanë si objekt kryerjen e punimeve, furnizimin e mallrave dhe / apo shërbimeve, në përputhje me ligjin. Tipet kryesore të kontratave publike janë:
-“Kontratat publike për shërbime” janë kontratat publike që kanë objekt kryerjen e shërbimeve. Ato mund të kenë si objekt mallra dhe shërbime, por në këtë rast vlera e shërbimeve në kontratë duhet të tejkaloje atë të mallrave. Kontratat për shërbime, mund të përfshijnë edhe punime të lidhura në mënyrë dytësore me objektin kryesor të kontratës.
– “Kontrata publike furnizimi” janë kontratat publike, që kanë objekt blerjen, blerjen me pjesë ose me këste, qiranë me ose pa mundësi blerjeje të mallrave. Një kontratë publike, që ka objekt furnizimin me mallra dhe që përfshin në mënyrë dytësore edhe vendosjen dhe instalimin, vlerësohet si “kontratë publike furnizimi”, nëse vlera e mallrave e tejkalon vlerën e vendosjes apo instalimit.
– “Kontratat për punë publike” janë kontratat publike, që kanë objekt realizimin, projektimin dhe realizimin e punimeve apo të punës ose realizimin me çfarëdo mjeti të një pune, që përputhet me kërkesat e përcaktura nga autoriteti kontraktor. Këto kontrata janë të përshtashme kryesisht për vepra infrastrukture.
– “Kontratat e konsulencës” janë kontratat për shërbime konsulence, të një natyre intelektuale dhe këshilluese, duke përjashtuar llojet e tjera të shërbimeve, ku mbizotërojnë aspektet fizike të veprimtarisë si punime dhe/ose furnizime mallrash;
Kontratat publike lidhen midis autoritetit kontraktor dhe kontraktuesit.
“Autoritet kontraktor” është çdo institucion apo ent (institucionet kushtetuese, institucionet e tjera qendrore, institucionet qendrore të pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore), që i nënshtrohet zbatimit të ligjit “Për Prokurimin Publik”.
“Kontraktues”, “furnizues” dhe “sipërmarrës i shërbimit” është çdo person fizik, juridik apo ent publik ose grup personash dhe/ose organesh të tilla, që ofrojnë në treg sipërmarrjen e një ose disa punëve, furnizimin me mallra ose shërbime.
“Mënyra elektronike” e prokurimit është përdorimi i pajisjeve elektronike dhe programeve informatike për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave (përfshirë këtu edhe përpunimin dixhital) që transmetohen, jepen e merren përmes kabllove, radios, mjeteve optike ose çdo mjeti tjetër elektromagnetik. Platforma e prokurimit elektronik është një aplikim i bazuar në rrjet, që mbështet automatizimin e aktiviteteve të tenderimit të Autoriteteve Kontraktore. Ky sistem mundëson administrim të sigurt, efikas e transparent të të gjithë dokumentave që lidhen me procesin e tenderimit, duke mënjanuar formën e dorëzimit të dokumentacionit në letër dhe duke siguruar një rrjedhë të sigurt të të dhënave përgjatë gjithë procesit.
Llojet e procedurave të prokurimit publik janë:
a) procedurë e hapur;
b) procedurë e kufizuar;
c) procedurë me negocim, me ose pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës;
ç) kërkesë për propozime;
d) konkurs projektimi;
dh) procedurë “shërbim konsulence”.